MBI GJYSMË MILIONI

Në gusht të këtij viti Instituti italian i Statistikës bëri publike të dhënat e fundit për praninë e qytetarëve të huaj ekstrakomunitarë në Itali. Disa prej tyre janë vërtet interesante, por më shumë përfundimet që nxjerrim.

Në fillim të janarit të 2014-s në Itali jetonin me dokumente 3.874.726 qytetarë me prejardhje nga vende jo komunitare. Nuk duhet të harrojmë se numri i emigrantëve është shumë më i madh, po të kemi parasysh se në numrin e mësipërm përfshihen p.sh. shqiptarët, por jo rumunët që janë më shumë se një milion vetë në Itali. Mirëpo, këta të fundit, edhe pse trajtohen në fusha të tjera si imigrantë, nga pikëpamja juridike janë komunitarë, si rrjedhim gëzojnë të drejtat që u jep anëtarësimi në BE.

Për një vit numri i imigrantëve në Itali ka pësuar një rritje prej 3%. Nuk është pak, madje numri është pak befasues për ata që dëgjojnë çdo ditë buletinin e papunësisë që rritet pa mëshirë. Shqiptarët me lejeqëndrim janë 502.546. Edhe pse rritja nuk është e jashtëzakonshme, duhet shënuar me interes. Që nga fillimi i tij, emigracioni shgrafiku-i-shqiptareve-ne-itali-1990-2013-rando-devoleqiptar nuk ka pësuar asnjëherë ulje. Megjithatë, vihet re se ngritja ka filluar të mos jetë me intensitetin e mëparshëm. Vitin e fundit, rritja e numrit të shqiptarëve nuk ka shënuar vlerat e konsiderueshme të viteve të kaluara, madje as një vit më parë nuk ka qenë në këto vlera.

E reja tjetër e të dhënave zyrtare është se dyluftimi imagjinar midis dy komuniteteve ekstrakomunitare si marokenët dhe shqiptarët, që për disa vite kanë qenë afër nga pikëpamja statistikore, tashmë ka si fitues të parët, të cilët janë shkëputur ndjeshëm nga vendi i dytë. Nuk mund të mos vihet re rritja e kinezëve në Itali, por edhe komunitete të tjera si ata të Bangladeshit e të Egjiptit, edhe pse duken andej nga fundi i grafikut, në realitet kanë pasur rritje të ndjeshme.

Sipas shtetesise 1.1.2014Për ta kuptuar më mirë rritjen e ekstrakomunitarëve duhet të analizojmë fluksin e hyrjeve në vend. Edhe këtu na vijnë në ndihmë statistikat e ofruara nga Istat, sipas të cilave nga viti 2012 në 2013 është regjistruar një ulje i flukseve të qytetarëve jo komunitarë. Në fakt lejeqëndrimet kanë qenë më të pakta, por jo aq sa një vit më parë. Përveç lejeqëndrimeve për arsye pune, të gjitha të tjerat kanë pësuar ulje (arsye familjare, studimi, humanitare, etj.). Mirëpo, edhe rritja e lejeqëndrimeve për punë duhet interpretuar si efekt i pajisjes me dokumente të imigrantëve të parregullt gjatë vitit të mëparshëm.

Nuk mund të mos mendosh për pasojat e krizës ekonomike kur shikon se hyrjet në Itali bëhen kryesisht për arsye familjare. Bëhet fjalë për bashkimet familjare që zhvillohen normalisht me rezidentët në vend. Vite më parë, pjesa më e madhe e ardhjeve në vend ishin për arsye pune, kurse tani raporti është përmbysur.

Si të dhënat e fundit, ashtu edhe ato të pranisë së përgjithshme, dëshmojnë se prania e ekstrakomunitarëve në Itali është gjithnjë e më e qëndrueshme. Kjo vlen veçanërisht për shqiptarët, të cilët janë rritur numerikisht në vite, por janë edhe stabilizuar me punë e familje. Mirëpo atë që statistikat nuk na tregojnë është pikërisht ai numër i shqiptarëve të cilët kanë lënë vendin për një arsye ose tjetër. Ka shqiptarë që janë kthyer në atdhe, por ka edhe nga ata që kanë emigruar drejt vendeve të tjera. Për ta kapur rëndësinë e fenomenit duhen kryqëzuar statistika të ndryshme, ose duhen pritur përditësimet e reja.

Ndërkohë, le të mjaftohemi me të dhënat e tanishme që përvijojnë një profil të konsoliduar të emigracionit, pa kursyer ndonjë detaj të ri, siç është numri i atyre që kanë marrë shtetësinë italiane (për vitin 2012 kanë qenë 9.493). Praktikisht, ka më shumë shqiptarë që marrin shtetësinë italiane se sa ata që vijnë çdo vit në vend. Megjithatë, edhe ata që marrin pasaportë të re nuk pushojnë së qeni shqiptarë, pavarësisht se zhduken nga radari statistikor.

Nuk ka komente

  1. Mesa kuptova, grafiku i pare tregon dinamiken ne vite te numurit te shqipetareve me leje qendrimi ne Itali, nderkohe ata/ato qe arrijne te behen shtetas italiane apo qe jane klandestine nuk jane perfshire. A keni ndonje hamendesim sesa mund te jene shqipetare te italianizuar dhe sa klandestine? Sipas INSTAT-it tone llogariten qe rreth 30 mije emigrante jane kthyer nga Italia ne periudhen 2009 – 2013.

    1. Po, në grafikun e parë janë imigrantët e rregullt, pra të pajisur me lejeqëndrim. Të parregulltit, ose klandestinët siç i quajnë disa, mbeten me përkufizim të vështirë për t’u matur statistikisht. Mund të bëhen vlerësime, por edhe këto kanë treguar se janë të pasakta. Mënyra më e mirë për t’iu afruar numrit të imigrantëve të parregullt është legalizimi i tyre. Them për t’iu afruar (ex post), sepse jo gjithnjë pajisjet me dokumente arrijnë t’i përfshijnë të gjithë imigrantët e pranishëm në territor. Kanë shpeshherë kritere të forta.
      Sa për shqiptarët “e italianizuar”, po shkruaj diçka dhe do ta botoj në një kohë të dytë. Megjithatë, më lejo të shpreh një dyshim për përdorimin e fjalës “italianizuar”. Do të flisja më mirë për sa shqiptarë kanë marrë shtetësinë italiane. Sepse të italianizuar mund të quhen ata që e kanë humbur identitetin kombëtar. Për ata që kanë marrë shtetësinë italiane ka disa statistika. Të fundit e jepja më sipër: për vitin 2012 kanë qenë 9.493 shqiptarë që kanë marrë pasaportë italiane. Nuk janë pak.
      Të lutem, a ma gjen referencën e llogaritjes së Instat-it shqiptar, sipas të cilit nga Italia janë kthyer 30 mijë shqiptarë? Kam disa rezerva edhe për këtë.

        1. Bëhet fjalë për studimin “Migracioni i kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri 2013”, prezantuar në Tiranë dje më datë 7 tetor. Informacionin e plotë mbi aktivitetin dhe studimin mund ta gjeni këtu.

      1. Pishak, nje pyetje:

        A dihet numri i sakte i shtetasve shqiptare qe aktualisht jane ne emigracion, pra nuk banojne ne Shqiperi? A ka Instati yne statistika te tilla? Si me llogarit mua Shqiperia? Une si shqiptar duhet te figuroj formalisht ne statistikat e te papuneve ne Shqiperi, sepse nuk rezultoj i punesuar atje. Kjo sepse formalisht rezultoj si banues ne Shqiperi, jam ne listat e zgjedhesve, jam banor i lagjes ku kam shtepine.

        1. Jo, nuk ekzistojnë numra të saktë. Duhet pranuar se është ca e vështirë të flitet për të dhëna të sakta kur flitet për dukuri si migracioni. Aq më tepër në kohët e sotme. Po e shpjegoj përse. Ka dy mënyra kryesore për ta regjistruar emigracionin shqiptar. Ose brenda vendit, ose jashtë vendit. Brenda vendit mund ta bësh nëpërmjet zyrave të gjendjes civile, por duhet të futet koncepti i rezidencës e njëkohësisht duhen themeluar zyra të gjendjes civile jashtë shtetit, p.sh. nëpër konsullatat shqiptare nëpër botë. Mekanikisht mund ta përfytyronim kështu mekanizmin: qytetari shqiptar që shkon jashtë shtetit regjistrohet te zyra civile përkatëse dhe automatikisht çregjistrohet nga zyra në Shqipëri. Mirëpo, kujtdo mund t’i shkojë ndër mend problemi i parë: po sikur emigranti të mos regjistrohet? Do të vazhdojë të figurojë në Shqipëri.

          Të dhënat e shqiptarëve në emigracion mund t’i nxjerrësh edhe nga statistikat zyrtare të vendeve pritëse. Mirëpo këtu do të na mbeteshin disa të panjohura. Së pari ata që nuk janë me dokumente, të parregullt e klandestinë. Siç e dimë, nuk rezultojnë në statistikat zyrtare. Së dyti, jo të gjitha vendet pritëse kanë organizma të sakta statistikore, ose i nxjerrin jo periodikisht. Edhe vetë kontrolli i rreptë i policisë kufitare shqiptare, që i regjistron shqiptarët në hyrje e në dalje mund të na thotë diçka, por jo gjithçka. Po sikur një emigrant shqiptar të kthehet në Shqipëri me pasaportë të huaj, si rezulton në data bazën e Ministrisë së brendshme? Si i huaj? Ai mund të ketë dyshtetësi.

          Ka edhe aspekte të tjera që, për pamundësi kohe, nuk po i përballoj. Megjithatë, dua të shtoj se dukuria e migracionit duhet të studiohet me një sërë mjetesh, duke filluar nga të dhënat e sakta institucionale, deri tek sondazhet ose studimet si ajo e Instat-it shqiptar, të cilin ende nuk e kam lexuar, por natyrisht ndihmon në kuptimin e dukurisë dhe të përmasave të saj.
          Por unë kam një kundërpyetje më të vështirë për ty. A thua institucionet shqiptare, politika, klasa drejtuese dhe opinioni publik, janë të interesuar ta kuptojnë emigracionin?

          1. Duke thene qysh ne fillim se une jam krejt profan ne fushe te statistikave, mendoj se qeveria dhe shteti shqiptar, perveç te dhenave te pergjithshme te shtetesise, duhet te regjistroje edhe rezidentet reale, banoret aktuale te Shqiperise, qofshin keta shtetas shqiptare apo te huaj, krahas shtetasve shqiptare qe nuk banojne aktualisht ne Shqiperi.

            E them kete sepse, me sa di une, te gjitha vendet i kane keto te dhena. Fjala vjen, Italia ka te dhena te sakta mbi shtetasit italiane qe aktualisht nuk banojne ne Itali, perfshire edhe emigrantet dhe femijet e emigranteve qe formalisht kane shtetesine italiane. Keta jane te regjistruar paralelisht ne zyrat e gjendjes civile dhe ne zyrat elektorale, qe merren vetem me levizjet ne listat elektorale. Nga ana tjeter shteti ka te regjistruar te gjithe ata qe zyrtarisht jane regjistruar si rezidente ne Itali, qofshin italiane apo te huaj, kjo kryesisht per arsye fiskale, sepse vetem rezidentet aktuale duhet te paguajne taksa mbi te ardhurat qe realizojne jo vetem ne Itali por edhe jashte saj. Fjala vjen, nese nje emigrant italian ne Amerike del ne pension dhe vendos te kthehet per te banuar ne Itali, duhet t’i paguaje taksa Italise mbi pensionin qe merr ne Amerike. Edhe emigrantet shqiptare ne Itali me ligj duhet te deklarojne dhe t’i paguajne taksa shtetit italian edhe per te ardhurat eventuale qe mund te realizojne ne Shqiperi. Ne fakt emigrantet shqiptare nuk i deklarojne Italise te ardhurat dhe pronat qe kane ne Shqiperi sepse nuk ka nje marreveshje mes dy shteteve per shkembim te dhenash.

            Vende te tjera, si fjala vjen Ukraina, kane rregulla te tjera. Emigrantet ukrainas, perveç taksave qe paguajne ne vendet ku punojne, kane detyrimin ligjor t’i paguajne taksa mbi te ardhurat edhe Ukraines. Ne momentin qe nje emigrant ukrainas shkon ne atdhe dhe u drejtohet zyrave te shtetit per çfaredo lloj nevoje, i kerkohet te vertetoje qe i ka paguar taksat shtetit per te ardhurat qe ka realizuar si emigrant.

            Shtetet zakonisht duhet te dine se ku i kane “dhente”. Kjo eshte me e pakta qe duhet te beje nje shtet.

            Shteti shqiptar qe ka ndoshta gjysmen e shtetasve ne emigracion, duhet te jete shume i interesuar te kete te dhena te sakta dhe te perditesuara ne kohe reale.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin