URIME DHE REFLEKTIME

Në emër të blogut “Peizazhe të fjalës”, ju uroj një vit të ri të mbarë, produktiv dhe plot gëzime të gjithëve ju që keni qenë pjesë e eksperiencës sonë gjatë vitit 2014 – si autorë, si komentues ose edhe vetëm si lexues.

U shpreh mirënjohje të veçantë e të thellë të gjithë atyre që edhe dhuruan diçka për blogun, duke iu përgjigjur ftesës sonë të një viti më parë; shpresoj që ky gjest kaq fisnik t’i ketë afruar më shumë me ne dhe me çfarë duam të përfaqësojmë dhe të çojmë përpara.

Viti që shkoi ishte edhe vit i konsolidimit të komunitetit të blogut, pas disa ndryshimeve të nevojshme që bëmë në praktikën e komentimit. Edhe pse gjithnjë e kemi inkurajuar të shkruarin me pseudonim, tashmë unë i njoh pjesën më të madhe të atyre që japin kontributin e tyre në blog – dhe kjo e ka ulur ndjeshëm frymën e armiqësisë që ndonjëherë nuk e kemi shmangur dot në të shkuarën.

Për mua personalisht, viti që shkoi ka shënuar një numër suksesesh gjithnjë të lidhura me blogun, si çmimi që iu dha librit “Sende që nxirrte deti”, por edhe të tjera minore. Debatet në blog dhe disa prej temave të hapura janë shndërruar tashmë në tema për libra të ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, 2014-a ka qenë viti kur jo vetëm unë si autor, por edhe vetë blogu, janë mësyrë dhe luftuar si kurrë më parë, në faqet e mediave, nga persona dhe klane që nuk më (na) duan. Toni i këtyre sulmeve ka qenë ndonjëherë kaq i ashpër dhe ad hominem, sa më ka bindur se me siguri jemi duke e bërë diçka mirë.

Atyre që e konsiderojnë blogun “Peizazhe të fjalës” si kërcënim, dua vetëm t’ju them: prisni, se nuk keni parë akoma asgjë.

Nuk jam nga ata që i besojnë “rritjes” me çdo kusht; as mendoj se shtimi i numrit të lexuesve ose i klikeve përfaqëson doemos vlerë për blogun dhe autorët atje. Megjithatë, mbetet dëshira ime për t’i zgjeruar kontaktet e çdo lloji – dhe në këtë drejtim faqja e blogut në Facebook ka ndihmuar së tepërmi. Edhe pse numrat në vetvete nuk duan të thonë asgjë, shanset janë që, nëpërmjet ekspozimit, do t’i shtojmë shanset që të gjejmë, të shpërndarë anembanë botës reale dhe virtuale, talent të çmuar për komunikimet tona.

Shpresoj edhe që, gjatë vitit 2015, të lexoj komente më të mira në blog, më cilësore dhe produktive; jo gjykime ex cathedra për shkrimet, as sulme ad hominem, as lëvdata; por kontribute të mirëfillta në debatet. Duke gjykuar nga fibra intelektuale e lexuesve të blogut, besoj se niveli i debatit mund të përmirësohet ndjeshëm; meqë ende nuk e kemi arritur atë fazë kur komentet të jenë pjesë integrale e shkrimit dhe të lexohen me kënaqësi, sidomos nga palë të treta.

Në një kuptim, blogu “Peizazhe të fjalës”, edhe pse mbetet mjaft i lexuar (rreth 530,000 klike gjatë vitit 2014), ndjek një model të kundërt nga ai i pjesës më të madhe të mediave shqip me të cilat është megjithatë i krahasueshëm për nga leximtaria. Ne nuk financohemi nga askush, përveçse nga dhuratat vullnetare të lexuesve; nuk mbështetemi nga asnjë fondacion, firmë private ose institucion publik; jemi absolutisht të pavarur nga qendrat e pushtetit; dhe – siç mund ta keni vënë re – nuk kemi reklama në faqe.

Kjo do të thotë se materialet, orientimi dhe fryma e blogut nuk varen nga numri i klikeve; dhe në asnjë rast ne nuk synojmë t’i bëjmë qejfin lexuesit, të ulim nivelin për të tërhequr një numër sa më të madh vizitorësh dhe të fokusohemi në tema popullore, të tilla si “të pasmet e Zelihasë”. Blogu do të kish mbetur në thelb i njëjti, edhe sikur në vend të gjysmë milioni klikesh gjatë vitit 2014, të kish pasur vetëm 500 ose 1000 të tilla.

Nga ana tjetër, ndokush mund të jetë mërzitur me politikën tonë të moderimit dhe të ndërhyrjes në debatet; dhe sidomos në rregullin e ri të regjistrimit në sajt për komentuesit. Për fat të keq, jemi të detyruar t’i zbatojmë disa rregulla të mërzitshme edhe për ne, për ta mbrojtur blogun nga trollët, provokatorët, armiqtë, rrugaçët dhe personat që i sjell këtu rastësisht era.

Ndryshe nga çfarë mund të besohet prej disave, ne moderojmë shumë pak komente: rreth 30 janë fshirë në dhjetor, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë dyzime ose kërkesa private që i bëhen administratorit (për të korrigjuar diçka ose për të fshirë një koment të mëparshëm, etj.). Në përgjithësi, kur kemi gjykuar se një koment bie ndesh me rregullat elementare të komunikimit në blog, kemi preferuar ta kundërshtojmë haptazi dhe publikisht, në vend që ta fshijmë në heshtje. Blogu gjithnjë e respekton lirinë e fjalës – por le të mos harrojmë se kjo hapësirë private mirëmbahet për të kultivuar, para së gjithash, lirinë e fjalës të autorëve; ndërsa komentuesve dhe vizitorëve u jepet në përdorim pa ndonjë premtim a garanci të çfarëdoshme, përtej integritetit moral të administratorëve dhe të blogut vetë.

Ne si rregull nuk ribotojmë asgjë që është publikuar gjetiu dhe nuk marrim, as me leje dhe as pa leje, materiale nga sajte të tjera. Ndërkohë, “huazimin” e materialeve të blogut prej palësh të treta, për përdorim edhe me qëllim fitimi (si p.sh. botimi në faqe me reklama), e kemi trajtuar me mirëkuptim të arsyetuar; tek e fundit, pavarësisht nga fërkimet, moskuptimet dhe keqkuptimet, mediat shqip mbeten aleatet tona, dhe me shumë drejtues të këtyre mediave kemi marrëdhënie miqësore.

Vizitorë dhe lexues që duan të jenë edhe autorë në blog gjithnjë mirëpriten që të bashkëpunojnë; por ky lloj bashkëpunimi duhet të përfshijë edhe pjesëmarrjen në debatet dhe në komentet. Nga kjo pikëpamje, blogu nuk është si ato qendrat tregtare, me dyqane të administruara veç e veç dhe një hapësirë me shatërvan dhe kafe në qendër, për të bërë muhabet; por më shumë një komunitet njerëzish të lirë dhe të angazhuar.

Dhe kjo nuk ndikohet nga fakti që disa mund të vijnë këtu për “llogje” ose për të parë si zihen të tjerët ose për synime të tjera dëfryese. Le të jetë e qartë për të gjithë, se askush prej nesh autorëve të rregullt nuk harxhon orë, energji dhe nerva, dita-ditës, për të dëfryer e mikluar të tjerët; dhe se “Peizazhe të fjalës” është një projekt intelektual dhe qytetar serioz, që i mban dyert të hapura për publikun, por që nuk ka karakter publik në vetvete. I vetmi detyrim yni absolut ndaj të tretëve është respekti ndaj personit dhe korrektesa.

Për këtë arsye, edhe çfarë u nis si urim përfundoi sërish si refleksion për mënyrën si komunikojmë me njëri-tjetrin. Por, le të kthehemi sërish në paragrafin e parë – dita e sotme është kohë bilancesh dhe meditimi; por edhe kohë për t’u gëzuar. Shpresoj dhe uroj që të gjithë ju të keni arsye për ta kremtuar vitin që shkoi; dhe për ta parë 2015-ën me optimizëm. Gëzuar edhe një herë Vitin e Ri, pra dhe le të gatitemi për të kaluar së bashku edhe një vit tjetër.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin