ETIKA E GAZETARIT

Shpresoj që lexuesi i këtyre radhëve ta ketë ndjekur se çfarë ndodhi me gazetaren televizive Kozeta Kurti, e cila u përfshi në një incident ende të pasqaruar, në një qendër tregtare në Itali; dhe pastaj u përbalt nga mediat dhe rrjetet sociale si “hajdute.”

Nuk është hera e parë që një personi i ndodh kështu: ndryshe nga sistemi gjyqësor, i cili ndjek rregulla të caktuara për të vendosur fajësinë e dikujt, mediat kanë prerogativën për ta ekzekutuar dhe varrosur dikë pa gjyq. Në Shqipëri ato gëzojnë edhe pandëshkueshmërinë kur e bëjnë këtë.

Nuk e njoh Kurtin, nuk di se çfarë ka ndodhur pikërisht në Itali, por i dal pa ngurrim në krah, për ta mbështetur kundër linçimit publik që ia bënë mediat. Askush, dhe aq më pak shtypi i lirë, nuk ka të drejtë t’ia përdhosi kështu dinjitetin një qytetari, për çfarë mbetet tani për tani hipotezë.

Kurti reagoi me forcë të madhe kundër këtij linçimi dhe bëri mirë; duke përfituar edhe nga ekspozimi i saj publik si gazetare. Megjithatë, më tërhoqi vëmendjen kjo thënie e saj, që në fillim të deklaratës për mediat:

Kur dikujt i përlyhej emri pa të drejtë dhe i bëheshin gjyqe publike përpara se drejtësia të thoshte fjalën e saj të fundit, i thoja vetes e të tjerëve: Ah, veç mos më ndodhtë mua, por Zot mos më vër në provë se nuk e di çfarë do bëj.

Sepse është një deklaratë që shpreh, në mënyrën më elokuente të mundshme, çfarë nuk shkon me gazetarinë e sotme shqip dhe angazhimin e saj etik. Në fakt, nga një gazetar do të pritej që, kur “dikujt t’i përlyhej emri pa të drejtë dhe t’i bëheshin gjyqe publike para se drejtësia…”, të dilte menjëherë në mbrojtje të viktimës.

Nuk di nëse Kurti e ka bërë këtë ndonjëherë; por nga çfarë ka thënë tani, shoh se nuk i ka shkuar mendja që pikërisht kjo kërkohet prej saj – si gazetare: t’i dalë në mbrojtje personit, individit, qytetarit që i shkelen të drejtat elementare, nga një pushtet çfarëdo.

S’më mbetet veç të shpresoj që ajo ta përmbushë këtë imperativ etik në të ardhmen – tani që e pagoi shtrenjtë dhe në kurrizin e vet atë lloj linçimi të cilin shumë kolegë të saj e kanë shndërruar sot në profesion.

Nuk ka komente

  1. Kozeta ka vjedhur dhe kjo nuk diskutohet, por nuk mbeti njeri pa i bërë solidaritet.
    1) nuk të ndalojnë rojet pa mall të fshehur
    2) nuk të arrestojnë Carabinieri pa prova
    3) nuk bëhet denoncim nëse nuk e kanë kapur me mall dhe me prova.
    Si nuk pashë gazetarë të bëhen solidar me viktimat e regjimit të Ramës që po ju prishen shtëpitë pa asnjë urdhër gjykate!?

    1. Këtë nuk e ftillojmë dot ne këtu në blog. Ka një gjykatë në Itali që mund ta sqarojë.

      Kur sapo kisha filluar punë në NYC, shefen time – një grua goxha të respektueshme – e ndaluan për disa orë në një dyqan të Manhattan-it për “vjedhje” (kish shkuar aty në orar të pushimit). Kur u kthye në zyrë shpjegoi çfarë i kish ndodhur – një prej rrobave që kishte në qese kur doli nga dyqani nuk figuronte në kupon. Natyrisht, asnjëherë nuk më shkoi mendja se ajo kish vjedhur. Incidente të tilla ndodhin gjithnjë – dhe nuk është incidenti që ka rëndësi, por përsëritja. Policia e di këtë dhe procedurat formale nuk duhen marrë për konfirmim të akuzës. Gjithsesi, shefes sime atëherë thjesht i komunikuan që të mos futej më në atë dyqan dhe kaq – por këto janë rregullat në NYC.

  2. Ju mirë e shihni punën lidhur me raportimin profesional të ngjarjeve, problemi është që media nuk dëgjon nga ai vesh. Ka kutin e vet për gjërat. Ja, edhe në rastin e fundit të sulmit mbi gazetën satirike franceze, mediat tona, në vend të na informojnë me ca më tepër profesionalizëm e ta shfaqin ca më pak videon e vrasjes së policit francez, kanë vajtur kanë gërmuar që CH paska mbështetur Kosovën më ’99. Tani po filloj të mendoj si do të ishin raportimet për ngjarjen e sotme, sikur kjo revistë satirike të kishte bërë të kundërtën. Dhe as që po shkoj deri në pikën të hamendoj si do të ishin komentet internaute pas atyre raportimeve.

  3. Jam kaq e skandalizuar nga niveli i gazetarise ( jo vetem nga sulmet dhe budalliqet ne media ne lidhje me kete blog) sa rasti me Kurtin nuk me habiti fare dhe me solli ne mendje rastin e Kosta Barjabas i cili ekzaktesisht nje vit me pare pesoi te njejtin fat nga gojet e liga te medias shqiptare. Natyrisht si figure publike dhe politike rasti Barjaba ishte ku e ku me juicy se ky i zonjes Kurti.

    Tek e lexoja deklaraten e saj vura re se indinjata e saj, teresisht e justifikuar, u shfaq me tone gati gati hakmarrese. Si qytetare e thjeshte ka plotesisht te drejte te padis palet qe i kane demtuar imazhin (XhaXha merr shembull dhe ti). Por kjo deklarate nuk eshte deklarate e nje qytetarje te thjeshte por e nje gazetareje dhe prisja qe hakmarrja e saj te ishte nje denim moral i katandisjes se gazetarise dhe te sherbente si thirrje kolegeve per solidarizim profesional per te vene FJALEN ne sherbim te drejtesise. Eshte degradim i madh shoqeror kur problemet vendosim ti zgjidhim vetem neper gjyqe, kur keto duhet te ishin arma jone e fundit per te vene drejtesi.

    Roli i gazetarit me eshte dukur si roli i priftit: nje permbysje ku ne vend qe ne te rrefehemi tek prifti, gazetari rrefehet para Zotit (publikut) per mekatet e shoqerise. Si te tille e kam pare kete rol si nje figure te shenjte dhe gazetarine si nje Calling edhe pse e kuptoj se si priftin si gazetarin e bejne njerez qe pervec virtyteve kane dhe dobesite e tyre si te gjithe ne! Zotimi i saj per hakmarrje e per ti marr shpirtin tjetrit dhe tundimi per tu bere milionere ne kurriz te paaftesise dhe injorances te te tjereve nuk e dallon fort nga koleget e saj. Ne nje deklarate prej 655 fjalesh permenden 3 here milionat… uroj ti marr e te largohet nga gazetaria nje dite e me pare!

    Ju përgjigja me sinqeritet, pavarësisht se nuk e dija që do më hapnin dyert e klasës milionere, për shkak të dëmit që më kanë shkaktuar, duke përdorur deklaratën time

    Por mua nuk më dhemb Italia, se këtyre do t’u marr shpirtin… edhe lekët dhe kur të bëhem milionere, do hap një biznes që të heq dorë nga gazetaria, profesioni që ka marrë më qafë njerëz pa fund

    ama një pjese tjetër, shumë para nuk u marr dot, se nuk kanë morra e jo më lekë, por maksimumin do u marr,

    E kur të bëhem milionere, do u paguaj edhe lekët e rrogave që kanë muaj pa i marrë!

    Per solidaritetin e zonjes Kurti vlen te permend pjesemarrjen e saj si VIP ne fushaten sensibilizuese, Beje Boten Portokalli, per t´i dhene fund dhunes kunder grave dhe vajzave! Rrofte UNDP-ja e ambasadat qe kujtohen te ngrene zerin per viktimat e dhunes!

    https://www.facebook.com/unwomenalbania/photos/ms.c.eJw9jtkRRDEIwzraAROI3X9jb5aEfGrEIdJols4KJ~_PH5mCz6rLZnxXr8nJXJbDHo7nePBJiSpcdvQ~_M5~;Hzz3R8Xkb3yMdjN9v8q9O7X69O79s~;95~_Hui~_mZ1X7nPmM5sW5bz1v~;ADVATpr.bps.a.880799931965275.1073741867.668381123207158/880800398631895/?type=1&theater

    1. Nuk di të them për rastin që po diskutohet aktualisht në blog për gazetaren, pasi do duhet të rrjedhë edhe shumë kohë të merret vesh e vërteta me stilin që kanë mediat tona për t’i “sqaruar” ngjarjet. Por nganjëherë gjykatat duhen. P.sh. rasti i fundit që ka mbuluar gjerësisht media, video-skandali me një adoleshente të shtruar në QSUT, është krejt flagrant. Në rast se e dëmtuara do të gjente ndonjë avokat të zot, mediave do t’u digjte keq barku. Me mënyrën si e kanë mbuluar me pamje ngjarjen në edicionet e lajmeve, kanë kapërcyer jo vetëm shumë kode etike të profesionit, por edhe ca ligje të mira, paçka se nuk i kanë zbuluar të dëmtuarës identitetin. Ata të Youtube-it nuk janë budallenj që e kanë censuruar videon. Është nga ato raste kur njeriut i vjen keq që s’ka një diplomë juristi e një licencë avokati.

  4. jemi kaq te kenaqur kur kapet ndonjeri me presh ne dore, sa hedhim te paret guret – nuk ka faj populli. gjithkund ne sistemin tone te drejtesise po dalin te pafajshem ata qe vjedhin miliona (kryetari i bashkise se vlores, kamzes, fierit, apo kryetari i parlamentit) dhe vetem keshtu gjejme prehje kur ndonje bie ne rrjetat e policise, e asaj te jashtme, se kesaj te vendit nuk i beson kush. Pra ka te beje me sigurine qe kemi per te pergojuar, nuk ka dyshime ne kete ngjarje – reli me siper eshte kaq i kenaqur pse i sigurte.
    Media tek ne vetem ngren dyshime, provat shnderrohen ne ceshtje intepretimi ekspertesh (rastet e gallates me ADN-ra 98% apo gjurme nitrati nga plumbat jane te shpeshte). Keshtu qe besohen vetem ato me kamer tek programet televizive per denoncim ose ato qyqare qe kapen nga policia ne perendim. Ky lloj gurezimi eshte vazhdimi i hipokrizise sone, hajdut eshte vetem ai qe kapet, te tjeret jane te shkathet.

  5. Mënyra se si e dhanë lajmin mediat e lëndon dinjitetin e njeriut, e zhyt atë në baltë, pa i dhënë mundësi të flasë. Për rastin konkret, e vërteta gjyqësore do të dalë pas shkallëve të gjykimit: deri atëherë duhet të rrijë në fuqi prezumimi i pafajësisë. Mirëpo ky rast i veçantë na zbulon mekanizmin e mediave, veçanërisht të atyre shqiptare, të cilat kryqëzojnë në këtë rast një kolegen e vet, pa bërë minimumin e verifikimit.
    Personalisht, përveç të interesuarës që është e detyruar, shpresoj që shumë kolegë të tjerë gazetarë të reflektojnë për këtë ndodhi, sepse nga etika e tyre varen edhe qytetarë të thjeshtë, madje jeta e një komuniteti.

  6. Xha Xhai, në një pikë të shkrimit të vet, prek paksa edhe çështjen se çfarë nuk shkon sot në gazetarinë shqiptare. Për ta kuptuar më mirë, më gjerë e edhe nga kënde të tjera vështrimi terrenin me gropa mbi të cilin është ndërtuar ngrehina e medias shqiptare, ndoshta lexuesit e blogut i ndihmon edhe aktiviteti i fundit i presidentit Nishani, takimi i përvitshëm me gazetarët. Në këtë takim, veç tjerash, presidenti ka dekoruar edhe gazetaren E. Skënderasi, e cila humbi jetën në një aksident me makinë që pësoi trupa televizive në kthim nga një aktivitet lokal. Siç raporton agjencia Balkanweb: “Presidenti ia dorëzoi dekoratën, Administratorit të “Focus Group”, z.Kasem Hysenbelli, i cili duke e vlerësuar respektin dhe nderimin që iu bë gazetares nga Presidenti i Republikës, tha:”… Se çfarë tha apo, shprehur ndryshe, fjalën që mbajti administratori i nderuar i këtij grupi mediatik, z. Kasemi, mund ta ndiqni këtu: http://youtu.be/oFfAD2r2wEQ. Fjala ka efekte sqaruese për kë është sevdalli i informimit.

  7. Hmm, media shqiptare ka vene poshte nje nga te vetet dhe kjo e ndjen veten te marre neper kembe pa te drejte?
    Dhe ndjekesi mesatar i ndodhive nga Shqiperia nuk e ndan dot mendjen ke te besoje sepse ka shume pak informacion?
    Ironia, kjo nene e paepur me shume femije.

    1. Mori vendet-tona të dashura, kur anonimi popullor i binte fyellit e këndonte, ulur mbi curr, “i mprehi brirët para ndeshjes…”, s’e kish në kuptimin literal. Ishin këngë epike, me gjuhë parabolike. Mos e merr gurin e ashpër në dorë t’i kruash mesatarisht brirët në tërë gjatësinë e tyre, se ashtu i dobëson e të thyhen kollaj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin