TË RRËFESH NË TERR

Terrin e kinemasë e kanë krahasuar me lëngun amniotik a me shtratin e ëndrrës –të paktën me një ftesë që i bëhet spektatorit për të besuar diçka më tej. Krahasim që, në çdo rast, shpërfill kontrastin e kësaj errësire me lojën e dritës në ekran.

Mua do të më pëlqente edhe ta krahasoja, sallën e kinemasë, me dhomën e errët, ku fëmija para se të niset për gjumë, i thotë prindit: “më thuaj një përrallë”, “më trego një histori…”; pa çka se dritën e ekranit, në këtë skenar, e zëvendëson zëri.

Nga fëminia, kujtoj edhe një program të dashur të Radio-Tiranës, “përrallën”, që jepej çdo mbrëmje dikur rreth orës 19:00; pak si herët, për të më çuar mua në krevat, por që gjithnjë më vjen në mend e rrethuar me errësirë.

Të ketë edhe diçka më tepër, në këtë lidhje kaq të papritur, mes territ dhe rrëfenjave? Diçka më tepër se shoqërimi me gjumin dhe ëndrrën, ose edhe me mundësinë që fëmija ta fillojë ëndërrimin që para se të përgjumet?

Fjala e mbush terrin pa e dëbuar, me dritë të një lloji tjetër. Përralla rrëfen njëlloj si loja e imazheve në ekran – aq sa një film mund të “tregohet”: sa na ka pëlqyer ky ushtrim i fjalës, kur ishim të vegjël, dhe sa na irriton sot, kur filmi është kapur peng nga televizioni.

Përndryshe, ajo çfarë rrëfen ti, funksionon si të ishte film, duke i nxitur imazhet në mendjet e atyre që dëgjojnë: përfytyroni rapsodët, që projektojnë te dëgjuesi filmin e eposit nëpërmjet zërit dhe lahutës.

Kur flasim për eposin, mendja na shkon pastaj te Homeri i verbër, i cili jetonte, njëfarësoj, në errësirë të përhershme.

Verbëria e bardëve vjen si një lloj bekim-mallkimi: të errëtit e nxit thurjen e rrëfimit, qoftë edhe vetëm për të trembur frikën: hapësira e populluar me fjalë është edhe botë e populluar me njerëz.

Dhe këtu shtegu i muhabetit na nxjerr te një tjetër i verbër i madh i fjalës: Borges-i.

Alberto Manguel tregon si, ndonjëherë, Borges-i tashmë pothuajse krejt i verbër i kërkonte që të shkonin bashkë në kinema; dhe pastaj t’ia përshkruante filmin me fjalë, gjatë kohës që ky shfaqej në ekran – megjithë zemëratën e publikut. Përshkrimi duhej të shoqërohej me komente dhe vërejtje gjithfarësh – meqë Borges-i donte që miku i tij t’ia tregonte filmin ashtu siç e përjetonte.borges

Ashtu edhe “panë”, të dy bashkë, West Side Story, Psycho, The Collector, Lord Jim, She Done Him Wrong dhe King Kong.

Manguel nuk thotë çfarë e tërhiqte Borges-in në kinema – ndoshta dëshira për të përsëritur eksperienca të mëparshme, më fatlume; ndoshta edhe thjesht atmosfera amniotike e kinemasë: edhe pse nuk shihte pothuajse asgjë, argjentinasi i madh ende e shquante dritën dhe errësirën. Ndoshta edhe, më në fund, i pëlqente kolona zanore e filmit, kumbimi i tingujve në sallë, atmosfera akustike – që, së bashku me errësirën, përftonin ndonjë lloj hipnoze onirike.

Njëlloj si fëmija para gjumit, edhe Borges-i i kërkonte mikut të vet që t’ia tregonte filmin – dhe, lexuesit i lejohet të mendojë, ky rrëfim do të ketë qenë më shumë i asaj çfarë ndodhte në ekran, ose diegjetik; meqë Borges-i dialogjet i dëgjonte mirë dhe i kuptonte.

Sërish këtu më vjen një kujtim nga fëminia: teatri në mikrofon, që e përjetonim si të ishte “film” pa imazhe. Përfytyrimi i plotëson imazhet duke i fantazuar, njëlloj siç plotëson dialogjet, gjatë një filmi pa zë.

Një i verbër në kinema: çfarë filmi luhet vallë në mendjen e tij? Ose më mirë, me errësirën si parakusht specifik të eksperiencës kinematografike, a nuk është i verbri gjithnjë në kinema?

Kur shoh filma anglisht në formatin video, më pëlqen t’i lë të ndezur titrat (captions) – sepse ashtu nuk më shpëton asgjë nga ç’thuhet. Mirëpo, në fakt, ky shërbim titrimi u ofrohet, para së gjithash, njerëzve me probleme dëgjimi; dhe, natyrisht, të shurdhërve. Prandaj edhe titrat jo vetëm riprodhojnë çfarë thonë personazhet në ekran, por edhe tekstin e ndonjë kënge që dëgjohet në film rastësisht; madje edhe përshkruajnë kolonën zanore (ominous sound) dhe zhurmat e ndryshme në ekran, duke më tërhequr vëmendjen për gjëra që përndryshe nuk do t’i kisha vënë re.

Më ka ndodhur të shoh të afërm të mi në moshë, të rënduar nga veshët, duke ndjekur filmin në TV me zërin të shuar, ose në heshtje të plotë: gjithçka akustike u del e përshkruar në ekran, si të ishte fjala për një atlas anatomik të filmit vetë.

Dhe këtë heshtje tundohem tani ta krahasoj me errësirën – edhe atë realen, të natës dhe të sallës së kinemasë; edhe atë tjetrën, të imagjinuarën, ku noton i verbri. Në të vërtetë, pasi lexova pasazhin e Manguel-it, për aventurat e tij kinematografike me Borges-in, iu ktheva mendërisht tregimeve të argjentinasit, për të gjetur aty gjurmë të panumërta të errësirës: që te rrënojat rrethore, të tregimit ku dikush vihet të ëndërrojë një tjetër me aq intensitet, sa ta kthejë në jetë, te vetmia e errët e Asterionit, në labirint, duke pritur për Teseun dhe dhomat detyrimisht të errëta të Bibliotekës së Babelit. Më shkoi mendja se të gjitha këto tregime, njëlloj si ekrani i kinemasë ose dhoma ku gatitet të flerë fëmija, janë të rrethuara nga errësira.

Ose heshtja që ndan rrëfimin nga ëndrra.

*Alberto Manguel, Into the Looking Glass Wood, Alfred A. Knopf, 1998, f. 44.

Nuk ka komente

  1. M’u kujtua tani qe mbi terrin qe rrethon Philippe Noiret e verber ne filmin “Nuovo cinema paradiso” ndertohen ne fakt fijet komplekse (shpesh te lena qellimisht ne ajer e pa shpjegim) te ndjeshmerive dhe erotizmit qe e ben ate film aq te paharruar. Te paret me syte e tjetrit aq sa te paret me syte e mendjes (asnjera prej tyre s’do qe e mundur pa erresiren e domosdoshme ose te qelluar) krijojne nje cift njerezish te denje per interpretime pa fund dhe qe lidhin nje histori aq te bukur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin