PUTHJE NË SERI

Kur po shkoja drejt Galerisë austriake të Belvedere (Österreichische Galerie Belvedere) në Vjenë isha pak i emocionuar. Për herë të parë kisha mundësinë të shikoja, midis të tjerash, disa vepra të famshme të Gustav Klimt, një nga piktorët e mi të preferuar.

Deri atë ditë, njohja ime e Klimt-it kishte kaluar nga librat, interneti dhe mediave. Jo pa rëndësi kanë qenë edhe dy posterë të veprave të tij, që i kam kornizuar prej kohësh dhe i kam varur në shtëpi.

Në Galerinë e Belvederes së sipërme, midis shumë veprave të Klimt-it, gjendet edhe “Puthja” e famshme. Bëhet fjalë për një vepër të përfunduar në vitin 1908, ku bie menjëherë në sy një çift që puthet. Figurat janë mëse të qarta. Gjithesi, nuk kanë rëndësi dytësore motivet e ndryshme kromatike dhe sfondi i artë, që e karakterizojnë përfundimisht piktorin austriak.

Gustav_Klimt_Puthja“Puthja” ka një ëmbëlsi të natyrshme, gati mallëngjyese. Tek përqafohen e puthen, burri dhe gruaja duket sikur shkëputen nga toka dhe sikur fluturojnë në një univers pa kohë e hapësirë. Mungesa e perspektivës ndihmon në këtë drejtim. Ka diçka onirike ajo pikturë. Megjithatë, përqafimi i burrit, fytyra e të cilit nuk dallohet fare, është mëse konkret. Femra e ka lëshuar veten në krahët e tij, pa e fshehur tërësisht pasionin që e mundon.

Kur je përballë pikturës së Klimt-it duket sikur edhe “Puthja”, si akt dashurie, shkëputet nga vepra e artit për të jetuar si koncept më vete, apo si emocion i pavarur. Në atë moment, puthja është ajo puthje.

Piktura nuk është gjë tjetër veçse një potpuri formash e ngjyrash. Përveç fytyrës së femrës, pjesa tjetër e kuadrit përbëhet nga forma të ngjyrosura. Veshjet nuk janë aq të qarta, duken si pelerina mbrojtëse: nga një anë i mbulojnë aktorët, nga ana tjetër i zbulojnë sepse, me uniformitetin e tyre gjeometrik, i nxjerrin në pah edhe më shumë.

Vëzhguesi i mirë e dallon se veshja e femrës është dekoruar me rrathë, kurse veshja e mashkullit ka drejtkëndësha me forma të ndryshme. Aludimin seksual e pranojnë pothuajse të gjithë.

Natyra është e gjithkundgjendshme, por nuk është natyrë realiste, as impresioniste. Më shumë e evokon atë se sa e përshkruan. Lëndina me lule që i rrethon figurat i jep natyrshmëri pa e rënduar praninë e vet. Pothuajse në unizon me figurat qendrore. Po aq e lehtë edhe ngjyra e artë, që na kujton jo aq tërthorazi pikturën mesjetare, mozaikët e njohur, nga të cilët duket se piktori është ndikuar në artin e vet.

Siç vërejnë edhe studiuesit, dy figurat kryesore që përbëjnë “Puthjen” e Gustav Klimt-it janë të futura brenda një forme tjetër, në një lloj drejtkëndëshi në trajtë siluete. Me pak fjalë, drejtkëndësh brenda një katrori. Por këtu ngurtësia e formave shkrihet në rrjedhshmërinë totale të veprës. Piktura mund të shpërbëhet fare mirë në forma gjeometrike, me përjashtim të kokave dhe gjymtyrëve të aktorëve të puthjes. Megjithatë, lidhja e krijuar mes tyre, mënyra se si ndërthuren në të tërën, i bën pothuajse të padukshme e të pandashme.

Gustav_Klimt_Puthja-posterPikërisht në atë çast më erdhi ndërmend posteri që kam në shtëpi. Zakonisht është riprodhimi i veprës së artit ai që ka funksionin e kujtimit të origjinalit, jo e kundërta. Në rastin tim kjo ndodhi sepse m’u kujtua që posteri i varur në mur përmban vetëm pjesën kryesore (drejtkëndëshin) të “Puthjes”. Sipas gjasës për arsye tipografike dhe konkrete, që kanë të bëjnë me ekspozimin, riprodhimi fotografik e ka lënë jashtë pjesën me lule përreth. Këtu duhet të kujtojmë se “Puthja” e Klimt-it është vepër me përmasa katrore (180 x 180 cm).

Ndoshta ishte kjo arsyeja që vepra e Klimt-it më dukej pak ndryshe kur u gjenda përballë saj dora vetë. Jo sepse nuk ia njihja përmasat, por sepse isha mësuar ta shikoja të ndryshme në kohë. Pa e fajësuar shumë posterin në kornizë, mund të them pa drojë se edhe riprodhime të tjera, fotografi, internet e gjetiu, zakonisht përqendrohen tek figurat qendrore. Madje ka disa riprodhime që japin vetëm pjesën e sipërme të kokës, ngaqë e quajnë më domethënëse për vetë aktin e puthjes.

Në esenë mjeshtërore “Vepra e artit në epokën e riprodhueshmërisë së saj teknike”, Walter Benjamin, pasi vëren se “parimisht vepra e artit ka qenë gjithnjë e riprodhueshme”, shprehet se “riprodhueshmëria, për shembull më anë të fotografisë, mund të zbulojë aspekte të origjinalit që mund të shikohen vetëm nga objektivi, i cili është i spostueshëm dhe në gjendje të zgjedhë sipas dëshirës pikëpamjen e vet, por jo nga syri njerëzor, ose me ndihmën e disa procedurave, si zmadhimi…”

gioconda e fotografuarMë vjen ndër mend “Gioconda” mitike e Leonardo Da Vincit. Edhe ajo i “zhgënjen” artdashësit kur gjenden përballë saj në Louvre të Parisit, ngaqë pak nga përmasat reale e pak nga hapësira e madhe që e rrethon, u duket si e vogël. Por ky perceptim vjen edhe nga ndikimi i mediave moderne, që nëpërmjet teknologjisë kanë vite që analizojnë edhe detaje të detajeve, duke u përqendruar herë tek buzëqeshja enigmatike, herë tek duart elegante, herë tek sfondi i paqartë.

Në esenë e lartcituar Benjamin pranon se riprodhimet e veprave të artit i bëjnë ato më të afërta me masat, sikundër konfirmojnë tendencën e tejkalimit të karakterit unik të origjinalit. Çdo ditë e më shumë – thotë Benjamin – ecën përpara kërkesa për ta zotëruar objektin nga një distancë gjithnjë e më të afërt. “Riprodhueshmëria teknike e veprës së artit – nënvizon Benjamin – e modifikon raportin e masave me artin”.

Për t’u kthyer sërish tek galeria Belvedere e Vjenës, mund të thuhet se emocionet përballë origjinalit bëhen të papërshkrueshme edhe nga vetëdija se gjendesh përballë origjinalit, karakteri unik i të cilit e bën atë të paçmueshëm në të gjithë universin. Minutat e kaluara përballë “Puthjes” së Klimt-it mbeten të paharrueshme, por janë po aq të papërsëritshme sa edhe origjinali vetë. Sepse vështrimi që i jepet fotografisë riprodhuese nuk ka ngjashmëri me atë ndaj origjinalit.

Megjithatë ka diçka origjinale edhe tek posteri riprodhues – e jo vetëm për funksionin informues e përshkrues – për sa kohë ai nuk synon asnjëherë të të gënjejë e të shtiret si origjinal. Ndonëse në cilësinë e riprodhimit fotografik, ja të plotë, ja të pjesshëm, ai shfaqet i sinqertë dhe i vërtetë, duke luajtur rolin që i është dhënë: të na kujtojë origjinalin. Na takon neve t’ia kujtojmë vetes, herë pas here, se origjinali është diçka tjetër dhe na pret, në rastin më të parë, të emocionohemi në mënyrë unike përballë tij.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin