KOMBINATI (III)

Nostalgjia e pasqyrës

Lagjja e Kombinatit u ka ofruar banorëve të vet identitet të fortë. Krenaria e të qenit kombinats ka përshkuar një sërë brezash. Identiteti i lagjes ishte një lloj brand-i, marke, pak i ngjitur nga të tjerët e pak i kapardisur nga kombinatsit vetë. Të lindurit e kanë mbajtur kudo emrin e lagjes së vet, pa u turpëruar, gjatë gjithë viteve.

Të ardhurit nga qendra e Tiranës për të banuar aty e përmendnin vetëm kur ishin të detyruar. Nga vinte energjia që ushqente identitetin komunitar të lagjes? Përse kombinatsit e vërtetë e kanë deklaruar gjithnjë përkatësinë e vet?

Një përgjigje mund të gjendet në origjinën e kësaj lagjeje, që u ngjasonte lagjeve të shumta europiane të ngritura në zona industriale në periferitë e qyteteve. Izolimi urbanistik e përkatësia në të njëjtën shtresë sociale e favorizonte ndjenjën e përbashkët, që kontribuonte për të krijuar një identitet kolektiv. Lagjja ishte pothuajse e vetëmjaftueshme: jeta sociale zhvillohej e tëra brenda kufijve të saj. Kombinati ishte skena e plateja në të njëjtën kohë, lagje e familje, punë e kohë e lirë. Ky realitet i presurizuar, ky qytet në miniaturë, nuk mund të mos i amplifikonte e kaliste ndjenjat e përkatësisë së komunitetit.

Nuk duhet harruar, gjithashtu, se klima e solidaritetit që ekzistonte në atë kohë në lagje, i detyrohej edhe vështirësive të jetës. Komshiu në Kombinat, për njerëz që vinin nga larg, ishte më shumë se vëlla ose kushëri. Marrëdhëniet e rrjetet afektive përbënin të vetmen mënyrë për të përballuar sfidat e ndryshme, aq më shumë në një realitet ku nuk ekzistonte një treg i vërtetë shërbimesh e/o të mirash materiale. Kjo lidhje me territorin degjeneronte shpesh në grupe gangsterësh ose bandash, që i ndanin zonat, por pa prekur përkatësinë e lagjes. Fama e keqe që kishte Kombinati i detyrohej edhe bandave të gangsterëve, që i kontrollonin kufijtë e lagjes me xhelozi e nuk i lejonin të “huajve” të “fusnin hundët”. Në fakt, banorët që jetonin në Tiranë, kishin një lloj mosbesimi ndaj lagjes dhe nuk para kishin qejf të shkonin atje.

Përkatësia duhet kërkuar edhe në gjenezën e lagjes. Banorët e Kombinatit kishin emigruar në Tiranë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, kryesisht nga fshatrat e qendrës e të jugut. Përgjithësisht ishin të rinj, vajza e djem, që donin të fillonin jetë të re në kryeqytet. Entuziazmi i viteve të para nuk mund të mohohet. Kombinatsit e dinin se kishin një mision në Shqipërinë e re, me fjalë të tjera e ndjenin se kishin lindur për diçka, për një qëllim, për një objektiv. Sipas gjasës ka ndikuar edhe propaganda e regjimi që himnizonte klasën punëtore, por me siguri nuk ka qenë i vetmi aspekt. Lagjja përbëhej nga çifte të reja emigrantësh që fillonin një aventurë të re larg shtëpisë. Kombinati ishte bërë tashmë shtëpia e tyre e vërtetë.

Me kalimin e viteve jeta në Kombinat, për mijëra vetë, u shndërrua në përvojë jete e ndarë së bashku me të tjerët. Është e qartë se një proces i gjatë identifikimi i ka shoqëruar banorët e lagjes, që ndanin pak a shumë të njëjtat ndjenja, përshtypje dhe emocione. Shumë njerëz e kanë harruar, por Kombinati, siç e thamë më sipër, e kishte një radio të vetën, që nuk kishte shpërndarje të jashtëzakonshme, por gjithsesi ekzistonte dhe fliste për realitetin përkatës. Një mjet që përvijonte profil të veçantë, por të identifikueshëm.

Identiteti i Kombinatit përbëhej edhe nga vende e simbole sociale. E këtu duhen përmendur jo vetëm sheshet, monumentet, rrugët, por edhe vendet më pak të rëndësishme e të paidentifikueshme nga optika e të huajit. Gastronomi, furra pjekëse, mëngjesorja, mapoja, ambulanca, kinemaja, por edhe vende më të mëdha si Tec-i, Fabrika e qelqit, fusha e sportit, e kështu me radhë. Edhe vetë Kombinati i tekstileve, brenda tij kishte vendet e “kultit”. Në lagjen e Kombinatit nuk kishte jo-vende, d.m.th. ato vende të individuuar nga Marc Augé në kundërvënie me hapësirat antropologjike, ku individualitetet kryqëzohen pa hyrë në marrëdhënie. Ndryshe nga jo-vendet e postmodernitetit, Kombinati kishte tipare me identitet të fortë, ku ndërpriteshin marrëdhënie dhe episode karakterizuese, mbi të cilat shtresëzoheshin histori e anekdota. Ndoshta jo-vendet filluan të shfaqeshin pas viteve dymijë, me mbërritjen e modernitetit të shpejtë e kontradiktor në të njëjtën kohë.

Stigmatizimi territorial negativ, nga i cili lagjja ka vuajtur gjithnjë, transformohej shpesh në krenari përkatësie, duke prekur erupsione epërsie me lapile rebelimi e kryeneçësie. Imazhi i territorit vuloset tek personaliteti i individëve, në marrëdhënie me realitetet e tjera urbane. Mund të duket e çuditshme, por në modelimin e identitetit të lagjes kishte rol deri edhe Yzberishti, një fshat i vogël në prag ku jetonin shumë rom, me të cilët banorët e Kombinatit kishin përgjithësisht marrëdhënie të mira.

Nga ana tjetër, ekzistojnë shumë periferi, madje edhe periferitë e periferisë, dhe kombinatsit ishin të vetëdijshëm se u përkisnin atyre të planifikuara, që kishin një qëllim të caktuar në shoqëri. Lindja e Kombinatit nuk ka qenë spontane, por e programuar. Përkundrazi, karakteri ekstemporan duhet parë tek elementet aktuale të improvizimit urbanistik e social. Në qoftë se e kaluara e Kombinatit jetohet nga banorët e saj si i lavdishëm, në përhumbjen e sotme bëhet i kuptueshëm frustrimi i tyre, mbi të gjitha ajo nostalgji që idealizon në mënyrë të natyrshme jetën e kohëve të kaluara.

[vijon]

Nuk ka komente

  1. PZH: “Një përgjigje mund të gjendet në origjinën e kësaj lagjeje, që u ngjasonte lagjeve të shumta europiane të ngritura në zona industriale në periferitë e qyteteve. Izolimi urbanistik e përkatësia në të njëjtën shtresë sociale e favorizonte ndjenjën e përbashkët, që kontribuonte për të krijuar një identitet kolektiv.”

    Po e ndjek me interes sproven Pishak, nese mund ta quajme keshtu. Ndjehet qe e ke shkruar me dashuri dhe deri diku nostalgjik; nderkohe, nga ana tjeter, kjo mund te beje qe te humbasesh drejtpeshimin dhe te qenurit objektiv.

    Kombinati eshte ne miniature nje version tipik sovjetik i planifikimit urban ne vitet 30-te i ideuar dhe modeluar fillimisht nga specialiste evropiano-amerikane per nevojat urgjente te industrializimit.

    Te permenda Liverpulin dhe Mancesterin, si modelet e para, ku pas “kritikave te Engelsit”, 🙂 kapitalistet e pane se ishte e domosdoshme te krijoheshin blloqe te tilla urbane, per t’i mbajtur proletaret te lidhur pas fabrikave dhe qendrave industriale dhe per te ulur tensionet sociale. Kjo kerkonte edhe plotesimin e disa kushteve te domosdoshme sanitare, te kishte sherbimin mjekesor(ambulancat, doktore, infermiere, farmaci, etj), lulishte, qendra argetimi, klube. me vone kinemate, etj.

    Zakonisht ashtu sic ka ndodhur ne cdo vend tjeter, shumica e te grumbulluarve, proletareve te rinj, vinin nga zonat rurale, te rinj ne moshe, te patreinuar, pa profesione, nje pjese te marre edhe jetimoret, etj. Ne nje fare menyre ishte nje levizje migratore te njerezve qe e kishin me te lehte te shkulnin rrenjet(e parrenjosura 🙂 ) nga nje truall qe i dukej me pak pjellor se sa ai i Kombinatit.

    Te qenurit rrenjeshkulur, te humbet lidhjen me traditen dhe me nocionin tjeter qe eshte evident ne shoqerite e stabilizuara, qofte edhe nje lagje te vjeter, ku cdo njeri e njeh komshiun dhe shumicen e banoreve prej shume e shume vitesh: ndjenja e turpit, perkatesise dhe pergjegjesise. Kjo eshte arsyeja qe demografite e reja kaq heterogjene, sic eshte rasti i blloqeve industriale si i Kombinatit, pa tradita, i duhet kohe per te krijuar ate ndergjegjen kolektive, kohezionin e perkatesise. Krimi, huliganizmi, vjedhja, gangsterizmi, jane plage karakteristike te grumbullimeve te tilla urbane.

    Sic edhe permenda me pare, kam pasur shoke e miq kombinatas. Ishin ata/ato qe ankoheshin pikerisht per mungesen e nje kulture qytetare ne kete lagje kaq periferike te Tiranes(nuk ishte vazhdimesi urbane, kishte vakum) dhe enderronin qe te ndertonin jeten brenda ne kryeqytet.

    Permend siper stigmatizimin me nota negative qe gezonte lagjia. A thua nuk kishte ndonje fare baze ky opinion i perhapur? Kjo nuk i bente te gjithe kombinatsit as huligane, as gango. Por te tille kishte ne nje mase te tille,qe kishte kaular ate kritiken, qe i jepnin nje reputacion te keq Kombinatit.

    Krenaria e perkatesise, qofte edhe si ndjenje e nxitur, eshte nje reagim normal, nje lloj forme vetmbrojtje per t’i dhene kuptim, domethenie ekzistences; kur kjo kalon ne ekstremitet, per ironi, si reaksion, sillet ne kujtese si nje e kaluar e lavdishme, kur ne thelb nuk ka asgje te tille.

    Dikush i ka quajtur me te drejte qendra te tilla si “prodhuese proletaresh” dhe procesin “prodhim proletaresh”, ne sensin qe krijojne nje lloj njeriu hibrid; ne rastin shqiptar dhe sovjetik si shprehje tipike e prodhimit te “njeriut te ri”, duke kolektivizuar edhe ndergjegjet e tyre, duke patur vecse nje fytyre kolektive.

    Analiza juaj do te ishte me te vertete e vyer nese do ta distancoje veten aq sa duhet, per te qene objektiv, sepse rasti i Kombinatit eshte tipik dhe interesant dhe eshte shembelltyre e kolektivizimit industrial te shoqerise te ardhur shumica nga zonat rurale.

    Nje rast tjeter, qe i solli deme te pallogariteshme, kohezionit dhe tradites historike, kultures qytetare, eshte ai i kombinatit Mao Ce Tung ne Berat. Dyndjet e mijra njerezve, kryesisht nga zonat rurale te Shqiperise te jugut, sollen nje perkeqesim gradual dhe fshatarizmim e ketij qyteti muze dhe me histori te pasur.

    1. Do të shtoja edhe Kombinatin e Sheqerit në Maliq dhe qytetin që iu bashkëlidh. Edhe atje u ndoq një model sovjetik, në mos gabohem.

      1. Xhaxha, po t’i referohemi Tiranës, Kombinati dhe lidhja e integruar fabrikë/lagje ishte krejt e veçantë. Industria e kryeqytetit nuk kufizohej me tekstilet, por fabrika e uzina të tjera nuk kishin zhvilluar rreth tyre lagje të posaçme. Le të kujtojmë p.sh. Kombinatin e auto-traktorëve, Kombinatin ushqimor “Ali Kelmendi”, Kombinatin e drurit “Misto Mame”, Kombinati i materialeve të ndërtimit “Josif Pashko”. Asnjë prej tyre nuk kishte karakteristikat e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, edhe pse gjendeshin në periferi të qytetit. Meqë ra fjala, Kombinati ishte periferia e periferive, sepse ishte më tutje se kombinatet e tjera.

    2. Siç e keni kuptuar, i mirëpres të gjitha mendimet për Kombinatin, sidomos kur nuk përputhen me të miat. Po mundohem t’u përgjigjem disa pikave që u ngritën këtu.

      Kombinati lindi nga fundi i viteve dyzetë e fillimi i viteve pesëdhjetë. Shqipëria asokohe ishte përgjithësisht me ekonomi bujqësore dhe industrializimi sapo kishte filluar. Lagjet që shoqërojnë fabrikat, pra që janë funksionale ndaj tyre, bëjnë pjesë në procesin e njohur të industrializimit, që është verifikuar si në perëndim ashtu edhe në lindje. Shembujt janë të shumtë.

      Për vulën e qartë sovjetike fola në pjesën e mëparshme. Lagjja është projektuar nga specialistë rusë e shqiptarë, pasi zona që gjendej midis fshatit të Sharrës dhe Yzberishtit, ku u ngrit Kombinati, u bonifikua tërësisht.

      Tani për qortimin miqësor lidhur me mungesën e objektivitetit. Që kur fillova të shkruaj për Kombinatin e kisha parasysh që lexuesi mund të më paragjykonte në këtë drejtim. Jam munduar të shkruaj me qetësinë e studiuesit, pa i fshehur ndjenjat për këtë lagje ku jam rritur. Tek e fundit, vështirë të shkruash për diçka që nuk të intereson. Së paku. Përndryshe nuk do ta kisha marrë mundimin e tastierës.

      Nostalgjisë jam munduar t’i rri larg, sepse të vesh shikimin, por nuk mund ta injoroj përderisa nxjerr krye në të gjitha intervistat që u janë bërë kombinatasve. Prandaj jam munduar t’ia interpretoj ekzistencën dhe motivet.

      Dyndjet migratore të pakontrolluara bartin shpesh probleme sociale. Mungesa e homogjeneitetit të njerëzve që vinin në Kombinat duhet parë më shumë në prejardhjen gjeografike se sa shtresore. Përgjithësisht vajzat e djemtë që erdhën fillimisht në Kombinat kishin origjinë fshatare. Problemet nuk kanë munguar, por nuk duhet të biem në kurthin e paragjykimeve dhe të përgjithësimeve. Nuk është fjala të dalim me vendim gjyqësor nëse Kombinati ishte i mirë apo i keq. Unë dua ta përshkruaj jetën e atjeshme, me aspektet e ndryshme të saj, sepse është emblematike për Shqipërinë e asaj kohe, sikurse është domethënëse për situatën aktuale që po kalon Kombinati, pas deindustrializimit të viteve nëntëdhjetë.

      A ka pasur krime, vjedhje, gangsterizëm e mungesë qytetarie? Patjetër. Tek paralelet, ose tek fusha e futbollit, shpeshherë kërciste grushti kot fare. Për motive të dobëta, do të thoshim sot. Por kjo nuk na lejon t’i quajmë kombinatsit si të paqytetëruar. Të mos harrojmë se kontrolli social, me mjete e mënyra të ndryshme, vazhdonte edhe në Kombinat. Por mendoj se kam qenë i sinqertë, larg nostalgjisë e subjektivitetit kur them se kombinatsit donin të largoheshin nga kombinati, ndërkohë që “tiranasit”, ata nga qendra pra, nuk mbanin radhën për të ardhur në lagjen tonë periferike.

      Po për mendimin e përhapur që ekzistonte për femrat e Kombinatit, si pak të lehta nga nderi, ç’duhet të themi? Të vendosim me “po”, ose “jo”, apo të shpjegojmë arsyet e krijimit të këtij mendimi, që ndonjë bazë e ka tek qëndrimi më i çliruar i vajzave që erdhën nga fshatrat e humbura ku ushtrohej kontroll asfiksues për të jetuar pak më lirisht në një lagje të kryeqytetit. Unë mundohem të arsyetoj, pa idealizuar, edhe pse një grua që intervistova i quajti ato vajza adoleshente, që lanë familjen dhe emigruan për një jetë më të mirë, “heroina të vërteta”, pararendëse të emancipimit të femrës. Sot dy mbrëmje vallëzimi më shumë na duken qesharake.

      Ndjenjën e përkatësisë së kombinatsave nuk e shpika unë. Edhe sot e kësaj dite, njerëz që janë shpërngulur nga Kombinati prej dhjetëvjeçarësh, e quajnë veten kombinats me një farë krenarie. Nuk kam nga se të distancohem, sepse më takon të analizoj përkatësinë dhe procesin që çoi në këtë përkatësi. Në fakt, nuk ka asgjë idealizuese kur flas për ndjenjën e fortë të përkatësisë së lagjes. Madje përmend edhe famën e keqe që kishte Kombinati që “u detyrohej edhe bandave të gangsterëve”. Përmend gjithashtu izolimin si faktor. Ç’duhet të deklaroj tjetër? Që kombinatsit ishin të paqytetëruar nuk mund ta them, sepse nuk është e vërtetë.

      Kam përshtypjen sikur Kombinati shikohej(t) ndonjëherë si rrezik për qytetin, pra si pjesa barbare fshatare që rrethon qytetarinë tradicionale, periferia që kërcënon qendrën. Lajtmotiv i vjetër, që shoqëron gjithnjë proceset migratore. Është pikë që duhet hulumtuar, sepse rasti i Kombinatit, si fabrikë e lagje, është i veçantë në Tiranë dhe ka shumë rëndësi të studiohet konteksti ku lindi. Mjafton të kujtojmë periudhën kur u ndërtua Kombinati. Shqipëria kishte pak vite që ishte çliruar, popullsia jetonte kryesisht në zona rurale. Sapo filloi procesi i industrializimit. Kryeqyteti nuk kishte industri të zhvilluar, përkundrazi. Së fundi, Tirana vetë është produkt i migrimeve të ndryshme. Nuk besoj se Tirana e ka parë Kombinatin si rrezik për ekzistencën e qytetarisë së saj. Temë interesante, gjithsesi.

      Pjesa e fundit, që do të dalë së shpejti, u jep përgjigje disa pyetjeve të tjera, edhe sepse flet për Kombinatin e sotëm, situata e të cilit ndikon në (vetë)perceptimin e të djeshmit. Por nuk duhet ta ngatërrojmë përshkrimin e Kombinatit me ideologjinë e dikurshme. Nostalgjia e kombinatsave të vjetër nuk ka shumë lidhje me regjimin totalitar. Kush po shkruan, di ta dallojë ideologjinë që qëndronte pas industrializimit të planifikuar, brenda kornizës së ekonomisë së centralizuar, por nuk harron se dukuria e industrializimit dhe lindja e periferive proletare ndodhën edhe në botën kapitaliste. Nuk ka gjykim vlerësues për sistemin në këtë pikë. Por që puna është pjesë e dinjitetit të njeriut, kjo po që është bindje e fortë e autorit të këtyre radhëve.

      Së fundi, nuk mund ta fsheh tashmë se sprova ime për Kombinatin është në ripunim e sipër dhe po zgjerohet gjithnjë e më shumë, me idenë e një botimi tjetër më të thelluar e të përditësuar.

    3. Read Me, meqe une e njoh relativisht mire Kombinatin, do te deshiroja te lija nje koment por me pare doja te dija me shume se cili eshte mendimi juaj. E them kete qe te jem i qarte e te mos nxjerr konkluzione te gabuara sepse ne komentin tuaj te gjate nuk i nxorra dot konkluzionet e qarta. Ju e krahasoni Kombinatin e Tiranes me ate te Beratit duke permendur faktin se ky i fundit i solli deme te shumta tradites se atij qyteti. Pra per ju Kombinati i Tiranes i paska sjellur deme Tiranes apo jam une i gabuar ne interpretim. Ose me thjesht; cfare ishte per ju Kombinati i Tiranes (si lagje)?.
      Te falenderoj paraprakisht!

      1. Mendimi qe une kam per Kombinatin eshte bazuar ne infon e marre kryesisht nga te njohurit, shoket e mi kombinats. Perderisa jane miqesia ime, ata/ato ndajne te njejtat vlera. Si u bene kombinats ose punuan ne kombinat, cdonjeri ka nje histori unike. Do te ishte me interes te na tregoje me shume per ate lagje, perderisa e njeh mire.

        Mendoj se kam qene i qarte, kur permenda kombinatin e Beratit: demet kane qene per kete qytet dhe si rast nuk eshte i ngjashem me rastin e Tiranes. Rrethana jane te ndryshme.

  2. Read Me faleminderit! Perceptimi im si dikush qe e njeh lagjen, eshte se te persiatja e Pishakut nuk ka thuajse fare nota nostalgjike. Vihet re nje tis i lehte poetik ne prozen e tij por ky eshte me teper per arsye stilistikore sesa perjetimi (se Kombinati vete vetem me poetiken qe s’kishte lidhje). Madje mund te them se ka me shume poetizem tek shkrimet e Pishakut per Italine e shahun se sa ka per Kombinatin:)

    Mund te duket sikur ka pak ekzagjerim ne keto persiatje dhe se qellimi i fshehur i autorit ose atyre qe kane jetuar ne Kombinat eshte te mburrin Kombinatin por jo. Ne fakt te gjitha ato qe permend Pishaku qendrojne dhe transmetohen tek lexuesit me nje objektivizem per tu pershendetur. Ne fakt, kritiket me te medhenj qe une kam hasur ne vite te kesaj lagjeje kane qene vete kombinatsit dhe nuk besoj se nje intelektual qe ka jetuar aty do binte ne gabimin e “glorifikimit” te lagjes.

    Nje sugjerim per Pishakun. Ndoshta do te ishte me mire qe “studimi” apo shkrimet e Kombinatit te ndaheshin ne kapituj kohore. Psh jam i sigurte se jetesa ne te ne vitet 60-te ndryshon nga ajo ne vitet 80-te dhe kjo e fundit nga vitet 2000. Sa per ilustrim po marr nje shembull pikant nga komenti juaj. Perceptimi se vajzat e Kombinatit qene “te lehta nga nderi” do t’i kete perkuar me siguri dekadave te para, ku levizja nga fshatrat apo rrethet e tjera ne Kombinat ka qene me e madhe. Une psh nuk e mbaj mend nje perceptim te tille ne fundin e viteve 80-te apo ne vitet 90-te. Perkundrazi “kapja” e nje femre ne Kombinat qe sport i veshtire. Kjo sepse edhe Kombinatsit qene pak me te serte nga natyra ne krahasim me banoret e qendres. Mund the thuhet se ne keto vite Kombinati (perseri cuditerisht) mori nje aura konservatore ne krahasim me qendren qe qe me e shliret dhe njekohesisht e “shturur”-sepaku nga perceptimi i kombinatesave.

    1. Faleminderit për sugjerimin. Më duket shumë me vlerë, sepse vetë Kombinati ka ndryshuar në vite. Në shënimet që po përpunoj kam thënë p.sh. se Kombinati në kohën e sovjetikëve ka qenë ndryshe nga ai i kinezëve, ose nga ai i viteve tetëdhjetë. Këtë ma nënvizon sot e kësaj dite edhe nëna ime.

    2. Trekendeshi, keshtu per te qeshur…permendja e poetikes, me kujtoi per nje moment endrren industriale te Kadarese. Eshte rasti kur shkruan per gjera qe nuk i njeh, apo deshiron te krijosh nje bote iluzore per realitete proletaresh si tek filmi Montatorja(e mban mend ndonjeri, … me duket vetja i mocem, por Grabocka luan ate vajzen e hedhur, rrenjeshkuluren, kurse personazhi “kryesor” eshte marre me teper si kukull per bukurine, pasi pothuajse nuk flet fare, i mungon aktrimi, vecse buzeqesh pergjate filmit).

      Pishaku vertet shkruan proze, por nuk e kam vene re ne ndonje shkrim tjeter te jete kaq poetik, sic e ke verejtur. Dy gjera te bejne poet(poetik), dashuria e re, e fresket, e riperterire, qe poeteve kurre nuk i mungon, shterron, ose nostalgjia per te, ose per dicka/gjithshka nga e kaluara qe te zbukurohet ne distancen kohore.

      Jetet tona zakonisht mesa di une nuk zhbehen, 🙂 jane ato qe jane, por mendoj se shume pak njerez, po t’i pyesesh, se si dhe ku do ta fillonin jeten nga e para, sikur te ishte e mundur, besoj se nuk do te zgjidhnin te njejten rruge, monopat.

      Do te kisha zgjidhur une Tiranen e Shqiperise? Si zor, mendoj se do te kisha zgjedhur ndonje kryeqytet tjeter te botes. Do te kishit zgjedhur Pishaku apo ju Kombinatin si vendin e femijerise apo rinise, nuk e di, por si zor. Kujtimet nuk i zgjedhim dot, ato na bejne nostalgjike, na e zbukurojne femijerine dhe rinine pavarsisht deprivimeve, mungesave. Fundi i fundit jane pjese integrale e jetes, formimit tone. Na mbajne te lidhur sepse kane formuar qenien dhe ekzistences sone.

      Pastaj, relativizimi eshte metoda me e mire per t’i dhene shkelmin hierarkise te vlerave, duke perfshire edhe kulturen, pasurine dhe shumellojshmerine e jetes (urbane) dhe cilesise te saj. Cdo kush, mund te thote: po edhe ato njerez jane, edhe ata jetojne, apo kane bere jete. Edhe ne ne Shqiperi kemi jetuar, njerez kemi qene edhe ne. Edhe ne/ata ne Tirane, Kombinat kemi/kane jetuar, njerez kemi/kane qene edhe ne/ata. Cfare jetesh!

      Ne shqiptaret, vetem kur e beme te prekeshme realitetin e botes pertej gardhit te padukshem te diktatures, e ndjeme dhe kuptuam se sa kishim humbur, se sa e pavlere ishte nje jete e parealizuar, e jetuar ne kotesine e nje iluzioni ideologjik dhe lufte kundra mullinjve te eres si ne imagjinaten e Servantesit. 🙂

  3. Para se te jap mendimet e mia per jetesen ne Kombinat, po i meshoj edhe njehere idese se para se gjithash lagjja kishte nje natyre paradoksale.

    Separi, Kombinati nuk ishte nje lagje proletaresh. Cfare nenkuptojme fundja me kete fjale? Ndoshta klasen punetore. Po, kishte nje perceptim se Kombinati perbehej nga klasa punetore por edhe ky ishte me shume i gabuar sesa i vertete. Kjo sepse sistemi i atehershem nuk lejonte ndarje lagjesh ne punetore, burokrate etj. Cdo lagje i kishte te gjithe. Jetonte krah perkrah intelektuali me punetorin, qytetari me te ardhurin nga fshati dhe i bardhi me jevgun. Me teper sesa segregim lagjesh, kishte aty-ketu segregim pallatesh. Njiheshin pallate ku banonin kryesisht drejtore apo ushtarake. Por edhe keto perbenin me shume perjashtim sesa norme. E njejta gje me Kombinatin. Lagjja nuk kishte vetem punetore por nje aradhe njerezish me shkolle te larte te profesioneve nga me te ndryshmet e qe rendom quheshin intelektuale. Dhe jo te gjithe banoret e lagjes e kishin te lidhur jeten me Kombinatin Tekstil. Shumica po, por jo te gjithe. Kishte plot qe punonin ne lagje te tjera te Tiranes. Kishte nje numer te madh gjithashtu nga lagjet e tjera te Tiranes qe vinin te punonin ne Kombinat. Psh pervec punetoreve te K.Tekstil, mbaj mend se pjesa me e madhe e mesuesve, mjekeve dhe infermiereve vinin nga jashte Kombinatit. Vazhdon te jete keshtu. Pra pavaresisht se i vecuar, Kombinati ishte njekohesisht pjese organike e Tiranes.

    Se dyti, lagjja ishte qe ne gjeneze nje krijese urbane. Dhe keshtu vazhdoi per dekada me rradhe. Perjashtim ben dekada e fundit ku shumicen ne Kombinat e perbejne banoret e ardhur nga zonat rurale. U permend se ata qe erdhen ishin kryesisht nga fshatrat. Nuk e di sa e vertet eshte kjo por ma merr mendja se po. Se fundja-fundit nga do vinin ne nje vend ku mbi 80% te banoreve i kishte fshatare. Por kujtesa ime personale me thote ndryshe, Te pakten ata banore “te vjeter” te Kombinatit qe kujtoj vinin nga zona urbane e jo rurale. Po kjo pak rendesi ka. Cka eshte e rendesishme eshte se ne Kombinat ka dominuar gjithnje nje kulture urbane tipike e atyre dekadave te komunizmit. Dhe ketu ndihmonte jo vetem urbanistika e lagjes por edhe organizimi dhe fortesia e institucioneve qe vepronin ne te. U permend nga Pishaku por po e bej edhe une nje rikujtese. Lagjja ka pasur kinema, nje salle te vogel tip teatri, biblioteke, shtepi pioneresh, radio, shkolla fillore te ndara ne shkolle muzike dhe sportive, shkolle profesionale si dhe shkolle nate (dhe sec e kam nje pershtypje se ata qe vinin per mesatare e kane pasur per kete shkolle e jo per gjimnazin), dy fusha sportive, nje poligon qitjeje etj. Pra institucionalisht shteti ishte ulur kembekryq ne Kombinat, ndoshta edhe me shume se lagjet e tjera. Kjo edhe per faktin se Shteti e krijoi Kombinatin. Dhe ketu doja ta lidhja me piken e trete

    Ate te ndjenjes se perkatesise qe kane kombinatesit. Me pelqen me shume kjo fjale qe e perdor Pishaku sesa fjala krenari. Mendoj se i pershtatet me shume ndjenjes qe kane banoret per lagjen. Shpjegimi qe jep Pishaku se banoret e lagjes e ndjenin se kishin nje “qellim” dhe kjo e rriste ndjenen e perkatesise, me duket interesant por nuk me bind. Se qellim kishin shume qyteza apo qytete te tjera industriale por nuk kane pasur kete ndjenje perkatesie. Pastaj sa u hynte ne pune qellimi kombinatesve? Per mua pak ose aspak. Ndoshta prania e forte institucionale e shtetit dhe dinamika sociale e jeteses ne Kombinat mund ta shpjegonin me mire. Qe nje jetese e percaktuar mire ne cdo hallke. Qe ne femijeri njerezit ndanin te njejta ambiente dhe kalonin kohe ne te njejtat institucione arsimore, sportive, punesimi etj. Dhe vetvetiu krijohej nje sens perkatesie. Kjo sebashku me ndjesine qe lagjja qe e shkeputur, pra formonte nje entitet te vetin mund te kete ndertuar nje sens the theksuar perkatesie per lagjen. Por perseri kjo ngelet paradoksale sepse popullata e Kombinatit qe shume heterogjene. Dhe pikerisht se kishte nje heterogjenitet te madh, kjo ndjenje ndalej aty. Pra une nuk mendoj se ka pasur ne Kombinat ndonje solidaritet mes komunitetit. Une vete nuk e kam perceptuar kete ose me sakte kam perceptuar nje solidaritet siperfaqesor e thuajse falls.

    Se katerti (dhe po e mbyll ketu per shkak te gjatesise), eshte perceptimi i gabuar, mendoj une, se lagjja ka patur nje gangsterizem te theksuar. Po, ne vitet 80-te ka pasur nivel gangsterizmi. Por me pare une nuk kam degjuar. Por edhe gangsterizmi i lagjes gjate viteve 80-te eshte i fryre. Para se gjithash ai ishte refleksion i degradimit te sistemit ne pergjithesi dhe jo aq ndonje karakteristike e vecante e lagjes. Se mua personalisht nuk me vjen ne mendje asnje faktor qe te mund ta stimulonte ate. Po, shumica e banoreve te kombinatit ishin ne pergjithesi te serte. Kishte nje filozofi qe vetes duhet ti dilje per zot, dhe shpesh here kjo nenkuptonte qe te kerciste grushti ose tulla. Por asnje nga keto jashte normales se realitetit shqiptar. Psh si femije kur shkoja ne kurse ne lagje te tjera te Tiranes, mbaja med qe dilnin djeme e te zinin rrugen. Ishin gati te rriheshin pse po i shkelje ne lagje. Ne me shume se dy raste kane ikur sapo u thoja nga isha. Pra perceptimi ishte se kombinatesit qene kokeshkrete por agresivitet kishte kudo (dhe ka akoma).
    Ne Kombinat kishte grupe te caktuara te rinjsh qe vinin verdalle por edhe keto ishin te pakta ne numer. Natyrisht qe shkaktonin frustrim dhe indinjate tek banoret dhe nuk mund te thuash se nuk kane qene problem. Sidoqofte krimet e gangstereve te Kombinatit ishin te nje niveli relativisht te ulet, ndonje akt huliganizmi, vjedhje kuajsh ne repartet kufi me lagjen, rrahje, ngacmime femrash. Vrasje dhe krime te natyres psikopatike thuajse nuk kishte. Madje lagje te tjera ne Tirane ishin ku e ku krahasuar me Kombinatin. Ky i fundit kishte namin dhe jam i sigurte se natyra e pacaktuar e lagjes ne syte e tiranasve te tjere qe nuk e njihnin mire, gati ekzotike, gati spartane ka ndikuar shume ne krijimin e ketij miti urban (ndoshta miti i pare urban i permasave te medha ne nje Shqiperi qe urbanen e kishte me pikatore…)

    1. Trekendesh, të falenderoj për komentin tënd. Më duket me shumë interes. Ke të drejtë kur flet për bashkëjetesë shtresore, sepse lagja kishte punëtorë por edhe intelektualë (ose më saktë ata që emërtoheshin në atë kohë si të tillë). Vetë Kombinati i tekstileve nuk kishte vetëm punëtorë me tre turne, por edhe drejtues, inxhinjerë, ekonomistë, kuadro, artistë, etj. Por edhe lagja që i shoqëronte fabrikat ishte plot me njerëz me arsim të lartë.
      Për ndjenjën e përkatësisë desha të shtoj se ideja se ishin pjesë e një projekti në një farë mënyre ishte e pavetëdijshme, dhe kjo farkëtohej pikërisht në territor e në përvojat e përbashkëta të jetës. Kjo doli më qartë kur Kombinati vdiq si sistem prodhues.
      Sa për gangsterët nuk dua të zgjatem shumë, se mua më trajtonin shumë mirë e më mbronin në çdo rast. Unë vetë nuk e kam perceptuar lagjen n. 6 si të rrezikshme. E kush të prekte atje? E ndjeje veten si në guaskë mrbojtëse, por nuk dua të flas për vete, por edhe për të tjerët.
      Pastaj, nuk duhet të harrojmë një figurë tjetër mitike që qarkullonte në Kombinat: garipin.

  4. Pishak, në një koment timin të më mëparshëm kam përdorur fjalën proletariat, dhe mund të ketë qenë kjo që nxiti dyshimet e trekendëshit rreth vetë termit. Me të drejtë, sepse më duhet të precizoj se nënkuptoj “të ashtuquajturin proletariat,” ose me termin e Louis Althusser shtresën e “interpeluar” si proletariat nga regjimi komunist.

    Dhe meqë ty të interesojnë vëzhgimet e Të Tjerëve rreth Kombinatit, një pyetje që më lindi është kjo: a ka patur zhvendosje në perceptimin e Kombinatit përgjatë boshtit diakronik? Një hipotezë ose spekullim do ishte që lagjia u perceptua (sepse edhe u interpelua nga ata që e thirrën në jetë) si lagjje industriale, punëtorësh në fillimet e saj, por përbërja demografike ndryshoi gjatë viteve.

    Edhe diçka tjetër: mekanizmat e shpërnguljes nga jashtë TR-ës në TR më janë dukur tepër opake, si të bëra me magji (brenda TR-ës kërkonte mik të madh, flas nga eksperienca), ndaj pyes se si ka funksiononuar seleksioni diakronik i atyre që shpërnguleshin nga rrethet apo fshatrat? A ka qenë e kërkuar si jetë e alternativë? (Këto mund të jenë gjëra që zbulohen në shkrimet e ardhshme, ose të shtyra për një studim të ardhshëm.)

  5. Me ben pershtypje disa gjera ne kete shkrim. E para, qe punen ne Kombinat e pershkruaje si shumë e rëndë. Mesa mbaj mend une, punetoria aty me shume nuk punonte sesa punonte. Me punen qe ben individi sot ne sistemin kapitalist, Kombinati, ishte nje parajse punetoresh. Megjithese ne vitet e fundit te komunizmit jeta u rendua, kujtimet e njerezve nga vitet 60 dhe 70 mua ma tregojne Kombinatin si nje parajse punetorie. NJe punetor qe merrte nje rroge prej 4 mije lekesh te vjetra, ushqehej lire ne mencen e Kombinatit vetem me 900 leke ne muaj. Parate e tjera i kishte per veshje e qejfe. Cfare besoj une se e ka bere Kombinatin te vecante ne ato vite, ishte 1. ndasia gjeografike qe ti permende me siper (dhe by the way – termi do shkojme ne Tirane, kombinatsave iu dha nga katundaret e Sharres) 2. lidhja e forte qe Kombinati, sidomos te rinjte krijuan me fshatin. Ne shkrimin tend nuk pashe ne asnje vend te permendesh Sharren, ne nje kohe qe Sharra me katundaret, traditat, e saj ishte ajo qe influencoi shume jeten e kombinatsave. Ne fund te fundit Kombinati u ndertua mbi tokat e xhametave, cullhajve, mucajve etj, fshatareve te Haxhi Qamilit. Shkollat e mesme te Kombinatit eksursionet i benin ne Sharre. Ne vere djemte laheshin ne liqenet e Sharres dhe gangsteret, trimeroheshin duke vjedhur fshataret, te cilet, vetem pse jetonin disa pak metra larg tyre – etiketoheshin katunare. Ama ndersa imigrantet ne shumice ishin toske dhe kishin pak lidhje me traditen pasi sistemi i shkeputi nga fshati i tyre – ne Kombinat ata ndesheshin ne traditat e zakonet e serta te fshatarit te Sharres – grate me shami, burrat me kapuca e shallvare qe mbanin tespi neper duar dhe ecnin hipur mbi gomere.

    Fakti qe coi ne rritjen e gangsterizmit ne Kombinat besoj ka patur te bej me punen me tre turne te shume familjesh. Zonat sikur parafabrikatet ishin zona qe prodhuan rebelet e pare kunder regjimit. Bixhozxhijte, gangsteret, te fortet, fetaret qe mesonin Islamin te hoxhe Islam Vrapi dhe Jashar Xhameta, kodrat perreth qe sherbenin si vendstrehim per gangsteret qe ti arratiseshin policise ishin disa nga faktoret qe i ben te vecante gangsteret e Kombinatit. Shume gangstere nga Tirana vinin ne Kombinat per tu strehuar e fshehur. Apo gjate veres, vaskat, e liqenet e Sharresh apo Erzeni pak me larg sherbenin si vend defrimi jo vetem per kombinatsat por edhe te tjere.

    Kultura antisociale e gangsterizmit, bixhozit, mashtrueseve, fetareve dhe bemat e tyre proverbiale ishin disa nga historite qe i benin kombinatsat terheqes per pjeset e tjera te Tiranes, ku kontrolli social, spiunet dhe aparatciket e regjimit ishin me te serte. Por mendoj qe shkrimi yt ka harruar te permend nje fakt i cili e beri kombinatin shume te vecante. Ai ishte regjimi socialist. Edhe pse ne fundjave kombinatsat shkonin neper fshatra apo socializoheshin ne qendrat e tyre, ne fund te 15 diteshit ishte sistemi ai qe gjithkujt i jepte nje rroge, nje te ardhur. Te gjithe kishin te hanin, kishin nje shtepi ku te banonin, sherbim falas shendetesor dhe dentar dhe autobuze per transport me pjesen e pasur te qytetit, “Tironen”. Kombinati i vjeter qe une e ti mbajme mend u shkaterrua me renien e socializmit. Mbyllja e Kombinatit, papunesia, varferia qe solli kapitalizmi amerikan me pas i detyroi kombinatsat qe ta lene vendin qe ata donin aq shume dhe te emigrojne ne Perendim per te mbijetuar. Ama, ende sot e kesaj dite kombinatsat i mbajne mend me mall ditet e bukura te socializmit ne Kombinat. Ditet kur ata edhe pse ishin te varfer, te eger dhe pak te dale ishin shume here me te lumtur, lidhur me njeri tjetrin dhe lindnin e vdisnin ne kete lagje qe ata donin aq shume. Por ajo kohe nuk vjen me. Tani Kombinati, sikur e gjithe Tirana eshte transformuar ne nje fshat te madh pas-socialist ku varferia, mjerimi kane mbytur gjithe vendin.

    1. Komenti ndihmon shume per te kuptuar nostalgjine qe NUK gjendet ne shkrimin e Pishakut.
      Ajo qe mbetet per te shpjeguar eshte se si jeta paradiziake tre-turneshe e Kombinatit i dha hov gangsterizimit. A mos i bie pak vlera parajses duke u bere strumbullar i jetes kriminale? Mbase jo, se Kombinatsit ishte shume te lumtur.

  6. “Ama, ende sot e kesaj dite kombinatsat i mbajne mend me mall ditet e bukura te socializmit ne Kombinat. Ditet kur ata edhe pse ishin te varfer, te eger dhe pak te dale ishin shume here me te lumtur, lidhur me njeri tjetrin dhe lindnin e vdisnin ne kete lagje qe ata donin aq shume. Por ajo kohe nuk vjen me.”

    Olsi, boll se na mallengjeve!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin