KONFORMISTË, ARRIVISTË, IDEALISTË (II)

Shumica dërrmuese e shqiptarëve edukuar dekadave socialiste prej grupeve përshkruar më lart, ishin njerëz të cilëve duhet t’u ruheshe: një fjalë a gjest i gabuar të bënte gjëmën; herë-herë, edhe pa e thënë apo kryer fare atë. Të gjithë e kishim thënë një fjalë të mirë për Enverin dhe Partinë diku. Edhe ata që donin ta rripnin të gjallë, në publik e kishin lëvduar.

Ne ishim të gjithë të përlyer disi. Vetëm se, jo të gjithë kishin gjak në duar, siç kishin fjala vjen shumë hetues, prokurorë, policë, drejtorë burgjesh e kampesh përqëndrimi, apo anëtarë të Byrosë Politike; jo të gjithë kishin hequr nga puna, firmosur urdhëra internimi, lënë pa bukë njerëz që nuk zbatonin vijën e Partisë, siç kishin bërë burokratë në nivele të larta të administratës publike; por shumë do të të dorëzonin fët e fët për të mbrojtur veten. Ka ndër këta që ishin kriminelë nga natyra, disa të tjerë për karrierë shisnin të atin, por unë besoj se shumica kishin frikë që të mos i shërbenin sistemit. Ndoshta aksesi nëpër grupe të ndryshme antikomuniste, prokomuniste e amorfe ishte i ndryshëm në raport me grupin të cilit i takonte personi dhe familja e tij. Por në një shoqëri me network të fuqishëm komunikues si e jona, të gjithë kishin një farë eksperience me njëri-tjetrin dhe grupet paraqitnin shpesh mbivendosje.

Problemi është që, ndonëse praktikisht këto kategori prodhonin eksperienca të ndryshme, gjatë socializmit kishim një masë homogjene konformiste me nivele të ndryshme kompromisi moral. Familja ime kish një lidhje të fortë dhe më organike me grupin e parë, atë të të deklasuarve, për shkak të farefisit, lagjes dhe lidhjeve tradicionale. Ish-komunistëve të rënë nga fiku nuk u besohej njëlloj. Shumë miq prej grupit të parë (burra të gjithë) hynin e dilnin tek ne, dhe në shtëpi bëheshin muhabete të hapura kundër qeverisë, kur vinte kjo kategori miqsh. Asgjë serioze apo e organizuar: thjesht qarje, mllef, sharje e “udhëheqjes” dhe thashetheme për sëmundjen e Enverit apo të tjera të reja dëgjuar poshtë e lart. Dhe prapë, të qenët në krye organizmash shkollorë (komandante çete, sekretare rinie etj) stimulohej në shtëpinë time, si garanci që të mos na nxirrnin kleçka të fshehura me marifet nëpër sirtarë të kohës, sepse pa të nuk të dilte shkolla, nuk të mbanin në Tiranë, nuk gjeje punë të mirë etj etj. Sido që të bërit komunist në shtëpinë time i ruheshin si djalli temjanit, dhe martesa në një familje komunistësh konsiderohej si një gjëmë familjare, gjërat ishin të përziera në një mënyrë absurde. Mbaj mend që kur dilte Enveri në televizor, nuk lihej gjë e keqe pa thënë e pa mallëkuar. Të gjithë miqtë e garantuar të shtëpisë flitnin hapur kundër tij, dhe pritej “fundi i qelbësirave” që kur unë isha 8-9 vjeç. Kishte një rreth njerëzish që vinin vetëm për të bërë këto muhabete. Im atë më shpjegonte që atëherë se sa fatkeqë kishim qenë ne shqiptarët, se sa fals ishte sistemi ynë dhe se udhëheqja i kish duart me gjak. Por, po ashtu, kujtoj sa keq u vinte time mëje e tim eti, kur unë nuk zgjidhesha në pallatin e pionerëve që t’i çoja lule Enverit për 1 Maj?! Pa dyshim që për ta, t’i çoje lule Enverit (të urryer) ishte një kompromis i pranueshëm, një hap përpara për një të ardhme më të mirë në shkollë a punë, dhe dilema morale nuk besoj se i bezdiste fare. Ky lloj konformizmi dhe disasociimi problematik mes privates dhe publikes ishte një sëmundje e përgjithshme e asaj kohe. Kështu janë diktaturat: ato mbahen sepse mbjellin terror e frikë ndaj njeriut të afërt aq sa edhe ndaj të largëtit, dhe sepse baltosin gjithë popullsinë dhe prodhojnë një masë hipokrite me individë që qëllonte edhe ta humbisnin kufirin mes asaj që besonin vërtet dhe asaj që bënin sikur besonin. Jetoje i rrethuar nga armiq duke e ditur që ashtu mund të ishe edhe ti për të tjerët, psikozë që vriste çfarëdolloj komuniteti të shëndetshëm. Kjo ndodhte edhe në shoqëri tradicionaliste si e jona ku lidhjet e grupit të vogël – fis, krushqi apo mëhallë – ishin ende të forta.

Cilët prej këtyre grupeve dolën rrugëve “kur po binte diktatura”? Të gjithë ishin të përfaqësuar pjesërisht. Një pjesë e grupit të parë, pra atyre që ishin qartësisht e tradicionalisht kundër regjimit, kish ikur me ambasadat që në Korrik të 1990. Por pjesa themelore mes atyre që nisën lëvizjet e Qytetit të studentëve, deri tek ata që rrëzuan Enverin para Muzeut Historik ishin prej tufës së madhe, të përzierë, ideologjikisht të paqartë, që kish jetuar konformizmin, arrivizmin dhe kompromisin e të gjitha niveleve gjatë dekadave komuniste. Disa nga ata që morën flamurin e demokracisë nga duart e studentëve, ishin njerëz që, po të mos kish rënë komunizmi, do synonin të ishin kryetarë nën flamurin e regjimit. E dija si mendonin, dhe parimi themelor ishte të ishin në krye dhe jo domosdoshmërisht në një anë apo një tjetër. Studentët ishin ndoshta pjesa më e ndershme e rebelimit të atyre ditëve, por ata ishin prodhim i shpejtë i vitit të fundit, pështjellim krijuar nga kushte të padurueshme jetese (të mos harrojmë se Shqipëria i kishte punët shumë keq ekonomikisht dhe të gjithë vuanim për gjëra minimale; studentët ca më tepër), avancim kur dihej se i gjithë kampi socialist kish rënë veç nesh, dhe, edhe njeriu më dritëshkurtër e dinte se orët e regjimit ishin të numëruara. Demitizim? Ndoshta mund edhe të quhet kështu kjo që them. Unë sinqerisht nuk besoj që po ata persona në po ato kushte jetese, të kishin shprehur në 1980 të njëjtën rezistencë e vetëmohim. Liria dhe mundësia për të kundërshtuar ishte më në fund në ajër. Sido që deri para pak njerëzit vriteshin kur kalonin kufijtë, shenjat se ndryshimi ishte shtruar në sofër, ishin të dukshme. Një grup i paimagjinueshëm të ikurish nëpër ambasada, sapo ia kish dalë të dilte pa ndëshkuar, me “bekimin” e shtetit dhe Partisë.

Gjithsesi, mundësia për të linçuar atë grup të vogël që u konsiderua si nismëtar apo organizator i lëvizjes, ende ekzistonte. Dhe shenja nervozizmi nga ana e “shokëve të Partisë” që nuk kishin asnjë lloj eksperience si ta trajtonin kundërshtimin dhe shkallët e tij politike, kishte plot. Atmosfera qe e tillë që një grup do ta thyente vazhdën normale të ditëve, dhe studentët qenë pikërisht ata të parët. Unë prapë do kisha kujdes me përdorimin e termit disident për grupet e atyre lëvizjeve. Por qëllimi im këtu është përshkrimi i thelbit të këtyre grupeve dhe kategorive, dhe sidomos e faktit që ishin copa në një continuum konformizmi, dhe jo vënia e etiketës finale. A kish mes lëvizjes studentore spiunë, siç është diskutuar së fundmi? Besoj se pa dyshim! E ku nuk kishte spiunë, sidomos ato ditë kur “diktatura po binte” dhe, si frikërat, si shpresat ishin më të mëdha. Por unë thellësisht besoj se krijimi i lëvizjes nuk qe konspirativ, por spontan, dhe se manipulimi i saj gradual ishte po aq i natyrshëm e i pritshëm. Gjërat për fat po ndryshonin nga pak në vitet e fundit të socializmit shqiptar, por mendësitë dhe kultura politike e të rinjve njësoj si e të vjetërve, ishte ashtu siç kish qenë edhe në vitet ‘80. Kuptohet që mes studentëve kish edhe persona të dy grupeve që unë i konsiderova më lart si “anti-komunistë”, njerëz që pas kaq dekadave kishin mundur të penetronin në universitete, por ata nuk përfaqësonin mendjen e tufës. Tufa ishte ideologjikisht dhe filozofikisht e varfër. Ka shprehje thënë atyre ditëve që duhen kujtuar e lëvduar, por lëvizja vetë ishte pa të djeshme dhe pa të nesërme, sepse nuk ishte rritur ngadalë, natyrshëm dhe kuptimshëm. Shqipëria vetëm sa ndoqi ish-bllokun sovjetik, siç edhe është logjike për vendin ku liria e mendimit dhe debatit politik ishte zero për aq dekada. Kam lexuar një shprehje që më duket si ndër më të guximshmet thënë atyre ditëve Ramiz Alisë nga një student. Shprehja ishte pak a shumë kjo: “Unë nuk do lind kurrë fëmijë që t’i shërbejnë Partisë dhe këtij sistemi”. Po ta vësh re me kujdes, edhe kjo, pra një shprehje ekstreme e kohës, ka brenda një kornizim shumë komunist të një ideje antikomuniste. Ajo nënkupton prodhimin perpetual të qytetarit që i shërben sistemit, një grupi ose atdheut. Thjesht qëllon që partia dhe atdheu kësaj radhe nuk janë ashtu si duhet.

Kjo ishte gjendja jonë në ditët “kur ra diktatura”. Por çfarë ktheu? Po: ndryshuan formalisht regjimet bashkë me struktura të caktuara politiko-ekonomike, dhe mbaroi frika e llahtarshme nga të folurit e nga të menduarit ndryshe. Cilët grupet që përshkrova në pjesën e parë qenë të suksesshme? Grupi i të deklasuarve ia doli të marrë ca pasuri (por me aq shumë mund e siklet, me aq firo dallaverexhinjsh në mes, sa shpesh u doli për hundësh ajo që morën). Ata që vuajtën burgjeve e internimeve morën një farë shpërblimi (një pjesë), por jeta e tyre qe e shkatërruar ndërkaq. Ndoshta një pjesë e mençur e grupit ka investuar në brezat e rinj dhe kjo do dojë vite që të duket. Përndryshe, ky grup nuk ishte i lejuar të ndërtonte superstrukturën mbi të cilën të lëvizte lirshëm në rast se socializmi binte, ndaj sot nuk mund të flitet për një kategori të suksesshme, edhe kur pasuritë dhe shtëpitë që morën ishin të konsiderueshme. Grupi i ish-komunistëve të rënë nga fiku, nga ana tjetër, kur kishin mbetur gjallë, nuk dolën keq. Shumë prej tyre ia kishin dalë që gjatë periudhës në pushtet të pajisnin shumicën e pasardhësve me shkolla të mira e ambicje për të qenë lart. Jeta e tyre për një farë kohe u shkatërrua, por pasardhësit ia dolën përgjithësisht ta marrin veten profesionalisht gjatë demokracisë.

Ndërsa grupi që vazhdon të kontrollojë politikisht Shqipërinë në qeveri, media, business, shoqëri civile etj., vjen kryesisht nga ish-komunistët e shtresave të larta e të mesme të administratës së dikurshme, si edhe nga shtresa e intelektualëve më në zë të ish-së majtës, edhe pa qenë anëtarë partie. Këta janë të gjithë me punë të mira dhe në poste profesionalisht jetëgjata e kontrolluese. Dhe kjo, jo pa meritë: ata ia kishin bërë hyzmetin së ardhmes së vet për aq kohë sa kishin pushtetin. Më të të dobishmit shoqërisht ndër këta janë bijat e mbesat e komunistëve që u edukuan mirë në Shqipëri ose jashtë, dhe që sot për këtë arsye kanë punë kyçe, shpesh me një lloj idealizmi fluturak, pa kuptuar kurrë mirë sistemin ku jetonin, edhe kur kishin mendje analitike e të mprehta. Po të diskutosh me këtë kategori edhe sot, dëgjon për prindër të ndershëm, të talentuar e punëtorë që punonin ditë-natë e me zemër dhe s’i kishin bërë kurrë keq kujt dhe nuk kishin njohuri për sa ndodhte. Edhe kur dënojnë formalisht sistemin komunist (dënim që sot bëhet masivisht), dëgjon që flasin për “të mirat” e komunizmit, ose për kujtime që ishin aq të bukura pikërisht se ishte i tillë sitemi. Këto goca dhe çuna, sido që nuk ia pranojnë vetes, kanë këtë nostalgji që do t’u zgjasë deri sa të vdesin. Shumë nga ish-miqtë e mi aktivistë hyjnë në këtë kategori. Kjo kategori irritohet keq nga njerëz “të pagdhendur” që e kaluan jetën burgjeve dhe humbën çdo mundësi edukimi e punësimi dinjitoz, që i vërsulen komunizmit duke e sharë nga nëna; dhe me të drejtë mendojnë se po ekzagjerohet, se jeta e tyre gjatë komunizmit ka qenë relativisht e mirë. Ndoshta ky është i vetmi grup ku unë shoh një tendencë ideologjike të majtë të sinqertë, pra jo si instrument për pushtet, por si ideologji e besimit për një të ardhme më të mirë. Por mendoj se ka vetëm një pikë ku këta kanë të drejtë plotësisht: në identifikimin që i bëjnë pa dashje sistemit komunist me prindët e vet, sido që këta nuk morën pjesë kurrë në skuadra pushkatimi dhe as në vjedhje të drejtpërdrejta.

Ka edhe një pjesë tjetër afër këtij grupi, që sot kanë punë kyçe si edhe pasuri dinjitoze sepse prindët, jo veç u kujdesën t’u japin gjuhët e huaja, shkollim jashtë shtetit, degë që pritej të ishin qendrore në të ardhmen, por që u dhanë edhe shtëpi të mira e para të thata për të siguruar fillime të mbara e pa preokupime financiare. Këtu hyjnë punonjës të lartë komitetesh ekzekutive, drejtorë institucionesh të rëndësishme e administrate të lartë në Tiranë e rrethe. Ata ditën nga fundi të mbledhin kapital të mirë duke vjedhur paq, dhe vazhduan të jenë kontrollues edhe në vitet e para pas rënies së diktaturës. Midis 1990 dhe 1995 këta kishin bërë pasuri të konsiderueshme nëpërmjet blerjesh që kryheshin për hir të posteve ose nëpërmjet njohjesh praktike që u lejonin dallavere financiare të të gjitha llojeve. Këta janë pjesa arriviste e socializmit, njerëz që i ishin qepur me çdo kusht pozitës dhe për të kryenin gjithçka. Nuk kishin ndonjë prirje ideologjike të sinqertë dhe s’ishin për asnjë çast idealistë të majtë. Gjithçka ishte çështje pushteti dhe karriere. Këtu hyjnë edhe një tufë e madhe njerëzish që vitet 90 i gjetën ose kandidatë partie ose të sapo-bërë anëtarë partie. Një grup me aftësi mediokre akademike dhe profesionale që e shihte të bërit komunist si veglën e vetme të ikjes nga fshati a rrethi dhe të ardhjes në Tiranë, të fitimit të një shkolle ose të një pune me rëndësi. Vitet 80 ishin plot me këtë kategori, shpesh pak më të rritur në moshë sesa kolegët e vet të të njëjtave klasa; kishin që atëherë duk organizativ atje ku studionin ose punonin, dhe ndiqnin në mënyrë të ethshme kameran, podiumet, personat e shquar politikë apo intelektualët në zë. Ishte kategoria më e rrezikshme për një shoqëri ndryshe, sepse jo veç që s’kishin asnjë lloj ideali veç përfitimit vetjak, por nuk kishin asnjë lloj historie të dukshme krimi, dhe kishin pozita relativisht të mira në 1990 që do t’u lejonin katapultim direkt në pozitat e pa fund që u hapën pas vakuumit të 1990-ës në qeveri (të majtë e të djathtë), diplomaci, media, universitete, shoqëri civile, organizma ndërkombëtarë etj. Për fat të keq, kjo kategori (bashkë me atë të businessmenit-politikan të suskesshëm që u rrit nga krimi) krijoi natyrshëm edhe modelin për shoqërinë e re të tranzicionit shqiptar, radhët e së cilës ende mbushen suksesshëm.

Çfarë nuk ndryshoi kur ndryshuan sistemet, është se ne as atëhere dhe as sot nuk krijuam dot një hapësirë ku idealisti të mund të mbijtonte. Dikur idealistit i ikte koka, dhe shpëtonte veç po të konsderohej i çmendur. Sot, shoqëria jonë lufton ashpër për mbijetesë dhe idealistin nuk e lë të mbijetojë as njeriu i paaftë (unë me hamendje fus këtu rreth 60% të gjithë administratorëve, burokratëve, artistëve, intelektualëve) që ka zënë një vend në hierarki, që e mbron ethshëm, as karrieristi i aftë që i kthen velat nga fryn era dhe për të cilin çdo breg ku ka bukë, është shtëpi. Nuk ka vend në botë ku idealistët të pasurohen (e ç’idealistë do ishin atëherë?!), por ata kanë qoshe ku të gjallojnë, si pjesë e domosdoshme e një shoqërie, si ëndrra dhe si pika e fundit e ujit kur shoqërisë i kanë shterrur burimet morale. Shqipërisë disa prej tyre i ikën pas emigrimit të gjysmës së popullsisë; një pjesë që mbeti në Shqipëri u shpërbë, u deformua ose u vra. Ne nuk kemi idealistë as ndër artistë, as në akademi e as në politikë. Ne jemi të djegur për idealistë e të mbingopur me manipulues idesh për interesa personale. Vitet 90 sollën në fuqi pjesën më arriviste të qytetarëve të vegjël me ambicje luani. Për fat të keq, sistemi ynë kulturor sot nuk pjell idealistë, ndaj kemi një shkretëtirë ëndrrash, idesh, të ardhmeje pozitive. Unë besoj që shoqëria që të ndërtojë të ardhme, ka nevojë të pjellë idealistët e vet, dhe e di që edhe tek ne do vijnë në një moment. Por s’di kur. Do duhen disa dhjetëvjeçarë të tjerë, dhe ndoshta fëmijët e mirëedukuar të arrivistëve socialë sot në kontroll, do i jenë larguar moralisht prindërve, aq sa forca e ideve t’u ndritojë rrugë të reja. Iluminizëm e utopi e pastër? Ndoshta, por për tani vetëm atë kemi dhe duhet ta mbajmë të shëndetshme.

Nuk ka komente

  1. Presja: ” …kujtoj sa keq u vinte time mëje e tim eti, kur unë nuk zgjidhesha në pallatin e pionerëve që t’i çoja lule Enverit për 1 Maj?!”

    Vertet Presja?! Si ta marrim kete? At face value?

  2. Read Me: gjithcka qe them, merre ashtu. Pastaj qe te cuditesh, ta mendosh ndryshe, te mos e pranosh, ta shash etj., jane te gjitha reagime te mundshme. Une po perpiqem ne fakt te kuptoj arsyen e reagimit tend. Nese do te thuash qe kjo te duket cmenduri e te cudit pa mase, une s’te them asgje kunder. Mua per vete nuk me cudit asgje qe ndodhte asaj kohe.

    1. Presja, se pari, qe te mos krijohen keqkuptime, pyetja ime kerkonte te nxirrte ne pah, dicka nga realiteti qe na percolle nga shkrimi siper. Shkruan:”…të qenët në krye organizmash shkollorë (komandante çete, sekretare rinie etj) stimulohej në shtëpinë time, si garanci që të mos na nxirrnin kleçka të fshehura me marifet nëpër sirtarë të kohës,”

      Per mendimin tim, bazuar ne njohjes e periudhes(duhet te kemi shkelur te njejtat pjese te Tiranes me institucionet e saj), “te pasurit e kleckave te fshehura me marifet”, bazuar kjo edhe ne eksperienca personale, do te shtynte njerezit, qe te behej gjithshka cfare ishte e mundur, qe te mos ekspozoheshin ne detyra te tilla.

      Per me teper, te zgjidheshe per t’i dhuruar Enverit ne tribunat e 1 Majit lule, kerkonte proces rigoroz seleksionimi, sic thuhet ne anglisht “screening process”, ku njerez ne zyra te posacme, operative, sigurimsa, do te germonin sa me thelle qe mundej ne lidhjet dhe biografine familjare te femijeve te perzgjedhur.

      Ne rastin e familjes time, ta zeme, ne nje situate te ngjashme, do te behej cfare ishte e mundur qe te mos “kishe fatin e madh” te perzgjidhej per nje ekspozim te tille, te perqafoheshe e putheshe nga Xhaxhi ne tribune. Te paturit e “mizes nen kesule”, pra “kleckave ne biografi”, te detyronte te qendroje sa me ne hije, sic i thone ne anglisht “keeping a low profile” per t’i shpetuar radareve te shumte te Sigurimit dhe organizmave te Partise.

      Nuk me kishte shkuar ndermend “se kjo te duket cmenduri” sic thua, por sigurisht qe do te cuditesha shume nese “do te njihja biografine tende” ne ate kohe. 🙂

      Enveri vete, e dinte me se miri se si punonte sistemi i tij, ai ishte vete arkitekti. Ka raste kur beheshin shenime te vecanta me porosite e tij, ku njerez te caktuar te mos prekeshin nga vala e luftes klasore.

      Kjo ishte per njerez qe ai mendonte dhe e dinte se ne kete menyre i shpetonte nga lukunia e turmes dhe vales te acarimeve politike, qe do t’i varte ne qafe flete-rrufene e armikut te popullit.

      Me kane treguar per nje rast te nje specialisti, qe dikur Enveri kishte pasur njohje personale. Kur shkoi ne ate qytet, iu kujtua dhe pyeti per te. Njerezit afer tij filluan t’i pershperisnin rreth biografise. Ai kerkoi qe ta takonte. Nuk kaloi shume dhe njohja e tij e dikurshme u soll para Enverit. Enveri e mori per krahu dhe filloi te ecte ne diten per diell ne qendren e qytetit. Qeshte, shakator, shetiti per pak kohe gjithnje kapur per krahu me njeriun qe nuk po i besonte fatit te tij. Pas atij ekspozimi ne sheshin e qytetit, profesionistit, nuk iu kujtua biografia me.

      1. Read Me, siç të kish shkruar PA, në një koment që tashmë u hoq me kërkesën tënde; siç ta ka thënë Presja në komentin e vet dhe siç po ta them edhe unë tani, ti e fyejte autoren, me komentin tënd të parë (pa vend dhe denigrues). Jo se këtu në blog i vendosim gjërat me votë, por kur tre vetë të thonë të njëjtën gjë, ndoshta është momenti të fillosh të dyshosh se mos vetë mënyra si komunikon ti, ndonjëherë, ka nevojë për remont kapital. Nuk shkon që të fyhen autorët e blogut për çfarë kanë shkruar; dhe aq më pak në lidhje me një shkrim jashtëzakonisht të vyer dhe të nevojshëm, të natyrës gjysmë-autobiografike, si ky i Presjes, ku flitet me zemër në dorë. Komente si yti, aq më tepër kur vijnë prej teje, që je i vjetër në këtë hapësirë, kanë për efekt t’i dekurajojnë njerëzit, t’i nxitin të vënë maskë, t’i fshehin emocionet dhe ta ndrydhin sinqeritetin, nga frika se mos do t’i godasin përsëri, mu në atë pjesë trupi të lëndueshme që kanë ekspozuar.

        1. Xhaxha, une si fillim dua te them, se pas ketij komenti tim te fundit, nuk kam ndermend te nderhyj me ne kete teme.

          Presja, ne komentin e saj shkruajti nje te vertete thelbesore rreth meje dhe asaj: “Ka nje gje te mire ne diskutimin tend ne blog – ti i takon nje lloji te ndryshem prej meje.”

          Kjo eshte esenca dhe deshmon qarte, se perse reagojme ndryshe; pavarisht se kemi jetuar ne te njejtin realitet, Shqiperine e Enver Hoxhes, si shume e shume te tjere, por e kemi perjetuar ate krejt ndryshe.

          Perse dicka e tille? Sepse dinamikat e origjinave, rrethit familjar, familjes se ngushte, rrethanave familjare ishin(duhet te kene qene) krejt te ndryshme.

          Edhe une isha brezi, qe kishte patur fatin e madh, qe te kamuflohesha, ne kryeqendren e Shqiperise, por sic thote Relapso, jo per konformizem, as per idealizem, por duke qene realiste, ishim pragmatiste dhe e kishim te qarte se me ke ksihin te benin dhe ishin te lidhura jetet tona.

          Prinderit e mi, te afermit e mi, duke mos e dashur asnjehere sistemin, regjimin totalitar, thjesht jane treguar te zgjuar, pragmatike, pa leshuar terren fare nga brymosja e origjines, bindjeve, dinjitetit personal e familjar.

          Nese ketu flitet per nje kendveshtrim vetjak, po ashtu eshte edhe i imi. Ne rastin tim, nena ime, babai im, nuk do ta kishte shkuar kurre ndermend, qe nje fotografi me EH, do t’i rregullonte biografine. Ky ishte realiteti im dhe i joni si familje, pikerisht sepse une i perkas nje lloji tjeter, sic thote Presja.

          Une ne komentin tim isha pa dorashka, kur pyeta, nuk kisha ndonje paramendim hetuesi enverist ne reflektimin tim, dhe me duket se pershkrova se si e konceptoj une ate realitet te jetuar.

          Pyetja ime ishte e sinqerte dhe nuk insinuonte aspak se Presja po genjente, apo tregimi i saj ishte nje veprim i cmendur.

  3. Shkrim i shkëlqyer presja… Përgëzime!

    Idealistë nuk ka se si të ketë në një shoqëri ku konformizmi nuk është vetëm rehati, por edhe mënyrë për të mbijetuar. Edhe nëse do të kishte, ata nuk do të kishin asnjë shans t’u dëgjohej zëri, apo të binin në sy, pos si të rrjedhur.

    Megjithatë, ndoshta mund të dilnin të tillë prej diasporës: duke mos qenë të varur drejtpërdrejt nga realiteti shqiptar e duke patur përvojën e të jetuarit në shoqëri ku e ku më të ndershme, siç thua ti: … ata kanë qoshe ku të gjallojnë, si pjesë e domosdoshme e një shoqërie, si ëndrra dhe si pika e fundit e ujit kur shoqërisë i kanë shterur burimet morale… e çprej atje, duke patur edhe largësinë e nevojshme për të qenë esëll, të vazhdojnë kështu idealizmin e rilindasve, të ikur edhe ata, e të rimarrin, aty ku u ndërpre, ëndrrën e tyre të hershme.

  4. Ashtu siç e kuptoj unë thelbin e shkrimit, këtu paraqitet skica e anatomisë së subjekteve të burgosura në mendësi e politikë moniste, dhe çka del qartë është se as një sistem monist nuk arrin të prodhojë subjekte homogjene, as gjatë diktaturës dhe as përtej saj. Prej nga kemi kategoritë e konformistëve, arrivistëve dhe idealistëve. Madje edhe vetë këto kategori janë heterogjene, pavarësisht një emëruesi të përbashkët. Shëmbulli i familjes që do ta shoh fëmijën me të ardhme të rehatuar brenda kornizës totalitare, por ama zbrapset kur e sheh luledhurues të diktatorit, dëshmon për kontradikta brenda vetë grupit (më korrigjoni, në e kuptoj gabim).

    Gjatë leximit të pjesës së dytë, kur mora vesh orientimin e shkrimit, mendoja se sa shumë më kujton nevoja për të marrë vesh ç’ndodhi me ne si popull e individë biografi të viktimave ose të të përlyerve të Luftës së Dytë Botërore. Duke u nisur nga një prej tyre (‘Das Endlose Jahr’ — ‘Viti pa fund’ i Gisela Heidenreich, jeta e një vajze gjermane, lindur në Oslo në klinikën ku femra gjermane lindnin fëmijët ilegjitim të oficëve SS), do i shtoja skicimit tuaj edhe kategorinë e AMNEZISTËVE.

    Këta janë njerëz (mishërimi arketip mund të jetë sekretari, daktilografisja, nënpunësi i thjeshtë, doktori, që thith shumë material pa patur zë në vendimarrje), të cilët e njohën të kodifikuar ADN-në e sistemit, patën simbiozë me të, pa qënë direkt përgjegjës, bile edhe u mburrën me njohjen dhe ato kompetenca që patën brenda tij. Tani këta janë ata që refuzojnë të flasin e të kujtojnë, ndaj i quaj amnezistë dhe jo amneziak, sepse amnezia e tyre është e vullnetshme. Ky lloj qëndrimi, mendoj unë, mund të ndeshet në të gjitha kategoritë e mësipërme. Edhe idealisti mund — në fakt në është prej mishi e gjaku duhet — të ketë rrëshqitje a lëkundje vizioni apo njolla, të cilat mbulohen nga amnezia.

    Pas polarizimit dhe papagallizimit që vijoi pas shëmbjes së atij sistemi është bërë tepër e vështirë të dëshmosh për të gjitha këto nuanca. Si të thuash, ne dolëm nga diktatura, por diktatura s’doli nga mentaliteti ynë. Ndaj është edhe gati e pamundur dhe tingëllon idealizëm fluturak, siç e quani ju, kur tentojmë të interpretojmë veten e të afërmit tanë brenda dhe jashtë kornizës ku u fut subjekti totalitar. Sepse, p.sh. vërtetë, edhe nëse xhaxhai im qe nënpunës Sigurimi, ai ishte edhe xhaxha, vëlla, bir, baba i denjë për respekt dhe afeksion. Kolapsi i privates, publikes dhe politikes mua më duket lëvizje totalitare.

    Në mund të kthehem tek kujtimi juaj, kur zgjidheshit për t’i dhuruar lule udhëheqjes. Më tepër se qëndrimi i prindëve, mua më intereson si e keni përjetuar ju dyjëzimin e familjes suaj dhe vëmendjen që sillte kjo përzgjidhje për ju si fëmijë. Kjo është një pyetje që na çon tek problemi i dëshmitarëve: kush mund të quhet dëshmitar, dmth kush kualifikohet për të dalë në muzeun kombëtar të memories (kuptohet jo ajo tentativa online)? A janë fëmijët dëshmitarë, në po, si duhet kuptuar dëshmia e tyre? Në një prozë semi-fiksionale timen këtu në blog disa komentues ia falën protagonistit nostalgjinë (por dhe e minimizuan dëshminë e tij) duke e parë si fëmijë, sepse në fakt i tillë ishte. S’di ç’mendoni ju, nisur nga eksperienca që rrëfeni.

    1. Militschi – t’u pergjigja per cka m’u duk me e nevojshme ne fillim per mungese kohe. Por gjeja qe me beri me sh pershtypje ne reagimin tend ishte ideja e “subjekteve homogjene”. Eshte per te qeshur qe paragrafi i pare i shenimeve te mia per shkrimin qe nuk e perdora fare me pas, lidhej pikerisht me pamundesine e prodhimit te subjekteve homogjene ne nje socializem te tipit tone. Pastaj, pasi e pertypa, e hoqa sepse thashe qe kam nevoje per nje kategorizim me pak te forte se ky. mendoj se subjktet nuk mund te jene vecse “heterogjene” ne cfaredo lloj sistemi, dhe perdorimi yne mund te kuptohej vetem me pak firo, ose me nje lloj figurativiteti. Ndaj u perqendrova me shume tek dysia e cmendur private-publike tek individi; ndarja mes tyre shkonte ne ekstreme te tilla ne socializem, sa subjekti paraqiste ekzaktesisht te kundertetn e vet ne publik dhe pastaj humbiste idene e perkitshmerine, te se vertetes, te ekuilibrit nepermjet manipulimit, te shendetit mendor, dhe humbiste edhe veten. Sic pyet ti ne fund, edhe une mendoj se kjo ishte me e rende per rastet kur femijet, donin a s’donin, beheshin pjese e “lojes se detyruar”. Pastaj se si e jetonin femije te ndryshem kete, varet nga rasti, nga lloji, maturia, ekspozimi i femijes, nga dashuria qe merr nga rrethi, nga mundesia qe ka per te komunikuar. Sido qofte, situatat kane qene traumatike, pa dyshim. sic them, besoj se keto dalin me mire nepermjet letersise “artistike” sesa esese. Dhe duhet te dalin qe te kuptohet dhe memorizohet nje 50 vjecar i shqiptareve. Per mua personalisht, frika, eshte ndjesia qe me ka torturuar me shume dhe qe nuk do me dale kurre nga kocka.

      1. Pikërisht, presja, ajo që vëren ti vërteton se gjuha s’e flet dot individin cip e cip (homogjenisht), as ajo totalitare. Kjo është shpresa për ndryshim dhe pengesa për çdo projekt utopik.

        Për ta ilustruar me një shëmbull nga fëmijëria ime: më ngazëllonte tepër slogani “me forcat tona”, aq sa s’e kanë lënë kurrë psikologjinë time. Por ama ai tjetri “partia, nëna jonë” s’hodhi rrënjë, ishte i papërputhshëm me bllokun e burrave që mishëronin partinë dhe në konkurrencë me gratë e familjes sime, elektrona të lirë. Më acaronte pretendimi i këtyre burrave që s’ju dija as emrat të ishin nëna ime. Puna u keqësua fare kur mësova se “party” përdoret edhe për aheng në anglisht, që andej “Partia, nëna jonë,” mbeti signifiant pa signifié.

  5. Ne fakt, Read Me, ja qe ndodhte! Ja qe edhe qellonte te kaloje te gjitha nivelet e “konkurrences” dhe te mund te arrije gati afer “luleve” edhe “me klecka” e plot frikera te vjetra e te reja. Une cudite makabre te jetes dhe sjelljes ne socializem i shpjegoj ne shkrim me sa mundem. Nuk te jap me shume detaje si e qysh, se kjo nuk eshte arsyeja pse shkrova. Logjika dhe eksperiencat e tua nuk jane te vetmet. Por une nuk dyshoj ne vertetesine e tregimeve te tua. Nese do mendoja se ishe genjeshtar, nuk do flisja me me ty, ose do flisja aq sa per te te treguar se ishe genjeshtar. Por komunikimi per te diskutuar kaq nuk ia vlen te behet. Ti duket se do te tregosh dicka (ne rregull, per kete), por nga ana tjeter e nderton argumentin mbi bazen e premises se une genjej.
    Ka nje gje te mire ne diskutimin tend ne blog – ti i takon nje lloji te ndryshem prej meje. Dhe une do doja qe te diskutonim bashke per cfare nuk te bind pikerisht sepse jemi te llojeve te ndryshme. Per ndryshe blogu do ishte i merzitshem ose nje mekanizem per te kryer nje akt te tepert qe s’kish vlere shoqerore, ose do ishte “preaching to the saved”. Por ne raste diskutimi duhet te kete mirebesim dhe mendje te hapur qe te pranohet edhe nje perspektive tjeter. Per ndryshe, nuk ka vlere diskutimi. (Ja nje ndihmese e vogel per te avancuar arsyetimin tend me besim: mendo, te lutem, se cfare arsye tjeter, do kisha une te fusja ne shkrim ate detaj intim, vecse qe te tregoja absurditetin e realiteteve te kohes! Shitet gje mend me ate fakt?) Por mos me pyet me nese genjej, se atehere do mendoj se qellimi yt eshte te me fyesh, e jo te diskutosh. Dhe nuk do te te pergjigjem.

  6. Militschi: une besoj se te gjithe kujtojne. Dhe ben mire te kujtosh. Ne fakt une kete vendosa ta shkruaja si nje rruge alternative ose edhe si komplementare me ate qe diskutohet dhe manipulohet pa pushim politikisht: hapjen e dosjeve. Shoqerise i vlen me shume te kujtuarit analitik. Sic them ne shkrim, nuk u jap emer kategorive, sepse nuk eshte e mundur, edhe sepse jane kategori te levizshme dhe ka kufij te qarte me kapercime dhe shnderrime te vazhdueshme. Kuptohet qe lloji i syve qe ke pasur per te pare realitetin dhe sa ke qene natyre qe e vrisje mendjen ose jo per cka shihje, te bejne qe sot te kujtosh ndoshta nje realitet te ndryshem nga ai i dikujt tjeter. Une sic them ne shkrim, keta njerez te kategorise amneziste i shoh me shume si transformues memoriesh, si perzgjedhes dhe shnderrues memoriesh. Sic thua ti, nje hetues mizor mund te ishte nje baba qe i thoshte fjale te embla se bijes. Ndaj them qe procesi se si kryhet te kujtuarit pa tjeter qe do jete subjektiv. Por vlen gjithnje.
    Per menyren se si procese te tilla kontradiktore nderhyjne ne psikologjine e individit duke e transformuar ate, here here rrenjesisht, esete mund te ndihmojne, por une besoj se letersia artistike eshte pergjigja. (Dhe jo vetem letersia… filmi mund te qe nje zhaner i mrekullueshem per kete) Nevoja per te thene cfare ndodh brenda brenda, shume thelle eshte ne fakt prodhimi i fiksionit dhe i realitetit qe vertet duket i padepertueshem sot. Eshte edhe clirim. Femijet jane deshmitare, jane shpesh edhe te rritur. Kane trauma, qe i kalojne ose jo. Por deshmia per mua eshte e plote ne te dy rastet. Une nuk do ta minimizoja dhe as reduktoja fare.

  7. “qëllimi im këtu është përshkrimi i thelbit të këtyre grupeve dhe kategorive, dhe sidomos e faktit që ishin copa në një continuum konformizmi”

    Presje,

    kam pershtypjen se nuk ishte nje “continuum konformizmi”, por nje continuum pragmatizmi”. Njerezit perpiqeshin te jetonin, dhe te mbijetonin, me te gjitha menyrat, sepse te gjithe e ndienin ku me shume e ku me pak vetedijshem se murit me koke nuk i bihej.

    Grupet dhe kategorite qe pershkruan ti mendoj se ekzistonin te gjitha, por permasat dhe pesha specifike e secilit grup a kategori ishte e ndryshme ne zona te ndryshme te vendit. Ti flet per Tiranen, sepse ate ke njohur, por duhet thene se popullsia e Tiranes nuk ishte perfaqesuese per gjithe Shqiperine. Ne Tirane pushteti i mblodhi dhe i zgjodhi me dore nje nga nje banoret qe te ishin me besniket dhe me te besuarit per regjimin. Ne Tirane te perndjekurit dhe antikomunistet e flakte zinin nje peshe krejt te paperfillshme ne strukturen shoqerore. Ka pasur edhe disa vale spastrimesh masive politike dhe debimesh neper vendet e prejardhjes te nje numri te konsiderueshem banoresh qe nuk i plotesonin kriteret politike per te banuar ne Tirane.

    Ne qytete dhe zona te tjera raportet mes grupeve ishin te ndryshme. Fjala vjen, ne qytete si Shkodra, Durresi, Elbasani, Korça kishte nje fryme te pergjithshme rezistence pasive dhe te heshtur, qe shprehej me indiferencen dhe distancimin e njerezve nga dogma, propaganda dhe qendrimet e partishme. Ne keto qytete ishte gati turp te ishe sekretar rinie. Partise i duhej shume pune dhe mund t’i mbushte mendjen ndonje viktime per t’u bere anetar partie. Une njoh shume njerez qe refuzonin te anetaresoheshin ne parti. Te perndjekurit dhe pergjithesisht ata me njolla ne biografi nuk shiheshin me sy te keq nga mjedisi shoqeror. U kujtohej biografia vetem nga strukturat e pushtetit, kur shkonin te kerkonin pune ose te drejte studimi. Perndryshe shoqeria nuk i ngacmonte.

    Ndryshe qendronin punet ne qytete dhe qyteza te tjera si Vlora, Fieri, Berati, Lushnja, Çorovoda, Ballshi, Poliçani etj. ku shoqeria ishte tejet e indoktrinuar. Atmosfera shoqerore ne keto qytete ishte mbytese per te perndjekurit, per te pakenaqurit dhe pergjithesisht per ata qe nuk pajtoheshin me regjimin. Partia ne keto qytete nuk e kishte problem t’u mbushte mendjen njerezve te anetaresoheshin. Perkundrazi, problemi ishte se kishte kerkesa te shumta qe ishte e veshtire te refuzoheshin sepse ishin te gjithe te zellshem e te partishem.

    Po ashtu shume e larmishme paraqitej gjendja edhe neper fshatra, varesisht nga krahina apo zona ku ato ndodheshin. Atmosfera shoqerore, te themi, ne fshatrat e Mallakastres ishte krejt e ndryshme nga ajo qe gjeje ne fshatrat e Mirdites ose ne fshatrat e Bregut.

    Gjithsesi, pergezime per shkrimin!

    1. Ke te drejte per fshatin, Relapso! Sic them ne shkrim, une jap Tiranen, dhe fshatin e jap me aq sa mendoj se i hynte direkt Tiranes, nepermjet njerezish qe vinin ushtare, neper shkolla te mesme e universitet, me sherbime te vogla, neper spitale e te aferm etj. Mbaj mend mire qe gjendja e fshatit ishte sic thua ti, shume e perziere dhe komplekse. Une tmerrohesha neper mbledhjet e kooperatives ne Kolonje, si diskutohej me zjarr per luften e klasave dhe si i versuleshin grate e burrat njei-tjetrit. Ulesha ne nje cep se isha kurioze te degjoja dhe e dija qe askush nuk me dallonte e s’ma vinte veshin, edhe sepse mbledhjet beheshin ne Livadh ose ne ndonje qoshe. U mbaj mend zerat njerezve dhe shkendijat ne sy. Ne Tirane gjerat ne dukje ishin me te qeta, mendoja une. Edhe Klubi i fshatit, ose dyqani ose oborri i shkolles, dhe furra e bukes ishin zona ku kishte grumbullime dhe njerezit perpiqeshin te ishin protagoniste, dhe mund te studioje mire se si mendonin dhe si lidheshin me njeri-tjetrin. Kam shume kujtime nga kjo pjese dhe nga fshati… Himara ishte krejt ndryshe pastaj. Por nuk kam dashur te shkruaj per kete… kesaj radhe. 🙂

      Ndersa per pjesen konformizem apo pragmatizem, ‘konformizem’ eshte termi i duhur.

  8. Nje analize e mire per te kuptuar strukturen, perberjen, kategorite ,motivet dhe shtysat e asaj mase (jo tufe!) njerzish qe u angazhua pergjithsisht ne akte kolektive e por edhe individuale, ne ditet kur bulezoi levizja e dhjetorit e qe me pas mori trajtat e levizjes antikomuniste.Them “me pas” po te shquajme tre periudha-prologun , qe pas ngjarjes se ambasadave deri ne 8 dhjetor 1990 , ditet e vrullshme 8-12 Dhjetor kur Levizja Idealiste Studentore per Demokraci u finalizua me legalizimin e pluralizmit politik dhe, periudha e trete, fill pas 12 dhjetorit kur artikulohet antikomunizmi si levizje politike.

    “Studentët ishin ndoshta pjesa më e ndershme e rebelimit të atyre ditëve, por ata ishin prodhim i shpejtë i vitit të fundit, pështjellim krijuar nga kushte të padurueshme jetese …”
    Termi “me e ndershme” nuk di cfare kuptimi ka ne ate kontekst.Me e ndershme me ke dhe ndaj kujt? Ne ate mase studentesh kishte idealiste, naive dhe nje pjese e mire e pakenaqur nga kushtet e jeteses. Nje pjese rendi pas berihajt per solidaritet studentor dhe shoqnor. Se sa idealiste, naive dhe sa pak e vetedijshme ishte Levizja Studentore per momentin historik, e tregoi fakti qe, pas aktit te fundit, greven e urise, poshoi se qeni dhe mbeshteti PD, ku simbolikisht perfaqsohej nga .A.Hajdari.Cfare tregon se ajo Levizje ishte “prodhim i shpejte” kryesisht nen trysnine e nevojave emergjente te jetes studentore.Veshtire te mendohet se ajo mase njerzish konceptonte shoqerine qe aspironte ne te gjitha dimensionet e lirise. I vetmi akt lirie ishte “arratisja nga liria” me eksodet e medha.
    Pjesa me kurajoze, me guximtare ishin ata qe u futen ne ambasada.Do te mbetet enigme shkalla e perfaqsimit ne kete fluks e katerogive te pershkruara nga autoria.
    Tashme, pas nje cerek shekulli postkomunizem, ca gjera jane qartesuar. Antikomunistet me katolike dhe komformistet puthadore, ata qe dijne te bejne kompromise dhe te shkelin me kembe cdo princip moral per hir te privilegjeve,posteve, pasurimit, kam pershtypjen se dolen prej kategorise te atyre qe kishin njolla biografie, nuk e donin sistemin komunist dhe ,permes lidhjeve, manipulimit te biografise dhe zellit per te qene shembullore , u pershtaten me sistemin , dhe luanin sipas partitures se tij per te gezuar disa privilegje dhe aspiruar pozicione me komode. Aq me teper po te kishin gelltitur “nje luge corbe” nga ish Sigurimi Shtetit.
    Keta bashke me ish komunistet pragmasite dhe interesaxhinj, u bene pjesa me arriviste e demokracise.
    Idealizmi sot , ne nje shoqeri ku masa e vleres se individit eshte suksesi material, lexohet si paaftesi dhe naivitet.

    1. Edhe une tamam ate them per studentet, Shpend. Them qe ishte sh i perzier, nuk ishte grup me tradite dhe qe ishte prodhim rastesor i rrethanave me nje lloj aktivizimi me te madh ne vitin e fundit. E perdor “i ndershem’ sepse, ne fund te fundit, fillimi i levizjes nuk kish qellime rritje ne pushtet e manipulimi, por ishte reagim ndaj kushtesh mizerabel te se perditshmes. S’ka reagim dhe levizje me te ndershme sesa ajo qe nis per buke, ngrohtesi, drite, mundesi per te jetuar njerezisht.

  9. Nje shkrim i shkelqyer dhe nje perpjekje fisnike per te naviguar nje terren mbushur me mina dosjesh qe shperthejne kudo qe shkel.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin