BORGES-I NË FLAKË

Prej vitesh jemi mësuar ta përdorim Amazon.com jo vetëm si dyqan, por edhe si pikë referimi për librat dhe muzikën – jo rrallë, kur përmendim një autor a një vepër letrare, e lidhim me një hiperlink me faqen përkatëse në Amazon.

Mirëpo edhe kolosi i Jeff Bezos-it gabon: dhe ndonjëherë gabimet i ka të mrekullueshme.

Duke shfletuar në kërkim të një libri të Borges-it, më del përpara kjo llahtari:

Amazon

Një libër me titullin Fa(h)renheit 451, i atribuohet, besoj gabimisht, argjentinasit të madh; por imazhi i kopertinës na çon te Misery e Stephen King-ut; nëpërmjet një operacioni mashup që Borges-i vetë do ta kish përshëndetur.

A nuk pat kërkuar ai dikur që De Imitatione Christi ta lexonim sikur ta kish shkruar Céline?

Aq më tepër që romani i Ray Bradbury-t përshkruan një botë distopike, ku librat i djegin – ose ku sytheve të Bibliotekës së Babelit u vënë flakën kudo që nxjerrin krye.

S’do të kish gjë më të natyrshme, sikur ta lexonim me bindjen se e pat shkruar Borges-i.

Tablonë e ndërlikon prania e tretë – il terzo incomodo – ose Stephen King-u; autor i letërsisë horror, ose i metafizikës së të përditshmes amerikane. Misery shtjellohet si historia e një shkrimtari të torturuar prej një lexueseje psikotike – por edhe aty një nga elementet kyçe të rrëfimit është zjarri; dhe pikërisht ai zjarr që do të djegë dorëshkrimin e veprës Misery’s Return.

Pa dashur, Amazon-i ka krijuar kështu një kryevepër post-moderne, me shkrimtarë që shkrihen mes tyre, mis-atribuime dhe libra të ngritur mbi motive shtegtuese.

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin