NË MOS QOFTË, U SAJOFTË

Studiuesja Viola Isufi, e ftuar në emisionin “Jamais Vu” të M. Nanos, është shprehur atje se “në Shqipëri kanë ndodhur dy shkëputje brutale që e kanë ndërprerë letërsinë: Ndërprerja e parë erdhi nga dyndja e flamujve islamikë kur ajo filloi të bulëzonte, e dyta ishte ardhja e realizmit socialist” (diku rreth minutës 28).

Më tingëlloi keq kjo pranëvënie e letërsisë me “flamujt islamikë”, sepse më e ngarkuar me retorikë se ç’pritet prej një studiueseje të letërsisë; por edhe më keq më tingëlloi kjo narrativë e ndërprerjes, e cila prej kohësh i shoqërohet versionit kombëtarist të historisë së shqiptarëve: a thua se paska pasur një predestinim të këtij populli për të shkëlqyer europianisht, të cilin predestinim e ka zeruar ardhja e osmanëve.

Po të kishin pasur shqiptarët paraosmanë qytetet e tyre me jetë publike, kulturë, universitete dhe një shtresë të lëçitur e cila të mund edhe të krijonte, edhe të konsumonte letërsinë e shkruar në shqipe, atëherë kundërfaktuali i implikuar nga mysafirja e Nanos edhe mund të vlente, për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhi me pushtimin osman.

Mirëpo faktet tregojnë të kundërtën: në periudhën paraturke shqipja nuk shkruhej fare, jo më të kishte letërsi të vetën. Edhe sikur të gjendet nesër ndonjë dorëshkrim i varrosur në ndonjë arkiv a bibliotekë, kjo nuk do t’i ndryshojë gjë historisë – sepse një a dy dorëshkrime nuk mjaftojnë për të pasur letërsi.

Mesharin që botoi një shekull pas luftrave të Skënderbeut (1555), Buzuku e dëshmon këtë mungesë shkrimesh shqipe para librit të tij fare qartë; sikurse e dëshmojnë, sado tërthorazi, dhe fillimet që njohim të letërsisë shqipe, si vjershat e Budit ose përtej detit, ndër arbëreshët e Italisë.

Atëherë ç’qenka kjo letërsi që ndërprenë “flamujt e Islamit”? Është letërsia imagjinare, e mitit romantik të Shqipërisë paraturke, me kontër, dukë, princër, langonj dhe fazanë, zonja e zonjushe të mëndafshta, shkronjës dhe sekretarë dhe murgj të urtë poliglotë – e cila ndonjëherë të lë përshtypjen se kërkon t’ia zërë vendin reales, sepse realja është ajo që është, ndërsa imagjinarja është ajo që duhej të kish qenë.

Mos-letërsia shqipe në Arbërinë paraturke, në të vërtetë, sikurse edhe mos-shkrimi i shqipes, lidhen me atë që arbërorët e asaj kohe nuk kishin qytete mirëfilli të tyret –Durrësi dhe Shkodra ishin vërtet në trojet e Arbërisë, por në duar të së tjerëve.

Nuk kishin arbërorët qytete që të bënin për kulturën e tyre atë që bënë Firenze, Genova, Pisa, Bologna dhe Venezia për kulturën italiane të Rilindjes.

Nuk kishin dhe nuk patën kohë që t’i ngrinin; sepse ndërkohë ia behën osmanët; të cilët ndërprenë një rrjedhë potenciale, por jo reale, për ta zëvendësuar me një tjetër rrjedhë potenciale – në kuptimin që as kultura osmane nuk është se lulëzoi ndonjëherë në trojet shqiptare.

Edhe pas pushtimit osman, pra, Arbri u katandis ashtu siç e dimë jo aq për faj drejtpërdrejt të osmanëve, sesa ngaqë mbeti një truall kufitar i Perandorisë, një djerrinë e qytetërimit; versioni i atëhershëm i Murit të Berlinit.

Kur e morën disi veten qytetet shqiptare, nga shekulli XVII e më tej, nisi të lëvrohej edhe letërsia përkatëse – e bejtexhinjve: një letërsi modeste, e kufizuar në tema dhe në mjete, e shkruar në shqipe por e përftuar poetikisht në osmanishte.

Flamujt e Islamit nuk kanë shumë lidhje me këto zhvillime: gjetiu, në Perandorinë Osmane, lëvrohej letërsi shumë e hollë. Që bejtexhinjtë e përdorën shqipen për veprat e tyre, tregon se kjo mundësi ekzistonte – pavarësisht se çfarë u shkrua dhe pse.

Përkundrazi, veprat që njihen sot si të “autorëve të vjetër të Veriut” nuk i përmbushin, në fakt, kriteret për të qenë letërsi, ashtu siç i përmbushin, bie fjala, ato të Eskilit, Dantes, Shekspirit, Servantesit ose Balzakut. Janë vepra me karakter më shumë religjioz, utilitar, pa pretendime përnjëmend estetike; shkruar nga klerikë katolikë, për t’u lexuar e përdorur nga klerikë të tjerë katolikë.

Kjo pavarësisht se brenda tyre gjen pasazhe letrare të mirëfillta; sepse tekstet me natyrë religjioze, qofshin ato edhe liturgjike edhe teologjike, gjithnjë e ruajnë një marrëdhënie me të bukurën dhe emocionin.

Por le të mos gënjejmë veten: edhe Buzuku, edhe Budi edhe Bogdani i përkasin kohës së tyre dhe një Arbri tashmë të bërë pjesë periferike e Perandorisë Osmane, ku katolicizmi ishte emargjinuar tashmë dhe rrezikohej jo aq me vdekje, sesa me irrelevancë.

Nga ana tjetër, mund ta marrim me mend që, me ardhjen e osmanëve në Arbëri, u shkatërruan e u zhbënë edhe ato pak institucione kulturore ku, në rrethana të tjera të favorshme, mund të ishte shkruar dikur shqipja edhe si letërsi: kuvendet, shkollat fetare si dhe ato qytete ku jetonin shumë arbër, si Shkodra dhe Durrësi.

Kjo edhe mund të interpretohet si ndërprerje – por ishte ndërprerje e një rrjedhe potenciale, jo reale.

Nuk ka komente

  1. Ndaj plotësisht mendimin e Xha Xhait, por duke perfunduar së lexuari librin e Bernard Lewis “Stambolli dhe qytetërimi osman”, mes të tjerave lexoj : “Poeti Mesihi, i lindur në Shqipëri, në rininë e tij shkon në Stamboll për të studiuar teologjinë. Etj, etj., dhe vazhdon : “Opinioni osman e konsideronte si poetin më të madh lirik përpara poetit Baki. Poesia më e njohur e tij në Europë është një odë kushtuar pranverës, e cila u përkthye në anglisht në stilin elegant të shekullit të XVIII-të dhe u publikua nga Sir William Jones më 1774.” më poshtë është publikuar dhe poesia në fjalë. Ky informacion tregon edhe njëherë që shqiptarë si individë kanë bërë emër në vende të huaja, por jo në Shqipëri. Si dhe përforcon atë që thotë Xha Xhai që “në Perandorinë Osmane, lëvrohej letërsi shumë e hollë.”

  2. Argumentet e parashtruara këtu janë të vlefshme, ndërsa shkrimi në tërësi duket pa kuptim. Është një reagim ndaj “gurit në lumë”. Të thuash “studiuesja u shpreh…” s’bën sens, kur në fakt nuk kemi kurrfarë studiuesi që po shprehet, por një njeri në një studio televizive, në një program opinionesh që, në stilin më të mirë të këtyre programeve në Shqipëri ku një grusht njerëzish ia këputin me radhë e jo rrallë pa radhë p… për çfarëdolloj gjëje që i pyesin e edhe për gjëra që s’i pyesin, po bën të njëjtën punë. Për të qenë i drejtë, më duhet të pranoj se nga tërë çështjet, e brendshme apo ndërkombëtare që kanë gjetur përgjigje e zgjidhje në studiot e opinioneve të televizioneve shqiptare, është një çështje që nuk është trajtuar asnjëherë. Është një çështje që unë personalisht kam kuriozitet të dëgjoj mendimin prej eksperti të opinionistëve, çështja e orizoreve vietnameze, ç’kanë qenë, ç’u bë me to e në ç’gjendje janë sot. Si konsumator dashamir i pilafit – dhe s’besoj se në Shqipëri jam i vetmi – gjithnjë më ka interesuar kjo çështje, por nuk kam dëgjuar kurrë as të shtrohet si pyetje, as të marrë trajtimin që meriton.
    Studiuesja në fjalë s’ka bërë ndonjë studim për këtë historinë e “ndërprerjes”, ndaj le të presim gjer ta bëjë një studim të tillë, që të mund ta gjykojmë. Ti shtrojë njëherë faktet dhe argumentet për ndërprerjen sipas saj, pastaj mund t’i shprehni ju ato që përmendni në shkrim. Dhe të publikojë ca studime më parë, për ta merituar emrin e studiuesit. Gjer atëherë, fare mirë në studiot televizive mund edhe të përgjigjet për çdo gjë, edhe për problemin e orizit që më shqetëson mua. Sepse deri tani, më tepër se studiuese, po promovohet në shtyp si një studiuese në rolin e fshehur të pasardhëses. Në stilin e Enver Hoxhës, i cili i shkoi të gjithë në shpatë gjer zgjodhi dhe la pasardhës Ramiz Alinë, njeriun e besuar që i garantonte paprekshmërinë e kultit të figurës, edhe Enveri ynë i letrave po promovon prej kohësh Ramizët e tij në kritikë, që do t’i garantojnë më pas paprekshmërinë e figurës e kultit. E me ç’duket, edhe një Ramize tjetër e paska gjetur.

    1. Nuk do të merresha me tezat dhe hipotezat e një studiueseje, thjesht duke u mbështetur në çfarë ajo thotë në TV. Dhe, në fakt, po të lexosh shkrimin më lart, do ta shohësh që unë nuk merrem me V. Isufajn, përveçse ta citoj në krye.

      Më intereson, përkundrazi, ajo pjesë e dijes që merret si e mirëqenë, ose ajo që nuk debatohet, sepse konsiderohet si e konsoliduar. Aq e kanë përsëritur mitin e shkëlqimit të Arbërisë para-osmane (në kundërvënie me “katastrofën” që pasoi), saqë ai tani ka gjetur vend në premisat e arsyetimeve: dhe, sikurse e dimë, premisat rrallëkush diskutohen.

      Studiuesja Isufaj në emision m’u duk se po përçonte për publikun një tezë jo të vetën; pa çka se ajo edhe mund ta ketë bërë të vetën. Përndryshe ajo u deklarua si specialiste e letërsisë bashkëkohore, jo e flamujve të Islamit – dhe ndërhyrjen për letërsinë e vjetër shqipe e bëri duke iu referuar, në mënyrë implicite, burimeve të saj, ose një autoriteti.

      Dhe mua pikërisht kjo më shtyu të shkruaj; më motivon gjithnjë kritika e premisave, meqë atje, pikërisht te premisat, fshihen zakonisht mistifikimet dhe gënjeshtrat. Studiuesja Isufaj u fut aksidentalisht në këtë mesele, ose si përçuese e dokumentuar një mistifikimi të tillë. Përmendja e saj në shkrimin tim bëhet për hir të korrektesës ndaj burimeve.

      1. Shpjegimi yt është i logjikshëm e bindës. Megjithatë, meqë e intervistuara paraqitet si studiuese e letërsisë bashkëkohore, nga thëniet e saj profesionale – m’u desh ta shikoja intervistën, që të mund të shprehesha për shkrimin – unë, ta zemë, do të shqetësohesha nga deklarimi prej zanatçije se Camajt i duhet studiuar poezia, se në prozë s’na paska qullosur gjë. Ngjan si mendim personal, por kur kujton se zanati i studiueses në fjalë është pedagogllëku dhe, prej këtu, orientimi i studentëve me lektrime, rekomandime, studime e tema diplomimi, këtij qëndrimi fatura në fund i rezulton ca e rëndë. Duket sikur në këtë tokë ka vend vetëm për ndonjë titull libri tek-tuk, sa për larmishmëri demokratike, por vetëm për një autor-figurë madhore ama. Një, e asnjë tjetër. Të cilit, meqë jetojmë në një “epokë demokratike”, lejohet po në “frymë demokratike” t’i bëhet ndonjë vërejtje e vogël, ndonjë e gërvishtur tek-tuk që prapëseprapë s’arrin t’i prishë dot as lustrën monumentit të madh. Tani ne popullin idhujtar na ka zënë halli ç’titull t’i japim këtij monumenti, se i zoti vetë nuk po shprehet. Jo për gjë, por “komandant” i vendit u bë titull-pronë e Hoxhës (dhe kur vemë për turizëm në Gjirokastër, guida e përmban edhe vizitën në “shtëpinë e komandantit”; “mareshal” i demokracisë e mori (dhe e pranoi) prej botës së medias Berisha (për të cilin po mediat po thonë së fundmi se ka nisur ta ngrejë vetë shtëpinë-muze në fshatin e lindjes); ndërsa objektit të studimeve të opinionistes në fjalë s’i ka mbetur titull tjetër i madh pos “komisarit” të prozës. Hall më vete dhe ky!
        Por jemi njerëz të ndryshëm, andaj dhe gjërat i shohim ndryshe, do thoshte Vani i “Pallatit…” sikur të qe gjallë.

        1. Ne e kemi zakon të mos e marrim mundimin të flasim në publik për vlera, pa e vendosur më parë një hierarki dhe pa nënkuptuar se, duke vlerësuar këtë apo atë, detyrimisht duhet të ripërmasojmë pak këta të tjerët, a thua se ka ndonjë ligj të konservimit të vlerës, të tillë që nuk të le të vlerësosh X-in, pa zhvlerësuar automatikisht Y-nin. Dhe, gjithsesi, është tejet e neveritshme të shohësh si e gjithë kjo paradë gjepurash, gjithë ky myk sovjetik, për të mos thënë stalinist, i konfeksionuar si jargavitje për “Europën” dhe aristokracinë e saj të ndërprerë, i shërben tani para së gjithash ruajtjes dhe riprodhimit të pushteteve feudale përkatëse, nëpërmjet edhe vajosjes së tellallëve: ja një trashëgim i vyer nga Arbëria paraturke!

  3. Ndoshta po e teproj, por edhe përdorimi i mbiemrit “islamik” nga studiuesja nuk më duket i saktë për periudhën për të cilën flitet. Fjala më e gjetur do të ishte “osman”, ose “otoman”, sepse sot termi “islamik” ka marrë ngjyrime të tjera, që kanë lidhje me aktualitetin e ngushtë, ndërkohë që duhet të kishte ngjyrime historike, meqë po flasim për historinë e letërsisë shqipe.

  4. une vazhdoj te shoh nje strategji te shpifur. Para ca dites Alfred Peza gjithashtu ngrinte kushtrimin te luftojme orientalizmen ne mentalitetin tone, qe qenkerka sebep per mospagimin e dritave. Rama vizatohej si pellumbi i shkruar te shpetoje memedhene.

    Keta nuk jane studiues, por nje tufe delesh qe i yshtin ne ato vathe. terheqin me vemendjen me diskutime boshe per te krijuar konflikt dhe formuar rradhe te reja, lista intelektualesh me ose pa firme qe i rreshtoheshin ne mbeshtetje te qeverise se kaluar.

    Nese do te anonim te gjithe nga trendi, do te permbysej me kohe kjo varke. shyqyr qe ka rob qe e kundershtojne.

  5. Duket se ky shkrim ka ngjallur plot interes (eshte bere share mbi 115 here ne FB) por debati ketu eshte pothuajse inekzistent. E kuptoj natyren e rrjeteve sociale por do te deshiroja qe diskutimet mbi shkrimin te zhvendoseshin ketu ne blog, ne nje vend te centralizuar, e jo ne Facebook ku nuk mund ti ndjek as autori e as lexuesi i rregullt i PTF.

  6. Qe te kthehemi ne thelbin e diskutimit, Xha Xhai e ka thene shume mire:

    “Kjo edhe mund të interpretohet si ndërprerje – por ishte ndërprerje e një rrjedhe potenciale, jo reale.”

    Besoj se ketu e kane fjalen te gjithe ata qe flasin per nderprerje. Kjo eshte me se afermendsh.

    Jo vetem ne Shqiperi, por edhe ne popuj te tjere te Ballkanit si sllavet e rumunet, zor se mund te gjendet letersi artistike e kultivuar para mesit te shekullit XV. Cilat mund te ishin zhvillimet politike, sociale dhe kulturore te ketyre popujve sikur te mos kishte ndodhur pushtimi turk, kete nuk mund ta themi me siguri, por mund te hamendesojme vetem duke shqyrtuar historine e vende te tjera europiane qe nuk u perfshine ne perandorine osmane. Gjasat jane te gjitha qe edhe shqiptaret te kishin zhvillime pak a shume paralele me ato te vendeve te tjera europiane.

    Gjithsesi historianet e kane zakon te thone se historia nuk behet me “sikur”.

    1. E ke thene mire Relapso: .”.. mund te hamendesojme vetem duke shqyrtuar historine e vende te tjera europiane qe nuk u perfshine ne perandorine osmane.”

      Literatura dhe letersia frenge, gjermane dhe italiane(po konsideroj vetem keto) filluan te lulezojne vertete ne shek 14te dhe 15te, duke perdorur dhe stilizuar vernakularin perkates.

      Kjo perkon me shtrirjen dhe konsolidimin e osmaneve ne Ballkan, pra me ate qe disa e quajne, mendoj me te drejte, nderprerje. Kur ka nderprerje, na mbetet vecse te hamendesojme. Duke qene se te dhenat nga Europa joosmane na tregojne se pikerisht kjo periudhe perkon me fillimet dhe zhvillimet letrare bazuar ne vernakularin perkates, nuk na ngelet rruge tjeter vecse te bejme analogji dhe te interpolojme per drejtimet qe mbeten ne potencial, si mundesira te parealizuara.

      Pastaj nuk duhet te pretendohet se periferite literare ballkanike pa tradite gjuhe te levruar(perjashtuar greqishtja), krahasuar me traditen e pjeses tjeter te Europes do te mund te prodhonin Aligheri-in, Sheakspeare-in, apo Servantes-in. Duhet te jemi realiste dhe modeste aq sa duhet, kur flasim per nderprerjen dhe potencialet e saj. 🙂

      1. Kam frikë se kjo nuk qëndron. Shqiptarët po të dojë njeriu vete i krahason edhe me koreanët, por në fakt krahasimi me italianët, francezët dhe gjermanët është i pamotivuar – për mua qesharak. Shqiptarët ishin të vonuar jo vetëm në Europë, por edhe në Ballkan – me zhvillim kulturor të krahasueshëm me atë të arumunëve (vllehëve). Nëse duhen krahasuar me ndonjë popull perëndimor, atëherë mendja të shkon te keltët e Britanisë së Madhe, britonët e Francës, galicianët në Spanjë… Jo të matemi me hijen e mëngjesit. Arbërorët e shekujve XIV-XV nuk kishin as qytetet e tyre: Durrësi, Shkodra, Vlora ishin në duart e të tjerëve dhe arbërorët hynin aty si të njerkës – u deshën ca katastrofa natyrore, si tërmetet dhe epidemitë e murtajës që këto kryeqendra t’ua hapin dyert popullsive të hinterlandit.

        1. 2xha: “Arbërorët e shekujve XIV-XV nuk kishin as qytetet e tyre: Durrësi, Shkodra, Vlora ishin në duart e të tjerëve dhe arbërorët hynin aty si të njerkës – u deshën ca katastrofa natyrore, si tërmetet dhe epidemitë e murtajës që këto kryeqendra t’ua hapin dyert popullsive të hinterlandit.”

          Kjo eshte po aq e vertete per te gjitha qytetet e tjera europiane te formuara, konsoliduara nen hijen e fuqive koloniale te kohes. Shumica e qyteteve u themeluan dhe u mbajten nga kolonet greke apo romake.

          Thene kete qe nga antikiteti, te gjithe lordet lokale te pacivilizuar te hinterlandit, qe sorrollateshin rreth ketyre qyteteve, nuk ishin shume te ndryshem nga lordet lokale ballkanike deri tek ata te Arberise.

          Ambicjet e tyre i tregonin menjehere sapo iu lihej territor i lire per te vepruar, si me renien e fuqise te Greqise, Romes, renien e Bizantit, perandorive serbe dhe bullgare, ku kishin pranuar, pa patur rruge tjeter, rolin e vasalit.

          2xha: “Nëse duhen krahasuar me ndonjë popull perëndimor, atëherë mendja të shkon te keltët e Britanisë së Madhe, britonët e Francës, galicianët në Spanjë…”

          Krahasim me vend: pse e vogel eshte t’i krahasosh me to? Edhe per ata veproi e njejta gje, zhvillimet potenciale u nderprene, sepse u nenshtruan me dhune nga forca ushtarake dhe konsolidimi i shtepive me te fuqishme feudale qe kishin organizime, aleanca dhe shtrirje me te gjera dhe me te fuqishme tribale.

    2. Madje – se më shkoi mendja – ky mistifikim i osmanëve që ia prenë riskun letërsisë (dhe kulturës shqiptare) legjitimon kundër-tezën se osmanët i shpëtuan shqiptarët prej fqinjëve dhe asimilimit. Janë teza të barazvlershme, njëlloj kundërfaktuale dhe në fakt irracionale, që mbajnë njëra-tjetrën në qarkullim.

      1. Ashtu sic i ke vene perbri duket sikur keto teza eleminojne njera tjetren me duket, nuk mund te ushqejne njera tjetren.

        Njera thote: ishin osmanet qe nderprene vazhdimesine dhe konsolidimet e kultures arberore dhe ne kete menyre ndaluan procesin e natyrshem te nje organizimit dhe daljes me vete si nacion(na ngaterron termi komb)..

        Kurse e dyta, i sheh turqit si benefa(k)tore qe na shpetuan nga asgjesimi, asimilimi si komb. Kjo ne lidhje me perpjekjet e vazhdueshme te fqinjeve “grabitqare” per te na asimiluar apo vrare. Turqit na vrane, bile shume, por politika e miletit nuk programonte asgjesimin total, dhe asimilimi ishte i pamundur. Duket se keto teza nuk ushqejne njera-tjetren, por i kundervihen njera-tjetres.

        Secila perdor(ka nje lloj) racionalitetin e vet, nuk me duken si teza iracionale. Dalim perseri tek te qenurit ne potencial, potencialisht mund te mbartin qe te dyja dicka nga e verteta, perderisa te verteten nuk kemi nje glob te xhamte per ta pare, por vecse duke e hamendesuar. 🙂

        1. Janë metodologjikisht të barasvlershme. Përndryshe, irracionaliteti i tyre lidhet sidomos me faktin që këto teza i formulojmë pikërisht ne, që jemi produkte të historisë ashtu sikurse ka ndodhur. Kushedi në gojën e një historiani gjerman ose rus të njëjtat teza nuk do të ishin dhe aq irracionale.

          1. Sinqerisht po qesh Xha-Xha, vetvetiu ajo qe thua me siper me kujton tezen e Marksit qe i ndan nacionet apo popujt ne dy grupe: ne ata qe bejne histori dhe ata qe jane produkte te historise. Sjell shembullin e gjermaneve dhe hungarezeve dhe duke justifikuar dhunen thote qe ne histori asgje nuk arrihet pa dhune dhe brutalitet dhe egersi.

            Sic duket qyteterimet si metode kryesore kane dhunen, qyteterimi vjen pastaj, kur mjelin frutet e dhunes nga qyteterimet qe kane nenshtruar. Duket qe shqiptaret nuk kane qene te dhuneshem mjaftueshem per te bere histori dhe per te menduar per potencialet e veta nese historia do te ishte zhvilluar ndryshe per ta.

            Tezat ne fjale, megjithate jane te pademshme, ato jane inkurajuese, sepse na vene potencialisht perbri popujve te tjere qe kane bere histori. 🙂

      2. “Janë teza të barazvlershme, njëlloj kundërfaktuale dhe në fakt irracionale, që mbajnë njëra-tjetrën në qarkullim.”

        Se pari, ketu nuk kemi te bejme me teza, por me hipoteza qe nuk kane gjasa te shnderrohen ndonjehere ne teza.

        Se dyti, hamendja se turqit i shpetuan shqiptaret prej asimilimit, ne te vertete nuk i permbush kushtet per te qene as hipoteze. Une nuk njoh ndonje popull qe te jete asimiluar pas shek. XV.
        Sido qe te shkonin punet, pa pushtimin osman shqiptaret do te kishin qene shume me mire se me pushtimin osman, sepse me turqit arritem fundin, me keq s’mund te behej.

        E qe te kthehem tek “flamujt e islamit”, sado qe togfjaleshi tingellon politikisht jokorrekt, me duket se eshte i sakte. Mjafton te veme re se ajo pak kulture, shkrime, libra, letersi qe u prodhua ne Shqiperine pararilindase ishte e gjitha e matriksit te krishtere. Te rrime shtrember e te flasim drejt, tha. Po te perjashtojme bejtexhinjte qe ne fakt perjashtojne veten, sepse jo vetem qe nuk shtypen nje faqe, por as qe u shkonte mendja ta benin kete, kur myslimanet u kujtuan te shkruanin shqipen e te benin letersi, i kthyen syte nga modelet perendimore.

        Per krahasim po mjaftohem te kujtoj shqiptaret e diaspores, arbereshet, te cilet, edhe pse te pakte ne numer e te shperndare si zogjte e korbit ne dhé te huaj, prodhuan me teper kulture dhe letersi sesa shqiptaret ne atdhe.

        Turqit ishin fatkeqesia jone dhe e mbare Ballkanit. Nuk mund ta themi me siguri se si do te kishin shkuar gjerat pa turqit ne Ballkan, por nje gje mund ta themi bashke me Çajupin: “Se te mos qenkej kjo fare / Bota do te lulezonte / Shqiperia do te gezonte”.

        Sot mund te tallemi e ta shajme sa te duam si romantik dhe nacionalist, por duhet t’i japim hakun, se kishte te drejte!

        1. Kur i krahasojmë dy kultura mes tyre, duhet të nisemi – nuk mund të mos nisemi – nga premisa se secila prej këtyre kulturave ka qenë sistem i pavarur dhe autonom.

          Në rastin e kulturës osmane (myslimane) dhe asaj jo-osmane (të krishterë), që u përplasën në trojet e Arbërisë, le t’i thjeshtojmë punët, dhe të përfytyrojmë sikur ato dallonin mes tyre ngaqë osmanët ishin vegjetarianë, ndërsa vendësit, deri para pushtimit osman, mishngrënës (këto dy etiketa po i përdor në mënyrë, si të thuash, algjebrike, ose si shkurtore).

          Kur i pushtuan osmanët trojet e arbërve, një pjesë e këtyre u shndërruan në vegjetarianë, një pjesë tjetër kapërcyen detin dhe vazhduan të hanë mish në Italinë e Jugut, dhe një pjesë tjetër rezistuan dhe nuk hoqën dorë nga kultura e mëparshme.

          Pasi kaluan disa shekuj, Peradoria Osmane u shemb – mes të tjerash ndoshta edhe për shkak të deficiteve nutricionale nga të cilat vuajnë zakonisht vegjetarianët – dhe arbrit, tashmë të shndërruar në shqiptarë, iu kthyen sërish mishit dhe (ri)përqafuan në masë recetat e kuzhinës së bazuar në gatimin e mishit.

          Këtë kulturë të mishit (që është kultura perëndimore) e kanë përqafuar sot edhe ata shqiptarë që, përndryshe, ende i referohen sistemit vegjetarian të vlerave.

          Por çfarë ndodh: kur disa nga mishngrënësit e sotëm duan të gjykojnë vegjetarianët e djeshëm, harrojnë se kemi të bëjmë, në rastin e tyre, me një sistem tjetër; jo me një version të varfër ose të gjymtë të mishngrënies.

          Kështu, dëgjon një mishngrënës që thotë: ata nuk arritën të pjekin një herë një dash. Kjo është e vërtetë, por vetëm ngaqë therja dhe pjekja e një dashi ishin të huaja, si akte, për kulturën vegjetariane.

          Ose dëgjon një mishngrënës tjetër të thotë: ata hanin bar, si të ishin bagëti. Në fakt, një kulturë vegjetariane mund të sofistikohet në po atë masë sa edhe një kulturë mishngrënëse, por në një drejtim tjetër.

          Tani, fakti është që, në trojet shqiptare, vegjetarianët humbën dhe mishngrënësit fituan. Madje kultura e mishngrënësve u tregua kaq fitimtare, sa edhe ata vegjetarianë që kanë mbetur sot, jo veç në Shqipëri por edhe gjetiu, ndjekin preceptet e kulturës tjetër.

          Për shembull, forma të tilla kulturore si libri laik, teatri, filmi, piktura dhe skulptura antropomorfike, opera etj., ose edhe mass mediat, televizioni, Interneti, edhe pse në origjinë i përkasin kulturës mishngrënëse, sot janë përqafuar me zell edhe nga shumë vegjetarianë.

          Sa për historinë tonë si shqiptarë, në shekullin XVI, kur sundimi i vegjetarianëve në Shqipëri ishte konsoliduar tashmë, disa pak libra që arrinin të botonin autorët katolikë në Veri ishin ekuivalenti i dikujt që kap një lepur në zabel dhe pastaj e pjek dhe e ha: një dukuri irrelevante, nga pikëpamja e logjikës dhe ekonomisë vegjetariane, por edhe e hegjemonisë vegjetariane në kulturë.

          Përkundrazi, mishngrënësit e sotëm mund ta konsiderojnë, të njëjtin akt të kapjes së lepurit, si mishërim të heroizmit, të martirizimit dhe paralajmërim të kohëve që vinë.

          Duhet ruajtur, pra, sensi i masës dhe aftësia për t’i gjykuar kulturat si sisteme autonome – përndryshe, do të përfundojmë si treni në atë tregimin për fëmijë, që e talli nëndetësen, pse kjo nuk kishte rrota.

          Në këtë vështrim, gabimi më i madh që mund të bëjmë, është ta shohim njërën prej kulturave si një version të prapambetur të tjetrës – p.sh. t’i shohim vegjetarianët si mishngrënës që nuk e hanë mishin. Ky lloj vështrimi e fut a priori një hierarki vlerash të rreme – sa kohë që mishi përbën vlerë kulturore vetëm brenda një kulture të mishngrënësve, jo universalisht.

          Prandaj edhe kritika të tilla si këto që u artikuluan këtu, për tatëpjetën e skulpturës gjatë periudhës osmane, ose për qytetet osmane me rrugë të shtrembra, ose për bejtexhinjtë që nuk i shtypën veprat e tyre, janë metodologjikisht të gabuara; dhe tradhtojnë qëndrime që, më vjen keq por më duhet ta them, edhe vetë kultura mishngrënëse në format e saj reprezentative i ka kapërcyer që në kohën e “Letrave persiane” të Montesquieu-së.

          Të marr vetëm shembullin e bejtexhinjve: për mënyrën si artikulohej arti i tyre, teksti i shkruar ishte gjithnjë dytësor, ekuivalent me tekstin e një drame; përkundrazi, vepra konsumohej nëpërmjet recitimit, ose përballë një publiku; në trajtë orale. Ato shënime që kemi trashëguar ne sot, ishin ose të autorëve vetë, për të lehtësuar mbajtjen mend të vargjeve; ose të ndonjërit nga publiku, të apasionuar pas vjershave.

          Pra modeli është tjetërlloj – dhe nuk mund të shihet si version i gjymtë i konsumit të letërsisë në Perëndim. Për ta thënë me metaforën tonë: nuk mund ta hedhësh poshtë byrekun me kungull, se pse nuk ka mish brenda – as ta konsiderosh si formë inferiore të byrekut me mish. Përkundrazi, byreku me kungull duhet vlerësuar për nga harmonia e shijes që përcjell, delikatesa, rafinimi i erëzave që përdoren dhe kënaqësia e atij që e ha. Mishi nuk hyn fare këtu.

          Natyrisht, gjatë shekujve osmanë, edhe vegjetarianët kishin qëndrimin e tyre ndaj mishngrënësve, që i toleronin brenda kulturës së tyre: për ta, këta mishngrënës ishin inferiorë, ose qenie që kishin mbetur jashtë sallave të gostive vegjetariane.

          Ne sot e kemi stërvitur veten të flasim për Shkodrën si qytet “katolik”, “perëndimor” etj.; por në fakt katolicizmi në Shkodër, si prani relevante, ka histori të shkurtër, dy-shekullore (me aq sa di unë); dhe se katolikët që jetojnë sot në Shkodër nuk janë gjë vazhdim i arbërorëve që jetonin aty në periudhën paraturke (siç janë, përkundrazi, arvanitët e Greqisë së sotme vazhdim i arbërorëve që u dyndën në ato troje gjatë periudhës para-osmane).

          Ose më mirë: lidhja është imagjinare, nuk gjen mbështetje në histori. Gjatë periudhës osmane, Shkodra ishte për një kohë të gjatë qytet tipik vegjetarian – i organizuar sipas kësaj kulture dhe i pasur me shembuj dhe mishërime të kësaj kulture. Elementi mishngrënës mori shtat dhe erdhi duke u afirmuar më pas, krahas me rrokullimën e Perandorisë Osmane në Ballkan.

          Drama e shqiptarëve, nëse mund ta quaj kështu, është se kanë jetuar mu atje ku janë ndeshur këto pllaka tektonike; ose ku dy kulturat në fjalë kanë luftuar mes tyre, për jetë a vdekje, shumë më mizorisht se ç’mund ta bënin, bie fjala, në Romë ose në Stamboll. Ne sot e kësaj dite e vazhdojmë këtë luftë fantazmë në debatet tona – siç e konfirmojnë edhe shkëmbimet te kjo temë.

          1. Xha Xha,

            natyrisht qe flasim per sisteme kulturore te ndryshme, por fakti qe jane te ndryshme nuk na pengon te vendosim hierarki, t’i gjykojme ato nga kendveshtimi yne i sotem, pra ai i “mishngrenesve”, nga ajo çka ne sot kuptojme me kulture edhe ne kontekstin e ketij diskutimi, pra jo vetem ne kuptimin antrolopogjik pozitivist te fjales.

            Besoj se jemi dakord qe shpikja e shkrimit ishte nje arritje e madhe kulturore e njerezimit, sikurse ishte nje zhvillim kulturor ne kuptimin e gjere te fjales edhe shpikja e rrotes. Ka pasur kultura, si p.sh. ato te indianeve te Amerikes Veriore qe e njohen vone kete zhvillim kulturor, megjithate edhe ata e kishin nje kulture te tyre. Nuk e kemi fjalen per kete kuptim te termit “kulture”, por per nje me te ngushte, per ate qe i gjykon gjerat nga perspektiva e shkrimit dhe e rrotes.

            Besoj se je dakord edhe se shpikja e shtypshkrimit nga Gutenbergu ishte nje arritje e madhe kulturore qe i dha hov te madh zhvillimit kulturor, ekonomik dhe social te njerezimit. Kishte kultura qe e perqafuan menjehere kete risi, por kishte edhe te tjera qe vazhduan te zhvillonin nje kulture autonome edhe pa libra te shtypur.

            Tani, qe te vijme te diskutimi yne, po kufizohem vetem me kete shembullin e fundit, te shtypshkrimit.

            Dihet se, me t’u shpikur shtypshkrimi, sullani i atehershem i Perandorise Osmane (te cilit nuk ia mbaj mend emrin dhe pertoj ta kerkoj) e konsideroi ate si shpikje te shejtanit dhe e ndaloi. Keshtu, ndersa bota zhvillonte nje kulture duke shtypur dhe perhapur libra, ne Perandorine Osmane u ndalua shtypja e librave per me se 200 vjet!
            Shqiptaret, te cilet qelluan te ndodheshin brenda kufijve te Perandorise, u gjenden nen efektin e ketij ndalimi.

            Tani, me thuaj ti, si duhet ta konsiderojme kete fakt ne sot ne kuadrin e ketij diskutimi? A ishte ndalimi i shtypshkrimit nje zhvillim kulturor pozitiv apo negativ per shqiptaret?

            Si duhet t’i pergjigjemi kesaj pyetjeje, nga pikepamja e vegjetarianeve apo nga ajo e mishngrenesve?

            Komentuesi historian profesionist Postbllok Reviste shtronte ca pyetje, si:

            “Ka ndonjë dispozite fetare ose administrative osmane qe te mos zhvillohej letërsia?”

            Duke qene historian profesionist ai doemos qe e njeh dispoziten administrative qe, duke ndaluar shtypjen e librave ne PO, pengonte zhvillimin e letersise dhe te kultures edhe nder shqiptare, te pakten ne kuptimin “mishngrenes” te ketyre fjaleve.

            Pyet historiani profesionist:

            “Ka ndonjë dispozite osmane qe pengonte zhvillimin e letërsisë me “matriks te krishtere” përtej vlerës se katekizmit dhe propaganda fide?”

            Ç’t’i pergjigjem une ketij historiani profesionist? Ai doemos qe e di me mire se une qe kultura dhe letersia “me matriks te krishtere” zhvillohej prane kishave, sikurse doemos qe e njeh mire dispoziten administrative qe ndalonte jo vetem ndertimin e kishave te reja (dhe te shkollave prane tyre) pa leje te veçante te Portes se Larte, por edhe mirembajtjen dhe meremetimin e tyre. Praktikisht nuk mund te nderroheshin as dy tjegulla te thyera te kishes pa leje te veçante e jo te hapeshin shkolla!

            Historiani profesionist ben edhe disa pyetje te tjera, te cilave eshte e kote t’u pergjigjem, se ai e di mire pergjigjen.

            E me kete koment te fundit po terhiqem nga ky diskutim, sepse u be absurd dhe, ta them sinqerisht, m’u shpif!

            1. Unë i përkas kulturës perëndimore, me të jam ushqyer dhe ajo më duket më e mira e mundshme, në kuptimin që nuk do ta ndërroja me asgjë, madje do të luftoja me çdo mjet, sikur dikush të guxonte të më impononte një kulturë tjetër.

              Por pikërisht kjo përkatësi më bën ta shoh anëmbajtjen time kaq instinktive si subjektive dhe të mos e përdor si argument, as si premisë. Duke qenë unë produkt i kulturës mishëngrënëse, nuk kam të drejtë, as logjike as morale, që ta gjykoj një kulturë vegjetariane nga pozitat e kulturës sime – sepse ajo nuk do të ishte më krahasim, por muhabet sporti.

              Për shembull, ti dhe unë e kemi të pamundur të përfytyrojmë një botë pa libra; por kjo flet më shumë për ne, sesa për një kulturë ose antropologji alternative. Për shembull, bota ku jetonte dhe mendonte dhe krijonte Sokrati ishte, praktikisht, pa libra; por kjo nuk e bën gjë inferiore ndaj sonës, në kuptimin e cilësisë intelektuale të produkteve (nga ana tjetër, vetëm teksti i shkruar na mundëson ne sot të dëgjojmë fjalën e Sokratit – por kjo është punë tjetër, ka lidhje me kulturën tonë, jo me atë greke të lashtë).

              Përndryshe, unë e kam të pamundur të përfytyroj si jetonin shqiptarët, bie fjala, në Beratin e shekullit XVIII; por nuk besoj se vuanin më shumë, ose ishin më të lumtur, se beratasit e sotëm. Ka qenë një botë tjetër, me ligjësi të tjera, me rregullsi të tjera. Kur i qasemi, them se duhet ta mbajmë parasysh këtë.

              Ose të marrësh teatrin: ka Borges-i një tregim të jashtëzakonshëm, ku flet për vështirësitë fatale të filozofit arab Averroes për të kuptuar çfarë thotë Aristoteli për teatrin (La busca de Averroes).

              Nuk ka dyshim se një kulturë që e ka teatrin është më e afërt dhe më e pranueshme për mua se një kulturë së cilës teatri i mungon. Çështja këtu është se kultura arabe e kohës së Averroes-it ishte – të paktën kështu thonë – më e përparuar se ajo e krishterë e kohës; pavarësisht nga raporti i saj me teatrin (ose me imazhin njerëzor).

              Në të njëjtën mënyrë, kur dëgjojmë që osmanët “e ndaluan shtypshkrimin”, menjëherë e projektojmë këtë në botën tonë dhe indinjohemi; por revoltat ndaj teknologjive të reja, sidomos të atyre të komunikimit, i gjen kudo; dhe aq më tepër, ma merr mendja se libri i shtypur nuk luante ndonjë rol brenda Perandorisë, edhe para se të ndalohej.

              Më në fund, Relapso, nuk të kuptoj kur thua se ky diskutim “ta shpifi”. Ç’është ky reagim kështu? Diskutimi ynë ka qenë i rregullt dhe produktiv, njerëzit kanë thënë çfarë mendojnë, por duke e respektuar tjetrin. Vërtet, disa mendime që u shprehën bien ndesh me versionin “zyrtar” të historisë; por a nuk është karakteristikë themelore e kulturës sonë perëndimore, liberale dhe pluraliste, që të mos i refuzojë mendime të tilla, por t’u hapë vend në debatet, madje t’ua garantojë mikrofonin?

          2. Xha Xha, te me falesh per tonin, por, para se te shkruaja komentin e mesiperm, pata nje diskutim te tipit “kulturor” me nje fqinjin tim nga Tunizia qe sapo e ka hequr vajzen 11 vjeçare nga shkolla sepse i erdhen menstruacionet!

            Fqinji im, qe eshte burre shume i mire, punetor, i ndershem, korrekt, madje edhe i shkolluar, me parashkroi argumente “kulturore” te ngjashme me ato qe lexova ketu me siper. Ne fjale te tjera, argumente “vegjetariane”.

            Nderkohe qe une ne kuzhine perpiqesha me kot ta bindja se e kishte gabim, ime shoqe ne dhomen tjeter ngushellonte te shoqen dhe te bijen e fqinjit qe nuk reshtnin se qari.

            Sikurse mund ta marresh me mend, e gjithe ajo situate me turbulloi dhe ma shpifi vertet. Komentin e shkrova si vazhdim te natyrshem te diskutimit “kulturor” me fqinjin.

            Po me duket se ti ke te drejte. Une nuk i pranokam dot argumentet vegjetariane. Mea culpa!

            1. Rrofsh. Tani arrita te shoh dhe meriten e metafores poetike te argumentit te zonjes Isufi: letersia shqiptare u shkeput brutalisht po si vajza e fqinjit tuaj… mu ne piken kulminante te kalimit nga vajze ne grua.

  7. .. pikërisht te premisat, fshihen zakonisht mistifikimet dhe gënjeshtrat.

    Eshte e vertete kjo puna e premisave. (Aty fle lepuri! – tha.)

    Meqe po na ftojne per debat, dhe debat pa mendime te kunderta nuk ka,( premise) ceshtja metodologjikisht mund te shtrohet shkurt keshtu:
    – Mire keto premisa qenkan te gabuara po kunderpremisat ku jane provuar te verteta?

    Per shembell thuhet se “..Arbri u katandis …jo aq për faj drejtpërdrejt të osmanëve, sesa ngaqë mbeti një truall kufitar i Perandorisë, një djerrinë e qytetërimit; ”

    Mirepo Arbri truall kufitar ishte edhe ne epoken bizantine, bile ca me keq, zone tranzitore ku perplaseshin ashper interesat e dy versioneve te fese se krishtere, po nuk ishte aspak djerrine e qyteterimit. Per kete mund te sjellesh prova pafund por po jap vetem nje : Durresi.
    Nen Bizantin ishte nje qyetet i madh i lulezuar, porti me i madh i perandorise ne Adriatik, e enderronin ta kishin te gjithe, pervec Bizantit e vendasve, edhe venetikas e raguziane,normande e pizane, bullgare,.. Nen Osmanet perfundoi nje fshat i humbur ku i vetmi progres mund te konsiderohet gatimi i paçes sulejmanie.

    Sigurisht nuk kishim Firence e Venecie, po kush kishte ne Ballkan? Po turqit cilin shehër kishin per ta krahasuar me Durresin?

    Paraqitja absolutiste ka efekte sugjestionues por realiteti eshte relativ, me i forte-me i dobet, me i zhvilluar -me i pazhvilluar… Dhe arberit ne prag te ardhjes se osmaneve ishin te begate dhe ne nje pike kritike zhvillimi , qe fatkeqesisht u nderpre brutalisht.
    “… ndërmjet rezistencës së dobët të Lindjes dhe ambicieve gjithmonë e më të përcaktuara të Perëndimit, Shqipëria do të ketë një nga periudhat e saj më të rralla që të shfaqet me gjithë origjinalitetin e vet.” thote Ducellier duke iu referuar shekujve paraosmane.

    Eshte permendur se edhe udhetare turq neper Shqiperi identifikonin mjerim e prapambetje. Eshte e vertete dhe kjo eshte merite e perandorise osmane. Ne kohet bizantine ne portet arberore,pervec shume te tjerave, eksportohej grure kurse nen osmanet s’kishin as miser te hanin.
    Kokoroz milet (popull i kallamboqit) talleshin turqit me shqiptaret por dhe keta ia kthenin “kabak milet”( populli i kungullit). Komentet me tej do te ishin te teperta.

    Termi ‘rrjedha potenciale’ qe permendet nuk duhet kuptuar si nje probabilitet teorik,ndodh a s’ndodh, por si nje mundesi imediate ,bazamenti i se ciles ishte i ngritur ne realitetin ekzistues paraosman. Ishte, per ta thene thjesht fare, si nje lojtar futbolli ne castin e gjuajtjes se topit ne porten bosh dhe kur kundershtari i nderhyn ashper nga pas dhe e rrezon.

    “.. Nuk kishin dhe nuk patën kohë që t’i ngrinin; sepse ndërkohë ia behën osmanët; të cilët ndërprenë një rrjedhë potenciale, por jo reale, për ta zëvendësuar me një tjetër rrjedhë potenciale – në kuptimin që as kultura osmane nuk është se lulëzoi ndonjëherë në trojet shqiptare.”

    Nuk thua shyqyr ! C’kulture mavria,aman.
    Kultura osmane edhe ne raport me kulturen selxhuke ne shume drejtime beri prapa. E gjithe kjo kulture perandorake u vu ne sherbim te ndertimit te xhamive. Arktekti gjenial Sinani ndertonte vetem xhami.hamame dhe varre. Vertete arkitektura lulezoi per shkak te xhamive dhe u ndertuan edhe ura shume te mira , po nga sarajet pothuaj s’ka mbetur gje ,jane shembur nga koha plus qe projektet edhe per xhamite i benin copy/paste dhe te njejtin model e sheh me qindra here sa te dhembin syte.

    Skulptura u zhduk fare. Muzika mbeti tek avazet popullore te Anadollit. Piktura u reduktua ne arabeska per te zbukuruar xhamite.Edhe per portretin e padishahut huazonin ndonje italian. Letersia mbeti mistike e thellesisht fetare. Kultura osmane udhehiqej nga vazhdimesia , risite nuk pelqeheshin. Edhe nje poet te madh, Nedimin, shpirt te pavarur qe paten e ekzekutuan duke i prere koken.

    Urbanistika per te vene duart ne koke, nje rruge te drejte nuk benin dot.(Kujto lagjet e vjetra te qyteteve tona, vetem rrugica te shtrembera dhe krahasoji me rrugicat perendimore te Korces se vjeter). Monumentet kulturore ne qytete ishin cezmat dhe tyrbete.

    Vetem me Reformat e Tanzimatit kultura filloi te shkeputej nga mbijetesa e se kaluares dhe te europianizohet duke kopjuar ne te gjitha fushat.

    Keshtu kjo puna e premisave mashtruese.

    1. Fatma, po sjell Durrësin si argument, por Durrësi vetëm minimalisht mund të konsiderohet qytet arbëror – Durrësi ishte qytet tipik bizantin mesdhetar: kishte durrësakë qytetarë (që ashtu edhe identifikoheshin), italianë, venedikas, hebrenj, grekë, sllavë; arbërorët ishin të paktë dhe të parëndësishëm, shtresë e ulët në qytet (i referohem Ducellier-së).

      Çfarë ka pasur arbërore në Durrës të lutem? Çfarë institucionesh që do të mund të shpresohej se po e çonin përpara kulturën arbërore? Mos u shkrua gjë shqipja në Durrës? Jo. Mos doli ndonjë dijetar atje që të fliste për Arbrin? Nuk më rezulton. Historianët sot e kësaj dite po çahen më katërsh, për të gjetur ndonjë emër arbër në regjistrat e qytetit – sepse mezi i gjen. Prandaj, nuk të kundërshtoj që Durrësi ishte vatër e rrallë tregtie, kulture dhe qytetërimi për Adriatikun; por le të mos harrojmë që arbërorët vetë nuk kishin ndonjë rol kryesor atje. Madje shumë syresh u pranuan si banorë vetëm pas tërmetit të madh të shekullit XIII, i cili – bashkë me murtajën e shekullit XIV – shënoi edhe tatëpjetën e qytetit; pikërisht në periudhën kur Arbri po shfaqej si faktor politik dhe social edhe në hinterlandin afër bregdetit.

      Sa për arkitekturën osmane në Shqipëri, të rekomandoj një libër të Machiel Kiel (Arkitektura Osmane në Shqipëri), botuar në Stamboll në 2012, me përkthim të Holta Vrionit: ka të dhëna me shumë interes për historianin.

      1. Duke iu shmangur ne kete pike pergjigjes se drejtperdrejte , nuk ka rendesi se cfare ishte Durresi, arberor apo kozmopoli. Ketu krahasohet efekti bizantin dhe osman mbi zhvillimin e qytetit; nen Bizantin shkelqente, nen osmanet humbi si shurra e pules. Per faktin se ishte ne truall shqiptar, fati i Durresit nese nuk provon dot edhe fatin e Arberise, minimalisht e sugjeron ate.

        Dhe lidhur me kete, nese Durresi me te drejt konsiderohet ‘vater e rralle, tregtie,kulture e qyteterimi per Adriatikun’, a nuk ishte i tille edhe per afersite imediate, hinterlandin arberor? Do te ishte mision i pamundur te ngrije mure aq te larte per te penguar rrezatimin perendimor te Durresit ne trevat per rreth e gradualisht deri ne thellesi.( Asnjehere ,asgjekundi nuk ka qene e mundur.Te kujtohet The village?)

        Mund te them se nuk eshte aspak e rastit qe Arberia u ngjiz se pari ne krahinat prapa Durresit, edhe Albanopolisi i Ptolemeut mund te jete pasoje e ndikimit te Durrachion-it. Qindra e mijra vjete prane , do japnin e do merrnin duke u bere dite pas dite edhe me te ngjashem.

        Ajo qe na intereson ketu eshte se nepermjet Durresit dhe gjithe qyteteve te tjera bregdetare (si dhe portet,berthama te qyteteve te reja, qe ne periudhen paraosmane u shtuan njeri pas tjetrit , Shufadia, Pirgu,Spinarica,Shirgji,Bashtova,Meda,etj,po edhe qyteteve te reja medievale ne brendesi) Arberia perthithte qyteterimin perendimor. Pasojat pastaj dihen.

        Per etnicitetin e Durresit, teme qe me intereson shume, do te shkruaj ca me pas.

        1. Durrësi fare mirë mund të ishte shndërruar, gjatë sundimit osman, në një Stamboll të Adriatikut; që kjo nuk ndodhi, fajin nuk e kanë, natyrisht “flamujt e Islamit”. Më ka thënë dikur një komentues – Qafir Arnaut – se ka pasur një marrëveshje mes Portës së Lartë dhe Venedikut për të mos e zhvilluar ekonomikisht dhe ‘infrastrukturalisht’ Durrësin; për ta mbajtur artificialisht të ulët volumin e shkëmbimeve tregtare të atjeshme. Nuk di se ku bazohet kjo tezë pikërisht, mbase personi në fjalë i lexon këto debate dhe ndërhyn.

  8. Vërehet një tendence klasike e përgjithësimit te periudhave. Mendoj se as 45 vitet e regjimit komunist nuk ishin aq te njëtrajtshme sa ç’qarkullojnë rëndomtë ne zhargonin e përditshëm, te vulgut dhe te elitave, e jo me te jene 1000 vitet e Bizantit, 1000 vitet e Mesjetës apo 5 shekujt osmane. Imagjinata jone kolektive, e stërvitur ne vitet e regjimit kryesisht nga sistemi edukativ, priret te njësojë gjysmën e dyte te shekujve XV dhe XIX me një periudhe 4 here me te gjate: i njëjti trajtim i rezervohet Mesjetës, e njohur ndryshe “epoka e errët”. Kur pohohet se “Arbri truall kufitar ishte edhe ne epokën bizantine […] po nuk ishte aspak djerrine e qytetërimit”, “Arbi” dhe “Epoka bizantine” përfytyrohen si njësi te njëtrajtshme ne hapësirë dhe kohe, pa diversitet. Kjo konfirmohet me pohimin vijues se “ne kohet bizantine ne portet arbërore, përveç shume te tjerave, eksportohej grurë kurse nen osmanet s’kishin as misër te hanin”. Përveç njëtrajtshmërisë, njësia e supozuar ilustrohet me shembuj te segmentuar ne hapësirë dhe kohe, siç janë Durrësi, i ëndërruar nga shumëkush, dhe momenti i ardhjes se osmaneve, përsëri pra ai shek. XV: “arbrit ne prag te ardhjes se osmaneve ishin te begate”. Kjo është metoda.

    Durrësi është shembull interesant, por a është sinonim i Arbërisë dhe i të qenurit arbër? Fillimisht duhet vërtetuar kjo, e pastaj mund te tolerohet mburrja krahasimore. Ne pamje te pare Shkodra është një shembull tjetër, por qe arbrit konsideroheshin si te huaj na e thonë vete Statutet e këtij qyteti dhe lufta e qytetareve shkodrane kundër Skënderbeut (1448).

    Rasti i Durrësit është kompleks. Durrësi osman humbi rendësin e komunikimit qe kishte deri ne “periudhën e arte” te Bizantit (1) sepse Porta e Lartë komunikonte me Perëndimin përmes Venedikut, Gjenovës dhe Raguzës, (2) sepse vija kufitare adriatikase nuk rrezikohej si ne periudhën e vone bizantine, kur Durrësi lakmohej nga shumëkush për te kontrolluar portën e Egnatias, e cila te shpinte ne Kostandinopoje (ajo ra ne 1453 dhe nuk iu afrua askush seriozisht për gati 470 vite), (3) sepse natyra, konfliktet, kryesisht para-osmane, dhe epidemitë (jo rastësisht u ngrit Kavaja) e kishin gjymtuar prej kohesh, (4) sepse Venediku e kishte reduktuar ne port pushimi/furnizimi për flotën e tij që drejtohej nga Egjeu dhe Levanti. Meqenëse ofrohet impakti osman mbi urbanizimis si ilustrim i shkatërrimit, mund te kujtohen qytete te krijuara nga osmanet, si Kavaja e Tirana, te ringjallura, si Elbasani, te rilindura si Gjirokastra, Vlora e Berati. Pavarësisht se sot Korça prezantohet me një kishe te re greko-ortodokse, ekzistenca e saj i detyrohet Iljaz Bej Mirahorit.
    Shkodra është një ilustrim i mire edhe për aspektin ekonomik. Po te lexohet Regjistri kadastral i përkthyer nga Injac Zamputi dhe te krahasohet me Defterin e Sanxhakut (1485) te përkthyer nga Selami Pulaha mund te vërehet se presioni fiskal venedikas dhe ai osman janë paralelisht ne përpjesëtim te drejte me morfologjinë fushore te territorit. Fshatrat qe i japin me shume te ardhura shtetit i përkasin zonave fushore. Këtë e konfirmojnë edhe dendësia e popullsisë, e vendbanimeve, si dhe rritja natyrore vjetore. Kjo e fundit, për sa i takon shek. XVI, ndjek ritmet europiane te kohës, me 0,6-1% ne vit, çka sjell edhe dyfishimin e popullsisë shqiptare, qe për ironi arrin maksimumet pikërisht ne zonat me fiskalitet me te larte, ku, kuptohet, edhe prodhimtaria ishte me e madhe. Rritja demografike do te thote rritje te familjeve, qe ne organizmin osman te dy shekujve te pare nenkuptonte nje njesi ekonomike e cila punonte nje sasi te caktuar toke dhe prodhonte per vete dhe sistemin fiskal. Pra shtimi i popullsise nuk duhet lexuar si rritje e anetareve te familjes, sesa nje rritje e njesive familjare, e per rrjedhoje edhe e tokes se punueshme (e cila ne dy shekujt e pare nuk coptohej), bashke me prodhimin e taksat. Rritja e popullsise ne dy shekujt e pare osmane eshte detyrimisht pasoje dhe tregues i permiresimit te kushteve te jeteses.

    Vete përcaktimi “udhëtarë turq” është i gabuar, le pastaj përgjithësimi i mjerimit. Evlija Çelebiu rrëfen për zona te varfra ashtu si për zona te begata. Ravzi, qe vizitoi disa troje shqiptare nje shekull përpara Çelebiut, skandalizohet nga Dukagjini, megjithëse jo kryesisht nga gjendja ekonomike. Deri me tani nuk janë prodhuar dokumente qe Dukagjini te ketë qene zone e begate para-osmane, e po kështu asnjë territor i ngjashëm nga ana morfologjike. Studimet e Hasan Kaleshit mbi vakëfet e Jugosllavisë “shqiptare” te shek. XV-XVI dëshmojnë një prosperitet ekonomik. Studimet e Zija Shkodres mbi esnafet, ato te Ferid Dukës mbi Beratin e ndonjë qytet tjetër, konfirmojnë rritjen ekonomike te shek. XVI-XVIII. Me keto punime mund te kuptohet diçka nga fazat e periudhës osmane, por mungesa e studimeve mbi epokat paraardhëse pamundëson çdo tentative krahasimi. Kësisoj, pretendimi për begati ekonomike para-osmane, përveçse i ngritur mbi një paragjykim te epokës osmane, mbështetet mbi përfytyrimin e imagjinuar te shekujve “bizantine”, për te cilin nuk mjaftojnë disa citime nga fasada adriatikase e Arbërisë se Ducellier-it.
    Me duket tepër komik pohimi se “e gjithë kjo kulture perandorake u vu ne shërbim te ndërtimit te xhamive; arkitekti gjenial Sinani ndërtonte vetëm xhami, hamame dhe varre”. Mos valle pritej te ndërtohej ndonjë rrokaqiell, metro, qendër tregtare? Me shume se kisha e “saraje”, lanë ndonjë gjë tjetër koleget e Sinanit ne Perëndim? Dhe nuk është aspak e vërtetë qe ai ndërtoi vetëm xhami, hamame e varre. Ka lënë mbi 60 shkolla (3 here me shume se “varret”), 3 spitale, 6 ujësjellës, 10 ura dhe po aq galeri e pallate sa hamamet. Kemi inat se dy ura te mrekullueshme janë akoma funksionale ne Mostar e Vishegrad? Po vetëm ne mund te ndërtojmë 15 m larg nga Ura e Mesit, njëra nga me te famshmet ne Shqipëri (prej atyre qe ngelen ne këmbë), një shëmti prej betoni. Vetëm ne shkatërrojmë pazare-çarshi për t’i lënë vendin urbanizimit socialist. Qe s’ka mbetur asgjë, nuk është faji i osmaneve. Qe nga tre periudhat e arkitekturës se xhamive ne Shqipëri kane mbetur disa fragmente, aq sa te shkaktoje dhimbje sysh nga ngjashmëria, përsëri nuk është faji i osmaneve. Po me vjen keq vetëm për ata qe shkojnë ne Egjipt për te pare ca varre te zverdhur dhe te gjithë njëlloj!

    Te vetmet pasuri te Unesco-s qe kemi janë dy çarshi osmane, me çezma, xhami (pa llogaritur te shkatërruarat), tyrbe, hamame (tashme imagjinare) dhe shtëpi, te cilat i gjen nga Sarajeva ne Stamboll – e nuk po shkoj me tutje. Janë dy qytete “vetëm rrugica te shtrembra”, si ato te pjesës mesjetare te Bolonjës, ku rrugicat janë me pak uniforme se ato te lagjes time, qe planifikuan osmanet 70 vite para Tanzimatit perendimorizues. Mos valle Shkodra dhe Durrësi bizantin kishin me shume se kisha, manastire e pallate te pasurish? Këto te fundit kane zbukuruar Venedikun dhe Raguzën, për te mos shkuar me tej. Po a kishin qytetet shqiptare, bizantine dhe osmane, potencialin ekonomik te këtyre dy qyteteve-republika ne atë mase sa te ndërtonin pallate te dëshmueshme nga dokumente e dëshmitarë? Vërtetë piktura nuk lulëzoi neper xhami, por piktura kishtare vijoi. Kujtoj qe Onufri i përket shek. XVI. Prandaj moszhvillimi i saj nuk mund t’i faturohet periudhës osmane, siç nuk mund te vërtetohet ndonjë lulëzim ne periudhën paraardhëse.
    Edhe për justifikimin e etiketës “flamuj islamike”, përdoret një argumentim qe nuk e vërteton idenë:
    “sado qe togfjaleshi tingellon politikisht jokorrekt, me duket se është i sakte. Mjafton te vëmë re se ajo pak kulture, shkrime, libra, letërsi qe u prodhua ne Shqipërinë pararilindase ishte e gjitha e matriksit te krishtere”.

    Është me se i sakte konstatimi, por si argument nuk ka asgjë funksionale. Ai vërteton vetëm se përpara Rilindjes ekzistonte një letërsi e krishtere. Pa dashur t’i hyj shpjegimit te tipologjisë se asaj letërsie, perse lëvrohej dhe ne ç’masë e ç’formë lejohej te kultivohej, mendoj se duhet gjetur lidhja mes fesë dhe moszhvillimit te një letërsie te “matriksit islam” ne trojet shqiptare. Ka ndonjë dispozite fetare ose administrative osmane qe te mos zhvillohej letërsia? Nuk ka asnjë shembull te zhvillimit te letërsisë, artit, shkencës e mendimit ne boten e “flamujve islamike”? Ka ndonjë dispozite osmane qe pengonte zhvillimin e letërsisë me “matriks te krishtere” përtej vlerës se katekizmit dhe propaganda fide? Dominohej nga “matriski i krishtere” letërsia e arbëreshëve? Ka ndonjë dëshmi qe vërteton se Naimi, bie fjala, lexoi dhe u frymëzua nga kjo letërsi shqipe me “matriks te krishtere”? Thjesht duke u nisur nga fakti se rruga e gjetur nga Nami ishte imitimi i romantizmit gjerman, e po kështu ajo arbëreshëve, nuk ka perse te valëvitet flamuri fetar si togfjalësh identifikues as ne Rilindjen tone e as ne frakturen e supozuar.

  9. Postbllok Reviste: “Përveç njëtrajtshmërisë, njësia e supozuar ilustrohet me shembuj te segmentuar ne hapësirë dhe kohe, siç janë Durrësi, i ëndërruar nga shumëkush, dhe momenti i ardhjes se osmaneve, përsëri pra ai shek. XV: “arbrit ne prag te ardhjes se osmaneve ishin te begate”. Kjo është metoda.”

    Po cila duhet te jete metoda? Meqe po insistohet tek Durresi, Bizanti nese ka patur influence mbi Durresin, e ka pasur deri ne kapercyell te mijevjecarit te dyte; per periudhen ne fjale, pas nje periudhe turbullie, pasi kishte qene nen zoterimin e mbreterve siciliane te deres se Anxhuineve(Fillimi i shek. 13 deri ne mesin e 14tes), Durresi kishte kaluar ne zoterimin e Topiajve qe ne gjysmen e dyte te shekullit te 14te, pastaj ne deren e Kastrioteve.

    Meqe po flasim per Shkodren, a nuk ishte ajo ne zoterim e Balshave deri ne gjysmen e dyte te shekullit te 14te? A nuk eshte fakt i njohur pavarsisht origjines se tyre te perzjere, Balshajt kishin perqafuar religjionin e e vendasve, katolicizmin? Meqe po flasim per Beratin dhe Vloren, a nuk ishin ato nen zoterimin e Muzakajve deri pas vdekjes se Skenderbeut?

    Pastaj po te kujtojme Arten dhe Janinen, a nuk ishte Gjin Bue Shpata dhe Pjeter LLosha qe kontrollonin nje pjese te mire te ketyre territoreve? Pra flitej per Arberine qe po ravizohej gjithnje e me dukshem ne kontrolline e lordeve vendas.

    Sa per te kujtuar, fakti qe ne kryer te dioqezes te Durresit, ishte nje arber me kredencialet e nevojshme, Pal Engjelli, a nuk eshte kjo domethenese per perberjen etnike, fetare dhe rolin e arberve?

    Pozicioni strategjik i Durresit, Shkodres, Vlores, Artes e Butrintit, dhe rendesia ketyre qytetete, vetvetiu ra me fillimet e 1500, tashme nen zoterimin total te osmaneve. U kthyen ne pika portuale te lene ne harrese per shekuj. Pas terrorit osman qe nuk rreshti, territori arberor u kthye ne nje toke mejtepesh, tyrbesh, xhamishe, stanjacioni ekonomik-kultural, etj.

    Nese pati zhvillime lokale si ta zeme Berati, Shkodra, Janina, Gjirokastra, sipas urbanistikes mbizoteruese osmane, keto u nxiten dhe u bene perseri nga lordet lokale, arberoret e dikurshem qe ishin vene ne krye te vendit dhe po ndergjegjesoheshin, shendrroheshin ne shqiptare, Kara Mahmut Pasha, Ali Pasha, dhe shume lorde te tjere, te te gjitha pendeve, ngjyrave dhe peshe ne administraten turke.

    Po keshtu mund te diskutojme per zhvillimet kulturore-letrare, qe ndiqnin ekonomiket, ushtaraket e politiket. Edhe une them qe e rendesishme eshte metoda qe duhet zgjedhur. 🙂

      1. Fatma, e kuptoj që e falënderon Read Me-në në emrin tënd personal – edhe pse komentuesit që falënderojnë njëri-tjetrin më lënë një shije të keqe në gojë, meqë janë duke formuar, në fakt, një klikë. Klika jo se është ndonjë katastrofë, por e faksifikon debatin, sepse pastaj ndërhyrjet bëhen jo për hir të debatit, por për hir të klikës – dhe kjo bëhet vërtet e mërzitshme për të tjerët.

        Më tej, si administrator i blogut, kam më shumë informacion se lexuesit; dhe më duhet të vërej se Postblloku që shkruan këtu është historian i formuar dhe i specializuar në këtë fushë – prandaj nuk mund të likuidohet me një përgjigje të Read Me-së, i cili as vetë nuk pretendon të sfidojë, në këto debate, profesionistët ballazi; por më tepër të shprehë – sikurse bëj edhe unë për tema historike të ngatërruara – opinionin e një lexuesi të interesuar, ose me horizont.

        1. Qofte PostBlloku, qofte une, qofte fatma, qofte ju Xhaxha, e kemi vene veten ne pozita te barabarta, kur kemi marre rolin e komentuesit dhe shkembejme opinionet tona.

          Nese PostBlloku ka avantazhin e specialistit, te formimit si historian, eshte i mirepritur dhe i lutur ta sjelle; mendoj se keshtu ftilllohemi dhe ndihmohemi te gjithe.

          Personalisht, nga komentet e PostBllokut, nuk isha ne gjendje te hamendesoja “background-in” e tij, duke patur parasysh qe cdo profesion ka zhargonin e tij; tash kjo me ben te jem me i matur nese do te vazhdoja debatin, komentet me tej.

        2. Xhaxha, me ke vene ne nje pozicion shume te veshtire, sepse nga njera ane kam detyrimin te pergjigjem , nga ana tjeter nuk dua ta modifikoj e pershtas pergjigjen per publik.

          Read Me e falenderova sinqerisht dhe pa asnje prapamendim klike sepse edhe vetem leximi me lodhi. Por edhe pas kesaj ‘historiani’ nuk me duket historian, por me teper si manager. Profesionisti te mbyll gojen me dy fakte, nuk te ben moral grash.

          Edhe mua komentuesit që falënderojnë njëri-tjetrin më lënë një shije shume të keqe,sidomos kur njera gjysme ,falenderon gjysmen tjeter. Edhe klikat qe thirren per kauze ma shpifin.

          Po, me Read Me jam klike. Edhe me pak te tjere , qe s’po ua permend emrat qe te mos riakuzohem. Megjithese kemi edhe pikpamje qe s’do pajtoheshim kurre, dija dhe integriteti i tyre jane arsyet qe me bashkojne ne klike. Asgje tjeter.

          Me vjen keq qe ky diskutim vajti per dreq ne piken, qe me interesonte me shume.

  10. Une nuk jam historian, por di te bej ca analogji. Ne kemi qene historikisht ne periferi te perandorive. Te tjerrim perralla sesi do te ishim? rrefejini me mire duke pjekur geshtenja! Eshte prekur disa here ne blog kjo ceshtja e afrimitetit kulturor e gjeografik te zonave ne shqiperi, sistemet e referimit qe jane zhvendosur disa here etj..

    Shqiperia ka 25 vjete ne bythe te perandorise evropiane dhe prodhimi yne artistik, shkencor etj. eshte edhe me i perbythte se qoshet e tjera te perandorise. Po aq ishte dhe Zogu ne pushtet, fshat e gjeti e fshat e la.

    Shqiperia ndenji ca vite nen sqetullen e ruseve dhe u prodhua nje plejade e mire shkencetaresh e shkrimtaresh, pasuesit e te cileve morren rruget per ne zemer te perandorive evropiane e amerikane me pas. (Kadareja nese do ta mbyllte shkollimin e tij ne Gjirokaster, do te behej nje mesues i gjuhes shqipe – per te kunderten nuk me bind njeri, se ndryshe i pame sivellezerit e tij ne profesion, o perfunduan burgjeve o fshatrave – moska i dha kadarese aftesine te mbijetoje ne ate sistem).

    Lexoni mbi perceptimin e Italise se Jugut, tre hapa larg perandorise – ngelet ende nje nga qoshet e Italise – kush eshte i afte largohet me vrap.

    Ne epoken e globalizimit e internetit ne perparojme me hapin e breshkes – medet per ate kohe qe te vinte lajmi se Da Vinci shpiku flulturakun, duheshin vite e muaj. 500 vjete iu deshen shqiptarit ta ngrinte ate fluturak mbi stadium

  11. DP: “Shqiperia ndenji ca vite nen sqetullen e ruseve dhe u prodhua nje plejade e mire shkencetaresh e shkrimtaresh, pasuesit e te cileve morren rruget per ne zemer te perandorive evropiane e amerikane me pas.”

    Di gje se cfare u be me ato kuadro, inxhinjere, shkencetare, etj, qe ishin shkolluar me heret ne shkollat kapitaliste perendimore, gjate kohes se Zogut, qe ne e la Shqiperine me po ate rrjet rrugor, me po ate bulevard qe kemi edhe sot, apo gjate periudhes se marmallates, sardeleve, spagetit te Italise fashiste?

    E di ate barcaleten qe qarkullonte ne Shqiperine e Xhaxhit, Dulles.

    Behej pyetja se si ta sabotonin armikun me te madh te popujve, imperializmin amerikan. Dikush nen ze kishte dhene nje ide te guximshme. Te nisnim si keshilltare ca ekonomiste shqiptare. Sigurisht qe do ta hidhnin ne toke bursen e Wollstritit brenda nje kohe rekord,

    Per shkencetaret dhe shkrimtaret prodhime gjate dhe postruse jam i sigurte qe do te konkuronin (dhe po konkurojme) me nobelistet perendimore.

    Ja ku e kemi Kadarene. Cfare do te kishte bere Kadareja, pa Institutin Gorki, nuk do te kishte mundur te shkruante per jeten e lumtur tonen ne komunizem. Po te kishte mbaruar ne Sorbone, vecse do te kishte mesuar frengjishten me mire. 🙂

    1. dmth bie dakord qe afersia me perandorite (nen sqetull me ere sovjetike, apo nen shalen fashiste – edhe pse i pame fundbarkun) nuk na ka sjelle ndonje gje te madhe – sikur edhe largesia me zemrat e perandorise te Londer-Paris-Berlin (apo edhe Washington) dhe te asaj te Stambollit.

  12. Këmbëngulja mbi ndërprerjen që erdhi nga dyndja e flamujve islamikë, nuk është se ka ndonjë vlerë në të qënit ose jo “politikisht korrekte”, sepse në fakt askujt nuk iu bë vonë (apo u vonua) nga ndërprerja (përfshi këtu shqiptarët dhe gjithë ballkanin), përvec ndokujt që ka qejf të luaj rolin e viktimës.
    Problemi është që të flasësh për ndërprerje në këtë konteskt përbën blasfemi kulturore (aq sa mund të ketë kuptim një shprehje e tillë).
    Dihet se perëndimi i mesjetës nuk ishte perëndimi modern. Por ajo që nuk dihet është nëse do kishte pasur kulturë të perëndimit modern, po qe se nuk do kishim dyndje islamike në perëndim? Kjo ‘ndërprerje’ solli me vete edhe kulturë, në një perëndimin jo aq edhe të kulturuar (sic). Sikur të mos ishin luftërat mesjetare krishtero-islamike krishterimit vete do i ishin dashur shekuj të grumbullonte dijet që perftoi rreth periudhes së klasicizmit të lashtë nga arabët në luftrat Iberike. Aristoteli i përkthyer nga arabishtja menjëherë pas rrimarrjes së Spanjës nga perëndimi prej pushtimit islam, sikurse aludon edhe Umberto Eco në trëndafilin e tij, e pati njohjen gjithesesi të vështirë në perëndim, po të krahasohej me të njëjtin pranim dhe njohje që kultura antike gëzonte mes islamikëve.
    Pa dashur të shkaktoj edhe unë ndnjë ‘blasfemi’, por “nëse mund të flitej për ndonjë lloj ndërprerje, kjo i ndodhi lindjes, ose më saktë botës islamike. Kjo ndërpreje, apo vazhdimin i ndërprerjes, e arriti kulmin më 11 Shtator. Sjelljet mesjetare të ISIS vetëm kështu mund të kuptohen; si një zëmëratë estetiko-historike, nje lloj zemërate për humbjen e Aristotelit mes një grumbulli librash të lënë pas 600 vjet më parë, me plotë kuptimin e fjalës ‘Cultural War’. Në mos qoftë, u sajoftë.

  13. E pëlqeva këtë koment, fillimisht, sepse e drejton vëmendjen e diskutimit rreth një “ndërprerje” tjetër, e cila i paraprinë asaj tonës gjatë pushtimit Otoman.

    Bëhet fjalë për ndërprerjen përfituese për perëndimin që sollën kryqëzatat, në të cilat nuk morrën pjesë veç kalorës të etur për gjak, por edhe të etur për dije, të cilët kuptuan errësirën e vendeve nga vinin, kur panë dritën e diturisë së botës arabe. Dituri që kishte akumuluar e zhvilluar më tutje filozofinë, mjekësinë, etj. greke, sistemin numerologjik indian, prodhimin kinez të letrës, kryesisht, por jo vetëm, nëpërmjet lëvizjes së përkthimit të Baghdadit. Kjo ndërprerje që hapi bibliotekën e Toledës (për një kohë të gjatë në duar mendimtarësh arabë) dhe me të mijëra dorëshkrime në arabisht, është fundi i tunelit mesjetar dhe filizi i Rilindjes evropiane. Në rregull.

    Por në diskutimin tonë, ne i referohemi një tjetër ndërprerjeje, që i kishte rrënjët fillimisht vetë në botën arabe, nga rezultoi errësimi dhe tatëpjeta, që do vijonte pas kësaj epoke të artë e me të drejtë të glorifikuar. Kjo më duket ndërprerja më e egër dhe me pasoja të qëndrueshme për ne shqiptarët dhe për botën e sotme arabe.

    Shqipëria erdhi në kontakt me simbolet islamike jo në kohën e mendimtarit arab mysliman Averroes, i quajtur edhe thjesht “komentatori”, sepse ishte thuajse i vetmi që mund të zhbironte lakonizmat e Aristotelit. Shqipëria erdhi në kontakt me botën islamike, pasi kjo i kishte vënë zjarrin veprave dhe përkthimeve të Averroes, e kishte damkosur këtë si heretik, kur sipas shpjegimeve të historianëve, një rrymë e fortë anti-racionaliste kishte fituar epërsi, e propaganduar fuqishëm në “Incoherence of Philosophers” nga zëdhënësi i lëvizjes së Asharitëve, Abu Hamid al-Ghazali (1111), i cili sulmon dhe hedh poshtë arritjet e filozofëve grekë dhe dishepujve të tyre arab. Në bazën e kësaj lëvizjeje fle një botëkuptim, sipas të cilit, gjithçka në natyrë i nënshtrohet vullnetit hyjnor e si e tillë nuk kërkon shpjegim. Që këtu nuk është larg mendësia që e nënkupton çdo përçapje shpjeguese apo interpretative si tundim e vepër të shejtanit.

    Kjo mendësi qe kaq e suksesshme për arsye gjeopolitike e religjioze, sa hodhi errësirë edhe mbi një qytetërim aq kontribues sa ai arab, e si mund të mos ndërpriste hapat e brishtë të gjuhës e letërsisë shqiptare?

    1. Militchi,
      Edhe unë e pëlqej komentint tënd sepse flet me fakte. Regresi i botës islamike është fakt, sikurse edhe progresi i perëndimit.
      Por në diskutimin tonë këto fakte nuk e zgjidhin problemin, sepse premisa e ndërprerjes është hipotetike dhe përsëri mbetet e pazgjidhur. Po e shtroj pyetjen edhe njëherë: a do kishim progres të perëndimit sikur mos të kishim luftrat krishtero-islamike të periudhes mesjetare? Cilado përgjigje ndaj kësaj pyetje, në rastin më të mirë i jep ‘ndërprerjes’ një shanc 50% me 50% – pa llogaritur faktin që po e flakim realitetin nga dritarja.
      Regresi i botës islamike në këtë kontekst është i parëndësishem, në kuptimin që në të kundërtën (pra të një progresi imagjinar të botës islamike) nuk do kishim kurrëfarë debati, sepse që të gjithë do këndonim “O sa mirë me qëne islam”.

      1. Ujku i zi, nuk e di në e kuptoj ku e ke fjalën, mbase sepse qëkur lexova të gjithë komentet bashkë sot, më ndjekin mendimet shinën e pyetjes ç’ndodhi me botën arabe, regresin siç e quan ti. Pastaj kjo puna e fifty-fifty më transportoi tek filmi “Sliding Doors”, eksplorim dy botësh paralele, nejse …

        Unë po të vija bast, do vija për potencialin e perëndimit edhe pa kryqëzatat për përparim diçka më shumë se 50%. E them me rezervë dhe duke u përpjekur të heq syzet eurocentriste (e vështirë si të duash të ndërrosh lëkurë), por mbi të gjitha duke patur të freskëta disa ese në “Galileo Goes to Jail and Other Myths about Science and Religion” (Harvard UP, 2009), ku çmontohet miti se kisha mesjetare e luftoi shkencën dhe konstatimin kyç të Ali Allaw në “The Crisis of the Islamic World” (Yale UP, 2009), sipas të cilit, në asnjë shkollë qoftë progresive apo regresive islame, individi islam nuk është konceptuar i shkëputur e i lirë prej instancës hyjnore si burim i vetëm etik. Sipas Ali Allaw ky është thelbi që e bën modernitetin, siç e kupton perëndimi, inkompatibël me subjektin islam.

        Më kujtohet një intervistë e Charles Burnett profesor në University of London, që tregonte se ndërkohë që në mesjetën e thellë Cordoba kishte 80.000 mijë dorëshkrime në arabisht, libraria e një katedraleje evropiane konsiderohej e madhe po të kishte 100 dorëshkrime (murgjish), por të paktën i kishte kaq, e kur mendoj rrugëtimet e murgjëve, strapacosjet e tyre të përbindshme për të filluar jetën aty ku ariu dhe ujku i thonin njëri-tjetrit natën e mirë (qyteti i St. Gallen në Zvicër është një shëmbull), them se do kishte patur përparim. Por mbetemi në kuadrin e bastit…

  14. Read Me, metoda qe ke zgjedhur është një loje shahu me lëvizje te lexueshme. Po mundohesh te argumentosh tezen e famshme se arbrit e shek. XV ishin zotër te vendit, që më pas te mund lëvizësh me njërin nga pretendimet me spekulative i cili, normalisht, fillon me “pra” e vijon “sikur te mos ishim pushtuar nga osmanet do të kishim qenë shtet dhe vend i begatë”.

    Meqenëse po flasim për historiografi, duhet te biem dakord se çdo metode ngrihet mbi argumente te faktueshme, qe me pas interpretohen ne procesin e ri-shkrimit te realitetit nga vëzhguesi. Pajtohemi ose jo mbi interpretimet dhe rezultatet, kjo është relative. E rëndësishme është te respektojmë faktet dhe metodën e zgjedhur.

    Tani, pa harruar se diskutimi im ishte krejtësisht ndryshe nga ajo çka propozon ti dhe se kërcimet pindarike nuk janë produktive, unë po bej një panorame te fakteve te sjella nga ti.

    (1) Kategoria e fakteve te pavërteta.

    Shkruan qe “Durresi kishte kaluar ne zotërimin e Topiajve qe ne gjysmën e dyte te shekullit te 14te, pastaj ne derën e Kastrioteve”, kur dihet fort mire se Kastriotët nuk mund ta shihnin Durrësin veçse me lejen e venedikasve, e jo me ta zotëronin, dhe kjo deri ne fillim te shek. XVI kur qyteti u be osman.
    Shkruan se: “meqe po flasim per Beratin dhe Vloren, a nuk ishin ato nen zoterimin e Muzakajve deri pas vdekjes se Skenderbeut?”. Nuk është aspak e vërtetë. Vlora kishte rene ne duart osmane qe ne vitin 1417, kurse Berati e ndoqi ne 1455.

    (2) Kategoria e fakteve te gjymtuara.

    Shkruan se: “meqe po flasim për Shkodren, a nuk ishte ajo ne zotërim e Balshajve deri ne gjysmen e dyte te shekullit te 14te?”. Perse nuk shpjegon edhe kohen qe kur Shkodra u be zotërim i Balshajve? Thënë kështu duket sikur ajo ka qene ne atë gjendje për 14 shekuj ose për një kohe te konsiderueshme, por ne fakt Balshajt iu imponuan qytetit për pak me shume se 30 vite. Sidoqoftë, ndjesia e shkodraneve mbeti qytetare, kurse Balshajt ishin i huaji i radhës qe imponohej me autoritet.

    Shkruan se: “Balshajt kishin perqafuar religjionin e e vendasve, katolicizmin?”. Se pari, Balshajt sunduan edhe mbi Malin e Zi. E vërteton dot se popullsia aty ishte katolike? Liqeni i Shkodres ishte nje pellg fetarisht i dyzuar (për te mos folur për uniatizmin) dhe për këtë ka dokumente te bollshme. Madje shqiptaret e anës perëndimore përkujtonin Shën Gjon Vladimirin, pararendësin e dinastisë malazeze Vojislavljeviç. Se dyti, Balshajt kaluan nga ortodoksia serbe ne katolicizëm, për t’u rikthyer përsëri ne ortodoksi. Balsha III ia dorëzoi zotërimet dajës se tij, Stefan Lazareviçit, ne vitin 1421. Jo rastësisht, krahas malazezeve, serbet e mbështeten Skënderbeun ne përpjekjen kundër Venedikut (1448), pikërisht me pretekstin e përkatësisë se territoreve te Balshajve. Ky kalim nuk vërteton aspak gjendjet demofetare, por interesat e sundimtareve. Dhimitri i Abrit u be katolik për ca muaj, po keshtu Gjon Kastrioti u be mysliman për disa vite, por ndryshimet nuk pasqyronin fene e demonit. Kjo vërehet edhe ne Mbretërinë mesjetare serbe, ku deri edhe Stefan Dushani ishte gati t’i bindej Papës.

    (3) Kategoria e fakteve bumerang.

    Shkruan se “sa per te kujtuar, fakti qe ne kryer te dioqezes te Durresit, ishte nje arber me kredencialet e nevojshme, Pal Engjelli, a nuk eshte kjo domethënëse per perberjen etnike, fetare dhe rolin e arberve”. Mos do te thuash se kur trojet shqiptare kane njohur ipeshkëv sllav (etj) duhet te mendojmë se elementi sllav ishte ne një faze lulëzimi?

    (4) Kategoria e fakteve spekulative.

    Shembulli i Pal Engjellit është i tille sepse i referohet mesit te shek. XV, kur elementi arbër ne Durrës është i dukshëm, por rëndësia e qytetit tashme ka rene. E kësaj kategorie është renditja e Butrinit krahas Durrësit, Shkodres, Vlorës, Artës. Për kohen, më i rëndësishëm se Butrinti ishte deri edhe Kopliku, prandaj me duket sikur përfshihet për te shtuar numrin, qe është përsëri spekulativ. Vlora kishte humbur rëndësi shume kohe para ardhjes se osmaneve. Defteri i sanxhakut Arvanid nxjerr Kaninën me te rëndësishme, madje edhe Buzurshekun (me i madh se te gjitha qytetet arbërore), nëse i referohemi vendbanimeve. Arta ishte qytet qe lulëzoi ne një shekull dhe nuk krahasohet me Shkodren e Durrësin. Shkodra i rezistoi “terrorit”, Arta humbi nga harta sepse ashtu kishte dale ne histori.

    Nuk qëndron as viti qe ke zgjedhur si fillim i rrënimit, sepse pas 1500 Shkodra zhvillohet gradualisht. Normalisht, ndërtohen tyrbe, xhami e mejtepe, por nëse zhvillimi e begatia përcaktohen nga tipologjia fetare, ky nuk është me diskutim historiografik.

    (5) Kategoria e fakteve kontradiktore.

    Evidenton “terrorin osman qe nuk rreshti” dhe menjëherë me pas shkruan se “nese pati zhvillime lokale […] keto u nxiten dhe u bene perseri nga lordet lokale, arberoret e dikurshem qe ishin vene ne krye te vendit dhe po ndergjegjesoheshin, shendrroheshin ne shqiptare”. Tani, nëse ka terror nuk mund te ketë lordë lokale me luksin e ndërgjegjes kombëtare. Mbase problemi qëndron tek fjala terror!

    E megjithatë, ke plotësisht te drejte kur pohon se zotërinjtë arbër po bëheshin zoter te territorit arbëror. Thjeshte nuk te ndihmojnë faktet e ofruara, te cilat dëshmojnë sesi e koncepton ti historiografine.

    Në momentin që pushteti lokal i zotërinjve arbër përdoret për te vërtetuar “si do te kishim qene” ndryshon edhe metoda, madje nuk quhet as historiografi. Në një nga intervistat e fundit Hobsbawm deklaron se historia mund te na ndihmoje ne parashikimin e te ardhmes, sepse duke i njohur disa fenomene është me i lehte parashikimi i tyre ne te ardhmen. Ai thotë se “mund te ndodhe” por jo se “do te kishte ndodhur”. Që ky i fundit është grotesk na e vërteton vete historia jone. Në dy momente mesjetare arbrit janë sunduar nga pushtete lokale: pas 1204 dhe rreth 150 vite me vone, pas vdekjes se Stefan Dushanit. Ne te dy momentet kjo ka ndodhur pas një shkërmoqje ose tkurrjeje te pushteteve te forta, mbretërore ose perandorake. Dhe nuk ka zgjatur shume e kane rënë nen vartësi. Probabiliteti qe ne do te kishim ndërtuar një te ardhme “amerikane” praktikisht është zero. Ne laboratorin e dëshirave tona është çështje tjetër.

    Nese diskutohet duke respektuar gjuhen e duhur, ne kete rast historiografike, mund te perftohet, meqenese ky ishte qellimi yt. Sidoqofte, ishte kenaqesi.

    1. PostBllok:Reviste: “Read Me, metoda qe ke zgjedhur është një loje shahu me lëvizje te lexueshme. Po mundohesh te argumentosh tezen e famshme se arbrit e shek. XV ishin zotër te vendit, që më pas te mund lëvizësh me njërin nga pretendimet me spekulative i cili, normalisht, fillon me “pra” e vijon “sikur te mos ishim pushtuar nga osmanet do të kishim qenë shtet dhe vend i begatë”.”

      Ne fillim desha te falenderoj qe morre mundimin dhe i kushtove kohe dhe vemendje me nje replike te detajuar, renditjes te shpejte te disa fakteve qe une permendja nxitimthi rreth situates te territoreve arberore perreth/me qendrat te permendura me siper.

      Une nuk jam historian ne formim dhe profesion; ky fakt me ben te matem mire per te hyre ne nje replike me nje person me pergatitje te tille. Nderkohe, pergjigja juaj me inkurajoi, prej nje fakti te thjeshte: ne asnje moment nuk kam krijuar pershtypjen se bazuar ne situaten arberore “do te kishte ndodhur” ajo cka neve thjesht po hamendesojme.

      Nderkohe ne dime me siguri si nje gje te rendit te larte: qe ardhja e osmaneve i dha nje drejtim, dimension tjeter, krejt ndryshe, zhvillimeve ekonomike, kulturore, letrare vendeve te Ballkanit.

      Ne kete llogjike me te drejte flitet per nderprerje, si nje fakt i thjeshte: Ballkani iu nenshtrua nje perandorie jokristiane; kjo nenkupton qe arkitektura, infranstruktura, legjislacioni, administrata, arsimi, kultura, gjuha e perandorise ishin kaq ta papuqura, kaq te papershtatshme me njera tjetren, me cka ishte deri ne ate moment ushqyer Ballkani. Kjo te con ne nje hap tjeter, krahesimin e civilizimeve, qyteterimeva kaq te ndryshme. Se cili civilizim qendron me siper e tregoi koha, me duket.

      Shkruan: “Që ky i fundit është grotesk na e vërteton vete historia jone. Në dy momente mesjetare arbrit janë sunduar nga pushtete lokale: pas 1204 dhe rreth 150 vite me vone, pas vdekjes se Stefan Dushanit. Ne te dy momentet kjo ka ndodhur pas një shkërmoqje ose tkurrjeje te pushteteve te forta, mbretërore ose perandorake. Dhe nuk ka zgjatur shume e kane rënë nen vartësi. Probabiliteti qe ne do te kishim ndërtuar një te ardhme “amerikane” praktikisht është zero. Ne laboratorin e dëshirave tona është çështje tjetër.”

      Nuk e kuptoj se perse flitet per “kapercime pindarike” nga ane ime, kur bie vete ne kurthin e nje momenti te tille, qofte edhe sikur kjo mund t’i vishet nje naivi, personi te trete, i cili nuk jam une, qe mund te mendoje dicka te tille. Me duhet te ri-citoj veten per te nxjerre ne pah dhe per te kuptuar fare qarte se ne paragrafet e mesiperme thjesht me ke ricikluar vecse mua dhe idete qe solla une ne replikat e mija te meparshme.

      Meqenese flitet per “metodologji dhe saktesim faktesh”, do te marr edhe une kohen qe me duhet, “per te veshur petkun e historianit” per nje moment, qofte duke e konsideruar kete “veshje” thjesht edhe si metafore, dhe te mund shohim nese gjuha ime, analiza ime eshte ne gjendje te replikoje nje prezantim te denje perballe nje historiani te formuar. 🙂

      Po ri-citoj veten cfare kam thene me pare:

      Read me: “Kjo perkon me shtrirjen dhe konsolidimin e osmaneve ne Ballkan, pra me ate qe disa e quajne, mendoj me te drejte, nderprerje. Kur ka nderprerje, na mbetet vecse te hamendesojme. Duke qene se te dhenat nga Europa joosmane na tregojne se pikerisht kjo periudhe perkon me fillimet dhe zhvillimet letrare bazuar ne vernakularin perkates, nuk na ngelet rruge tjeter vecse te bejme analogji dhe te interpolojme per drejtimet qe mbeten ne potencial, si mundesira te parealizuara.

      Pastaj nuk duhet te pretendohet se periferite literare ballkanike pa tradite gjuhe te levruar(perjashtuar greqishtja), krahasuar me traditen e pjeses tjeter te Europes do te mund te prodhonin Aligheri-in, Sheakspeare-in, apo Servantes-in. Duhet te jemi realiste dhe modeste aq sa duhet, kur flasim per nderprerjen dhe potencialet e saj.”

      >>>>>>>>>>>

      Read Me: “Kjo eshte po aq e vertete per te gjitha qytetet e tjera europiane te formuara, konsoliduara nen hijen e fuqive koloniale te kohes. Shumica e qyteteve u themeluan dhe u mbajten nga kolonet greke apo romake.

      Thene kete qe nga antikiteti, te gjithe lordet lokale te pacivilizuar te hinterlandit, qe sorrollateshin rreth ketyre qyteteve, nuk ishin shume te ndryshem nga lordet lokale ballkanike deri tek ata te Arberise.

      Ambicjet e tyre i tregonin menjehere sapo iu lihej territor i lire per te vepruar, si me renien e fuqise te Greqise, Romes, renien e Bizantit, perandorive serbe dhe bullgare, ku kishin pranuar, pa patur rruge tjeter, rolin e vasalit.”

  15. Në parim, në një kontekst ku klerikët arbër përdornin gjuhët latine, starosllave dhe greke në shkrime, çdo lloj perandorie që të vinte së bashku me gjuhën apo gjuhët e veta të shkruara zyrtare, me çdo lloj flamuri, mund të besohet se do të kishte penguar letërsinë, apo thjesht zhvillimin e shkrimit shqip. Në mesjetën paraosmane, e vetmja mundësi zhvillimi e shqipes së shkruar ishin prijësat e pavarur apo gjysëm të pavarur arbër, së bashku me elitat dhe nevojat e tyre administrative, tregtare, ushtarake, etj. Duke ua marrë pushtetin, është e kuptueshme, njëkohësisht edhe kultura jonë mori një rrugë tjetër, pati ndalesa dhe kthime pas. Ndodhi që pushtuesit ishin osmanët, ndaj janë ata që e sollën këtë pengesë, por mund të ishin edhe të tjerë, tê perëndimit, veriut, jugut me flamurë me kryqe, pjata makaronash, gjiro, piskavica, etj për tê mbetur tek analogjitë gastronomike.
    Histori mjaft e përgjithshme, por përndryshe osmanët kanë pasur edhe meritën tjetër të veçantë, të qenit më të talentuarit e barbarëve. Askujt prej gjithë bandave të plaçkitêsve të mëparshëm nuk i kishte vajtur në mendje të rrafshonte Durrësin, Shkodrën e veçanërisht Krujën, apo qytetet perandorake të Rrafshit të Dukagjinit, meqë u përmend Dukagjini, dhe ti vriste ose dëbonte popullsitë. Barleti shkruan se në trojet e zotëruara prej familjes së Dukagjinëve kishte monumenet të mrekullueshme e statuja perandorësh, ndërsa Kruja ishte, siç dihet, qendër e arbërve prej shekujsh, vendbanim prijësash arbër, elitash dhe qendër klerikale. Në Durrës jeta nuk ishte ndërprerë prej dy mijëvjeçarësh, kur Bajaziti II e kthehu në epokën e gurit apo në nivelin e fshatrave përreth siç Tirana dhe Kavaja. Duhet të kishte më parë në Durrës, në mos shkrime në shqipe, të paktën të dhëna në greqisht apo latinisht për arbërit, ilirët, sllavët, vllehët, e çdo popullsi tjetër të Ballkanit, dhe sot nuk kemi trashëguar prej tyre asnjë fije pergamene apo letre. Për krahasim, nga Berati janë trashëguar, në mos gabohem, më shumë se 50 dorëshkrime dhe kodikë që fillojnë prej shekullit VI deri në atë të XV-të. Në Vlorë po ashtu janë ruajtur jo pak vepra të kësaj periudhe, siç edhe ndonjë në Korçë dhe Gjirokastër. Ndërsa në veri ku gjendeshin edhe formacionet më të vjetra shtetërore arbre përveç ndonjë gërmadhe, dhe ndonjë teksti tê marrë me vete prej arbëreshëve, s’ka mbetur gjë tjetër veç ndonjë gërmadhe. Ndaj edhe është e vështirë të pohoet me siguri sot, nëse ka pasur apo jo tekste në shqipe atëkohë.

  16. Kujt i intereson të informohet më tutje rreth zhvillimeve të botës arabe pas Rilindjes evropiane, dmth, përtej asaj që është quajtur fundi i epokës së artë të shkencës e filozofisë arabe, mund të hulumtojë këtë link të një grupi studiuesish nën kujdesin e George Mason University: http://www.muslimmodernities.org/
    Në këtë panel diskutohen edhe studime të fundit rreth historiografisë otomane dhe specifikave të saj në mes të botës arabe: (http://www.muslimmodernities.org/items/show/271)
    Me pak fjalë: kontributet e refuzojnë idenë e ndërprerjes, në favor të një zhvillimi të vazhdueshëm; sipas tyre, shkenca e filozofia arabe “was alive and kicking” edhe pas Rilindjes evropiane.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin