PUNË SHKRIMTARËSH

Disidenti i madh hungarez Bela Orbus, i njohur si autor i tetralogjisë Edith, mund të hyjë në histori si një nga ata pak autorë që veprën e vet postume, një Bildungsroman për rininë e perandorit Franz Joseph, e filloi ta shkruante në hungarishte por e përfundoi pastaj në gjermanishte; edhe pse, si në njërën gjuhë edhe në tjetrën, vepra është konsideruar si mesatare prej kritikës.

◊          ◊          ◊

Për prozatorin Mung Layos thoshin se ishte i papërkthyeshëm: në fakt asnjë vepër e tij nuk u dha dot ndonjëherë në një gjuhë tjetër, me gjithë fondin bujar të vënë në dispozicion nga koncesionari i Mercedes-Benz i asaj zone të planetit. Thoshin edhe se përkthyesve që bëheshin gati për sfidën, u ngatërroheshin mendimet, u fikej cigarja në buzë, u ngecte pena a gishtat në tastierë, pastaj u binin pjesëzat dhe ndajshtesat dhe u ikte dëshira për të mirëmbajtur leksikun e gjuhës pritëse. Shkrimtarët e mëdhenj gjithnjë janë persekutuar prej pushteteve, por mallkimi i Mung Layos-it ishte të mbetej i burgosur i përjetshëm i gjuhës së vet.

◊          ◊          ◊

Amerikani Mead Riff, që fitoi këtë vit edhe çmimin e madh Coccodrillo të diasporës sefardike së Mesdheut, në fakt është pseudonimi publik i një kolektivi autorësh që nuk njihen mes tyre. Legion, një shtëpi botuese alternative, në Paris, Texas, prej vitesh u ofron autorëve të rinj një honorar modest por në cash, përkundrejt lejes për ta lëshuar dorëshkrimin dhe të drejtat ndaj tij. Kritika ka vënë re, ndërkohë, afinitete të mëdha strukturore mes romaneve të botuara nën atë emër, aq sa ndonjë të arrijë flasë edhe për një Mead Riff in Fabula.

◊          ◊          ◊

Shkrimtari italian Zoff Buonconsiglio, më parë i njohur si autor i teksteve të grupit post-rock Gli Scritti a Mano, ka denoncuar në publik ghostwriter-in e vet, njëfarë Luciano Modena, se ky ia ka keqtrajtuar e nëpërkëmbur personazhet kryesore të veprës, duke trazuar shtrat me heroinën e romanit të vet të ardhshëm, Chloe-n e brishtë; së cilës ia pat syrgjynosur më parë të dashurin, tenenten Guidomir, në Beneshangul Gumuz të Abisinisë, pas një grindjeje të panevojshme me oficerin epror. Chloe e pat ruajtur virgjërinë deri atëherë; dhe po të kish qenë për të fjetur me të, e kisha bërë vetë, tha Buonconsiglio.

◊          ◊          ◊

Për shkrimtarin baziristanas Tarif Bey kanë thënë se do të kish mbetur në gjysmë-hije dhe praktikisht i harruar edhe nga ata pak lexues që kish arritur të rekrutonte, po të mos e kish nxjerrë nga anonimiteti përkthyesi i tij në gjermanishte, një Mizra Adash, fallxhor part time dhe shkoqitës i certifikuar i Nostradamus-it, i cili i la pa gojë letërsi-dashësit në atdheun e Goethe-s dhe të Hoffmann-it, me stilin dhe tonin brilant të Bey-t. Pakkush ka qenë në gjendje ta lexojë autorin e Dasmës së Leopardit në origjinalin e vështirë bazirisht; në një kohë që për veprën e përkthyer të Bey-t tani besohet se e ka emancipuar tashmë letërsinë moderne gjermane.

◊          ◊          ◊

Romancieri më i shquar uruguajan, Pedro Acevedo de Acevedo, e la të shkruar në testament që vepra e tij e fundit, dorëshkrimi mijëra-faqesh i jetës së një psalti kripto-sadist në Montevideon e imagjinuar të fin-de-siècle, të botohej nën emrin e rivalit të tij të vetëm gjigant Aldo Isídoro de Fonseca.

◊          ◊          ◊

Bardi arbëresh Dushko Shqekza, nga Urissi d’Oltremonte, u bë nismëtar i një lëvizjeje kulturore virale mes autorëve të pakicave etnike në Itali, duke refuzuar botimin e dorëshkrimeve të veta – këta poetë dorëshkrimesh, ose eremitë të penës siç u quajtën, e denoncuan si antiletrare praktikën e shumëfishimit mekanik të veprave, duke parapëlqyer sirtarin ndaj raftit të librarisë dhe kontrollin ndaj famës. Dushko Shqekza, që u zgjodh më pas edhe anëtar nderi i Akademisë Dramatike të Durrësit dhe ushtroi për ca vjet detyrën e konsullit të nderit të Ilirisë së Poshtme në Reggio-Calabria, nuk la kurrë njeri që t’ia shihte dorëshkrimet, madje as agjentët e erario-s; në bashkëpunim me filozofin provincial gjenuinologun Antonio di Fetta, zhvilloi dhe pastaj mbroi tezën se letërsia e mirëfilltë (“gjenuine”), është ajo që shkruhet, jo ajo që lexohet.

◊          ◊          ◊

Të shumta e të mirënjohura janë rastet kur autorët lektisen pas personazheve që kanë krijuar, madje aq sa edhe të dashurohen dhe të bëjnë edhe fëmijë me to. Më rrallë ndodh që të jetë, përkundrazi, personazhi që ta humbasë mendjen pas autorit; siç i ndodhi rumunit Milosh Dumitrea, nënkryetar i Lidhjes së Romanit Rumun (të njohur ndryshe edhe si Lidhja e Rumanit Romun). Një protagoniste e marrosur e trilogjisë së tij Orient Depress, baronesha nga Graz-i Lili von Pflanzenbaum, ia turbulloi Dumitreas vitet e pleqërisë, duke u bërë edhe shkak, mes të tjerash, për një divorc dramatik nga e shoqja, poetja pediatrike Laida Stakul, dhe më pas për tri rishikime të testamentit.

◊          ◊          ◊

Serbi Gjuro Gjokiç, laureat i kahershëm i çmimit të madh Ballkan (që nuk duhet ngatërruar me çmimin Ballkan, as me çmimin e vogël Ballkan), pasi shkroi dhe botoi një rrëfim ku personazhi, quajtur edhe ai Gjuro Gjokiç, dhe po aq shkrimtar mondan sa edhe autori përkatës, e mbyti të dashurin e vet motociklist në vaskën e banjos në hotel “Kondor” në Beograd, e mbyti të dashurin e vet motociklist në vaskën e banjos në hotel “Kondor” në Beograd.

◊          ◊          ◊

Në Republikën e Urundit, që prej kushtetutës së vitit 1961, ligji ka lejuar një shkrimtar të vetëm – dhe ç’prej 30 vjetësh, kjo barrë i ka rënë Kish Selmuk-ut, autor prolifik autobiografish sa të larmishme, aq edhe të njëpasnjëshme dhe karrigetar nderi i Institutit Republikan të Autorit.

◊          ◊          ◊

Shkrimtares flamande Rita Floh nuk do t’i jepet çmimi Nobel, për romanin Nobeli, ku ajo përshkruan – ndonjëherë me hollësi në kufi të pornografisë – përpjekjet e saj titanike për të mos e marrë Nobelin.

◊          ◊          ◊

René D’Oreille, drejtor i së vetmes revistë letrare në Haiti (“Schizo”), bëri emër duke shpërthyer netëve, me miratimin dhe ndihmën e policisë sekrete, në shtëpitë dhe sidomos kasollet e shkrimtarëve të ishullit, për t’ua sekuestruar këtyre me forcë dorëshkrimet e pafinalizuara; të cilat dorëshkrime pastaj i botonte, me komente dhe lëvdata gjithfarësh, në numrin e radhës të revistës. Ky reputacion u kish shpëtuar 1,200 delegatëve të Kongresit Botëror të Frankofonisë, të cilët e nderuan D’Oreille, në 2010, me medaljen e madhe Caresse sur Océan.

◊          ◊          ◊

Autori i ri nga Kosova Bdek Mërkoshi bëri pak bujë në qarqet kulturore të rafinuara të Prishtinës, me romanin eksperimental, Harku i urës, ku rreket ta kthejë mbrapsht veprën Ura me tri harqe, të Ismail Kadaresë. Në tekstin e Mërkoshit turqit osmanë tërhiqen me mirëkuptim nga Ballkani, e bija e kryezotit Nik Mërtiri ndahet nga i fejuari i saj Abdullahth, një Murrash që e dinin të muruar shqitet nga guri dhe merr arratinë prej vendit të flijimit, ura e vjetër mesjetare sa vjen e shkërmoqet duke i bjerrë harqet njërin pas tjetrit, murgu Gjon ia shet shkronjat e alfabetit shqip një hebreu shëtitës, hani i Dy Robertëve ndahet më dysh mes vëllezërve, si pasojë e një trashëgimie të kontestuar; dhe më në fund del në shesh se e gjithë kjo paskësh qenë konspiraci e Lundra dhe Trape, që arrin të shtjerë në dorë transportin lumor në Arbërinë mesjetare.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: