KUSH NUK E MORI

Edhe këtë vit, Akademia Suedeze nuk zhgënjeu me çmimin Nobel për letërsi – duke ia dhënë një francezi, Patrick Modiano, të cilin pakkush e kish pritur të fitonte.

Meqë nuk është e hijshme t’i akuzosh anëtarët e Akademisë ose Institucionin vetë për manipulim bastesh, zgjedhje të tilla gjithnjë e bëjnë publikun të mendojë se letërsia është e madhe, ndërsa lexuesi i vogël – ose, siç e thoshte latini, ars longa vita brevis.

Gjatë viteve të fundit (ose më saktë, në të gjallë tim), këtë çmim e kanë fituar, mes të tjerësh, Mo Yan, Tomas Tranströmer, Herta Müller, Harold Pinter, Elfriede Jelinek, Gao Xingjian, Dario Fo, Kenzaburo Oe, Wole Soyinka, Jaroslav Seifert, Vicente Aleixandre, Eyvind Johnson dhe Yasunari Kawabata – asnjë prej të cilëve nuk ka lënë ndonjë mbresë çfarëdo në jetën time; edhe pse jam i sigurt se jam unë që kam dalë i humbur nga ky dështim në komunikim.

Gjithsesi, e thamë tashmë se ars longa vita brevis: dhe përherë më ka dalë diçka tjetër për të bërë urgjentisht, kur e kisha lënë të lexoja atë Elfriede-n, që e paçim.

Edhe më absurd se vetë Nobeli letrar, është procesi i nominimit për Nobel, që i mban me punë çdo vit, për disa javë në shtator, faqet kulturore të gazetave. Si rregull, autorët që nominohen nuk fitojnë asnjëherë, edhe pse – gjithnjë si rregull – do ta meritonin më shumë e më mirë se fituesit.

Sot Emma Brockes, në The Guardian shkruante, me ironi, se synimi kryesor i procesit të Nobelit letrar, gjithë këto kohë, ka qenë – në fakt – të poshtërojë amerikanin Philip Roth; gjithnjë i nominuar, i lavdëruar, i lakuar; por pastaj sërish i lënë me gisht në gojë.

Rrëfen Brockes se Roth rregullisht paska shkuar, vit pas viti, në zyrën e agjentit të vet në New York, në vigjilje të shpalljes, që ta presë atje telefonatën prej ëndrre; në një sallë posaçërisht të përgatitur për ceremoninë private dhe konferencën e shtypit pasuese.

Kjo pas gjase do të jetë shaka e miqve, ose edhe armiqve, të Roth-it; por që mund t’i ketë ngjarë, pse jo, edhe ndonjë emri tjetër të super-përmendur këto kohë: japonezit Murakami.

Këta të mirosur të përhershëm marrin ekspozim në mediat disafish më të madh se fituesit vetë; aq sa shumë prej nesh po i mendojmë turbull edhe ata si fitues: të votës popullore, të karmës, të publikut shijehollë.

Dhe ata vetë, të ngecur në limbin e gjysmë-fitores, vijnë e zhvillojnë ndonjëherë një stil të naltë e precioz, por gjithsesi kreshtë-thyer nga rrethanat; prej gjenish që u është bërë padrejtësia fatale, kushedi nga zilia e vdekëtarëve; dhe që, sërish kushedi, po i adhurojnë pa kushte, qysh tani, në panteon.

Mosfitimtarë, mbeten të dënuar të zukatin, gjinkalla të ngecura brenda statujës së zgavërt të famës prej Nobeli, që ua ngritën me zor.

Ndërkohë, laureatët vetë, të ngecur edhe ata por në një të djeshme tjetër dhe brenda statujash të tjera, riformatojnë llogaritë bankare dhe marrëveshjet me shtëpitë botuese, për t’u rikthyer sakaq në hije: cili prej nesh vallë e ka gdhirë, këto muaj, duke (ri)lexuar Hertha Müller-in ose Mo Yan-in?

Cili prej nesh mund të thotë, pa flakëruar në ekran faqen përkatëse të Wiki-t, se ç’ka botuar së fundi Tomas Tranströmer-i?

Vetë ideja se një komision jastëqesh, në Stockholm, mund të vendosë se cilit shkrimtar do t’i gdhendet emri në histori, ka diçka pashlyeshëm arrogante; kutërbon vjetërsi dhe autoritarizëm, në një epokë kur çdo lexues i heshtur e përjeton përmasën letrare si përmasë të lirisë.

Kjo edhe ngaqë, gjithsekush prej nesh, e ka një autor, ose më mirë një grusht autorësh që ia kanë ndryshuar jetën; dhe që, kushedi, do të kish dashur t’i shihte si nobelistë – edhe pse, në momentet më të sinqerta, ia di për nder Akademisë që ua ka kursyer këtyre çmimin.

Në kontekste të tilla, të gjithë përmendin Borges-in, i cili mbeti edhe ai pa çmim; unë po kuturisem dhe po përmend (“nominoj”) Umberto Eco-n.

I cili, ndryshe nga të tjerë të mëdhenj, as edhe përmendet më (nëse është përmendur kurrë), në listat e bastexhinjve: sepse nuk konkurron dot me Ngugi Wa Thiong’o-n (respekt!), as me dramaturgun norvegjez Jon Fosse (sërish respekt!).

Më parë, isha mësuar që ta përfytyroja nobelizimin si një ceremoni të ngadalshme të balsamosjes – ose të shndërrimit të shkrimtarit nga një prani e gjallë, në thjesht prani; ose kategori librash në bibliotekë – timen ose të snobit përkatës.

Kanë qenë kohë të tjera, kur nominimet ende nuk e kishin forcën që kanë sot; dhe kur bastet viheshin zakonisht për kuaj.

Përkundrazi, sot më duhet të gjej një metaforë të re, të ndryshme nga taksidermia e Nobelit vetë; një metaforë e cila certifikatën e amshimit planetar ta kombinojë me faktin, sado paradoksal, që shkrimtari me medaljen në qafë i lëviz buzët akoma dhe mund t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta, qoftë edhe duke shqiptuar klishetë e rastit.

Këtu më vjen në mend zombie – një figurë drejt së cilës sot synon jo vetëm letërsia, por edhe mjekësia, politika dhe, pse jo, edhe Interneti vetë.

Ai zombie që lëkundet përjetësisht, me forcat e veta, lavjerrës i varur pas fjongos së mëndafshtë të medaljes.

Përndryshe, çmimi që iu dha sivjet këtij Modiano-s të paktën na jep shpresë të ripërtëritur të gjithëve ne që shkruajmë; madje edhe ndonjërit që ende nuk e ka filluar blogun.

Nuk ka komente

  1. Zoti Vehbiu, kur thoni se pak kush e priste te fitonte Modiano, e keni pak gabim. Ndoshta pakkush e priste ne boten shqiptare, sepse ne te gjithe shkrimet ne gazetat franceze ose frankofone ishte emri i tij. Modiano eshte nje shkrimtar qe e ka ndertuar vepren e tij ne menyre shume te njetrajtshme dhe modeste, libri “La place de l’Etoile ” eshte botuar ne vitin 1968 kur ishte 23 vjec, dhe e beri menjehere shume te njohur. Ndoshta ju me te dretje thoni qe befasoi, sepse ai ka qendruar gjithmone larg mediatizimit, NJe shkrimtar eshte shkrimtar para dhe pas Nobelit, Une kam lexuar kater libra nga Modiano, tre prej tyre nuk bejne pjese ne librat e tij me te mire “Les dimanches d’Aout”, “De si braves garçons” dhe “Horizon”, vetem “Au cafe de la jeunesse perdue”, citohet ne dhjete librat e tij me te mire. POr kjo nuk me ka penguar te kap atmosferen dhe te njoh pa e lexuar emrin e shkrimtarit ne kopertine, nje tekst made in Modiano. Dhe juria Nobel besoj se e lexon kete lloj alfabeti mors…

  2. Duhet megjithatë t’i bëjmë urimet më të mira autorit vetë, botuesve që e kanë botuar (atyre që e kanë bërë deri më tash, jo kush do të vijë pas sotit) dhe, sidomos lexuesve të tij.

  3. Dhenia e Nobelit pervit e ka kthyer ate ne nje cmim gati qesharak. Eshte si organizimi i Liges se Kampioneve po me nje tuist absurdi. Sepse, nese ne Ligen e Kampioneve, kupen e merr ekipi me i mire i atij viti, ne Ligen e pervitshme te Nobelit kupen e merr nje shkrimtar per nje veper qe mund ta kete shkruar 30 vjet me pare. Keshtu qe e vetmja gje qe e “shpeton” Nobelin e letersise eshte dhenia e tij per librat qe jane botuar ne ate vit ose kthimi i tij ne nje cmim karriere qe nuk ka nevoje te jete iu pervitshem. Keshtu sic eshte nuk eshte as mish as peshk.

    P.S. Nje mendim personal per listen qe permendni. Transtromer dhe Kavabata jane shkrimtare vertet te jashtezakonshem. I perkasin nje stili me subtil qe e gjen gjithmone e me rralle dhe qe bie ndesh me zhurrmen e tam-tameve te medias.

    1. Kam lexuar Une Jeunesse te Modianos, ne rinine time. Sot zere sikur mos ta kisha lexuar. Me ka mbetur veç nje tip merzie e s’kam patur shtyse te lexoj me prej tij. Kontakt i pamjaftueshem, kohe e gjate, qarte, po ja qe Prousti, Stendali, qe lexova po atehere, ata ende me ngrohin.

  4. Kur e mori Herta Müller, pyeta veten pse jo Patrick Süskind për “Das Parfum”? E motivuan me një shprehje që mund të përshkruante prozën e një legjioni autorësh modernë e postmodernë: për përqëndrimin poetik dhe prosën e dlirë në përshkrimet e tabllove të të “dispossessed” (s’po gjej në çast përkthim adekuat për këtë). M’u duk më shumë vlerësim politik, sidomos, sepse personalisht, kam aversion për tematikën e Müller-it. Tjetër gjë Süskind, që ka rizgjuar fabulën në gërmadhat e Modernizmit. Po ndoshta aty e ka shansin edhe Süskind. Do thoni, po vetëm një roman dhe ca novela shkruajti. Vërtetë, edhe Emily Brontë një shkruajti, “Wuthering Heights”, por është nga më të antologjizuarit të romaneve britanike.

  5. Vehbiu i diket vetja kritik letrar boteror. LA nam i shkreti. Harron qe eshte emigrant ne Amerike. Nobeli me te vertete ka ca here dhe favorizimie por si Cmimet qe merr vehbiu nga shoqeria ne Tirane nuk eshte

  6. Ndoshta nuk jam unë i informuar, por nuk kam parë ndonjë shkrim analitik të stilit: “Ja përse Ismail Kadare duhet ta marrë çmimin Nobel”, një shkrim i cili, në përqasje me kriteret dhe praktikat e masonerisë së Stockholmit, të sintetizonte atë çfarë është esenciale,e përveçme, risi në rrafshin e letërsisë kombëtare dhe impaktin e shkrimtarisë së tij në letërsinë bashkëkohore dhe më gjërë.
    Po shikoja motivacionet e formuluara nga komisioni për shkrimtarët e nominuar çdo vit.Me stil lakonik, me dy fjali, motivacionet e publikuara i referohen herë stilit të krijimtarisë dhe hera herës , tematikës se veçantë të autorit të nominuar si dhe optikës së trajtimit të raporteve me historinë, traditën dhe pushtetin.
    Ja disa vlerësime, si ilustrim:
    Mo Yan

    “who with hallucinatory realism merges folk tales, history and the contemporary”

    Mario Vargas Llosa

    “for his cartography of structures of power and his trenchant images of the individual’s resistance, revolt, and defeat”

    Herta Müller

    “who, with the concentration of poetry and the frankness of prose, depicts the landscape of the dispossessed”

    Jean-Marie Gustave Le Clézio

    “author of new departures, poetic adventure and sensual ecstasy, explorer of a humanity beyond and below the reigning civilization”

    Orhan Pamuk

    “who in the quest for the melancholic soul of his native city has discovered new symbols for the clash and interlacing of cultures”

    Elfriede Jelinek

    “for her musical flow of voices and counter-voices in novels and plays that with extraordinary linguistic zeal reveal the absurdity of society’s clichés and their subjugating power”

    Imre Kertész

    “for writing that upholds the fragile experience of the individual against the barbaric arbitrariness of history”

    Gao Xingjian

    “for an æuvre of universal validity, bitter insights and linguistic ingenuity, which has opened new paths for the Chinese novel and drama”

    Czeslaw Milosz

    “who with uncompromising clear-sightedness voices man’s exposed condition in a world of severe conflicts”

    Për ta mbyllur me dy ballkanas:

    Odysseus Elytis

    “for his poetry, which, against the background of Greek tradition, depicts with sensuous strength and intellectual clear-sightedness modern man’s struggle for freedom and creativeness”

    Ivo Andric

    “for the epic force with which he has traced themes and depicted human destinies drawn from the history of his country”
    ———————-
    Në rastin e I.Kadare, cili do të ishte motivacioni i mundshëm, cili do të ishte përcaktimi më sintetizues i profilit të tij si shkrimtar.? Pra cili është tipari thelbësor, ku qëndron risia, veçanësia e shkrimtarisë së tij, pa neglizhuar dhe faktororët jashtëletrarë, kontekstin social-politik ku u ngjiz korpusi dhe përvijua krijimtaria e tij?

    1. Nëse pyetja më lart është ironike, po bëj sikur s’kuptoj dhe po jap njëfarë formulimi si këto perlat e mësipërme:

      “To Ismail Kadare, whose limpid prose, economy of style and resplendent intertextuality infuse the tragic muse with the folkloric rawness of his native soil, thus elevating generic transgression to a sign of ultimate freedom. “

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin