PSE PAPA

Nuk e kuptova mirë një deklaratë të historianit Bernd Fischer.

Vizita e mysafirit të rëndësishëm, ngjarje e shënuar për komunitetin katolik në Shqipëri, është e tillë edhe për qytetarët jokatolikë; ky Papë veçanërisht, me profilin e vet shpirtëror dhe moral, ka shumë për t’u mësuar të gjithëve atje, pavarësisht nëse besojnë në Zot apo jo.

Por më vrau veshin pohimi se:

Vizita e Papës është një tregues tjetër se Shqipëria është pranuar në komunitetin e kombeve dhe se ajo po ecën në drejtimin e duhur.

Çfarë do të thotë kjo? Ç’lidhje ka Papa me vendin e Shqipërisë në komunitetin e kombeve? A nuk është Krishterimi, dhe në veçanti Katolicizmi, një model i bashkësisë njerëzore alternativ ndaj kombit?

Dhe, më tej akoma, Shqipërinë e nderon vizita e Papës, por vendi nuk ka megjithatë nevojë për këtë vizitë, që të konfirmojë përkatësinë në komunitetin e kombeve – të cilit i ka përkitur prej kohësh; madje edhe në vitet e regjimit totalitar.

Një teprim i padëshiruar, pra; i ndërthurur me dozë të pashpjegueshme bullshit-i. Para pak vitesh, Shqipërinë e vizitoi edhe një Papë tjetër – a nuk i mjaftoi ajo vizitë, prof. Fischer-it, si kriter i përfshirjes; apo mos vallë ka pritur që vendin ta vizitojnë së paku dy Papë?

Thotë më tej historiani Fischer:

Papa e ka bërë të qartë se vizita e tij është pjesërisht një festim i suksesit të Shqipërisë në zhvillimin e harmonisë fetare.

Shpresoj që këtu ta ketë fajin përkthimi. Sepse për harmoninë fetare në Shqipëri nuk ka ndonjë meritë shteti shqiptar; por shqiptarët vetë – dhe mes tyre, komuniteti që ka përbërë shumicën numerike të shqiptarëve në shekuj: myslimanët.

Shtetit shqiptar natyrisht i intereson kjo harmoni fetare; por Shqipëria nuk është shtet si Libani, i ngritur konstitucionalisht mbi ekuilibrat ndërfetarë.

Përndryshe, ku dhe si qenka zhvilluar kjo harmoni fetare? Me siguri Papës këtë do t’ia kenë shpjeguar; tani bëjnë mirë t’ua shpjegojnë edhe qytetarëve.

Sepse, çfarë kam vënë re unë në diskursin e elitave politike sot në Tiranë dhe në Prishtinë, ose orientalizmi kitsch që e shpjegon çdo dështim të klasës politike dhe të vetë shoqërisë shqiptare me të kaluarën osmane dhe – tërthorazi – me komponentin islamik të kësaj shoqërie, nuk më duket se po i shërben gjë kësaj harmonie, dhe aq më pak zhvillimit të saj.

Dhe aq më e vërtetë është kjo, kur të zë syri mes zëdhënësve të këtij diskursi orientalist kitsch edhe disa autorë që identifikohen si të komunitetit katolik. Unë vërtet shpresoj që vizita e Papës dhe fjalët e tij do t’i bindë këta zotërinj se komuniteti katolik në Shqipëri nuk e ka fituar respektin e të gjithëve dhe vendin e nderit në tribunat e kulturës kombëtare duke nëpërkëmbur e qesëndisur komunitetet e tjera!

Njëlloj dëmtuese për harmoninë fetare rezultoi, pikërisht këto muaj, edhe përpjekja kryesisht e mediave, për t’ua prishur festën e madhe Ortodoksëve në Tiranë, me rastin e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” – një ngatërresë e pahijshme e punëve të fesë me kombëtarizmin sërish kitsch.

Sikur të isha fetar, do të lutesha tani, mes të tjerash, që Papa t’u kërkonte shqiptarëve, mes tyre edhe katolikëve, më shumë përvuejtni.

Përfundon prof. Fischer:

Shqipëria është një model në këtë drejtim dhe meriton t’i njihet kjo arritje [harmonia fetare]. Vizita e Papës do ta nxjerrë këtë arritje në qendër të vëmendjes.

pulla e PapesLe të shpresojmë kështu – edhe pse nuk besoj të jetë ky synimi që kërkojnë të arrijnë qytetarët halleshumë të Shqipërisë me këtë vizitë: dhe pikërisht që t’u njihet virtyti i harmonisë fetare botërisht. Përfitimet diplomatike të kësaj ngjarjeje kanë vendin e tyre; por unë do të doja, para së gjithash, që shqiptarët anembanë t’i vinin vesh mesazhit shpirtëror që sjell Papa dhe promovimit të vlerave soft të Krishterimit: dashuria për tjetrin, dhembshuria, empatia, solidariteti social, ndihma për më të dobëtit, respekti për personin dhe të drejtat e tij të pajetërsueshme, respekti për shenjtërinë e jetës, gatishmëria për falje dhe arti i pendesës. Dhe sidomos, të kuptonin në praktikë – nëse kjo do të ishte e mundur – se idhujtaria është edhe shpërdorim i vlerave më delikate dhe më të vyera, që secili prej nesh ruan brenda vetes.

Për fat të keq, edhe mënyra si u organizua shtetërisht dhe sidomos si u pompua nga mediat kjo vizitë u njollos nga idhujtaria: u lëvdua Papa si figurë autoritare dhe u shpalos imazhi i tij (brand-i), por fare pak u fol për mesazhin që po i përcjell ai botës; u fol për katolikët shqiptarë dje dhe sot, siç edhe duhej, por mund të flitej edhe për çfarë do t’u thotë Papa laikëve në Shqipëri – të cilët, pavarësisht nga brroçkullat publike që lëshojnë, mbeten, në fakt, në krye të punëve.

Dhe më në fund, fare pak dëgjuam të flitet për ata shqiptarë, katolikë, jokatolikë dhe laikë, që mishërojnë sot vlerat kristiane në Shqipëri.

Papa vjen si emisar i Njeriut të virtytshëm; por ne po e presim me një potlatch madhështor; le të shpresojmë se nuk do të ketë shumë antropologë, mes mijëra gazetarëve që do të shkelin Tiranën atë ditë.

Dhe, më në fund, unë nuk e kam të qartë në ç’mënyrë mund të shërbejë Shqipëria si model i harmonisë fetare – dhe sidomos kujt mund t’i shërbejë. Vendet e Europës Perëndimore vijnë nga një traditë intolerance jo vetëm më e fortë se ajo e shqiptarëve; por që në shekuj është kombinuar edhe me racizmin, në forma herë të stërholluara, herë brutale.

Aq më tepër, në shumë nga këto vende, ka tani një rizgjim vulgar të identitetit të krishterë që vjen si reagim spontan ndaj multikulturalizmit dhe degradimit urban dhe suburban, të shkaktuar prej imigrantëve nga vende të botës së tretë. Nuk më duket se Vatikani emocionohet shumë me këtë lloj zgjimi identitar, as me flamujt kryqtarë dhe tempullarë që tundin disa segmente të djathta dhe ultra të djathta të politikës europiane.

Dhe nëse modeli shqiptar nuk i vlen Europës Perëndimore, atëherë kujt vallë do t’i vlejë? Irakut? Izraelit? Nigerisë? Prof. Fischer-i me siguri do të ishte në gjendje që t’i ftillonte këto çështje, me kusht që ta kishin pyetur – por mediat po na mësojnë të mos presim shumë prej tyre, veç zhurmës.

Nuk ka komente

  1. Ndoshta ka dashur te thote “kombe te qyteteruar” edhe pse qyteterimi para se te vinte aty ku ndoshta mendon historiani ne fjale, ka bere xhiron e Magelanit, 2000 vjet perpara ketij. Me me rendesi eshte se pse kjo deklarate “nuk i vrau veshin njeriu ne Tirane”.

  2. “Sepse për harmoninë fetare në Shqipëri nuk ka ndonjë meritë shteti shqiptar; por shqiptarët vetë…”

    Pohim i vertete, dhe mendoj se historiani nuk i njeh meritat shtetit shqiptar, por Shqiperise, shqiptareve. Nuk ka vend per keqkuptim me duket.

    Historiani ne vazhdim: “Papa e ka bërë të qartë se vizita e tij është pjesërisht një festim i suksesit të Shqipërisë në zhvillimin e harmonisë fetare. Shqipëria është një model në këtë drejtim dhe meriton t’i njihet kjo arritje.”

    Mendoj se thenia te ciles i referohet( e historianit), ka lidhje me qellimin e vizites te Papes, qe u artikullua qarte nga Fr. Lombardi: “one of the main reasons for the Pope’s visit was to honour the martyrs for the faith who lived in Albania, the victims of atheistic Communism. Albania, he noted, was considered the first officially atheistic state, with atheism formally enshrined in the constitution.”

    Qe te le te kuptosh, se Shqiperia e EH, e kishte perjashtuar me kushtetute ushtrimin e lire te fese, duke e perjashtuar dhe izoluar me dhune Shqiperine, shqiptaret nga “komuniteti i kombeve”, te cilet nuk e kane kaluar nje traume te tille te imponuar politikisht nepermjet terrorit shteteror. Te vrasesh, te terrorizosh, te mbyllesh e shembesh kisha, xhamia, te mos lejosh me kushtetute ushtrimin e fese, te konsiderosh Shqiperine te vetmin vend ateist ne bote, do te thote te perjashtosh nje komb te tere nga “komuniteti i kombeve”. A nuk ishte e vertete kjo gjate periudhes ne fjale?

    Vizita e pare e nje Pape ndihmoi ne “practically re-established the [Catholic] hierarchy” dhe “re-birth of catholic religion”.

    Vizita e dyte, e pohuar nga vete Papa: “the desire to encourage interreligious coexistence. Albania, the only majority Muslim country in Europe, could offer a message of coexistence between different confessions and religions for other countries and other parts of the world.”

    Prandaj ka rendesi te flitet per dy vizita papnore dhe domethenien e tyre.

    Shqiperia nuk eshte nje “vend mysliman”, por me “shumice myslimane ne Europe”. Fakt i njohur edhe per boten dhe Vatikanin.

    Fr. Lombardi jep edhe motive te tjera, ku e ve Shqiperine perballe Europes dhe qe i sherben axhentes te Vatikanit dhe katolicizmit ne nje Europe gjithnje e me teper ateiste, karshi nevojes te rikthimit tek besimi ne Zot, ushtrimi i lire i besimit. Kthese, rikthim, qe sic mendohet, ka bere Shqiperia, shqiptaret dhe qe duhet te merret si shembull.

    Shtypi shqiptar, mendoj une, nuk ben gje tjeter vecse lexon shtypin jashte Shqiperise dhe ia percjell shqiptarce publikut shqiptar. 🙂

    1. Shkruan:

      Te vrasesh, te terrorizosh, te mbyllesh e shembesh kisha, xhamia, te mos lejosh me kushtetute ushtrimin e fese, te konsiderosh Shqiperine te vetmin vend ateist ne bote, do te thote te perjashtosh nje komb te tere nga “komuniteti i kombeve”. A nuk ishte e vertete kjo gjate periudhes ne fjale?

      Jo, nuk do të thotë “të përjashtosh një komb të tërë…” Është krim, por jo i vetmi as më i rëndi i regjimit të Enver Hoxhës – i cili megjithatë kishte karrigen e vet në OKB, dhe mund ta kish pasur edhe në Helsinki, po të dëshironte.

      Pa llogaritur pastaj faktin tjetër, që ai regjim ka tashmë 24 vjet që nuk ekziston më; dhe nuk ka nevojë të vijë ndonjë Papë për ta sanksionuar rikthimin e institucioneve fetare në Shqipëri, thank you very much.

      Më në fund – nuk e kuptoj mirë se për çfarë flitet, kur flitet për “kombe”. Nëse ka folur anglisht, Fischer mund të ketë përdorur termin nations, që nuk është i njëjtë me shqipen “kombe”; për shembull, Shqipëria është nation, por jo komb; komb është kombi shqiptar, gjë tjetër.

      Mua s’më duket se ka ndonjë kuptim shprehja “komunitet i kombeve” – meqë ky komunitet jo vetëm që nuk ekziston (në kuptimin e fjalës komb në shqip), por edhe, sikur të ekzistonte, nuk do të kish lidhje as me Papën, as me Papatin. E thashë edhe në shkrim, Kisha përfaqëson një model alternativ ndaj kombit.

      1. “Jo, nuk do të thotë “të përjashtosh një komb të tërë…” Është krim, por jo i vetmi as më i rëndi i regjimit të Enver Hoxhës – i cili megjithatë kishte karrigen e vet në OKB, dhe mund ta kish pasur edhe në Helsinki, po të dëshironte.”

        Karrigia ne OKB eshte njohja formale e nje shteti, qe mund te mos perbeje, perfaqesoje kombin dhe vullnetin e tij. Te mos i futemi semantikes se kombit; komunitetin e kombeve merre ne ate qe quhet “face value”, pa qene nevoja te shtrihemi ne nje debat mbi kuptimin e shprehjes. Per mua eshte shume e qarte, nuk me duket se kam nje kuptim te erret, apo te dyjezuar, alternativ. Po ashtu sic kam nje kuptim te mirefillte te komunitetit katolik, qe eshte i ndryshem nga i kombit.

      2. Xha xha, para se t’ia hyjme zberthimit te thelle te deklaratave te Fischerit, une them se duhet te sigurohemi nese ka qene esell apo jo. 🙂

  3. ”’E shikoj Papa Françeskun si një figurë rilindjeje, taman si Z. Rama.”’

    Ky u zgjodh per te rishikuar kohen e Luftes. Enver Hoxha o tungjatjeta.
    Nejse, Fisheri 4-5 fjali kishte ne dispozicion, çdo te thoshte me pare i shkreti.

  4. Sa i perket njohjes se zhvillimeve aktuale (post moniste) te Shqiperise, Fischer eshte padyshim nje person i mbi-vleresuar nga shqiptaret, si nga ata ne media dhe ata qe e paguajne per te shkuar ne gjyqet e tyre te emigracionit ne SHBA.

    I hodha nje sy intervistes se tij te ciles i referohet 2xha dhe shikoj vetem siperfaqsira dhe shabllone bajate, tip Papa, si dhe Rama, jane rilindes te Shqiperise. Prisja te shtonte qe gjethja jeshile i jep shije rakise, si tek ai filmi humoristik (Gjuetia e fundit) per EH.

  5. xhibi: “Fischer eshte padyshim nje person i mbi-vleresuar nga shqiptaret…”

    Xhibo, nga e nxorre kete konkluzion? Besoj se duhet te kesh nje burim te brendeshem. 🙂

    “Although Bernd Fischer will tell you he is not a diplomat, he travels in the inner circles of the Albanian government. He is a consultant for U.S. government agencies as an analyst of the political climate of the Balkans. Many agencies consult him, including the CIA, the United Nations Office on Drugs and Crime, the Defense Intelligence Agency and the State Department’s Bureau of Intelligence and Research.”

    Sigurisht, kjo nuk mjafton, … sepse ai e ul veten deri atje sa te thirret dhe te paguhet si konsultant ne gjygje “azilantesh politike”. 🙂

    http://www.news-sentinel.com/apps/pbcs.dll/article?AID=/20100929/NEWS/9290337

    Une thjesht dua te mesoj me shume per kete historian, profesor dhe shef katedre i Indiana University, autor i kater librave mbi Shqiperine, qe institucionet shqiptare ia kane besuar seksione te caktuara te historise te memedheut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin