KAZALSI DHE BAHU (II)

Nga Ilir Polena

Me një gjykim të gjërë dhe dialektik diskuton Kazalsi për natyrën kombëtare dhe universale të Bahut. Ai nuk është i një mendimi me disa studjues që mendojnë se Bahu është një kompozitor kozmopolit, por Kazalsin nuk e ngatërrojne as faktet historike, që dëshmojnë se Bahu, në ndryshim nga kozmopolitët e tjerë të kohës (Hendel), asnjëherë nuk del nga kufijtë e Gjermanisë.

Dihet historikisht se Bahu ka kopjuar me dorën e tij shumë vepra të kompozitorëve paraardhës , italianë dhe francezë . – “Ai u bë një nxënës i gjithë mësuesve të mëdhenj”- thotë Kazalsi dhe më poshtë shton se -“Pa dyshim Bahu është një kompozitor gjerman, por do të ishte gabim të kënaqeshim vetëm me këtë vulë nacionale…Bahu është një ndër ata që reflektuan dritën muzikore të të gjithë popujve, në të gjitha epokat e mëpasme”.

Kazalsi tregon një rast në kujtimet e tij, kur polemizon me një pianist gjerman i cili ngulte këmbë “në gjermanizmin e padiskutueshëm të Bahut”. Dhe është e vërtetë se kur Kazalsi fillon t’i citojë pianistit motive italiane apo franceze, madje dhe hungareze nga krijimtaria e Bahut, pianisti gjerman nuk është më në gjëndje të mbrojë tezën e tij metafizike.

Tepër të përparuara dhe realiste paraqiten pikpamjet e Kazalsit për përmbajtjen fetare të veprave të polifonistit të madh . Ai në vija të përgjithshme nuk është dakord me mendimin e Shvejcerit se “ Bahu ka shkruar muzikë fetare për faktin se në krye të çdo vepre ai shkruante inicialet S.D.G. (që përbëjnë shprehjen “Soli Dei Gloria” – Vetëm Zotit Lavdi) “pikërisht besimi tek Zoti ka qenë mbështetja kryesore e jetës së tij të vështirë – thotë Shvejceri. “ Misticizmi është parimi i tij jetëdhënës” Vetë Kazalsi mendon se Bahu i ka dhënë rëndësi anës fetare dhe më shumë nga veprat e tij është pasqyruar besimi i tij – “Por megjithatë frymëzimi fetar nuk është gjithshka për të” – thotë ai, duke dalluar në krijimtarinë e tij një gamë të gjerë figurash dhe jehonash laike si gëzimi i thjeshtë popullor, vallet popullore, eleganca dhe aroma e natyrës, etj… “Për mua Bahu është një poet, i cili ndjen nevojën për të shprehur në muzikë ndjenjat më fisnike – thotë Kazalsi.

Entuziazmi i Kazalsit arrin kulmin në rastet kur ndesh në gjykime vlerësuese origjinale për Bahun, siç është ai i kritikut U. Kart: – “Natyra e fuqishme e tij (e Bahut I.P) me një ndjeshmëri të jashtzakonshme, vibron nga prekja më e lehtë, prandaj telat e shpirtit të këtij artisti janë të ngjashëm me telat e instrumentave muzikorë që këndojnë nga era më e lehtë. Në këtë kuptim Bahu dhe Moxarti janë dy shpirtra shumë të afërt. Gjuha e vetme dhe e vërtetë e tyre ka qenë muzika”. Kazalsi është i të njëjtit mendim me kritikun dhe entuziazmohet sidomos kur sheh që shtohen rradhët e atyre që e kuptojnë Bahun si ai vetë, për të dalë me sa më tepër rezultat në luftë kundër ithtarëve të teorisë se -“Bahu është një mjeshtër me erudicion të thellë, por muzika e tij është e ftohtë dhe akademike”.

Duhet pranuar se Kazals është i dashuruar dhe me vepra të tilla të mirfillta për nga përmbajtja fetare, sidomos sa i përket tekstit të tyre, si “Pasioni sipas Matheut” apo “Meshë në si minor”. Kjo spjegohet me faktin se pamvarsisht nga përmbajtja ideore, këto dy vepra përbëjnë dhe majat e artit monumental të Bahut në drejtim të mjeshtërisë artistike, por kanë të bëjnë dhe me faktin tjetër se Kazalsi është një artist përparimtar demokrat, tek i cili nuk mund të pretendohet të gjendet një botkuptim ideor materialist ateist. Ai patjetër do të përmbajë në botkuptimin e tij koncepte ideore që i takojnë ambientit, vendit dhe jetës artistike që ai bëri. Megjithatë është pozitive dhe e rëndësishme që Kazals nuk është dakord me përcaktimin e rëndësisë dhe përmbajtjes së krijimtarisë së Bahut vetëm lidhur me sferën e frymëzimit fetar, por është me mendimin se “pikërisht demokratizmi dhe humanizmi i thellë i muzikës së kompozitorit të madh përbëjnë dhe aftësinë e tij, për të shprehur ndjenjat dhe emocionet më të larmishme të njeriut”.

Prej kohësh në historiografinë botërore është bërë dhe vazhdon të bëhet krahasimi midis dy krijuesve gjenialë bashkëkohës, gjermanë dhe polifonistë të mëdhenj, midis Bahut dhe Hendelit. Megjithatë problemi që trajton Kazalsi në këtë krahasim paraqit interes të veçantë. Ai krahason midis të tjerave gjinitë e oratorit të trajtuara në mënyrë të ndryshme nga këta autorë. Sipas Kazalsit Hendeli duhet të konsiderohet si një mjeshtër i efekteve që lënë mbresa të forta, ndërsa Bahu nuk mendon asnjëherë për efekte të tilla. “ Hendel është shumë teatral – thotë ai,- ndërsa Bahu tepër emocional”. Dhe njihen fakte të ndryshme historike të konsideratës që kishte në përgjithësi Bahu për teatrin muzikor. Ai nuk preferoi të shkruante asnjëherë opera apo çdo lloj tjetër gjinie teatrale të kohës.

Kazals preferon të krahasojë Bahun dhe me figura të tilla të mëdha si Moxart, Hajden dhe Bethoven. Ai polemizon dhe me dirigjentin e njohur V. Furtwengler, i cili hedh tezën se “në qoftë se ndikimi i Bahut ndihet përsëri tek Moxarti, tek Hajden humbet”, duke e quajtur këtë moment si lindje të një muzike të re. Madje Kazals nuk është dakord me Furtwengler që pohon se “ elementi dramatik i Bethovenit është më i afërt për ne, se elementi epik i Bahut”. Për të argumentuar mendimin e tij Kazals hedh një mendim paksa abstrakt dhe nivelues duke thënë se “ edhe Bahu edhe Bethoveni do të jetojnë midis nesh përderisa shpirti njerëzor do të ruajë aftësinë për t’u emocionuar”.

Po të na duhej të zgjidhnim midis këtyre dy mendimeve, të Furtwenglerit dhe Kazalsit, do të zgjidhnim atë të të parit, duke kujtuar këtu thënien e Lunaçarskit se “Bethoveni është për ne fqinji më i afërt i revolucionit”… Pra edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një adhurim pakëz abstrakt të Bahut nga Kazalsi, por që me sa duket, mund të jetë i kushtëzuar jo vetëm nga botëkuptimi i vetë Kazalsit, por, dhe nga përpjekjet e tij për të ngritur sa më lart figurën gjeniale të Bahut, për t’i dhënë atij vendin e merituar midis muzikantëve më të mëdhenj të historisë së muzikës.

Kazals interesohet dhe për rrugët interesante, për krejt të ndryshme të “evoluimit” të krijimtarisë së këtyre dy kompozitorëve. Ai është i një mendimi me një studiues, i cili konstaton se: “Mjafton të studiosh vetëm një faqe të Bethovenit, për të përcaktuar vendin e tij kronologjik, ndërsa për ndarjen e periudhave të krijimtarisë së Bahut kërkohet një studim i thellë dhe i veçantë i gjithë krijimtarisë së tij”. Kazals paraqet interesa teorike dhe për probleme të përmbajtjes dhe formës së gjinive të veçanta të Bahut. Në mendimet e tij për këto probleme vihen re në përgjithësi koncepte dialektike mjaft interesante dhe ndonjë që bie ndesh dhe me mendime dhe përgjithësime të studiuesve më në zë të Bahut. U. Kart mendon se nga gjithë krijimtaria e Bahut pikërisht ariet më tepër se gjithçka përmbajnë vulën e epokës së tij dhe janë të vjetëruara. Ndërsa Shvejcer ka mendimin se Bahu është influencuar nga aria dhe recitativi italian: “ Ai nuk e dinte (Bahu) se këto forma (aria dhe recitativi italian I.P ) ishin të huaja për gjeniun e tij dhe se skematizimi i aries Da Capo do të pengonte zhvillimin e lirë të idesë së tij. Por Kazals mendon se Bahu shfrytëzon format apo gjinitë e kohës jo në formën e një ndikimi të zakonshëm. Ato lidhen me barokun e tij, por dhe me përgjithësimin që u bën ai të gjitha formave artistike ekzistuese. Cilësitë e tij si kompozitor jo thjesht gjerman, por universal shkaktojnë kërkesën për të përvetësuar gjithshka që ai dëgjon përreth vehtes. – “Në qoftë se përmbajtja – vazhdon të argumentojë Kazalsi – dallohet për kualitet të lartë, çështjet e formës dhe të zhanrit për mua janë plotësisht të dorës së dytë”. Krahasimet e tij janë argumente akoma më të forta: “ç’mund të themi atëherë për ariet dhe recitativet e Moxartit, po për fundin e sinfonisë së 9-të ? Ky është një përmendore e recitativit italian” – përfundon i entuziazmuar Kazalsi.

[vijon]

Nuk ka komente

  1. Urime per shkrimin ne vazhdim. Deshmon perkushtim, njohje dhe nderim per Kazals dhe muzikes qe ai kishte pasion dhe me dashuri interpretoi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin