MËSIM I KEQ

Kur shikon një shkrim në gazetë me titullin “E fyen, shqiptari i jep një mësim të mirë” e me nëntitullin “Shqiptari e mori në dorë situatën, pasi nuk i pëlqyen fyerjet raciste të një personi”, vëmendjen e ke tashmë të magnetizuar, aq më tepër kur informacioni shoqërohet nga videoja ilustruese. Ç’të ketë ndodhur vallë?

Shkrimi i botuar tek “Shekulli“, dje më 01.12.2014 (17:35), lë shumë për të diskutuar, jo vetëm për aktin e përshkruar, por më tepër për komentin e tij.

Gazeta njofton për një ndodhi në Angli. Sipas së përditshmes, e cila i referohet gazetës Mirror, një qytetar anglez, pasi doli nga një klub nate, filloi t’u drejtojë disa kalimtarëve fyerje raciste. Por kur iu drejtua një shqiptari, vëllai i këtij reagoi duke e goditur anglezin në pjesën e prapme të kokës. Anglezi u rrëzua përtokë me gjashtë dhëmbë të thyer. Gjykatësi e dënoi shqiptarin me tetë muaj burg për lëndime të rënda trupore.

Një ngjarje e tillë komentohet në mënyrë të diskutueshme, në mos të çuditshme, nga gazetari shqiptar. Ja si e fillon ai shkrimin:

Veprimet dhe fyerjet raciste janë të dënueshme. Por ato mund të dënohen edhe me një grusht në publik, sidomos kur i prekuri është një shtetas shqiptar.

Dy fjalitë e para nuk kuptohen mirë. Gjithsesi, nxjerr kokën një farë kënaqësie për faktin që fyerjet raciste mund të dënohen me grusht, sidomos kur ai që preket prej tyre është shqiptar. Si mund të përkthehen ndryshe këto fraza?

Më të qarta duken rreshtat pasardhëse, sepse gazetari jep vlerësimin e vet për ndodhinë, duke u shprehur qartë se personi që fyeu kalimtarin “mori një mësim shumë të mirë nga një shqiptar”. Pra kemi një lloj lavdërimi të gjestit, i cili konsiderohet si mësim i mirë ndaj anglezit që fyente rrugës. Fjalia e mëtejshme shkon edhe më tej, sepse e fut përplasjen e rëndomtë në kontekstin e drejtësisë:

Zack Collins bëri një numër të madh vërejtjesh raciste për njerëzit në rrugë, pasi doli nga një klub nate. Por një nga këto komente i drejtohej vëllait të një shqiptari, Sami Krasniqit, i cili e mori në dorë drejtësinë, duke goditur Collins në pjesën e prapme të kokës.

Bie menjëherë në sy mënyra e vlerësimit të ngjarjes, sidomos kur përmendet drejtësia. Sipas gazetës, shqiptari të cilit iu fye vëllai, me veprimin e tij nuk bëri gjë tjetër veçse mori në dorë drejtësinë dhe e vuri atë nëpërmjet goditjes. E thënë kështu, edhe fjalia e mëpasshme “Gjashtë dhëmbë i kushtuan fyerjeve raciste Collins-it”, pavarësisht nga ndonjë gabim gramatikor, lë një shije të hidhur, sepse duket sikur autori thotë që qytetari anglez mori dënimin e merituar.

Asnjë koment nuk ka për vendimin e gjykatësit lidhur me konfliktin në rrugë, edhe pse lexuesi mund ta përfytyrojë mendimin e artikullshkruesit. Së fundi përmendet fakti, jo pa rëndësi, se Collins ishte shumë i dehur tek fyente njerëzit në rrugë.

Mendoj se lajmi qëndron, në kuptimin që lexuesi është i interesuar, në faqet e kronikës së zezë, që të informohet për ngjarje të tilla. Mirëpo, komenti dhe përshkrimi i ngjarjes shkon përtej etikës së gazetarit të mirëfilltë, i cili duhet ta japë lajmin e plotë, sipas rregullave të profesionit, pa rënë në kurthin e komentit. Kjo nuk do të thotë se në gazetë nuk duhen botuar komente. Siç dihet, opinionet dhe editorialet janë komente nga më të lexuarat në shtyp. Pra interpretimet e vlerësimet për një ngjarje, herë të hapura e herë të fshehura, janë të ligjshme, janë pjesë e lojës.

Këtu na duhet të ndalojmë tek brendia e komentit. Nuk dua t’u futem hollësive të ngjarjes, të cilën nuk e njoh aspak, as rrethanave që e shtynë shqiptarin të reagojë në atë mënyrë. Është e ditur nga të gjithë se fyerjet raciste janë të papranueshme, nga më të rëndat që mund të ekzistojnë. E si të tilla duhet të ndëshkohen nga drejtësia dhe shoqëria njëkohësisht.

I takon gjykatësit ta studiojë çështjen me imtësi e të marrë parasysh rrethanat lehtësuese për atë që ka kryer veprën penale. Mirëpo, shkrimi duket sikur e përligj vetëgjyqësinë dhe sikur mburret për reagimin e shqiptarit ndaj fyerjeve të anglezit. Me dashje ose pa dashje, shkrimi ka prekur një nga pikat themelore të shoqërisë shqiptare siç është drejtësia, respektimi i ligjeve dhe vetëgjyqësia. Nga ana tjetër prek marrëdhëniet midis kombësive të ndryshme, që janë çështje me zarar në shoqëritë e sotme perëndimore. Me pak fjalë, tema tejet delikate.

Së fundi, shkrimi harron se kur del në gazetë shndërrohet në akt publik, që lexohet nga shumë vetë, çka do të thotë se nuk mund të konsiderohet muhabet kafeneje mes shokësh të vjetër. Përgjegjësia, ja çfarë i mungon shtypit shqiptar.

Nuk ka komente

  1. Tek Gazeta Dita p.sh ka pasur disa here shkrime per justifikimin e dhunes mbi deputetet e opozites (Halimi), dhunes ndaj femres e te tjera perligjje (p.sh. larje hesapesh ndermjet biznesmeneve). Pak e kuptojne se gazetaria ka edhe rol emancipues edhe kur percjell lajmin, me ndonje kritike sociale neper rreshta. Por disa gazeta mendojne se kane rol te konfirmojne pritshmerite apo vlerat e lexuesve te tyre ne kete aspekt, dhe nuk u interesojne konsekuencat.

    1. Ka një kategori gazetarie – edhe pse nuk besoj gazetarësh – që magjepset pas dhunës dhe kriminelëve. Vëreni vëmendjen konstante që u kushtohet përditë pisllëqeve dhe delinkuencës banale në faqet e mediave online: çfarë tha ky i burgosur, pse e kishte rrahur ose vrarë këtë apo atë, pse do ta vriste, si u arratis nga burgu, si e mbroi nderin e familjes apo siguroi bukën e kalamajve (kjo e fundit miratohet universalisht, si alibia e pathyeshme e çdo qelbësire) dhe të tjera lapërdhi të lëshuara nga njerëz që vërtet nuk e meritojnë hapësirën që u jepet. Kjo gazetari luan, në informacion, një rol të ngjashëm me atë të krimit në jetën sociale – shkel ligjin (në këtë rast paktin që ka media me publikun), kërcënon, shpif, shkatërron personalitete (ekuivalent i rrahjes publike) dhe ua bën gjyqin njerëzve që pa i shkuar akoma dosja prokurorit në dorë. Është llumi që takon llumin (këtu hyn edhe obsesioni me soft porn-in për të cilin shkroi Lyss-i para pak ditësh), për t’u kënaqur së bashku, në një shoqëri ku vlerat morale ose virtytet, ato pak që kanë mbetur e kanë mbijetuar, janë tërhequr tashmë nga orgjia e jetës publike.

  2. Pishak, une ve bast se sikur ta lexoje shkrimin tend gazetari qe e ka shkruar “lajmin”, do te habitet shume dhe nuk do te arrije dot ta kuptoje se ku eshte problemi me shkrimin e tij. Do te pyese veten: ç’te keqe ka ketu? Pse, nuk ia beri mire shqiptari atij anglezit? Mbrojti nderin e shqiptareve dhe tek e fundit ca dhembe i theu, se mos e vrau! Dihet se shqiptaret jane trima, te marrin gjak ne vetull, nuk lejojne askend te shaje dhe te fyeje racen tone. Te thyejne dhembet dhe shkojne ne burg me ballin lart. Nje fjale e urte thote, “burgu per burrat eshte!” 🙂

  3. Përgjegjësia, ja çfarë i mungon shtypit shqiptar.

    Me erdhi te qesh me kete fjali tani qe shoh qe ky shkrim i Pishakut eshte marre nga Gazeta Dita dhe botuar nen emrin e Ardian Vehbiut. Vetem pergjegjesi nuk mund te kete.

  4. Kur te del nje deputet si Kokedhima dhe deklaron publikisht se duhet te legalizojme kanabisin shqiptar sepse qenka i cilesise se larte dhe paska kerkese te madhe ne tregjet europiane, ç’pret nga nje gazetar?

    Me ka qelluar me se nje here te flas me intelektuale dhe njerez te njefare niveli qe, kur ka rene fjala per korrupsionin, i jane drejtuar urtesise popullore duke me kujtuar se “ne mos rrjedh, do te pikoje” ose “kush e ka gishtin ne mjalte, do ta lepije”.

    Duke folur nje here me nje profesorin tim per nje djale te ri, te njohurin tone te perbashket, qe ishte denuar ne Zvicer per trafik droge, me tha: – “ishte fati i tij i keq, se ate pune, po nuk e bene shqiptaret, do ta beje dikush tjeter. Pse te mos i fitojne djemte tane ato parà?”

    Nje here duke diskutuar me nje te njohurin tim, aktualisht deputet dhe personazh publik ne Shqiperi nga ata qe i japin mend kombit, per nje vrases shqiptar qe ishte arratisur nga burgu italian ne menyre spektakolare, mbaj mend qe me deklaronte i ngazellyer: – “Mire ka bere qe eshte arratisur, se liria eshte aspirate legjitime per te gjithe! Edhe roberve te luftes u njihet e drejta te arratisen, po te jene te zote!”

    Gazetaria nuk ben gje tjeter veçse percjell kete fryme qe mbizoteron ne shtresat me te larta te kultures dhe te politikes sone.

  5. “Kur te del nje deputet si Kokedhima dhe deklaron publikisht se duhet te legalizojme kanabisin shqiptar sepse qenka i cilesise se larte dhe paska kerkese te madhe ne tregjet europiane, ç’pret nga nje gazetar?”

    Pse ca ka te keqe ketu ? Natyrisht qe kjo ha debat, mund te jesh edhe kundra, po nuk me duket se ka dicka skandaloze. Perkundrazi, ndoshta Kokedhimes ne kete rast i duhen dhene meritat qe pati guximin te shprehet publikisht duke perfaqesuar edhe ate pjese te shoqerise qe e mendon pak ndryshe kete pune.

    1. E keqja eshte se tregtia e kanabisit ne gjithe Europen eshte e paligjshme. Vetem ne Hollande mund te shitet ne lokale te autorizuara ne sasi te vogla (me pak se 5 grame) dhe vetem prodhim vendi i kontrolluar nga qeveria.
      Sikur ne ta legalizojme me synimin “per ta shitur ne tregjet e Europes”, kjo do te thote se do ta shesim ne menyre te paligjshme.

      1. Ky debat për legalizimin e kanabisit, shumë pikant në vetvete, nuk e ka vendin te kjo temë, prandaj ju lutem ta mbyllim menjëherë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin