REFUZIM DHE LETËR

Katalani Jordi Savall, një nga muzikantët më të njohur sot në Europë, sapo lajmëroi – me anë të një letre drejtuar ministrit spanjoll të Arsimit, Kulturës dhe Sporteve José Ignacio Wert – se e refuzon Çmimin Kombëtar të Muzikës 2014, që i ishte akorduar.

Po e sjell këtu më poshtë letrën e tij të përkthyer, pse më duket me rëndësi edhe për ne; me shpresë edhe se do të më falet ndonjë gabim përkthimi.

I nderuar z. Wert,

Të nderuar zotërinj të Jurisë së Çmimit Kombëtar të Muzikës 2014,

Kur mora lajmin se më ish dhënë ky çmim i rëndësishëm, përjetova dy ndjenja thellësisht të përkundërta dhe krejt të papajtueshme: së pari, gëzim të madh për një mirënjohje të vonuar ndaj më shumë se 40 vjetësh përkushtimi të apasionuar dhe ekzigjent, prej meje, për popullarizimin e muzikës si forcë dhe gjuhë e qytetërimit dhe e bashkëjetesës; por pastaj, edhe një trishtim të madh ngaqë e kuptova se nuk mund ta pranoja çmimin, pa tradhtuar parimet e mia dhe bindjet e mia më intime.

SavallMe keqardhje më duhet t’ju njoftoj, pra, se nuk mund ta pranoj këtë nderim, meqë më jepet nga dora e institucionit kryesor të shtetit spanjoll, që është i përgjegjshëm, për mendimin tim, për indiferencën dramatike dhe inkompetencën e thellë për të mbrojtur dhe promovuar artin dhe krijuesit e tij. Një nderim që më vjen nga një Ministri e Arsimit, Kulturës dhe Sporteve, që ka përgjegjësi edhe ngaqë po e lë në harresë një pjesë thelbësore të kulturës sonë, trashëgiminë muzikore spanjolle njëmijëvjeçare, si dhe ngaqë po përçmon shumicën dërrmuese të muzikantëve të cilët, me sakrifica të mëdha, kalojnë krejt jetën e tyre në përpjekje për ta mbajtur gjallë.

Pa dyshim, në disa pak raste kam mundur të përfitoj, përgjatë më se 40 vjetëve veprimtari, nga ndonjë bashkëpunim institucional: kremtimi i 500-vjetorit të zbulimit të Amerikës; ndihmat e vogla për turne ndërkombëtarë dhe, tani së fundi, ftesat e Qendrës Kombëtare të Difuzionit Muzikor për të paraqitur projektet tona në Madrid. Megjithatë, njëlloj si shumica dërrmuese e muzikantëve dhe ansambleve muzikore në vendin tonë, kam vazhduar të bëj përpara vetëm me përpjekjet e mia personale, pa pasur kurrë mundësi të mbështetem në ndonjë ndihmë institucionale të qëndrueshme për prodhimin dhe realizimin e të gjitha projekteve të mia muzikore. Për një kohë tepër të gjatë, instancat e Ministrisë së Arsimit, Kulturës dhe Sporteve, që ju drejtoni, vazhdojnë pa u dhënë shtysën e nevojshme disiplinave të ndryshme të jetës kulturore të shtetit spanjoll, të cilat aktualisht luftojnë për të mbijetuar pa ndihmë nga institucionet e pa ndonjë ligj të mecenatit që do t’i ndihmonte, pa kurrfarë dyshimi, që të financohen dhe të fuqizohen.

Jetojmë në një krizë të rëndë politike, ekonomike dhe kulturore, si pasojë e së cilës 25% e spanjollëve gjenden në vështirësi të mëdha dhe më shumë se gjysma e të rinjve tanë nuk kanë, as do të kenë mundësi që të gjejnë një punë të tillë që t’u sigurojnë një jetë minimalisht dinjitoze. Kultura, arti dhe sidomos muzika janë baza e edukimit që na lejon të realizohemi si persona dhe, në të njëjtën kohë, të jemi të pranishëm si entitet kulturor në një botë gjithnjë e më të globalizuar. Mbetem thellësisht i bindur se arti është i dobishëm për shoqërinë, meqë kontribuon për edukimin e të rinjve dhe për të lartësuar dhe fuqizuar përmasën humane dhe spirituale të qenies njerëzore. Sa spanjollë kanë mundur të dëgjojnë ndonjëherë live, në jetën e tyre, muzikën sublime të Cristóbal de Morales, Francisco Guerrero ose Tomás Luis de Victoria? Ndoshta disa pak mijëra të privilegjuar që kanë ndjekur ndonjë koncert në festivalet fare të rralla që programojnë këtë lloj muzike. Por shumica dërrmuese kurrë nuk do të mund të përfitojë nga energjia shpirtërore e mrekullueshme që përcjell bukuria hyjnore e kësaj muzike. A mund të përfytyrojmë një Muze të Prados ku publiku të mos kish akses në asgjë prej trashëgimisë? E pra, kjo po ndodh me muzikën, meqë muzika e gjallë ekziston vetëm kur e këndon një këngëtar ose kur e luan një muzikant; madje muzikantët janë muzetë e vërtetë të gjallë të artit muzikor… Prandaj është e domosdoshme që t’u japim muzikantëve një mbështetje institucionale minimale, meqë pa këta artistë trashëgimia muzikore do të vazhdojë të flerë gjumin e trishtë të harresës dhe të padijes.

Padija dhe amnezia janë fundi i çdo qytetërimi, meqë pa edukim nuk ka art dhe pa kujtesë nuk ka drejtësi. Nuk mund të lejojmë që padija dhe mungesa e vetëdijes për vlerën e kulturës, nga ana e drejtuesve të instancave më të larta të qeverisë spanjolle, të dëmtojnë pa u ndëshkuar punën e palodhur të kaq e kaq muzikantëve, aktorëve, balerinëve, kineastëve, shkrimtarëve dhe artistëve vizualë që mbajnë në dorë standardin e njëmendtë të kulturës dhe që pa dyshim nuk e meritojnë trajtimin që po u bëhet, meqë janë protagonistët e vërtetë të identitetit kulturor të këtij vendi.

Për të gjitha këto, dhe me trishtim të thellë, ju përsërit refuzimin tim të Çmimit Kombëtar të Muzikës 2014, me shpresë se kjo sakrificë do të kuptohet si një akt proteste në mbrojtje të dinjitetit të artistëve  dhe kushedi do të mund të shërbejë si spunto reflektimi për të përfytyruar dhe ndërtuar një të ardhme më shpresëdhënëse për të rinjtë tanë.

Besoj, siç thoshte Dostojevski, se e bukura do ta shpëtojë botën, por që të ndodhë kjo duhet të mund të jetojmë me dinjitet dhe të kemi akses në Edukim dhe Kulturë.

Përzemërsisht juaji,

Jordi Savall

Shënim: pothuajse e kisha përfunduar përkthimin e kësaj letre, kur më zuri syri një intervistë të violinistes Blerina Blerta Jakova Ristani, e cila mes të tjerash vërente se Të jesh artist në Shqipëri, mision gati i pamundur.

Nuk ka komente

  1. Eshte dyfish e dhimbshme situata kur merr parasysh se jo vetem te qenit artist eshte e pamundur meqe nuk ka mbeshtetje te forte financiare e institucionale por mungon dhe shtrati i kritikes me te cilen artisti dhe skena ushqehet e formohet e permiresohet. Nuk kemi artiste te nivelit te Savall-it qe te prononcohen publikisht per politikat e ministrise dhe institucioneve qe i zbatojne ato.

    Dhe ne rastet ku kritika eshte ofruar ajo eshte sulmuar ose censuruar. Keto dite u shqaq nje shkrim i Besmir Voskopoles (fillimisht tek gazeta Shqip e me pas tek ResPulica) ku kritikonte Teatrin e Operas dhe Baletit per shfaqjen “Tosca” të Giacomo Puccini-t. Shkrimi tek Shqipi u hoq brenda dites dhe me pas dhe nga ResPublica. Sot gjendet i arkivuar tek blogu Diary of Tirana.

    Fatkeqsisht, ka shume mundesi qe kjo leter e Savallit te lexohet e vihet ne sherbim te disa politikave kulturore qe kulturen e shohin thjesht si nje produkt dhe skene per te argetuar turistet ose nje veprimtari per te perforcuar identitetin kombetarist. Kjo qasje orientohet kryesisht nga e kaluara per te velur sa me shume si menyre per te menjanuar investimin ne prodhimtari origjinale. Keshtu, shkrimi qe paraprinte kete te sotmin eshte nje paralajmerim se si nuk duhet ti qasemi kultures.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin