DE(X)

Prej kohësh jemi mësuar të dëgjojmë thirrje për dekriminalizimin e  prodhimit, shitjes dhe përdorimit të drogave të lehta. Por këto muaj misionarët e opozitës, të përkrahur nga eksponentë të Parlamentit Evropian, kanë shpallur si projekt “dekriminalizimin” e parlamentit. Me pak fjalë synimi është, edhe pse nuk ka një përkufizim të qartë të këtij procesi, të largohen përfaqësues politikë që kanë pasur precedent penalë, dhe/ose të pengohet zgjedhja e tyre në organet përfaqësuese të qeverisë vendore.

Thirrjet për dekriminalizimin e Kuvendit janë njësoj hipokrite sikur ato për lustracionin (dekomunizimin), një proces që Partia Demokratike e ka keqpërdorur sa herë ka qenë në pushtet (shih Elbasani & Lipinski, 2013). Të dyja këto procese kanë në themel një parim të moralshëm, pastrimin e pushtetit politik nga individë të përfshirë në krime, qofshin këto kundra njerëzimit apo pronës.

Për herë të tretë që prej 1990 parlamenti po ri-shqyrton projekt-ligje për lustracionin. Nuk janë rastësi lëvizjet e qeverisë për të sjellë dy propozime në tavolinë. Një për të përçarë opozitën me nismë të Elsa Ballaurit, që synon deklasifikimin dhe lustracionin, e nuk ka gjasa të fitojë konsensus me nenin 17, i cili damkos ish-anëtarët e qeverisë së periudhës socialiste. Dhe një tjetër, që ndoshta do ta mbyllë njëherë e mirë këtë proces, duke përkthyer një ligj gjerman për deklasifikimin e dosjeve [Stasi Unterlagen Gesetz]. Mbyllja përfundimtare e këtij procesi do ti hiqte Berishës dhe PD-ës atë pak legjitimitet të mbetur në pjesën e ish-të-përndjekurve politikë të elektoratit.

Interesante është edhe lëvizja e opozitës me nismën e “dekriminalizimit” që synon gjithashtu të përçajë duke përdorur pakënaqësinë e disa elementëve kriminalë brenda koalicionit qeverisës, ndërkohë që tregon besnikëri ndaj përfaqësuesve të vet (rrahja e G. Strazimirit) duke arritur me sukses të shtrëngojë rradhët e përfaqësuesve të vetë që ndodhen vazhdimisht nën trysninë kooptuese të qeverisë. P.sh. deputetë me interesa ekonomikë që kërkojnë bashkëpunimin e qeverisë aktuale janë rreshtuar së fundmi kundër bojkotit parlamentar (A. Veliaj, G. Ruli, M. Bregu, F. Mehdiu, A. Duka etj.). Këto trazime mund ta kthejnë S. Berishën nga krijues në një produkt konsensual të konstelacioneve e aleancave brenda partisë së tij.

Nisma për dekriminalizimin e Kuvendit është jo vetëm një flluskë në aspektin ligjor e praktikisht i parealizueshëm – neni 45 i kushtetutës lejon çdokënd të zgjidhet e të zgjedhë në përputhje me parimet e të drejtave të njeriut; por edhe e padëshirueshme në proceset demokratike të përfaqësimit, pasi do të shkretonte parlamentin nga elementët më aktivë në politikë. Një parlament i “dekriminalizuar” do të ishte një parlament më njerëz të përgjumur, që nuk kanë gabuar se nuk kanë ndërmarrë ndonjë gjë në jetën e tyre. Por edhe në aspektin moral, pra sikur ky proces të kufizohej vetëm në gjykimin publik dhe gërmimin e “bëmave” të pamoralshme – proces paralel me shpifjen dhe përbaltjen,-  sërish do të ishte problematik. Parimi se të gjithë të janë të fëlliqur dëmton mbi të gjitha autoritetin dhe legjitimitetin e shtetit.

Problematik është edhe dallimi ndërmjet kategorive të inkriminimit. A do të dallohen ata që janë inkriminuar jashtë sistemit politik, me vepra penale të vrasjes, trafikimit të drogës apo trafikut njerëzor, nga ata të përlyer pse kanë qenë funksionarë në sistemin politik apo administrativ –  kanë shkelur procedura tenderimi, janë dyshuar për korrupsion pasiv etj. Dritan Shehu në Gazetën Panorama i përfshin të dyja kategoritë.

Përfaqësues të Partisë Demokratike apo të koalicionit opozitar janë përballur me akuza për korrupsion gjatë qeverisjes, si p.sh. Lulzim Basha për rrugën Fushë Krujë-Kukës, Sokol Olldashi për atë Levan-Vlorë, Fatmir Mediu për aksidentin e Gërdecit, Genc Ruli për koncesionet në miniera etj. Gjatë procesit të hetimeve apo të gjykimit akuzat kanë rezultuar jo të mjaftueshme për të ngritur çështje gjyqësore ose për dënime penale. Këta përfaqësues kanë qenë ndër më aktivët gjatë qeverisjes së PD-s, që kanë punuar si në frontin e zbatimit të politikave në ministritë përkatëse, edhe në frontin partiak duke mobilizuar mbështetjen për këto politika. Po ashtu ndaj PS dhe LSI, sot në koalicionin qeverisës, ka akuza për korrupsion ndaj personave më aktivë në zbatimin, hartimin apo gjenerimin e mbështetjes së politikave të qeverisë, si p.sh. ndaj Erjon Veliajt. Një pjesë e akuzave duket që kanë prapavijë politike për demonizimin e kandidaturave për zgjedhjet vendore, si ajo ndaj E. Veliajt. Në cilindo rast, retorika e “dekriminalizimit” shkakton një furtunë në gotë dhe vetëm sa ndot karrierat politike të disa figurave qendrore që janë edhe ndër më aktivët në të dyja kahet.

Sidomos ministrave dhe këshilltarëve e tyre gjatë zbatimit të politikave qeveritare u duhet të përballen me burokracinë e ngurtë të administratës publike. Burokracia jo vetëm vetë-kufizohet me lumin e udhëzimeve e rregulloreve që nxjerr përditë – pjesërisht për të justifikuar ekzistencën, – por është në konflikt të vazhdueshëm me udhëheqjen politike. Udhëheqja politike kërkon shpejtësi në zbatimin e vendimeve dhe fleksibilitet për t’iu përgjigjur kërkesave të mbështetësve polikë. Burokratët kanë si qëllim ruajtjen e vendit të punës, sigurimin e informacionit për të rritur vlerën e tyre në sistem duke kompartmentalizuar çdo rol e informacion, dhe të frenojnë turravrapin e çdo nisme politike që rrezikon status quo-në dhe karrierën e tyre. Atëherë një ministër tregon vullnet politik kur kapërcen pengesat administrative dhe kërkon përqendrimin/grumbullimin e informacionit e të vendimmarrjes në një njësi. Përqendrimi i vendimmarrjes në një grup sjell kapërcimin e hallkave administrative dhe për pasojë krijon hapësira për korrupsion. Nga ana tjetër çdo ministër që do e lejonte veten të udhëhiqej nga administrata për të mos shkelur ligjin ose mos gabuar a “njollosur” biografinë e tij, do të ishte një i përgjumur. Me mbarimin e mandatit nuk do e kujtonte njeri as për keq e as për mirë.

Publikut nuk i duhet një repart me gjumashë, por njerëz aktivë, që edhe gabojnë. Ndërsa nismat e PD-së, sidomos tani që nuk ka shumicën parlamentare të vendosë, tingëllojnë edhe më të zbrazëta.


 

Elbasani, A., & Lipinski, A. (2013). Transitional Justice in Albania: Historical Burden, Weak Civil Society, and Conflicting Interests. In O. Simić & Z. Volčič (Eds.), Transitional Justice and Civil Society in the Balkans (pp. 105-121): Springer New York.

Nuk ka komente

  1. Ketu nuk behet fjale per gabime, por per faje dhe pergjegjesi kriminale. Gerdeci nuk eshte gabim, sepse gabim eshte te ndodhe dicka nga mosdima, ose nga eksperimentimi, por te ndodhe ajo qe ndodhi eshte papergjegjshmeri kriminale. Dekriminalizim do te thote qe kryetari i partise, si Edi Rama p.sh te mos e plotesone listen me mendate te blera, si ndodhi ne vitin 2009 edhe me ndonje qe sot eshte minister. E njejta gje ndodh edhe me kryetaret e bashkive qe paguajne duke nisur nga 450-500 mije euro vetem per te kandiduar, pastaj tjeter pune fitojne apo jo. Nuk flasim ketu per bashkite kryesore. Te dalesh e t’i shesesh miletit se kemi kandiduar njerez me deshmi penaliteti te paster, kur ne Shqiperi u vodh serberi i tatimeve, eshte jo te tallesh, por te deklarosh se kjo eshte Shqiperia dhe ekonomia e saj. Per ata qe kane brenda sistemit nuk ka pse te kete penalizime te kesaj natyre, sa kohe gjykata ka vendosur ate qe ka vendosur. Le te ndryshoje sistemi zgjedhor, te mos e beje listen Edi Rama me Koco Kokedhimen dhe Tom Doshin, sikurse andej vetem Berisha me vajzen dhe djalin dhe pastaj le te vendose populli ke do. Qofte mazhoritar, qofte proporcional me lista te hapura. Jemi ne piken kur kontraten me te sinqerte e ka Ilir Meta: urdhero leket, me jep voten. Qe ketu nuk ka me vlere teoria, jo me premtove, jo ke thene ashtu e keshtu. Dhe ne Shqiperi jane. Etem 3 ose 4 persona qe vendosin per cdo karriere. Te tjeret mbushin listen. E dime kete gje. Ose e kuptojme kaq gje.

  2. Dalloj ne argumentin me siper nje llogjike qe dominon ne sektorin privat ku tentativa dhe guximi per te rrezikuar (risk taking) vleresohet, madje inkurajohet rendshem. Flitet shpesh per CEO e udheheqes (leaders) qe rrezikojne dhe u sjellin perfitime te medha kompanive ku punojne, qe detyrimisht duhet te kene tolerance per mossukses (risk tolerance). Natyrisht vemendja publike eshte tek personazhi ne krye por pas tyre fshihet nje armate me profesioniste qe i eshte detikuar nje ideje, qe nga momenti kur ajo lind, ne formulimin e strategjise dhe ne gjithe fazat e ekzekutimit.

    Nuk ka program per zhvillimin e lidershipit apo model kompetencash (competency model) qe te mos vere theks tek guximi per te rrezikuar. Por, dhe kjo eshte teper e rendesishme, ka nje theks po aq te forte tek MESIMI; ai personal dhe ai i organizates (organizational learning). Pra nuk mund te kesh nje kulture qe shperblen suksesin e guximit pa patur nje kulture qe reflekton dhe nxjerr mesime kur ky guxim prodhon deshtime, pikerisht per ta minimizuar deshtimin ne te ardhmen.

    Ne krahun politik flitet shpesh per udheheqes me guxim qe promovojne nje program qe pak te tjere do te kishin perqafuar por kurrsesi nuk e bejne kete me koken e vete dhe per me teper nuk guximi per te shkelur ligjin apo bere bisht burokracise nuk do ishte kurrsesi i mjaftueshem per ti vleresuar si te suksesshem si politikane. Jo kur keta politikane tek ne kane mangesi te medha per detyrat baze qe u jane besuar.

    Ka plote nga ata qe bejne shkelje ligjore e administrative per hir te perfitimeve e megalomanise personale. Por qe kjo te promovohet nuk ka kuptim se ashtu do hanin kokat e njeri tjetrit e ne ate rast nuk do kishim as ata te fjeturit! Nuk guxohet kollaj ne kurriz te popullit pa marre parasysh rreziqet dhe perfitimet. Tek ne rregullisht rrezikohet ne emer te perfitimeve pa i vene veshin rrezikut dhe demit qe shkaktohet me tutje dhe pa qene te gatshem per te pranuar pergjegjesite perkatese kur rrezikimi deshton. Mund te flitet per guximin e munguar te politikaneve tane te pergjumur por jo ta kompensojme ate me guxim e shkelje qe nuk ngrene asnje peshe ne mireqenien e popullit. Te pershpejtosh nje proces me mirebesim per perfitimet imediate qe i sjell ai popullit eshte pjese e manovrimit te politikes. Te pershpejtosh nje proces dhe te ushtrosh dhune tek vartesit, sic perflitet per rasin e E. Veliaj dhe tenderit dhene kompanise EAG, eshte tjeter gje dhe nuk ka llogjike ne bote qe ta perligj ate. Kur ka qene hera e fundit qe nje politikan te pranoj nje gabim dhe te thote qe mesova dicka prej tij dhe si rrjedhoje do ti sherbej me mire popullit tim.

    Cdo dite e me shume shoh te shfaqet nje tendence qe “cveshjen nga komplekset”, “guximin” e “clirimin nga e kaluara” e perdor per te maskuar mungesen e thelle te parimeve.

  3. O Kapedan,

    Me fjale te tjera, ti thua se kriminelet, hajdutet, te korruptuarit, ata qe shkelin ligjin jane njerezit me aktive ne shoqeri dhe pikerisht keta e meritojne te jene ne krye te puneve, te shtetit dhe te pushtetit. Te ndershmit sipas teje, ata qe zbatojne ligjin, jane gjumashe dhe te paafte.

    Ne Shqiperi kemi pasur per me se 20 vjet nje klase politike teper “aktive” sipas kuptimit qe i jep ti kesaj fjale. Duhet te qetesohen dhe te pergjumen pak se po i marrin frymen vendit me hiperaktivitetin e tyre.

    Qe ka njerez qe mendojne si ti, kete e dija, por qe te kishte te tille qe t’i shpallin publikisht keto mendime, madje duke cituar ligjet dhe kushtetuten, kete, per bese, nuk ma merrte mendja!

  4. autori po diskuton per pragmatizmen ne vleresimin e moralit ne politike, sidomos ne nje shoqeri ku hipokrizia ka zene rrenje. Le te vleresojme se fundmi ata qe veprojne vertetet: qe edhe te keqen e bejne ne menyre te persosur (duke perfituar nga korrupsioni qe i ka kapluar te tere kapilaret e shtetit). Risku i deshtimit ne politikat publike eshte i madh. Keta “sipermarres politike” (political entrepreneurs) duhen vleresuar pikerisht per kete. Ne nje shoqeri ku edhe ligjerimi moralist eshte korruptuar nga gazetare te blere (qe akuzojne njeri-tjetrin ne shfaqje publike televizive per pagesa nga sipermarres te dyshuar per krime), le te dali njeri, e ne mos te arsyetoje, se paku te justifikoje veprimet/mosveprimet e disa figurave politike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin