LE TA QUAJMË FALTORE

Do të keni dëgjuar, besoj, për banorët e fshatit Malbardhë (disa herë e quajnë edhe Mal i Bardhë), në Laç, të cilët edhe pse shumica të besimit mysliman, financuan restaurimin e një kishe katolike 600-vjeçare në trojet e fshatit.

Për këtë gjest, Ambasada e ShBA-së në Shqipëri i dha komunës së Malbardhës çmimin “Act NOW Champion” për muajin shtator, duke shpërblyer kështu bashkëpunimin ndërfetar.

Për çmimin mediat kanë raportuar motivime të ndryshme: Top Channel, në lajmet e veta në anglisht, flet për një “model religious co-existence”, ndërsa citon Henry Jardine, të Ambasadës së ShBA, të flasë për “inter-religious cooperation and […] voluntary initiative to build an all-inclusive belief”.

Natyrisht, këto tre motivacione nuk përkojnë. Bashkekzistenca model parakupton ekzistencën e feve të ndryshme, njëlloj sikurse bashkëpunimi ndër-fetar; në një kohë që shprehja all-inclusive belief të shpie gjetiu, sidomos me implikimet e saj.

Pyetja këtu është nëse harmonia ndërfetare, kaq shumë e përmendur dhe e lëvduar në Shqipëri, parakupton forcimin e feve të veçanta, apo afrimin e tyre deri në shkrirjen në një?

Është fjala, pra, për lavd të pluralizmit fetar, apo për sinkretizëm?

Një opinion i botuar në Tema nga Marenglen Rexhaj, i cili është pikërisht nga ky fshat, duket sikur anon nga versioni i dytë.

“Ne e ndërtuam kishën jo si vendi ku besojnë katolikët, por si vendi ku i gjithë fshati shkon e ndez një qiri dhe qan hallet me Zotin,” pohon atje Rexhaj.

Kjo do të thotë se vendimi i banorëve kryesisht myslimanë të Malbardhës, për të ndërtuar një kishë katolike, nuk ka qenë aq i shtyrë nga altruizmi, ose nga dëshira për t’i ofruar diçka palës tjetër, sa thjesht nga dëshira për të restauruar një objekt të cilin vetë myslimanët e shihnin dhe e trajtonin si vend kulti të tyrin.

Ky farë eklektizmi, ose pragmatizmi i shqiptarëve, veçanërisht i atyre myslimanë, është në fakt i mirënjohur.

Disa e kanë interpretuar këtë që ndodhi, dhe ashtu edhe e interpretojnë në komentet që shoqërojnë shkrimin e Rexhajt, si provë se feja “reale” e shqiptarëve është ajo e krishterë (feja e të parëve); sikurse provohet edhe nga fakti që myslimanët e Malbardhës ia njihnin shenjtërinë kishës, madje edhe rënojave të saj.

Nuk besoj se ky është i vetmi interpretim logjik, as i vetmi interpretim historik.

Për më tepër, ky raport i myslimanëve me institucionet e kultit të fesë së krishterë nuk mund të përkthehet, vetvetiu, në provë të harmonisë midis komuniteteve – nëse pranojmë që këta myslimanë i duan kishat, manastiret dhe reliket e krishtera jo sepse janë “të atyre të tjerëve”, por për vete.

Rexhaj e gjen zgjidhjen te përparësia e kombit ndaj fesë: jemi të gjithë shqiptarë. Edhe këtë herë, kam frikë se ky është vetëm një nga shpjegimet e mundshme, dhe kushedi edhe jo më i mbështeturi.

Gjithsesi, çfarë kanë ndodhur meriton vëmendje – nga sociologët dhe antropologët; dhe nuk mund të likuidohet, me haré propagandistike, si provë e harmonisë fetare mes shqiptarëve. Mund të jetë kështu, por me siguri është edhe shumë më tepër se kaq: meqë raportet tona me fenë – ose në daçi me fetë – nuk kanë qenë të ndërmjetësuara nga nevoja, ose imperativi, për bashkëjetesë.

Eklektizmi duket të ketë qenë një faktor; krahas pragmatizmit dhe, natyrisht, supersticionit. Unë do të anoja për këtë të fundit, duke parasysh motivimet praktike të riteve fetare historikisht ndër shqiptarët: për të shëruar të sëmurët, për të sjellë mbarësi, për të mbrojtur nga syri i keq ose nga tersi.

Në këtë mes, edhe imazhi i këtij besimi “gjithë-përfshirës” nuk duket dhe aq i çuditshëm – pse një komunitet i ballafaquar në rrjedhë të kohës me fe të ndryshme fare mirë mund të distilojë, prej këtyre feve, një esencë për ta bërë të vetën – duke ua lënë diferencat të ardhurve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin