MINIME DHE DISKRIMINIME

Teksa vazhdojnë polemikat dhe reagimet në lidhje me disa momente të intervistës së z. Maks Velo për gazetën MAPO, sot ndërhyri mes të tjerash edhe autori i intervistës, z. Alfred Lela, me një artikull ku, mes të tjerash përmendesha edhe unë.

Dhe ja çfarë thotë pikërisht Lela:

Ardian Vehbiu i Peizazheve të fjalës, u bë zëri më i rëndësishëm i detraktuesve të intervistës së Maks Velos. Vehbiu merrej edhe me Mapon duke e kritikuar ashpër dhe përqeshur hollë vendimin e saj për t’i dhënë vend e dritë rrufeve të arkitektit. Në regjistrin kadarean të interpretuar nga shkrimtari te Mosmarrëveshja Vehbiu bën pjesë te mohsat, pra te çmitizuesit. Të kundërtit e strehsave. (Kryestrehsi Kadare vetë.) Kështuqë në pamje të parë, rreshtimi i tij, përtej sqimës intelektuale, me populistët të habit. A nuk është edhe uniteti një mit? A nuk duhet të jetojnë shqiptarët, sipas një këndvështrimi të majtë që e ka edhe Vehbiu, në përplasjet e multikulturalitetit? Zëti ndaj Mapos është posaçërisht hipokrit duke qenë se te blogu i vet ai ka botuar një shkrim ku e ku më të ububushëm se intervista e Velos (e gjeni duke klikuar këtu). Vehbiu ka qenë gjithashtu dhe vazhdimisht ngulmues në identitetin e gegnishtes si dialekt dhe jo si gjuhë. Pra, ai ka punuar pa zjarrminë e Velos për veriorin si nënshtresë. Pse ky ndërrim mendjeje?

Po e nis nga fundi: shkrimi që citon Lela, Puçrra urbane adoleshente, ka për autor Pifton; Piftoja nuk ka nevojë për lejen dhe autorizimin tim, që të botojë në blog dhe, veç kësaj, krahasimi do të qëndronte më mirë sikur MAPO-ja të kish botuar një shkrim të z. Velo, ose sikur unë të kisha marrë në intervistë Pifton, në faqet e blogut tonë. Meqë asnjë nga këto nuk ka ndodhur, atëherë edhe akuza për hipokrizi të posaçme që më është bërë bie; sepse unë e qortova MAPO-n, mes të tjerash, pse kish trazuar me shkop një gropë të mbrapshtë, jo pse ia kish mundësuar Velos të ushtronte lirinë e fjalës. Veçanërisht mua më shqetësuan komentet që ndoqën intervistën dhe thirrja që kish depërtuar atje, për eliminimin fizik të Velos. Edhe tani jam i mendimit se një gazetë e drejtuar nga një profesionist i mediave, si z. Artur Zheji, nuk duhet t’u hapi rrugë anonimëve të tillë të dhunshëm dhe provokatorë në komentet; por të imponojë të drejtën elementare të lexuesit, që çdo fjale të botuar atje t’i ketë dalë zot dikush. Kush i del zot, pra, thirrjes për ta hequr qafe z. Velo?

Tani, nga pasazhi më lart por edhe nga krejt shkrimi i tanishëm i Lelës, të krijohet përshtypja sikur Veloja ka folur vetëm për dallimet Veri-Jug; çka lë mënjanë atë pjesë të intervistës, ku personi në fjalë u bie me top myslimanëve. Besoj se stigmatizimi i myslimanëve të Shqipërisë është shndërruar në sport të rrezikshëm, pa çka se po i lejon disa të krijojnë grupet dhe grupazhet dhe tarafet e veta të vockla dhe meskine. Ndonëse vetë nuk ndjek ndonjë fe, dhe kur vizitoj ndonjë kishë ose xhami e bëj këtë për arsye estetike, që të kundroj arkitekturën, skulpturat, pikturat, lojën e dritave dhe ornamentin, sërish mendoj se fesë në Shqipëri ende i mbetet një rol i dorës së parë për paqëtimin e mendjeve dhe të temperamenteve; ose për zbutjen e majmunëve brenda nesh. Nuk mendoj se i vjen ndonjë e mirë shqiptarëve nga stigmatizimi dhe jetërsimi masiv i myslimanëve, të cilët nuk ka pse të vihen në “faj” që e kanë trashëguar këtë fe, e cila për fat të keq nuk është më e modës, as e kordhës (për ta thënë me Sami Frashërin). Aq më tepër, shkaqet e prapambetjes së shqiptarëve, të atyre në veri dhe të atyre në jug, mund t’i faturohen tek e fundit edhe sundimit osman, por jo myslimanëve shqiptarë të sotëm, të cilët janë ndoshta edhe grupi fetar më i madh, si përqindje. Madje edhe lufta kundër ekstremizmit fetar dhe xhihadistëve në Kosovë nuk mund të fitohet, pa impenjimin masiv dhe kolektiv të këtij komuniteti. Kjo lojë është pra me shumë zarar, dhe mund të çojë në reagime të dhunshme – nuk e kuptoj si dhe pse nuk e kupton Lela këtë.

Shkruan ai:

Në regjistrin kadarean të interpretuar nga shkrimtari te Mosmarrëveshja Vehbiu bën pjesë te mohsat, pra te çmitizuesit. Të kundërtit e strehsave. (Kryestrehsi Kadare vetë.) Kështuqë në pamje të parë, rreshtimi i tij, përtej sqimës intelektuale, me populistët të habit.

Reagimi im ndaj intervistës ishte reagim qytetar, në një blog ku bisedoj me miqtë e mi dhe lexuesit e interesuar. Nuk impresionohem shumë nga klasifikimi që pat bërë Kadareja në mohsa dhe në strehsa, sikurse nuk më ka lënë ndonjë mbresë të mirë Mosmarrëveshja, në atë version që e kam lexuar unë (të parin). Lela, me të cilin njihemi prej vitesh, nuk ka nevojë që të më klasifikojë mua në bazë të taksonomive kadarejane. Gjithsesi, sërish nuk e marr vesh Lelën, kur e quan rreshtimin tim “me populistët”; e para sepse unë nuk u rreshtova me njeri, madje isha nga të parët që e qortova Velon dhe MAPO-n vetë, për fjalët e lëshuara pa përgjegjësi; e dyta, sepse qëndrimi im nuk ka pse të quhet “populist” thjesht ngaqë erdh e bashkëtingëlloi me atë të një shumice, sa kohë që unë nuk e kam bërë për të fituar pikë, as vota, as simpati. Siç pata rastin ta them edhe më parë, unë Velon e kam njohur kryesisht si autor të disa librave dhe shkrimeve shumë të mira për arkitekturën dhe për kulturën në periudhën totalitare (Kohë antishenjë, një kryevepër). Kur ai flet për diferencat veri-jug ose Krishterim-Islam në Shqipëri, pres prej tij që të shkojë më thellë, sesa përçmimi provincial i tipit “ata s’më pëlqejnë mua sepse nuk janë si unë.” Për shembull, një arkitekt dhe urbanist si Veloja, e di që një zonë nuk mund të zhvillohet mirë, pa pasur qytetet e veta, dhe krejt veriut të Shqipërisë këto i kanë munguar; meqë u lanë jashtë kur mbeti jashtë kufijve Kosova (Prizreni, Gjakova, Dibra e Madhe, Struga); ajo ndarje e padrejtë e shndërroi veriun e Shqipërisë në territor, teksa edhe vetë Shkodrën e izoloi. Po ashtu, një arkitekt dhe urbanist si Veloja, duhet ta dijë se po të kish shkuar, bie fjala, hekurudha në Mirditë, në Pukë, në Kukës e në Peshkopi, që në vitet 1950, kushedi fatet e Veriut do të kishin ndryshuar për mirë. Problemet që ka sot Veriu, ose më mirë një pjesë e Veriut, janë probleme popullatash të “çrrënjosura” (déracinés), ose komunitetesh që kanë humbur një pjesë të kapitalit social. Dhe një njeri i mençur, i kulturuar dhe i vuajtur si Veloja duhet ta dijë se detyra dhe përgjegjësia për zhvillimin urban dhe kulturor të një vendi u bie elitave, i të cilave Veloja është pjesë; dhe se nuk është roli i elitave t’u thonë gjysmës së vendit se “ju jeni orientalë, anadollakë, ju na keni lënë mbrapa, ju jeni të trashë, ju nuk dini të ndërtoni qytete”; por të vrasë mendjen se si mund të integrohen, në zhvillim, komunitetet më pak të prekura nga modernizimi, së paku në kulturë. Këtë, të paktën, jemi munduar prej vitesh ta realizojmë me blogun Peizazhe të fjalës.

Pyet Lela:

A nuk është edhe uniteti një mit? A nuk duhet të jetojnë shqiptarët, sipas një këndvështrimi të majtë që e ka edhe Vehbiu, në përplasjet e multikulturalitetit?

Këtu nuk po flasim për unitet – por për të drejtat e individëve dhe të komuniteteve, që të konsiderohen qytetarë me të drejta të plota të Republikës. Kadareja & Co. mund të kenë ndërtuar një imazh të caktuar për mua, në bazë të disa thashethemeve dhe leximeve skiç që i kanë bërë veprës sime; por unë nuk kam ndonjë detyrim që t’i përmbahem këtij imazhi. Nuk më duket se ka ndonjë teprim, që të kërkosh të ruhet ai unitet i cili e ka bazën mbi qytetarinë dhe barazinë e mundësive (ose “barazinë për të qenë të pabarabartë,” siç e ka thënë një politolog); sikurse nuk ka gjithashtu ndonjë teprim, po të thuash se kategorizimet e mëdha sociale, si “veriorë” ose “myslimanë” nuk mund të shërbejnë për të ngritur mbi to gjykime vlerash.

Shkruan më në fund Lela:

Vehbiu ka qenë gjithashtu dhe vazhdimisht ngulmues në identitetin e gegnishtes si dialekt dhe jo si gjuhë. Pra, ai ka punuar pa zjarrminë e Velos për veriorin si nënshtresë.

Këtu do të ketë ndonjë lapsus, besoj; pasi gegërishtja është, në fakt, dialekt jo gjuhë; dhe nuk ka nevojë të ngulmojë kush për këtë. Por, të mbrosh standardin siç e kam bërë unë nuk do thotë të punosh “për veriorin si nënshtresë”; sepse unë gjithashtu besoj, dhe e kam thënë këtë, se standardi është sot njëlloj i gegëve sa edhe i toskëve, pavarësisht nga baza dialektore që ka; madje sot pikërisht ky standard mund të shërbejë për ta mbrojtur njësinë kombëtare të shqiptarëve, përkundrejt prirjeve centrifugale, që i vijnë si nga Veriu ashtu edhe nga Jugu (nga njerëz që i përshëndetin pastaj me ovacione, në konferenca shkencore, si të ishin heronj kombëtarë). Faktorët që çuan në vendosjen e toskërishtes në bazë të standardit i kanë rrënjët në Rilindjen kombëtare – së bashku me ato dallime sociale mes Veriut dhe Jugut, të cilat bënë që Lufta Nacional-Çlirimtare të konsumohet kryesisht në Shqipërinë e Jugut.

Ka edhe probleme të tjera në shkrimin e tanishëm të Lelës, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me pozicionin tim; dhe mes tyre është edhe vështrimi që i bëhet atje demografisë së kësaj Lufte. Thotë Lela, për shembull: “Jugu e kish fituar luftën, veriu humbur; toskërishtja u bë rrjedhimisht lingua franca e shqiptarit… etj.” Kjo nuk është e saktë, pavarësisht se çfarë mund të ketë shkruar Zef Pëllumbi (i cili nuk është historian). Nëse pati një luftë civile në Shqipëri – çka mbetet e debatueshme – kjo u zhvillua edhe në Jug edhe në Veri; dhe viktimat i pat anembanë vendit. Le të shkojë Lela dhe t’ia paraqitë këtë tezë të Jugut fitimtar Edison Ypit, bie fjala; ose edhe Geri Kokalarit xhanëm; ose edhe atyre mijëra e mijëra jugorëve që i kanë vuajtur deri në palcë, dhe që disa vazhdojnë t’i vuajnë sot e kësaj dite, pasojat e represionit komunist gjatë dhe pas Luftës: të pushkatuarit, të internuarit, të arratisurit (vetëm në familjen time i gjen, po t’i kërkosh, pasojat e të gjitha kontradiktave dhe konflikteve ndërshqiptare që ua vunë zjarrin komuniteteve gjatë dhe pas luftës: ka atje ballistë, komunistë dhe zogistë; të burgosur dhe të arratisur dhe të internuar dhe të zhdukur; komisarë dhe yesmen-ë dhe shërbëtorë të popullit; por edhe plaka që u shkoi krejt jeta dëm për një fejesë dhe njerëz me pozitë por të rënë nga vafti; të ri-atdhesuar e kështu me radhë; ku është fitorja e Jugut këtu?). Për mua, përfshirja masive e Jugut të Shqipërisë, qoftë me Frontin qoftë me Ballin, në Luftën II Botërore, përkundrejt një farë tërheqjeje ose indiference të Veriut, tregon se dallimet Veri-Jug nuk kanë qenë pasojë e represionit komunist; por i kishin shkaqet shumë më thellë. Mes këtyre shkaqeve, e përsërit, do të ketë qenë edhe fakti që Veriu i Shqipërisë u gjymtua keq me shkëputjen e Kosovës nga Shqipëria; por ndonjë historian mund të shtyhet edhe më dhe të pyesë pse edhe Rilindja Kombëtare e pat më të madhe shtrirjen mes Jugorëve. Intelektualët dhe ekspertët mund dhe duhet të flasin gjerësisht për këto gjëra, pa u ndier të rrezikuar se do të ngrihet ndonjë patriark dhe do t’i shkishërojë; përkundrazi, debati rreth dallimeve mes komuniteteve sipas krahinave dhe besimit fetar, nëse duhet bërë patjetër, le t’u rrijë larg diskriminimeve negative të komuniteteve, të cilat shkelin të drejtat elementare të individit.

Nuk ka komente

  1. Do guxim teorik prej gazetari shqiptar që multikulturalizmin, në daçi edhe të një pjese të së majtës postmoderne, ta marrësh për përplasje identitare dhe jo si përpjekje për bashkekzistencë. Kështu do t’i binte që bartës të multikulturalizmit të ishin monokulturalistët që në emër të të drejtës për të shpalosur idetë (nganjëherë të shoqëruara paramilitarisht) të ndiheshin të diskriminuar se pse të tjerët nuk iu lënë hapësirën e duhur mu për t’i zhdukur të tjerët. Interneti është plot me vetëviktimizëm fashist, megjithëse rrallë e gjen në aparate ideologjike mainstream si në këtë rast.

  2. 2xha: “Këtu do të ketë ndonjë lapsus, besoj; pasi gegërishtja është, në fakt, dialekt jo gjuhë; dhe nuk ka nevojë të ngulmojë kush për këtë.”

    Varet se nen petkun e kujt flet, te linguistit apo te promotorit te standardit, qe jo domosdoshmerisht te klasifikon si linguist. 🙂

    E habiteshme, sido qe ta sjellesh, linguistet qe studiojne gjuhen, kur flasin per dialektet, i shohin ato si variante te nje gjuhe(te shqipes ta zeme, por jo te “gjuhes standarde”, dmth te kuptuar si drejtshkrimi sipas “standardit” dhe jo te gjuhes se folur), aq me teper kur dialekti eshte, apo mund te jete, edhe nje gjuhe e shkruar. Te perserisim thenien e fameshme: “nje gjuhe eshte nje dialekt me nje ushtri dhe flote”. Thene kete, ne situaten e shqipes: a eshte “dialekti” dialekt dhe “gjuha” gjuhe?

    Tranzicion i veshtire dhe i gjate prej “dialektit” ne “gjuhe”, aq me teper kur kihet parasysh c’ka nevojiten per ta bere te mundur zgjidhjen e nje matrice te tille: 1. zgjedhja e nje norme; 2. kodifikimi formal; 3. permirsimi (funksional)itetit; 4. pranueshmeria, aprovimi, perqafimi nga komuniteti foles.

    Dy te parat i perkasin formes dhe kane nevoje vecse per gramatikane(politikane te politikave gjuhesore) kodifikues, dy te dytat jane te lidhura me funksionet e gjuhes. E para dhe e fundit ka te beje me shoqerine, komunitetin gjuhesor, aprovimin, perqafimin nga ana e tyre te normave; ndersa e dyta dhe e treta kane te bejne me vete gjuhen.

    E kemi matricen, por duhet te ndryshojme vlerat dhe marredheniet e ketyre komponenteve per te perftuar gjuhen gjitheperfshirese te komunitetit(ne rastin tone shqipefoles). 🙂

    1. Le ta shtrojmë kështu: a është gegërishtja dialekt i gjuhës shqipe apo jo? Se të flasësh për dialekt, gjithnjë do të presupozosh një gjuhë (në një kuptim, edhe standardi mund të quhet dialekt social i shqipes). Unë them se gegërishtja është dialekt në raport me gjuhën shqipe jo në raport me standardin. Në raport me standardin gegërishtja është, para së gjithash, një sistem jostandard (sikurse edhe toskërishtja). Gjithsesi, le të mbetemi në temë – ose të mos hapemi si vaji në lakra: këtë punën e gegërishtes e kemi bërë telef gjetiu.

      1. Bere mire qe e saktesove, sepse c’ka shkruaje me siper, nuk te jepte nje pershtypje te tille, aq me teper duke patur parasysh qe standardi mbetet ngushtesisht nje dialekt artificial i nje shtrese shume te ngushte, qe pavarsisht, nuk i perqaset ne te folur apo ne te shkruar natyrshem, vecse nen sforcon e nje arsimimi intensiv, te cilit i jemi nenshtruar gjate viteve te gjata te shkollimit.

        Kur komunikojme ne standard, sigurisht qe sforcohemi per te qene brenda korrektesise politike gjuhesore qe te imponon ai, dalim jashte natyres sone te komunikimit (in)formal, qofte ne te shkruar, qofte ne te folur.

        Lela, mendoj une, nuk ben ndonje gabim kur shprehet ashtu, sepse edhe gegerishtja, ashtu si toskerishtja eshte gjuhe shqipe, si pjese, variante. Me nderhyrjen time desha te ve ne dukje se statusi i gegerishtes, si variant i gjuhes shqipe, eshte ceshtje perceptimesh te karakterit social e politik, te lidhur edhe me origjinen dhe dasine krahinore, apo dallimeve dhe paragjykimeve Jug-Veri. Kete ka dashur te thote edhe Lela me duket.

  3. As Velo, as Lelo nuk kuptojnë që ka çmitizim de-konstruktiv dhe destruktiv. Ai i Maksit është maksimalisht destruktiv, sepse shkatërron pa propozuar alternativa dhe pa i menduar gjer në fund konsekuencat e ç’nxjerr nga goja. Çmitizimi de-konstruktiv do këllqe analitike, jo fjalë bastarde, të lëshuara kuturu pa përgjegjësi, pa parë përtej çastit të intervistës. Sigurisht, si bariu, ashtu dhe kopeja, kërcënimet që iu bënë janë cip e cip në nivelin që u dha ai vetë për masë lexuesve.

    Sa për çmitizimin e unitetit, po as s’është delir të mendosh që ne ku e ku do ishim po të mos tërhqinim pas, veriorët, myslymanët, katundarët, malokët, provincialët e zbarkuar në TR, po pse jo edhe ata të Shqipërisë së Mesme, që mbahen për as mish as peshk, beratësit të quajtur mistrec, Çamët që veç dinë të kërkojnë, gollobordasit maqedonas hesapi, vlonjatët e sertë, shkodranët aventurier, gjirokastritët e llogaritur, fierakët frikacak, tironsit e leshtë, tiranasit arrogant, etj. etj.? (Paralajmërohet lexuesi/lexuesja që e mësipërmja është satir).

    Po ç’të keqe ka që, ndërsa e kaluara analizohet, shkoqitet me kujdes, dhëmbshuri, dhe etikë morale, pa përbaltur e hapur plagë të kota që s’i lidh dot, të mbajmë para syve dhe të punojmë për njëjësi? Ky mund të jetë vizion utopik, po populli pa vizion vetëdënohet me vdekje. Dhe s’ka si të jetë thjesht utopik, sepse në fund të fundit, fakti që ende grindemi me ndarjet, prerjet e copëtimet, që na bënë të tjerët, ne Veriorë, Jugorë, e të Mesëm, ma do mendja, duam të pleqërojmë nën çatin e Shqipërisë.

  4. “Shkruan më në fund Lela:

    Vehbiu ka qenë gjithashtu dhe vazhdimisht ngulmues në identitetin e gegnishtes si dialekt dhe jo si gjuhë. Pra, ai ka punuar pa zjarrminë e Velos për veriorin si nënshtresë.”

    Xha -xha me hiq nje kuriozitet te momentit (ne fakt une nuk e kam fare zakon ti pyes njerezit se “nga je me origjine”) meqe me lart thoje qe e njihje gazetarin Lela: nga e ka origjinen nga jugu apo veriu?

  5. Xhaxha, kjo e mesipermja eshte me te vertete tour de force. Argumentat (nese mund te quhen argumente) e Velos kane kohe qe behen, si per myslymanet ashtu edhe per geget. Me duket kulmi i cektesise intelektuale te presupozosh ndonje mangesi ne kodin gjenetik/kulturor te nje popullate te tere per te pershkruar gjendjen socio-ekonomike te saj. Per me teper ta besh kete duke ngaterruar correlation me causation eshte kulmi i dembelizmit.

    Me teper se kaq nuk kam c’shtoj.

  6. Lela më duket se nuk e ka kuptuar shkrimin tim dikurshëm për konfliktet sociale që burojnë nga nga mungesa e perspektivës se brezit të ri dhe rrezikun e mundshëm që ato të devijojnë në veprime të dhunshme, se për ndryshe nuk ka asnjë lidhje logjike midis asaj që kam dashur të them atëherë dhe pohimeve prej zjarrvënësi tavolinash të Zotit Velo, që gazeta MAPO e gjen me vend t’i japë hapësirë publike. Nuk e di se pse e bën këtë.
    Në fakt MAPO-n do të duhej ta shqetësonte më shumë fakti, që fryma raciste e asaj interviste që ajo gazetë e gjeti me vend ta botonte, në botën civile do të kishte tërhequr përveçse përbuzjes dhe neverisë së lexuesit të qytetëruar, edhe vëmendjen e prokurorisë. Pa harruar që deklarimet e Velos në vetvete bien ndesh me Kushtetutën e Republikës, konkretisht me frymën e nenit 10 dhe veçanërisht nenin 18 të saj, ndërkohë që Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon në nenin 265* për nxitjen e urrejtjes ndërmjet feve dënimin me heqje lirie deri në 10 vjet si për atë që nxit (Velon), ashtu edhe për atë që përhap shkrime me përmbajtje të tillë (Lelën).
    Në botën e civilizuar një shkrim i tillë nuk do të kishte gjetur kurrë vend në në një të përditshme, në qoftë se nuk do të ishim në vitin 1936 në Nuremberg. Sigurisht, primare nuk mbetet relevanca penale e veprimit, por niveli mizerabël i MAPO-s, mjerimi intelektual dhe qytetar i Lelës dhe racizmi primitiv i Velos.

    *Neni 265
    Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve
    Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

    1. Pifto, ndoshta me begenis me nje pergjigje se jam kurioz. Presupozoj per hir te argumentit se ti je nga Kurveleshi, nje zone per te cilen une personalisht, per hir te argumentit perseri po them se nuk kam asnje lloj konsiderate. Dhe nese une pyetem se a jam antilab dhe te jap pergjigjen: Nuk jam antilab, por jam antikurveleshas per kete ose ate cilesi per te cilen po perfliten, ku eshte ketu shkelja penale, ose nxitja e urrejtjes? Sepse Velo ka thene qe “une nuk jam antigeg, por jam antiverior”. Dhe mbi te gjitha ka thene “UNE JAM” dhe jo “NE JEMI”. Pra kemi nje deklarate e cila ka brenda shprehjen ne vete te pare te nje opinioni dhe nuk ka brenda nje THIRRJE.
      Se dyti, Lela eshte i fituari i kesaj pune. Ai edhe pyetjen e ka provokative: A jeni antigeg? Edhe opinionin e ka shkruar duke tematizuar ato ceshtje qe i ka perzemer, por duke marre shkas nga ato te Velos. Ai u ka shkruar vellezerve te vet veriore ne kete rast, per t’u thene: hapni syte se ja kush jane keta! Jo me kot neper rreshta shkruan se Velo ka qene edhe i perndjekur, per te theksuar se ne fund perkatesia prevalon aq sa mohon edhe krimin e te ngjashmit.
      Dhe se fundmi une besoj se edhe problemi i ngarkimit te internetit shqip me gjuhen e urrejtjes dhe kthimi ne nje mjedis te trumbetimit te te vertetave te fshatit te gjithesecilit eshte ne nje pikepamje, reagim ndaj atij mohimi dhe gjuhe Ezopi, qe elita ne Tirane perdor per te mbuluar problemet. Edhe intelektualet qe flasin per kohezion, por qe eshte i tille vetem ne marreveshje fjalesh. Kur ne mediumet te thuhen te vertetat ashtu si jane, pa patur frike se na nxitet urrejtja dhe percarja, atehere edhe kjo vale do te bjere. Perndryshe kur njeriu humbet mundesine e identifikimit me publiken, ose te perfaqesimit ne te, perfshire edhe ligjerimin publik, me siguri do te shpertheje dhuna.

      1. Melikjan,

        Velo nuk ka faj fare pse mendon ashtu si mendon. Atij aq ia preu, e aq tha. Fajin ketu, nga pikepamja morale dhe ligjore, e ka gazeta qe i merr perçartjet e Velos dhe i shpall boterisht si perla filozofike.

        Verioret (jo geget, se gega qe i jepte sheqerka Maksit te vogel te dyqani i lagjes, ishte i mire), pra verioret jane te gjithe kriminele kombetare dhe nderkombetare, se ne Shkoder ka pasur 10 vrasje ndersa ne Korçe asnje! Verioret jane hajdute, kjo dihet, madje e dinte edhe Bushi qe e hoqi oren nga dora qe te mos ia vidhnin. Veroret jane dembele stambolli, se ne vend qe te punojne, mbjellin kanabis. Ndersa myslimanet jane terroriste, islami vete eshte nje fe qe nuk i jep asnje garanci Maksit, madje e tremb, se eshte fe mizore.

        Çfare prisje ti, qe Maksi t’u bente thirrje ortodokseve te Korçes qe te rrembenin pushket per te çliruar Shqiperine nga verioret dhe myslimanet?

        Une kam nje jete qe lexoj gazeta, por nje interviste si kjo nuk e kisha lexuar asnjehere, as ne Shqiperi e as jashte saj. Te siguroj se as manifestet kryesore raciste te fashizmit e te nazizmit nuk bien kaq poshte.

        Ketu mua nuk me ben pershtypje Velo, por gazetaret qe e botuan ate:

        Lela qe eshte gazetar profesionist e qe ka studiuar per gazetari, duhet ta dije se ç’pergjegjesi morale dhe sociale ka nje gazetar, duhet ta dije se ç’eshte etika e shtypit.

        Sinqerisht prisja qe Artur Zheji te bente nje deklarate e te kerkonte falje publike. Se, ne mos e ditka Lela, Artur Zheji qe ka punuar te “Radio Radicale” ne Itali, e di mire se ç’do te thote ajo interviste. Artur Zheji, qe mburret se ka mike Emma Boninon!

        Me heshtjen e tij Zheji tregon se hipokrizine e ka me te madhe sesa ambicjen, dhe se eshte gati t’ia jape shpirtin djallit per te shitur dy kopje gazete me shume.

        1. Velo tha ate qe mendon dhe qe e mendojne edhe shume te tjere. Nuk ishte lapsus. Kjo mendoj une do analizuar, perse ka lindur kjo fryme, eshte paragjykim apo pervoje e bashkejeteses, cfare mund te behet qe te administrohet ndryshe dhe pse nuk funksionon me demagogjia e bere turrshi e te gjithe shqiptareve qe jane vellezer.
          Sa i perket pergjegjesise morale dhe ligjore, une mendoj se kjo eshte shume relative dhe nuk do ngushtuar te “Mapo” ose te gazetari ne fjale. Sepse Velo shume mire mund te mbaje nje blog te vetin ku te rendise pikepamjet e veta, mund te botoje nje liber me kete natyre, pse jo dikur mundet edhe te krijoje nje parti. Per krahasim te kujtojme ate qe tha Bossi ne Venezia mos gaboj me 12 shtator 1997, kur iu drejtua nje zonje qe vari flamurin italian ne ballkon qe ta conte ne hale ate flamur. Cfare ndodhi? Asgje. Po kur para dy muajsh Le Pen, qe sot po merr frenat ne France, deklaronte se ceshtjen e emigranteve e zgjidh ebola, cfare ndodhi? Asgje, e duartrokiten. Sot Skocia po voton ndarjen me Angline, Katalonja po ashtu po pret ne radhe. Cfare duhet te themi atehere ne shqiptaret qe kemi 100 vjet qe jetojme me mire ne shtetet ku emigrojme sesa ne shtetin tone? A nuk jemi me te perligjur qe te themi te pakten ate qe mendojme? Pse kjo shikohet si racizem vetem, ose si sherbim ndaj elitave politike, sic shkruante sot Kajsiu, por nuk shikohet edhe si mendim, ose bindje e nje grupi? Pse shikohet si racizem dhe jo si katalizator i vertete i ristrukturimit te ligjerimit dhe te njohjes se mendimeve te njeri-tjetrit pa u filtruar nga demagogjina e unitetit? Kushtetuta mund te thote shume gjera, edhe ligjet po ashtu, por ato jane per te rregulluar nje marreveshje paraprake politike mes paleve dhe jo te imponojne nje marreveshje te cilen te gjithe vetem perpiqen qe ta minojne. E riperseris, eshte mire qe te analizohen te vertetat e atyre qe tha Velo, ashtu si jane, qofshin edhe karremi i radhes pas te cilit naivet po vrapojne qe te kafshojne. Geget dhe Tosket jane luajne rolin e Tjetrit per sho-shoqin dhe te mos bejme sikur kjo nuk ekziston. As sikur alarmohemi kur ajo thuhet me ze te larte.

  7. Xha Xha, ja ta shpjegoj une sesi eshte puna, se ti po rreh uje ne havan kot. Ketu duhet lexuar konteksti, jo teksti.

    Lela eshte nga ata gazetare dhe “intelektuale” te shumte qe shkruajne shume dhe lexojne pak, shfletojne libra dhe faqe interneti kuturu, lexojne vertikalisht dhe me ngut, se pastaj duhet te shkruajne, nuk kane kohe per te humbur.

    Sa per çeshtjen e gegerishtes, ai eshte nga ata shqiptare te shumte qe mendojne se Vehbiu eshte kunder standardit. Pse? Sepse u kane hedhur nje sy te shpejte librave dhe shkrimeve te tij dhe sapo kane pare kritika dhe ankesa per procesin sesi u krye standardizimi, sesi u ndalua gegerishtja etj., hop, kane dale ne perfundimin: ky qenka kunder standardit!

    Para da ditesh nje mik me tha pikerisht kete: – Pse ti nuk e ditke qe Vehbiu eshte nga ata qe kerkojne prishjen e standardit? Kur u perpoqa ta kundershtoja, ma preu shkurt: po ç’thua, ai mori pjese edhe ne konferencen e Durresit! Natyrisht, miku im nuk kishte lexuar kumtesat e Durresit, por mbante mend zhurmen mediatike qe shkaktoi nje deklarate gjuhetaresh qe u distancuan nga ajo konference ne emer te mbrojtjes se standardit. Kaq i mjaftonte.

    E njejta gje edhe me citimin e “Mosmarreveshjes” se Kadarese ku Vehbiu futet te çmitizuesit, te ata qe duan te revizionojne gjithçka, te kthejne permbys historine, mitet kombetare, gjuhen, pse jo, edhe unitetin. Qe ketej edhe habia sesi ky çmitizues i çertifikuar nga vete Kadareja na dilka tani ne mbrojtje te mitit te unitetit kombetar! Sepse Lela as shkrimin ne blog nuk e ka lexuar, vetem sa i hodhi nje sy te shpejte. S’ka shume faj, nuk ka kohe jo vetem te lexoje, por as te mendoje, sepse i duhet te shkruaje.

    1. Leles i pelqen te mendoj dhe te deklaroj me gjithe modestine qe i lejon vetes se ben pjese tek nje grusht njerzish ne Shqiperi qe shkruajne mire. Fatkeqsisht, ne rastin e Leles ‘te shkruash mire’ eshte ne lidhje te anasjellte me ‘te mendosh mire’.

      Eshte per tu habitur niveli i mjerimit qe nga Kadareja, Lelo e shume te tjere qe i frymezon vetem dashakeqsia e imagjinuar e AV; vetem ashtu mund te ndihen rehat me veten.

  8. Per mendimin tim llogjet e Leles dhe intervista kane vetem funksion depistazhi te vemendjes publike nga çeshtja Fullani, Lela shkon e kap mikun e Rames per te ngritur ca pluhur, dje Klani me te vetet ben nje emision pro-Fullanit e sot Sala ia keput, arrestimi i Fullanit gjest stalinist. Lela ne fund te artikullit i fut edhe nje pedeizem moral ose moralizem pedeist e i ve tape muhabetit.

  9. Gazetari A. Lela mund t’i kishte mbrojtur më mirë arsyet e Mapo-s për botimin e intervistës së Maks Velos. Shkrimi nuk është i argumentuar mirë dhe kalon nga dega në degë. Mendoj se personalizimi i temës, duke iu drejtuar shkrimeve e debateve në Ptf, nuk e ka ndihmuar argumentimin e autorit. Vetë temat që preken janë madhore e të vështira për t’u futur në faqet e gazetave. Po të shtojmë këtu pasaktësitë e frymën polemike atëherë kemi rezultate të pakënaqshme. Lela do të kishte bërë shumë mirë të shpjegonte shkoqur përse vendosi ta intervistonte Maks Velon dhe t’ia botonte më pas në Mapo. Do të kishte qenë përgjigjja më e mirë ndaj atyre që e panë në mënyrë kritike ofrimin e hapësirës mediatike ndaj mendimeve të shprehuara nga Velo. Por për këtë duhet të jesh bindës e mbi të gjitha nuk duhet të përgjigjesh flakë për flakë ose thjesht për kunj. Nuk tingëllon mirë që të vetmit emra të përveçëm në të gjitha kategorizimet e Los Indignados, siç i quan autori i intervistës, është ai i Xha Xhait dhe i Peizazheve të Fjalës. Të tjerët treten nëpër klasifikime të përgjithshme. Shkrimi mund të ishte pasur një qasje tjetër. E meriton tema, e meritojnë lexuesit.

    1. Pishako, ose ky Lela e konsideron vetem Vehbiun si te denje per debat dhe injoron te tjeret dhe s’i permend Indignados me emer, ose ka frike te permendi emra dhe Vehbiun e ka kollaj ta sulmoje se Vehbiut s’i del njeri per zot kurse ne Tirane jane te gjithe tarafe dhe ke frike deri edhe te parkosh makinen pa pare nje here rreth e rrotull. Them se eshte kjo e 2-ta.

  10. Problemi i mutit eshte qe sa me shume ta trazosh aq me shume mban ere. Ndjese per banalitetin gjuhesor; eshte thjesht me qellimin e percjelljes se ndjesise qe me shkaktojne te tilla qasje e muhabete, te cilat tashme u zhvendosen nga anonimiteti i nofkave te internetit tek gjuha e “kulturuar” e Velos ne platformen gazetare-profesionale te Zhejit dhe Leles.

    Ne internet dhe ne bisedat private gjen kudo, ne cdo kulture e komb, njerez qe e shikojne tjetrin (veriorin, jugorin, lindorin, zezakun, kinezin, mjekercjapin, emigrantin, etj) jo vetem si nen-qenie, por dhe si nje objekt legjitim per ta tallur, denigruar, e me raste dhe rrahur e vrare. Ama ti vesh ne dispozicion gazeten si platforme ketyre qasjeve dhe “argumentave” eshte se paku e turpshme dhe e pamoralshme, sepse ata “te tjeret” (maloket dhe muslimanet ne rastin e Velos) jane njerez si ne, pavaresisht dialektit, diapazonit kulturor apo modelit te flokeve. Kjo eshte kryesorja, eshte e para. Se dyti pastaj mund te flasem per ceshtjet ligjore, dasira kombetare, efekte anesore, etj.

    Velo ne kete pike nuk ndryshon hic nga anonimet e internetit dhe bisedave private; profili i tij profesional e publik jo vetem qe s’duhet te perdorej si justifikim per te publikuar ne gazete qenefe te tilla por duhej pare krejt ndryshe, ashtu sic eshte ne realitet; nje suste, nje katapulte qe amplifikon efektin e ketyre bajgave, ketyre denigrimeve dhe ofendimeve masive, si kosa qe korr barin.

    Lela ne vend qe te kerkonte ndjese per bashke-kontributin (me Velon) ne fyerjen e qindra mijera shqiptareve, e shpon me teper kete qenef. Turp! Turp akoma me shume Zheji si brigadier suprem i Mapo-s, duke pare qe ai s’pati minimumin e njerzillekut dhe dinjitetit per te kerkuar falje per kete Velo-bajge te cilen gazeta e tij ja hodhi ne surrat gjysmes se bashkekombesve te vet.

    Si dhe, verej me zhgenjim qe 2xha perseri servir kredencialet profesionale te Velos si nje maske per te mbrojtur Velon nga te vjellat e veta…perben humor (duket thuajse sikur 2xha po keshillon nje 5 vjecar qe eshte turp te ulesh breket dhe te 10sesh ne trotuar), pervec argument te dobet.

    Njesoj me parjen e sharjeve dhe ofendimeve anonime tek komentet/reagimet per artikullin e Velos si gogolet primare te kesaj meseleje. Padyshim qe ata duhen denuar/kritikuar, ama te shikosh anonimet ne komente si shkaku dhe si gjeja kryesore, ndersa Velon e Mapon si pasoja dhe gjeja dytesore, eshte saktesisht perspektive permbys, per mendimin tim.

    Mapo intervistoi Velon, jo anonimet. E persa Mapo e beri gazeten e vet platforme per mutin e Velos, s’ka pse habitemi me faktin qe Mapo lejon edhe komentet denigruese apo kercenuese te anonimeve.

  11. Në shkrimin “sqarues” që ju citoni këtu (që në fakt nuk shpjegon kurrgjë, por është vazhdim i intervistës, me të njëjtën lëndë), autori i “Magazinës Popullore” veç është rrekur të gjejë aleatë. Pasi ka rreshtuar e dërrmuar tërë “kundërshtarët”. Ndaj edhe ndonjë fjalë “të mirë”, “të butë”, “intelektuale”, “moderne” a “bashkëkohore” në përkrahje edhe mund t’ia kishit lëshuar koncesion. Me ç’kuptohet, atë priste edhe autori.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin