TVSH: NO COMMENT

Vizitën e Papës e ndoqa si shumë të tjerë në televizionin shqiptar. Meqë televizioni italian i dha pamjet e nisjes për në Shqipëri, me komentet e rastit, me ndihmën e telekomandës e të antenës satelitore kalova pak më vonë në TVSH.

Televizioni publik shqiptar e transmetoi drejtpërdrejt ardhjen e Papës Françesku që nga çasti kur avioni i Alitalia-s preku tokën shqiptare. Minutat para se të zbriste, përgatitjet e protokollit, lëvizjet e ndryshme në aeroport, pritja e autoriteteve shqiptare. E më tej zbritja nga avioni, përshëndetja me Kryeministrin shqiptar, autoritetet e tjera, dorështrëngimet e rastit, takimi në sallën Vip të Rinasit. Televizioni i dha të gjitha. Madje vijoi ta ndiqte vizitën e Papës në Shqipëri pas shkëmbimit të dhuratave me Ramën, rrugën për në Presidencë, dëgjimi i himneve…

Çudia më e madhe ishte se TVSH jepte vetëm pamjet, pa asnjë lloj komenti. Nuk kishte kronikë zanore, vetëm pamje të thata, të përcjella me zhurmat e zërat që shoqëronin vizitën. Asnjë analizë, rrëfim, shpjegim. Vetë pamje. Drejtpërdrejt. Pa asnjë filtër, përveç telekamerave.

Telespektatori mesatar, si puna ime, priste që pamjet të shoqëroheshin me zë, siç bëhet zakonisht në kësi rastesh. Nuk do të kishte qënë keq të më tregohej programi, të më shpjegoheshin çastet e takimit, emrat e institucioneve të përfaqësuara, deklaratat e ndryshme… Heshtje. Vetëm pamje.

Madje edhe takimi i shkurtër që Papa Françesku bëri me Kryeministrin Rama në aeroport u dha i tëri e pa asnjë koment. Zëri që vinte nga të dy ishte i cilësisë së keqe. Vinte nga larg e nuk dëgjohej mirë. M’u duk sikur dëgjova Kryeministrin shqiptar t’i shpjegonte Papës skenografinë e Sheshit Nënë Tereza dhe t’i përmendte fjalët e një martiri të krishterë. Volumin televizionit e kisha çuar ndërkohë në maksimum.

Asnjë koment nga televizioni. E megjithatë nuk do të kishte qenë keq të kishin ftuar gazetarë, analistë, ekspertë. Janë me bollëk në Shqipëri. Mund të komentonin pamjet e vizitës, sidomos pjesët bosh, siç ishte rruga nga Rinasi për në Presidencë.

Edhe takimet e shumta në Presidencë, përfshirë shënimin që shkroi Papa, me sa duket nuk merituan asnjë fjalë nga ana televizionit publik shqiptar. Interpretimi iu la tërësisht telespektatorit.

Për fjalimin e Presidentit Nishani nuk ishte nevoja, por për fjalimin e Papës lipsej pa dyshim përkthim. Nuk u dha. U transmetua direkt në italisht, gjuha zyrtare e Vatikanit.

Asnjë koment deri në fillim të kremtimit të meshës, e cila ka rregullat e veta.

Që nga çastet e aeroportit telekamerat mundoheshin ta mbushnin pak zbrazëtinë e lënë nga fjala, duke transmetuar pamje nga sheshi dhe bulevardi të mbushur me njerëz, por pa shumë sukses. Aq më tepër që shqiptarët në shesh përshëndesnin me dorë nga telekamera porsa shikonin veten në ekranin e madh.

Si ka mundësi që një ngjarje historike si vizita e Papës të transmetohet pa asnjë koment? A thua kemi të bëjmë me ngadhënjimin përfundimtar të imazhit ndaj fjalës?

Nuk ka komente

  1. E keni parë stafin e institucioneve shqiptare (besoj të tillë ka dhe TVSH)? Djem e vajza të reja, të cilët vijnë nga shkolla të mbaruara nga korrupsioni, punësohen me mik, dhe e vetmja gjë që bëjnë me profesionalizëm është kurimi i lukut. Studentët, që shkruajnë në feisbuk, në një paragraf shqip kanë të paktën një gabim gramatikor. Me sa duket TVSH nuk ka gjetur personel të aftë të komentojë vizitën.

  2. Une do te shtroja pyetjen se perse nje televizion qe paguhet me leket e te gjithe shqiptareve pasqyron ne menyre te plote viziten e kreut te nje komuniteti fetar? U pyet edhe kryeministri per kete gje dje dhe dha kete pergjigje:
    “Nuk duhet të prisnim sot ditën për t’u shqetësuar për transmetimin e mediave, sepse në këtë aspekt, mediat kanë dhënë prova të forta se do ta përballonin me sukses këtë ditë dhe e përballuan këtë ditë me shumë sukses, përmes kronikave live, përmes komenteve. Pra arritën që t’ua përcjellin të gjithëve ditën me një profesionalizëm të lartë dhe padyshim, me kapacitete teknike që nuk pritëm ditën e sotme për t’i zbuluar, sepse janë vënë në provë edhe në ditë të tjera, edhe në raste të tjera. Për këtë arsye, unë i falënderova dhe i ri falënderoj të gjitha mediat, shumë sinqerisht sepse ndihmuan që të përcillet fort mesazhi i kësaj dite dhe përçuan frymën e kësaj dite, nga mbërritja e Atit të Shenjtë deri në largimin e Tij, në çdo stacion. Nga kulmimi me Meshën e Shenjtë deri tek kontaktet me komunitetet në pika të ndryshme. Madje, vura re që kishte edhe transmetime përgjatë rrugëtimit të gjithë autokolonës që e ndoqi hap pas hapi Atin e Shenjtë.
    Besoj që lodhja është e justifikuar për të gjithë ju dhe duke mos ju mbajtur më tutje e duke ju uruar një gjumë të qetë sot, plotësisht të merituar, jam edhe njëherë i nxitur së brendshmi të them se sot jam shumë krenar për gjithçka arritëm të bëjmë sëbashku. Provuam se mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe se asgjë e madhe nuk është pamundur për ne, kur ne punojmë së bashku”.
    Ka disa institucione ne Shqiperi, si kjo pacavurja qe quhet TVSH, Akademia e Shkencave, apo edhe Komitetet e Kulteve dhe te Minoriteteve qe duhen shkrire. Ose jo te mbahen me leket e te gjitheve. Shteti duhet te marre leke vetem per ate gje qe ofron sherbim. U tha edhe te shkrimi tjeter: Tolerance apo bashkejetese nuk do kuptuar si hierarki vlerash, ose si riorientim dhe prioritet i nje besimi qe kreditohet naivisht si percues i qyteterimit. Kjo aq me shume merr rendesi kur vizita e Papes, shume e rendesishme natyrisht, zbuloi qarte se cilat jane prirjet e momentit te kesaj elite mercenaresh, qe nuk mungoi as te perdorte vellot e virtytit per te dale nje foto, apo edhe per dhene lule si ne kohen e xhaxhit, e ca me keq, pastaj per te bekuar e marre bekime “via Rinas”.

  3. Per te qene te sinqerte andej nga fundi i vizites pati koment. Sidoqofte folesja e lajmeve se ciles ia kishin ngarkuar ate detyre, dukej si peshku pa uje dhe nuk dinte c’te thoshte. Veshtire te perceptohet se TVSH-ja, transmetimi i te ciles u mor dhe u dha nga cdo TV tjeter pa i dhene asnje kredit, te mos i kishte vajtur mendja per nje komentues. Dyshimi im eshte se TVSH-se pasi i moren figuren e bene te heshte se ashtu i leverdis mediave private dhe sistemit politiko-mediatik ne Tirane.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin