NJË SONDAZH I MAPO-S

Maks Veloja kremton inkorrektesën e vet politike me një intervistë te MAPO-ja, ku mes të tjerash “shpjegon” se pse është antiverior dhe antimysliman.

Janë qëndrime jo dhe aq të panjohura; kanë brenda tyre anekdotën e pazarit, ose një frymë thelbësisht katundare për të kundruar njeriun, sikudër edhe tradhtojnë brishtësitë e njësisë sonë kombëtare.

Flet për krimin që ka pushtuar “Veriun”, për Islamin me të cilin ka qenë në luftë prej 500 vitesh, për Kosovën dhe ata kosovarë që urrejnë Skënderbeun dhe Nënë Terezën (filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani), për osmanët dhe “të gjithë popujt orientalë” që nuk kanë nerv estetik; në një kohë që në Europë “edhe arinjtë kanë sens estetik.”

Pa i lënë kohë lexuesit të mbushet me frymë, e vazhdon pastaj pjesën tjetër të intervistës duke u shprehur më me këmbë në tokë, si arkitekt, urbanist dhe intelektual publik.

Tani, ka ndonjë prej nesh që pret nga z. Velo t’i sqarojë esencat antropologjike të “veriorëve” dhe të Islamit si fe dhe kulturë – por unë nuk hyj atje; sikurse nuk hyj në grupin tjetër, të atyre që duan të marrin vesh se ç’mendon z. Velo për “veriorët” dhe myslimanët në Shqipëri dhe në botë.

Por MAPO-ja këtë intervistë ua ofron të gjithë atyre që zotin Velo duan ta shohin të lyer me zift dhe me pupla, dhe të shëtitur në publik si të ishte kafshë ekzotike gjysmë e ngordhur.

Dhe Veloja e ka dhënë vetë shpjegimin e kësaj katrahure, kur – duke treguar si u prish Piramida në Tiranë – vëren se “nuk ka më të rrezikshëm se artistët, kur ngatërrojnë disiplinat.

Edhe pse unë këtë “të rrezikshëm” do ta kisha ndërruar me një mbiemër tjetër.

Natyrisht, në intervistë artikulohet një orientalizëm folklorik që ua kam dëgjuar edhe të tjerëve, veç Velos. Këta janë njerëzit që, për nga formimi dhe inteligjenca duhej të lëshonin dritë – por, në fakt, veç janë duke mbledhur miza.

Edhe pse MAPO-ja i moderon komentet, impromptu-t e Velos shoqërohen nga një rrëmujë reagimesh plot zemëratë, nëpërmjet të cilave, si rregull, një numër anonimësh rreken t’i vërtetojnë të intervistuarit se, në fakt, janë jugorët ata që qëndrojnë shumë më poshtë se veriorët, etj.

Ka atje edhe sulme, siç mund të pritej, ndaj shqiptarëve ortodoksë.

Veloja quhet ndonjëherë “i çmendur”, ndonjëherë tjetër “serb i shqiptarizuar” ose Maksimir Veliçkoviç, e më në fund “antishqiptar”.

I bëhen Velos sulme ad hominem, për mënyrën si u arrestua, për punë familjare, dhe për prejardhjen e tij “vllaho-greke”.

Një komentues është i bindur se:

Velo qëndron këtu, me një mision të caktuar, i mirëpaguar nga armiqtë e Shqipërisë, për të mbjellë në këtë vend farën e përçarjes krahinore dhe fetare, për të prishur atë harmoni, që e gjithë bota na e ka zili.

Ka në komente invokime të shumta të racizmit shqeto, teorive pellazgjike dhe Ismail Kadaresë.

Ka edhe njerëz që e qortojnë gazetën MAPO dhe A. Lelën, si intervistues, që e lejuan këtë karagjozllëk provincial.

Një Ilir nga Shkodra thotë pastaj për Velon: “ky njeri duhet hequr qafe.”

Në tërësinë e tyre, komentet profilojnë një grup lexuesish që mendojnë pak a shumë si Veloja, vetëm se në kah të kundërt: se veriorët janë më të mirë dhe fisnikë se jugorët, e kështu me radhë.

Mllefi që derdhet atje kundër “jugorëve” ia kalon atij të Velos kundër “veriorëve” dhe “Islamit” dhe lexuesi largohet me përshtypjen se uniteti kombëtar i shqiptarëve u themeloka vërtet mbi korrektesën politike, ose më mirë, mbi heshtjen dhe censurën.

Dhe, paradoksalisht, folklori i shpenguar që bëri Veloja në intervistë fillon të marrë trajta të reja, alarmuese. Shpërfilljes së tij provokative – se nuk mund ta quaj ndryshe – ndaj një kategorie shqiptarësh, i kundërvihet tani një shpërfillje difuze, por njëlloj e paragjykuar dhe provokative, të lexuesve të MAPO-s ndaj një kategorie tjetër.

Intervista e Velos shndërrohet kështu në një palestër të urrejtjes ndërkrahinore dhe ndërfetare, nën bekimin e një medie publike.

Dhe, çfarë është paradoksale në këtë mes, masa e paemër e komentuese, në tërësinë e saj, duket sikur ia përligj Velos paragjykimin e vet provincial për “veriorët.”

I intervistuari, me ato që tha, ia arriti të krijojë një simulakër prej balte të armikut të vet imagjinar(veriorit mysliman); dhe gazeta MAPO, me hapësirën e vet, i fryu këtij simulakri pak jetë në orificet.

Dhe kështu pasi foli Veloja arkitekt, urbanist dhe antropolog i kohës së lirë, foli edhe anti-Veloja, si hidra me shumë gojë, për t’ia legjitimuar gjepurat.

Se kur vjen puna për të rënë pre e provokimeve, edhe nga ato prej marifetçiu të cirkut shëtitës, ne shqiptarët shquhemi të gjithë, pa dallim krahine dhe feje: e kafshojmë karremin me zell të paparë, a thua po prisnim për peshkatarin e radhës.

MAPO-ja shpoi eksperimentalisht truallin e opinionit publik dhe natyrisht, i ndeshi sonda në kakë.

Nuk ka komente

  1. Une nuk besoj se Mapo-ja beri nje shpim eksperimental. Qendrimet kryekeput raciste te Velos dihen. Mirepo ai i ka shprehur ato te fragmentuara ne vite dhe atyre nuk i eshte vene asnjehere spotlight-i megjithe papergjeshmerine qe e karakterizon median shqiptare. Mapo-ja beri nje riprovokim duke i dhene ketyre mllefeve neurotike podiumin dhe duke u vene megafone. Dhe ne fakt i ka vene megafonin ketyre qe e ke shprehur kaq bukur:

    “Janë qëndrime jo dhe aq të panjohura; kanë brenda tyre anekdotën e pazarit, ose një frymë thelbësisht katundare për të kundruar njeriun…”

  2. Padrejtësia këtu është se sikur Maksi të quhej Shefqet dhe të deklarohej kundër të krishterëve apo krishtërimit, do ti kalonte disa orë në ndonjë rajon. Sigurisht kjo nuk është zgjidhja dhe jam kundër këtyre lloj penalizimive; si për Maksin dhe për Shefqetin apo për më të rinj.
    Kjo për arsye se problemi i vërtetë është edukimi; jo vetëm ai prej mediave.
    Pak ditë më parë në një gazetë kishte një shkrim mbi sistemin arsimor në Finlandë, i konsideruar ndër më të mirët, apo më duket më cilësori në botë, dhe tërësisht shtetëror. Vërtetë duhet promovuar ky shembull, pasi përndryshe nuk kemi për të shkuar më larg – dhe mund të kemi probleme më të mëdha në të ardhmen – me gjithë këto institucione arsimore turke, greke, franceze e amerikane, ndonjëherë institucione kishash e xhamish. Për të mos folur për vetë privatët shqiptarë.

  3. Veloja me kujton shprehjen e E. Hoxhes tek gjyqi ndaj Kadri Hazbiut:
    – Nuk e njohim neve se kush është Beqir Balluku, një mut muti ?!

    Veloja menjane, per arsye te pushtimit osman, Shqiperia ka trashegimi arkitekturore qytetare turke. Gjithçka paraturke apo joturke eshte arkitekture monumentale dhe ketu nis nje thyerje te cilen vetem koha mund ta ngjise. Thyerja ka te beje me faktin qe trashegimia arkitekturore jomonumentale rrefen per vete kulturen qytetare. Vertet ne kohen e Zogut u be qendra e Tiranes me ministrite sipas stilit italian, por arkitektura e Tiranes ishte thellesisht turke dhe kultura qytetare nuk mund te ishte shume ndryshe.
    Ne njefare menyre me thuaj çfare nderton te them se cili je (me perjashtimet e detyrueshme).

    Vetem kur koha te ktheje ne monumentale gjithe arkitekturen osmane (me kete kam parasysh rrezimin e pashmagshem te shume prej banesave te vjetra e mosrestaurimin e tyre ) thyerja mund te ngjitet.
    Te themi ate qe eshte, ne 1912 dhe ne1992 kemi nisur e rinisur te njejten rruge, e cila na detyron nder te tjera edhe monumentalizimin (nese mund te thuhet keshtu) e asaj qe ishte me pare, ashtu sikunder me pushtimin turk, nisi monumentalizimi i asaj qe ishte me pare.

    Ka te beje jo pak ne mendesi vendi ku rritesh, si eshte strukturuar lagjja, si konceptohet vete hapesira e brendshme e shtepise dhe kohet moderne kerkojne njerez qe rriten ne lagje moderne me pallate moderne.
    Sigurisht qe ne kete kuptim, kaosi urbanistik mund te na rrefeje edhe diçka ne mendesine e brezit te ri, i cili do te jete me kaotik ne perceptimin e se jashtmes apo publikes se ai i djeshmi, por edhe me sqimatar ne perceptimin e se brendshmes apo privates.

    1. Ndryshe nga Ypi (për të cilin nuk flas dot, sepse është i dëmtuar), Veloja është njeri i ditur dhe shumë i mençur – një libër i tiji me ese dhe kujtime (“Kohë antishenjë”), m’u duk nga më të mirët që është shkruar ndonjëherë për komunizmin shqiptar. Ndoshta pozicionimi i tij si anti-verior është pjesë e një akti performues, prej artisti. Sa për anti-myslimanizmin, ky është pjesë e një orientalizmi që veç Velos ua dëgjon shumë vetëve – të cilët çdo të keqe sociale që gjejnë mes shqiptarëve, ia faturojnë trashëgimisë osmane, ose “aziatike”. Këtyre u ka mbetur sahati në shekullin XIX, ose më mirë në romanet e bulevardeve të atij shekulli – janë më shumë simptomë e prapambetjes sonë, sesa analistë kritikë të saj. Nuk u shkon mendja, bie fjala, të dyshojnë se anti-myslimanizmi mes katolikëve dhe ortodoksëve shqiptarë (që ndër elitat merr shpesh trajtat e orientalizmit) është edhe ai trashëgim i strategjisë së tyre të mbijetesës, si pakica fetare brenda Perandorisë; pra është edhe ai njëlloj trashëgim i periudhës osmane.

  4. Intervistën e Velos e kish nxjerrë sot edhe Dita edhe Tema – të paktën këto janë faqet që pashë unë.

    Që gazetat tona i kalojnë dora dorës shkrimet më të klikueshme, kjo dihet; por nuk e kuptoj pse e bëjnë këtë me një intervistë që, sa i përket pjesës së marrëdhënieve ndërkrahinore dhe ndërfetare, vërtet e shkel korrektesën politike, por pa shtuar i ndonjë gjë me vlerë trajtimit të këtyre marrëdhënieve.

    Pse e bëjnë, pra, gazetat këtë? Të thuash që u intereson që t’i vënë zjarrin paqes ndërkrahinore mes shqiptarëve, do të ishte teprim. Jam i sigurt që nuk e bëjnë për të lartësuar Velon, as MAPO-n.

    Atëherë pse? Për të treguar që ka njerëz që mendojnë kështu? Për të nxitur zemëratën e veriorëve dhe të myslimanëve? Kjo e fundit më duket më e besueshme, por prapë nuk ia gjej dot logjikën.

    Dhe, meqë jemi në temë, Veloja flet shumë për arkitekturën orientale të qyteteve; por harron se një nga shkaqet e prapambetjes së Veriut të Shqipërisë është se, kur u caktuan kufijtë, këtij Veriu i mbetën jashtë të gjitha qytetet e referimit: që nga Gjakova e Prizreni, deri te Prishtina, Dibra e Madhe, Struga dhe Shkupi.

    Kështu Veriu u de-qytetarizua; dhe katundet i mbetën pa pika referimi të rëndësishme. Dhe jeta katundare ka shumë të mira, por këto të mira gjithnjë i ka në referencë dhe, në kundërvënie po të doni, me qytetin.
    Regjimi i Hoxhës bëri disa përpjekje për të ndërtuar qytete të reja në Veri; por këto nuk ngrihen me urdhër të peshkut. Fakt është që Rrësheni, Bulqiza, Laçi dhe të tjera qytete të vogla si këto nuk arritën dot të marrin jetë ashtu siç duhet.

    1. Nje shtyp i papergjegjshem deri ne kete pike, nese nuk e ka nivelin e duhur per t’i kuptuar vete gjerat, duhet detyruar “t’i kuptoje” me pahir.

      Keto intervista, perpos ndonje vlere te fshehte estetike si “akte performuese prej artisti”, kane edhe nje “efekt anesor” social: nxitin urrejtjen nderfetare dhe nderetnike, pra shkelin ligjin dhe ne baze te ligjit duhet te denohen.

      Po te detyrohet Alfred Lela apo gazeta te paguaje nje gjobe te kripur per nxitje te urrejtjes nderfetare dhe nderetnike, heren tjeter do te mendohet mira para se te botoje intervista te tilla.

  5. Une mbetem me Velon derisa asnje nuk do dale e ti rrezoje me fakte ate qe mbron ai qe verioret jane me te prire ne kete faze per krimin. Ne se dikush mund te me bind me fakte qe ne burgjet e Anglise, Greqise e Italise jane me perqindje me te ulet verioret se pjesa tjeter e shqiptareve. Kur te shpjegojne pse ka kaq shume te ngujuar ne veri e nje deshire e cmendur per tu kthyer tek kanuni i LD. Qe ka nje disnivel kulturor ndermjet jugut e veriut nuk diskutohet por fshihet. Sepse pastaj te gjitha mbeten opinione.

  6. Idetë e M. Velos s’janë as të reja, as risi. I gjen (si format paragjykimesh fetare e krahinore) të përhapura gjithandej, që nga njerëzit e rrugës e gjer tek njerëzit e “salloneve”, se po s’gjej dot fjalë tjetër si ta përkufizoj vipërinë e këtyre kohërave që jetojmë. Në ndryshim nga të parët e edhe nga këta të fundit, që i mbajnë e i ndajnë zakonisht vetëm mes tyre, Veloja u jep zë e i shpërndan publikisht – një çiltërsi, e vetmja e mirë kjo, për të cilën duhet falenderuar në njëfarë mënyre. Sa për ato ç’thotë, është njësoj sikur dhia që ecën e i lëshon ku të mundet kakërdhitë, të ngrihet e të thotë që ato janë gurë oniksi. (Në një koment këtu kërkoheshin kundërargumente e shifra ndaj fjalëve të Velos, a thua se ai vetë, para se t’i lëshonte ato përtokë, kish fjetur mbi statistika.) Nuk më duket se ka kushedi çë “performancë artistike” nga ana e tij – janë thjesht idetë e një njeriu të rritur, si zakonisht këtu, me paragjykime e pastaj të lënduar keq nga jeta, që rrugës ka mbledhur jo vetëm art e shkollë, por edhe shumë vrer. Shkurt, prej tij nuk është se pritej ndonjë gjë tjetër, as zbulim, as reflektim.
    Ajo që mua më bëri përshtypje në atë intervistë ishte intervista vetë. Ngjan si një rrufe në qiell të qiell të kthjellët. Veç ngjan, ama, se mua më rezulton tjetër gjë. Disa revoltohen se përse e paska lejuar gazeta atë intervistë. Gazeta nuk është se e ka lejuar, ajo e ka kërkuar intervistën. Përse, do pyesë ndokush. Për të shitur më shumë kopje? Zor ta thuash. Njëzet vjet më parë, ndoshta po; por sot – kur njerëzit që i lexojnë, e bëjnë këtë në masë përmes internetit – nuk shet më shumë se dy fletushka më shumë nga ç’fletushka janë shitur një ditë më parë. T’i prishë imazhin vetes duke u dhënë zë këtyre qëndrimeve? Jo se mediat sot e vrasin shumë mendjen për këtë, por në fund të fundit nuk duan ta bëjnë, se është e dëmshme për biznesin e tyre. Atëherë përse ta ketë kërkuar gazeta këtë intervistë? Mua më duket thjesht për biznes. Jo për biznesin e gazetës, por për bizneset e tjera të atyre që e mbajnë gazetën në këmbë me para.
    Ka një linjë në intervistë, aty nga fundi, që citimet e sjella këtu nga xha xhai nuk e pasqyrojnë. Është linja e Velos “mik” e “këshilltar elitar” (përmjet shkrimesh të rralla) i kryeministrit, i cili “ia dëgjoka fjalën” – po të njëjtit Velo që nga fillimi i intervistës është “antiverior” e “antimysliman” i paepur. Ky është qëllimi i intervistës, prerja e artë që ndërohet heshturazi në mendjet e lexuesve mes dy Velove, njëri “luftëtar i krishtërimit” që kërkon të na risjellë “qytetërimin e humbur evropian”, e tjetri “artisti” urbanist jo vetëm me njohuri, por edhe “me ndikim” në vendimmarrje. Dhe me efektin publik të ligjërimit të kësaj figure groteske, gazeta miklon njërin krah politik e shantazhon krahun tjetër, për përfitime dite biznesi që unë s’kam nga t’i di tani. Apo që s’dua t’i di. Dhe këtë e bën duke ngritur në ajër kutërbimin e një dallge tjetër ndyrësish, a thua se s’na mjaftonjë mutrat e zakonshëm mes të cilëve jetojmë përditë.
    Xha xhai tregohet shumë i sinqertë kur në fund i ve emrin “kakë” intervistës së Velos e reagimit të masës bashkë – niset nga idetë që ka vetë mbi gjërat dhe përpiqet të shohë diçka prej fëmije, diçka njëfarësoj të pastër edhe në këtë ekskrement publik. Bëjmë mirë të jemi realistë. S’është kakë fëmijësh, është mut të rriturish – gazetës as që i intereson se ç’mbjell e se ç’do korret nga të tilla gjëra. I intereson vetëm biznesi i saj. Muti i saj. Sepse, në fund të fundit, gazeta nuk është se ka sonduar thjesht opinionin publik. Në radhë të parë, ka sonduar veten. Erën e qelbur të kësaj bëme erdhi puna ta ndjejmë edhe ne. Veloja në këtë histori s’është veçse budallai i shfrytëzuar keq, një kokosh majë plehu, të cilit gazeta i ka rënë me kopan. Sepse i duhen vezët e tij “të arta”. Përsenë e dinë vetë në gazetë e s’kanë ndërmend t’ia thonë publikut.

    1. Si për të konfirmuar paragjykimet e z. Velo, ja ku ia behu edhe z. Gjekmarkaj, me një shpjegim të papritur për intervistën e kaqpërfolur: autori i saj qenka “përfaqësues i njohur i vllehëve të penduar që u bënë shqiptarë.”

      Vllehët, sipas Gjekmarkajt, kanë qenë në përgjithësi të lidhur me diktaturën dhe në raste delikate, ata “i ngulin thika pas shpine këtij vendi.”

      Thotë ai:

      Disa detraktojnë Skënderbeun, të tjerë duan të vjedhin Nënë Terezën […], ndonjë zhytur në amullinë e harresës do të ngatërrohet te lidhëset e këpucëve të Kadaresë […]

      Nuk përmend emra, por unë gjej këtu Fatos Lubonjën, Aurel Plasarin dhe Nasho Jorgaqin – të përfolur edhe më parë si “vllehë.”

      Këta, sipas Gjekmarkajt, “godasin simbolet,” në një kohë që Veloja godet “masën njerëzore.”

      Dhe kështu vijmë tek hipoteza e konspiracisë vllahe, e cila ka vite që qarkullon në mediat e djathta të Tiranës.

      Nuk di mbi ç’bazë e quan autori i artikullit Velon “përfaqësues të njohur të vllehve të penduar që u bënë shqiptarë”.

      Ja si e arsyeton ai: shumë anëtarë të komunitetit vlleh (po çfarë është ky xhanëm?) i kanë bërë shërbime të vyera rilindjes kombëtare dhe vetë Shqipërisë, por disa të tjerë, një çetë, “tanimë ndiejnë pendesë për këtë konvertim, zemërim për etërit e tyre, por më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët tolerantë.”

      Dhe ku bazohet kjo fantazi e pendesës së vllehëve?

      Te “disa të vërteta”, të cilat Gjekmarkaj mendon se ka ardhur koha që “t’u thuhen” atij [Velos] dhe një skalioni tjetër këtu në Tiranë.

      Paska pra edhe një skalion vllehësh, në Tiranë, që vepron mu nën hundën e shqiptarëve safí!

      Dhe kjo është gjuha me të cilën një person si Gjekmarkaj, që nuk është se erdhi nga rruga, i kundërpërgjigjet intervistës së z. Velo.

      Atje ku Veloja i ndante shqiptarët në jugorë [+] dhe veriorë [-], Gjekmarkaj i ndan në shqiptarë të mirëfilltë [+] dhe “vllehë” [-].

      Kam shkruar dikur se kjo fjala “vllah” në polemikat kombëtariste nuk është veçse një fjalë kod, për të nëpërkëmbur ortodoksët shqiptarë pa rrezikuar akuzën për përçarje kombëtare.

      Nuk jam në gjendje të them nëse Gjekmarkaj po luan këtë kartë apo jo. Kushedi ai e ka vërtet me “komunitetin vlleh” dhe “përfaqësuesit” e tij.

      Megjithatë, argumenti i tij është po aq përçarës sa i Velos.

      Vetë nuk jam në gjendje të them nëse dikush është apo jo vllah. Nëse e flet dhe e shkruan vllahishten dhe e mban veten dhe familjen e vet për vllah, dhe kushedi edhe lufton për të drejtat e “komunitetit vllah”, po.

      Përndryshe, këto investigime etnike, me skalione dhe “të vërteta që i dimë” janë punë që u shkojnë për shtat nazistëve.

      1. Arsimimi i lartë e studimet e thelluara janë si punë e ujit dhe plehut. Ia lëshon bimës në arë, të bëhet më e lartë e më e mirë. Po edhe ferrës po t’ia hedhësh, bëhet më e lartë e më e madhe, edhe se pema. Asnjë nga sa më sipër, as uji, as plehu, nuk e zëvendëson dot peshën dhe rëndësinë e edukimit e arsimimit fillestar.
        Sonda e Mapos po jep efektet e veta, si rrathët nga guri në pellg.

  7. Nuk e di si e kane punen keto Korcaret, por kam njohur njeren (PhD ne sociologji) qe refuzonte ti quaje shqiptare Kosovaret. (sic e shikoni mund t’ia kthejme kusurin Velos me te njejten monedhe)

  8. “Vetë nuk jam në gjendje të them nëse dikush është apo jo vllah.”

    Pikerisht per kete arsye ata jane me te rrezikshmit, sepse fshihen mes nesh dhe nuk i shquajme dot. Pak a shume si masonet dikur, apo si “illuminati”, “skull and bones” e te tjera perbetime te sotme.
    Duhen hapur syte, duhet rritur vigjilenca! 🙂

  9. Mapo-s/Leles nuk i ndeshi sonda ne ndonje gje te papritur; Mapo shkoi tek Velo me ato pyetje duke e ditur pergjigjen paraprakisht, meqenese Velo s’e ka as per here te pare e as per here te dyte qe jep pergjigje/reagime te tilla (dmth permjerje dasore krahinore e fetare ne emer te kultures dhe “fakteve”). Velo e ben shpesh kete kur i vihet ne dispozicion nje medium dhe nje mundesi (pyetje/debat) si puna e kesaj interviste.

    Kesisoj, nese me te drejte do ta etiketojme gjënë si “kakë”, s’mund tia veme fajin per kete me shume komentuesve anonime ne internet, te cilet reagojne pas mufkave te Velos “arkitekt, urbanist dhe antropolog”. Po, te gjithe keta e kane ngjyer gishtin ne kakë, perfshi Mapo-n si gazete dhe Lelen si gazetar. Por ama s’mund te reagojme sikur ne kete ngjarje (intervisten e Velos, pikpamjet e tij) ne fillim erdhi Mapo, pastaj komentuesit, pastaj si rrjedhoje u manifestuan pikpamjet gjydyryme te Velos, aq me pak ta paraqesim Velon si viktime ne kete mesele, si te keqperdorur apo te nxjerre nga konteksti i tij i larte kulturor.

    Te jesh arkitekt/mekanik/filozof/dentist s’do te thote qe s’mund te jesh dasor, shpir njeriu, sportist, legen materniteti, etj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin