RRUGA E BABUINIT

Via del Babuino-tabela e rrugesNëse ke hyrë nga Porta Flaminia e gjendesh në të mrekullueshmen Piazza del Popolo në Romë, ke tre mënyra për ta vijuar udhëtimin mahnitës në kohë. Nëpërmjet Via del Babuino, Via del Corso e Via di Ripetta, ose ndryshe Tredhëmbëshi (Tridente).

Për nga bukuria dhe vendi ku të shpien është e vështirë të përzgjedhësh mes tyre, anipse rrjedha e njerëzve ka preferencat e veta misterioze. Sa herë që gjendem në Sheshin e Popullit dhe më duhet të shkoj drejt qendrës, përshkoj njërën prej rrugëve të mësipërme, me kusht që në kthim të kaloj nga tjetra në krah. Nuk dua t’u mbetet hatri, as atyre e as shijeve të mia.

Via del Babuino-tabela e punimeveKëto ditë kalova pikërisht nga Rruga e Babuinit dhe pashë se kishte ndryshuar rrënjësisht. Kisha lexuar se në korrik do të fillonin punimet për ta shndërruar në rrugë për këmbësorë, por nuk e kisha parë me sytë e mi. Kishte marrë vërtet pamje tjetër.

Rruga ka histori tërheqëse, pavarësisht se është e famshme për faktin se lidh Sheshin e Popullit me Sheshin e Spanjës (Piazza di Spagna). Në shekullin XV rruga nuk e kishte emrin e sotëm, por ndahej në dy pjesë. Në vitin 1525 Papa Clemente VII bëri një sërë punimesh në këtë rrugë ndaj edhe mori emrin e tij (Via Clementina). Më pas rruga u quajt Via Paolina, për të njëjtën arsye, sepse Papa Paolo III urdhëroi sistemime të reja.

Roma-fontana_del_babuinoEmrin e sotëm rruga e ka nga statuja që gjendet andej nga mesi i saj. Bëhet fjalë për një krua ose çezmë publike e ndërtuar në vitin 1571, vaska e së cilës “zbukurohet” nga statuja e Silenit (hyjni e grekëve të lashtë). Thuhet se arti helenik e ka përshkruar gjithnjë kështu hyjninë e burimeve ujore: të shëmtuar, të shëndoshë, leshator e lakuriq. Banorët e Romës e pagëzuan menjëherë statujën me emri e majmunit babuin. Që këtej edhe emri i rrugës.

Sa për kuriozitet. Kam lexuar se në vitet e mëpasshme tek statuja liheshin mesazhe tallëse për Papët ose autoritetet e asaj kohe. Praktikisht kishte rolin e një mediumi satirik. Nejse, pa ditur këtë histori fjala në italisht babuinate nuk do të kishte kuptim të qartë.

Rruga e Babuinit më ka pëlqyer gjithnjë, aq më tepër që anash saj ngrihen disa stoli arkiteVia del Babuino-e shtruarktonike e kulturore të jashtëzakonshme. Këtu nuk mund të harrojmë kishën e Sant’Atanasio, e cila meriton vëmendje të posaçme, mundësisht një herë tjetër, për historinë, karakteristikat fetare (ritin bizantin) e për faktin se atje janë kremtuar ndër vite mesha në shqip. Pak metra më tutje gjendet kisha anglikane All Saint, e ndërtuar dyqind vjet më vonë, por tejet interesante nga pikëpamja arkitektonike.

Që nuk kemi të bëjmë me një rrugë të dosido të Romës, shpresoj të mos jem i detyruar të sjell si provë binjakëzimin e lidhur me Madison Avenue të Nju Jorkut. Rruga e Babuinit është pak më e vjetër.

Të gjitha bukuritë e Via del Babuino deri dje kishin një pengesë të bezdisshme: trafikun e makinat e parkuaraVia del Babuino-kalldremi. Të ecje në atë rrugë donte të thoshte të bëjë slalom nga trotuari në trotuar, nëpër motorë, makina luksoze, automjete në lëvizje. Duhet ta kishe më shumë mendjen tek siguria se sa tek bukuria. Mund ta ngrije kokën për të kundruar një kambanore, por mund të gjendeshe për pak sekonda nën rrotat e një makine, që e bëjnë dëmin edhe kur janë të kushtueshme.

Nuk mund të mos më vijnë ndër mend disa rrugë asfiksuese të Tiranës, ku makinat ia kanë marrë frymën kryeqytetasit me kalimin e viteve. Këtë e ndjejnë më shumë ata që e kanë jetuar Tiranën e dikurshme, kur automjetet private nuk lejoheshin me ligj. Rruga ishte për njeriun e jo për automjetet. Po kështu qyteti. Kthim prapa as që mund të përfytyrohet, megjithatë administrata duhet të bëjë diçka më shumë që t’ua kthejë banorëve rrugët e trotuarët tyre, të cilat duket se janë privatizuar nga automjetet kaba. Do të përfitojë njeriu e cilësia e jetës.

Në epokën kur u projektua rruga e kryeqytetit italian, makinat nuk ishin shfaqur as në ëndërr. Me kalimin e kohës automjetet ia pushtuan hapësirën njeriut, duke ia vjedhur gradualisht edhe estetikën. Sepse kjo e fundit ka nevojë të shikohet në qetësi, mundësisht duke ecur në këmbë.

Në qytete të lashta si Roma ndryshimet janë të ngadalta, gati të paperceptueshme. Kur bëhen, hyjnë në histori sepse ndryshojnë rrjedhën shumëshekullore të historisë. Fotografitë e punimeve të rrugës i bëra edhe për këtë arsye, përveç nga kënaqësia se shëtitja kësaj here m’u duk më e këndshme.

Via del Babuino-e-shtruar-1Trotuari ishte zgjeruar dhe shtruar rishtas. Rruga ishte ngushtuar, po pa i humbur tiparet e dikurshme. Shtrimi i kalldrëmit me gurët tipikë të Romës (sanpietrini) nuk kishte përfunduar ende. Makinat nuk lejoheshin të kalonin. Merrje frymë më lirisht, ose të paktën ashtu ishte ndjesia. Tani rruga dukej sikur u përkiste më shumë këmbësorëve, ose më mirë, qytetarëve, të cilët që këtej e tutje do ta shijojnë të qetë bukurinë e shëmtisë së “babuinit”.

Nuk ka komente

  1. Edhe nje shenim jo i pavlere: lidhur me kishen dhe Collegio Greco ne via del Babuino ekziston edhe rrethi kulturor i mirenjohur te arberesheve te Romes, Circolo Besa, i themeluar nga i ndjeri imzot Eleuterio Fortino, i cili botonte edhe lajmtarin mujor BESA.

    1. Gianni, shënimi yt është me shumë vlerë. Kam qenë jo vetëm ndjekës i “Circolo Besa”, por edhe mik i të ndjerit imzot Eleuterio Fortino. Hyrja në Circolo Besa bëhej në Rrugën e Grekëve (Via dei Greci), ku edhe zhvilloheshin veprimtaritë kulturore gjithnjë interesante e stimuluese. Eleuterio Fortino ka qenë njeri i madh, eksponent i vyer për Kishën e krishterë, por edhe intelektual i jashtëzakonshëm e me vizion të gjerë. Në shkrim desha t’i përmend fillimisht, por pastaj mendova se meritojnë vëmendje të veçantë. Në fakt, aty gjendet një farë premtimi për t’i kushtuar temës më shumë kohë e hapësirë. Siç e meritojnë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin