KA SHKOLLA TË MIRA TE NE?

nga Arjan Shahini

Sa herë kam dëgjuar prindër që mundohen të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat më të mira të Tiranës. Paguajnë me mijëra euro t’i dërgojnë në shkolla private, lëvizin gurë e mur t’i dërgojnë në shkollat me emër të Tiranës.

Por a ka shkolla të mira në Shqipëri? Si mund të verifikohen ato? A ekziston ndonjë metodë statistikore që i dallon ato nga të tjerat? Dikush mund të përdorë provimet standarde të maturës shtetërore apo provimet e lirimit, por dyshime janë hedhur mbi organizimin e tyre.

Atëherë nga dallon një shkollë e mirë nga ajo e keqe? Nga burimet (bibliotekat, kompjuterët, infrastruktura), nga përbërja e klasës/shkollës (me nxënës të dalluar, të shtresave të larta socio-ekonomike), nga mësuesit, drejtuesit?

Në Shqipëri PISA 2012 (Program for International Student Assessment) ka ndërmarrë një studim që hedh dritë mbi këtë çështje. (Ndërsa Agjencia Kombëtare e Provimeve që merret me organizimin e PISA nuk ka asnjë të dhënë përveç një reference në faqen e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik).

Të dhënat janë të kufizuara për Shqipërinë sa i përket aspekteve të sipërpërmendura. Nga 757 pyetje, në nivel shkolle dhe individi, 157 nuk kanë të dhëna për Shqipërinë. Numri i kampionit ishte 4743 (me pesha të normalizuar, përfaqësojnë 42,466 nxënës) dhe shkolla 204 (me peshe, përfaqësojnë 24,811 shkolla). Ndryshimet ndërmjet përllogaritjeve me peshë dhe atyre pa peshë janë minimale. Shumë indekse të ndërtuara nga PISA, si ai i statusit ekonomiko-social të nxënësve, indekse të kualifikimit të mësuesve etj., nuk janë përllogaritur për mungesë të dhënash.

Sidoqoftë, rezultati kryesor që nxjerr PISA 2012 është se, shkollat nuk dallojnë aspak nga njëra-tjetra në rezultatet e matematikës, letërsisë dhe shkencës.

Duke i grupuar nxënësit sipas shkollës, PISA mat efektin e shkollës mbi rezultatet e nxënësit. Varianca ndërmjet shkollave është e vogël. Për statisticienët: intraclass correlation (icc) në analizën me dy nivele (shkollë & individ) është respektivisht rreth 0.045 për matematikën, 0.054 për letërsinë dhe po aq për shkencën. Efekti i shkollës mbi rezultatet e nxënësit është shumë i vogël, më pak se 5%, kur në shtete të tjera shkon më shumë se 15%. Në këtë aspekt, rezultatet e nxënësve duhet të gjejnë shpjegim ndër faktorë individual.

P.sh. në njërën prej rezultateve të leximit, devijimi standard është rreth 114 dhe mesatarja është 394. Ky devijim është shumë i madh, kur llogarisim se rreth 35 pikë njehsohet me një vit shkollor. Si duhet shpjeguar që më shumë se 25% e nxënësve në klasën e tetë apo të nëntë duhet të ishin në klasën e katërt apo të tretë (katër vite shkollore larg mesatares së OECD-së)? Këtë ndryshim të madh nga mesatarja nuk e shpjegon shkolla. Ndërkohë që distanca prej dy vjetësh e mesatares sonë (394 pikë) nga mesatarja e OECD-së (500 pikë) shpjegohet pjesërisht me shpenzimet në arsim dhe fuqinë ekonomike (GDP), gati 20% e variancës, një pjesë e konsiderueshme.

Meqë zotëroja të dhënat për maturën shtetërore në vitin 2010, analizova efektin e shkollës në këto provime. Rezultati ishte i ngjashëm me të PISA 2012 për analizën me dy nivele (qarku mund të përbëjë një nivel të tretë). Efekti i shkollës ishte gati 10%. Mesatarja në atë vit ishte nota 5.9 (me një variancë 0.2 nga shkolla në shkollë, me 0.2 nota, por me variancë prej 2 notash nga individi në individ). Edhe provimi i maturës sonë dëshmon se shkolla i ka braktisur me kohë nxënësit.

Nga ky rezultat rrjedhin një sërë gjetjesh interesante të PISA 2012.

  1. Në Shqipëri, efekti i stratifikimit horizontal mbi rezultatet e matematikës është i ulët. Stratifikimi horizontal është ndarja e nxënësve në shkolla që ndryshojnë për nga niveli shkollor dhe social-ekonomik i nxënësve. Drejtuesit e shkollave kanë raportuar se rreth 60% e nxënësve caktohen në shkolla në bazë të rezultateve të tyre. Por efekti i këtij stratifikimi mbi rezultatet e matematikës është më pak se 5 pikë. Një arsye është se tek ne stratifikimi ndodh pas shkollës 8-vjeçare. Shkolla shqiptare në këtë aspekt, e interpretojë unë, nuk ka asnjë efekt në sheshimin e dallimeve sociale dhe ekonomike.
  2. Efekti i mungesës së autonomisë së shkollës është negativ mbi rezultatet e matematikës, por relativisht i vogël (në Greqi apo Serbi është më i madh). Në vendet e tjera ky efekt zhduket fare kur kontrollohen variablët për statusin ekonomiko-social. Në aspektin e qeverisjes së shkollës, synimet për të rritur autonominë e shkollës në çështjet e kurrikulës dhe të vlerësimit nuk duhen të gëzojnë prioritetin që i ka dhënë ligji.
  3. Efekti i tipit të shkollës, publike apo private, është i papërfillshëm dhe dallimi jo sinjifikant. Në matematikë dallimi është rreth 10 pikë në favor të shkollave private, ndërsa në lexim është 6 pikë. Por p.sh. në rrafshin individual, dallimi mashkull-femër është statistikisht sinjifikant dhe femrat shënjojnë 15 pikë më shumë.
  4. Gjithkush do të mendonte se mungesa e mësuesve do ti kushtonte disa pikë në rezultate nxënësit. Dallimi ndërmjet shkollave që janë shprehur se nuk kanë mungesa të mësuesve dhe atyre që kanë shumë mungesa në mësues, është 2 pikë.
  5. Ndryshimet ndërmjet fshatit dhe qytetit (PISA ka si kategori edhe qytetin e madh) ishin sinjifikante vetëm për efektin negativ të shkollimit në fshat (-18 pikë). Efekti pozitiv i shkollimit në qytet nuk ishte sinjifikant.
  6. Në nivelin individual, efekti i pasurisë dhe i zotërimit të disa komoditeteve, që tregon mbi gjendjen ekonomike të nxënësit, është gjithashtu i vogël dhe jo sinjifikant mbi rezultatet e matematikës (vetëm 4% raportojnë se kanë libra artistikë në shtëpi). Po ashtu edhe vitet e shkollimit të prindërve dhe niveli i arsimit, si tregues të kapitalit social, janë të papërfillshme ose jo sinjifikante.

Qeveria i ka dhënë tashmë një përkufizim problemit me cilësinë e arsimit. Ajo ka vendosur të ndikojë në shkollë duke ndërhyrë në kualifikimin e mësuesve. Kjo qasje u zgjodh edhe nga ish-ministri i arsimit Myqerem Tafaj në politikat e arsimit parauniversitar (reformimi i sistemit të kualifikimit, karrierës, shpërblimit dhe shkollimit universitar). Qeveria Rama ka shpallur se do të detyrojë mësuesit ti nënshtrohen provimit të licencimit. Sipas një fjalimi të kryeministrit në festimin e 20-vjetorit të Universitetit Ismail Qemali të Vlorës shkolla shqiptare ka dështuar në aspiratat e saj për të shkolluar brezin e ri. Nga opozita këto thirrje janë komentuar si një reprezalje për të hapur vende pune për militantët.

Nismat e qeverisë për të reformuar karrierën e mësuesve duhen përshëndetur. Sidoqoftë, këto provime të licencimit apo të kualifikimit kanë mbi 10 vjet që kanë ekzistuar. Miliona janë shpenzuar për të organizuar kurse trajnimi e kualifikimi, provime dhe shpërblime për karrierat e suksesshme sipas shkallës së kualifikimit. Gjithmonë në media janë publikuar probleme me provimet: mësuese të matematikës që ngelin në provimin e profilit, pedagogë që ngelin në provimin e pyetjeve të didaktikës etj. Në vitin 2011 Gazeta Shqiptare publikoi se mbi 70% e mësuesve kishin ngelur në provimin e kualifikimit. Jo pak herë organizimi i kurseve të kualifikimit është përfolur se është formal, i korruptuar dhe i organizuar nga entitete private fitimprurëse ose ekspertë në konflikt interesi.

Si shkolla e nxënësve, edhe kurset e kualifikimit të mësuesve, apo papunësia në rritje e të diplomuarve me arsim të lartë, rrëfejnë se institucionet arsimore kanë dështuar keqazi.

Shënim: Shkrimi i radhës mund të merret me efektet e karakteristikave të studentëve, nëse ka interes për analiza të mëtejshme.

Nuk ka komente

  1. Vura re se autori konstaton deficiencat e arsimit ne Shqiperi. Provimet e licensimit, nuk mund te zgjidhin probemin e cilesise. Jane pjese e rutines ne cdo vend. Cilesia e edukimit nuk varet vetem nga njohja dhe zoterimi i permbajtjes se lendes ku profilizohesh si mesues. Ka shume me teper se kaq.

    Nje pyetje e thjeshte, retorike: mesuesit ne kohen e masivizimit te arsimit ne Shqiperi, qe njihet edhe si koha e Enverit, a kane qene valle me te kualifikuar se te sotshmit?

    1. Autori, mendoj une, merret me shume me sistemin e kontrollit dhe monitorimit te sistemit. Kualifikimi i mesusve nuk ka qene me mire, por sistemi i kontrollit dhe i seleksionimit ka qene me efektiv, pervec se nuk i pyeste njeri mesuesit ku i punesonin.

      1. Arsimtar, me duket sikur po ben autogol. Sistemi i kontrollit dhe monitorimit vepronte mbi bazen e dy kritereve: kryesisht te mikut dhe biografise. Si monitorohej aso kohe? Mesuesit nuk zbatonin asnje lloj kriteri e strukture pedagogjike. Kush ishin inspektoret e arsimit? Shumica ishin zgjedhje politike, si edhe mesuesit. Nuk e di a ekzistonin edhe planet mesimore!

        Mesimi ishte kryesisht bazuar ne riprodhimin e tekstit, shumica permendesh, pa asnje lloj gjykimi kritik, apo pyetesori e metode sokratike. Mungonte debati dhe diskutimet. Mesimedhenia ishte shabllone e recitale, si nga ana e mesuesit ashtu edhe e nxenesit. Mos te kemi iluzione per shkollen shqiptare.

        Kurse sot mesuesve i kerkohet lloj-lloj kualifikimi, plane mesimore, kritere e standarde mesimdhenieje, e gjera te ngjashme pa fund, lloj-lloj varigash qe ia lidhin duart dhe kembet.

        Kriza e shkolles shqiptare nuk vjen nga mungesa e personelit te kualifikuar. Mollet e kalbura mund te jene nje minoritet(cfare ndryshon nga 2000-3000 molla te kalbura, megjithese shifra eshte nje ekzagjerim) dhe qe nuk japin efekte paralize per gjithe arsimin shqiptar.

        Liberalizimi pa kritere i shoqerise, kriza ne familje, rrenimi i autoritetit dhe figures se mesuesit, jane arsyet kryesore te krizes se arsimit jo vetem ne Shqiperi, por kudo.

        Vendet perendimore jane te gjitha ne krize te arsimit publik. Shqiperia nuk eshte ndryshe nga pjesa tjeter e botes.

        Me kujtohet nje kenge tashme e mocme e Pink Floyd: Another brick in the wall. Ne qender ishte pedantizmi, diktatura e mesuesit, mungesa e lirise dhe ndrydhja e shpirtit krijues te nxenesve, robotizmi ne arsimin anglez, ku nxenesit merrnin edhe ndeshkime trupore.

        Gati dyzet vjet me vone, jemi ne nje situate te kundert. Nxenesit, prinderit e pandergjegjshem, shkaterrimi i kultures familjare, tradites dhe respektit bejne ligjin edhe ne arsim. Mesuesi eshte i zhveshur nga cfaredo autoriteti qe i jep pozicioni dhe dija qe percon si pritshmeri e misionit dhe profesionit. Mesuesi sot ka frike(druhet) nga nxenesi, sepse i hiqet kafshata e gojes, kur perpiqet te perballet me mungesen e respektit per dijen dhe sjelljet, si shprehje rrugacerie e mungese ndergjegjesimi te nxenesve.

        1. Kam njohur dikur nje inspektor te arsimit nga Pogradeci. Profesionist ne kete fushe dhe pa lidhje politike. Tregonte se shkonin neper klasa per inspektim (i vogel i mbaj mend edhe une keta qe rrinin ne fund te klases nderkohe qe ne silleshim ne menyre shembullore), kontrollonin ditaret, planet e punes e gjithfare dokumentacioni qe e detyronte mesuesin te reflektonte mbi permbatjen, realizimin e planit dhe metoden e mesimdhenies. Pertej politizimit te ketij sistemi kontrolli, dhe ndoshta aspektet ideologjike kane pasur ndikim ne vleresimin e mesuesve, inspektori me rrefente se sistemi ishte efektiv. Nje ish-drejtor shkolle, mesues i matematikes dhe profesionist i vjeter, me tregonte p.sh. se dikush me lidhje politike dhe familjare nuk e zhvillonte mesimin sic duhej, por ai ishte ne fshatrat e Dajtit per privilegjin qe gezonte dhe paaftesine e tij profesionale.

          Edhe une ate pretendoj ne shkrim, qe faktoret ne nivelin e shkolles nuk jane teresisht pergjegjes per nivelin e sotem te shkollimit. Nuk eshte thjeshte niveli i mesuesit, burimet infrastrukturore apo qeverisja (autonomia, drejtimi etj.), por jane faktore sociale e ne rrafshin individual qe duhen hulumtuar me tej dhe adresuar nga politika. Por mesa duket ketyre u duhet reklama se po largojne mesuesit jashte profilit dhe shesin per te re cfare qeverite e meparshme kane vite qe zbatojne. Pastaj, qe jemi njesoj si edhe shtetet e tjera, kjo nuk e heq aspak pergjegjesine ndaj politikberesve.

  2. Edhe ish-ministri i arsimi Tafaj ka komentua ne lidhje me reformen ne mesuesi:

    Pas fushatës denigruese dhe tejet agresive të kësaj qeverie ndaj administratës publike, gjyqtarëve dhe prokurorëve, tatimorëve, punonjësve të doganave, punonjësve të sektorëve të tjerë, tani u erdhi radha edhe mësuesve.
    Rama edhe këtë reformë e deklaron si të vetmen që bëhet pas 25 vitesh! Kjo ka një kuptim shumë të madh. Rama dhe Qeveria e tij njohin si qeverisje dhe shtet të fundit atë të kohës së diktaturës së Hoxhës. Pas saj vjen qeverisja Rama! Rama i shumëzon me zero të gjitha qeveritë demokrate apo socialiste të dy dekadave të fundit si dhe gjithë përparimin që ka sjellë periudha e demokracisë pas përmbysjes së diktaturës komuniste!

  3. sapo lexova nje raport te World Bank mbi PISA 2012, per te cilen nder te tjere ka marre pjese edhe nje shqiptare, Flora Kelmendi. Ne raport studiuesit hedhin dyshime mbi besueshmerine e PISA 2012 per Shqiperine dhe prandaj intraclass correlation eshte shume i ulet (gati 28% shkon ne PISA 2000). Raportin e gjeni ne http://www.worldbank.org/content/dam/Worldbank/document/eca/Albania/al-pisa-report-al.pdf me me shume detaje sesa kjo e mesiperme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin