POETI ZERO

Te The Missing Pieces, Henri Lefebvre përmend poetin surrealist me influencë Jacques Vaché, duke vërejtur se, në fakt, ky nuk pat shkruar asgjë (“never wrote a thing”).*

Një poet që e ka lënë fletën të bardhë të bën të mendosh; dhe sidomos t’i kthehesh pyetjes se çfarë e bën dikë poet – vepra apo qenia, apo qenia si vepër? Ka diçka post-moderne, avant-gardiste, te ky poet që nuk ka shkruar asnjë varg, njëlloj si artisti vizual që nuk vizaton dot, ose kompozitori “digjital”, që nuk di t’i bjerë asnjë vegle (përfshi këtu edhe veglën muzikore).

Poeti, të thonë, e sheh botën në mënyrë unike, ose duke gjetur lidhje dhe metafora atje ku vdekëtari veç arrin të numërojë. Nëse është kështu, atëherë të qenët poet është vetëm modalitet i qenies, jo i individit; dhe të gjithë jemi poetë, në mos gjatë ditës, së paku në ëndrra.

jvPor Jacques Vaché-ja jetoi në një kohë poetësh të penës, që shkruanin vargje mirëfilli, disa madje edhe duke fjetur (écriture automatique); pa çka se të jesh poet doemos do të thotë të synosh diçka përtej mjeshtërisë për t’i ndarë arbitrarisht rreshtat e tekstit në faqe.

Dhe këta autorë, disa prej të cilëve i këndojmë me ëndje edhe sot, e mbanin Vaché-në për poet të madh. Madje André Breton pat thënë se, sa i përket letërsisë, këtij i detyrohej më shumë se kujtdo tjetër.

Por një poet që nuk ka vargje të vetat, do të ishte njëlloj si heroi që nuk ka luftuar asnjë betejë dhe mjeku që nuk ka prekur kurrë një ballë të nxehtë, ose futbollisti që nuk ka goditur kurrë një top, ose kopshtari që nuk ka prashitur.

Bekim apo mallkim?

Edhe ashtu edhe kështu, të paktën për të gjithë ata të tjerët, që kanë shkruar vargje pas vargjesh, duke e kujtuar veten poetë.

Gjithsesi, Lefebvre flet për këtë “poet” në një libër kushtuar veprave të artit dhe ndonjëherë edhe vetë artistëve që kanë humbur –për shkak të harresës, shkatërrimit, persekutimit, dëshpërimit, zjarrit, pakujdesisë, vanitetit, euforisë, hakmarrjes, dyshimit, censurës, zellit fetar, obsesionit me përsosmërinë.

Prandaj pasazhin në fjalë do të më pëlqente ta lexoja sikur Vaché-së t’i kenë humbur përfundimisht të gjitha veprat: sonetet, poemat, romanet në vargje, këngët, baladat, himnet. Dhe ashtu nuk do të ishte as i pari, as i fundit autor që ka mbetur në histori, edhe pse nuk ia njohim veprën.

Shënim: sikurse mund ta shihni vetë në linkun që kam sjellë, Vaché-ja ka lënë një korpus prej 15 letrash (Lettres de guerre ku është përfshirë pastaj edhe një ese e pabotuar në të gjallë të autorit, Blanche acétylène, të cilën ndonjëherë e sheh të cilësuar si “poemë”). Por këtë herë një poemë do të ishte më pak se asnjë, prandaj le ta lëmë këtë fakt në heshtje…

Nuk ka komente

  1. Ja një poezi për një tjetër poet pa vargje:

    Max era Max
    più tranquillo che mai,
    la sua lucidità…

    Smettila, Max,
    la tua facilità
    non semplifica, Max.

    Max
    non si spiega,
    fammi scendere, Max
    vedo un segreto
    avvicinarsi qui, Max.

  2. Eshtë fjala për Maksin në fakt, si frymëzues i kësaj poezie dhe si shembull i poetit si qenie, sigurisht me fat që kishte mik Paolo Conten që të na e përcillte në vargje, pa folur për muzikën. Të tillë si Maksi ka plot dhe këta tipa unë do t’i përkufizoja si njerëz që bartin një lloj frymëzimi konstant e që ngjajnë të tërhequr nga një dritë që reflektohet në qenien e tyre. S’mund të them se edhe Vache është prej këtyre, sepse nuk e njoh. SIdoqoftë edhe ai, edhe tradita poetike mbi të cilën ka ndikuar më ngjajnë të një rrafshi tjetër nga ajo e Contes e frymëzuar prej Maksit, në shpirt dhe në formë. Këtë desha të vija në dukje gjithashtu, duke marrë shkas nga Maksi; që poezia zhvillohet në shumë rrafshe të ekzistencës njerëzore dhe më tepër se një traditë është gjuhë, komunikim në një kuptim universal, madje moral. Mendoj se në këtë kuadër duhen parë edhe traditat e caktuara, në mënyrë që edhe vaniteti të mos fitojë imunitet.

    1. Më fal, të keqkuptova. Sa për Max të Conte-s, një këngë që më magjeps për nga muzika, më duhet të pranoj se fjalët nuk ia kam kuptuar kurrë. Tani që shfletova pak në ueb, shoh se askush nuk i ka dhënë ndonjë shpjegim – ndoshta është sekret i Conte-s vetë. Me mendjen time, unë e kam parë Max-in si sjellës (si pivot) të një vije ngjarjesh ose fati që nuk u bë dot realitet (meqë Conte “zbriti”). Lexova edhe që mund t’i referohet një udhëtimi me makinë, ku Max po e ngiste makinën sikur të donte të ikte nga kjo botë. Kushedi?

  3. Mbaj mend te kem lexuar dikur, se ne kohen kur doli Max, kenga beri aq buje ne Hollande sa ky emer mori nje bum te papare.

    Sa per tekstin, personalisht gjithmone e kam pare Max-in si nje simbolike, alterego te Contes vete ndoshta. Njeriu i thjeshte dhe siperfaqesor (duke nisur prej emrit : Max…ku ka me thjeshte), perballe artistit te shqetesuar, qe mendon, analizon dhe filozofon deri ne paranoje, duke pare edhe rreziqe apo komplote qe perndryshe Max nuk ka pse ti shohe. Te gjitheve na ndodh shpesh, te habitemi me thjeshtesine duke e kapur veten gafil ne nje qerthull te komplikuar aty ku nuk ka nevoje. Max-i i tille eshte, kushedi 🙂

  4. Për vete s’jam bërë ndonjëherë kurioz për Maksin konkret. Me rastin e kësaj bisede, diku hasa se paska qenë një mik i Contes i cili i qenkësh gjendur mbi krye kur ka ndërruar jetë. Megjithatë kjo pak ose aspak i shtoi përjetimit tim. Maksin gjithnjë e kam përfytyruar si një mik real të Contes që e frymëzonte këtë të fundit. Një tip ndoshta, le të themi, pak a shumë si Benigni në shumicën e filmave të tij. Sa për ngacmim, se realiteti është ku e ku më fantastik se çdo lloj fantazie njerëzore. Që t’i qëndrojmë boshtit të temës, doja të thoja pikërisht se Jacque Vache ndoshta përbën çudi në kontekstin e një tradite të caktuar (të shkruar etj.) poetike, por jo dhe aq në një rrafsh më të gjerë. Sepse jo vetëm që poezia është zhvilluar në shumë kontekste të ndryshme, për sa i përket lëvrimit, perceptimit, regjistrimit (në kujtesë apo me shkrim), përhapjes, funksionit dhe rëndësisë në shoqëri etj. (krahas formës, imazhit, metaforës etj.), por është e pranishme edhe përtej gjuhës e vetëdijes njerëzore, në ëndrra ndër të tjera, por jo vetëm. Në Kur’an Zoti cilësohet si “Xhemil”, i bukur, dhe “Latif”, i hollë, elegant, me humor. Prandaj dhe poezia është ngjyrë e universit dhe çdo njeri është poet, ose antipoet siç mund të jetë vetëm njeriu.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin