PROFESORI QË ECTE DREJT

Im atë më telefonoi nga Tirana të më thoshte se kish vdekur Shaban Demiraj. Dhe tani kam përpara copa të vogla kujtimesh mbetur si gurëza deti mbledhur dikur, e ruajtur në një qoshe të sirtarit të shallrave, për të kujtuar një verë pushimesh të bukura. Nuk po mendoj tani për veprat e tij apo diskutimet gjuhësore që kemi bërë, por për gjërat e vogla që mbaj mend të ketë thënë kur kam qëlluar afër dhe që besoj që njerëzit jo pranë tij, nuk ia njihnin. Kujt ia merrte mendja p. sh. se profesori kishte një pasion për humorin, sidomos për ironinë?!

Kam thënë gjithnjë që falënderimet për njerëzit që në një mënyrë apo një tjetër të ndryshojnë jetën, u duhen dhënë drejtpërdrejt dhe kur ata janë ende gjallë. Dhe profesor Shabanit unë jam përpjekur t’i them falemnderit, kur ende ishte. Por këto copëra kujtimesh që më vijnë tani në mendje, nuk ia kam zënë me gojë ndonjëherë. Kalova disa herë kësaj vere nga rruga e shtëpisë së tij, por nuk desha të ngjitesha lart. Kisha frikë se nuk do ta shihja mirë… doja të më mbetej në mendje si verën e shkuar, me mendim, kujtesë e logjikë të admirueshme, sido që fizikisht i pamundur; me gruan e tij fisnike dhe thellësisht të përkushtuar pranë, që e shihte në gojë e në dritë të syrit kur i fliste dhe ishte gati të merrte për të çfarë i duhej e t’i krijonte freskun në ajër, supën ashtu siç e donte ai, t’ia vendoste këmbët në pozicion më të rehatshëm… “kemi pirgje e pirgje me shënime, fletore pa fund, që Shabani do t’i sistemojë, ca t’i botojë, por kurrë s’mjafton koha dhe shëndetin s’e ka më si dikur. Ishallah gjen kohë Bardhi ndonjëherë e i vë në rregull, se gjynah gjithë ajo punë!” Dhe, kështu, e lashë ende me plane e me punë të reja, sido që besoj se është gjuhëtari ynë më prolifik.  Ndoshta bëra mirë që nuk e pashë kësaj vere.

Kur e kisha profesor të fonetikës e morfologjisë historike, ne studentët e shihnim si vetë virtytin gjuhësor dhe atë hyjnor bashkë: dukej i pagabueshëm, i paqortueshëm, i pakorruptueshëm. Që para se të na jepte mësim, ia njihnim mirë hijen e rëndë kur vinte tek Filologjiku, me hapin relativisht të shpejtë, por absolutisht të kontrolluar. Profesori nuk të jepte kurrë idenë se po nxitonte, sido që po t’i viheshe pas, nuk mund ta ndiqje kurrë. Gjithnjë serioz, me kostumin perfekt me jelek brenda, gjithnjë krejt i kopsitur, dhe këpucët e stilit klasik pa asnjë njollë në shi apo diell, dhe që, sido që ishin po ato, nuk i vjetëroheshin kurrë. Në klasë nuk u ul asnjëherë: shpjegonte gjithnjë në këmbë. Në rrugë të krijonte idenë që nuk e kthente kurrë kokën anash, por e mbante shikimin vetëm drejt, sikur donte të thoshte se puna dhe të parët drejt, paguajnë gjithnjë dhe janë e vetmja formë e të qenit. S’e kuptoje dot si mund të orientohej dhe kontrollonte përqarkësinë me atë vështrim të palëvizur drejt. Një figurë që, edhe sikur të mos kish shkruar gjithë ata libra e të mos kish prestigjin shkencor e akademik që kish, të bënte t’i ndruheshe një kilometër larg. Por kur na dha mësim, pamë se dinte të buzëqeshte; buzëqeshte kryesisht me sytë që i bëheshin shumë të shndritshëm; bënte ndonjëherë edhe shaka në mësim, që, sido që lidheshin, fjalavjen, me historinë e metafonisë, ishin sa të zgjuara aq edhe të papritura. Një ditë qëlloi që m’u bashkua kur po shkoja në shkollë nga rruga e Elbasanit. Profesori dilte gjithnjë nga rrugica e përpjetë që nxirrte nga Stadiumi Qemal Stafa tek Rruga e Elbasanit, dhe duke qenë progresivisht energjik në hap, më kapi me hap mua kristianen e ngratë me hap njerëzor e paksa të zvarrë. Pastaj, pasi më tha ‘mirëmëngjes’, më ftoi të hipnim në trotuar e të mos ecnim në rrugë se “siç themi ne nga Vlora, këta (shoferët) të vrasjën e s’të paguajën.” Qesha atëherë, dhe qesh sa herë këtyre ditëve (në erën e vërtetë të makinave), kur shoferët në Tiranë sa s’të presin këmbët po u ece në “rrugët e tyre”.

Vdiq profesori aq thjesht e vernakularshëm saç vdesin jo-profesorët, zdrukthtarët, shitësit e biçikletave të përdorura, çobenjtë në mal, ata që s’e kanë dëgjuar kurrë fjalën balto-sllave, ndoshta as ilirishten. Ashtu siç ndodhi, ai kish parashikuar për vete një jetë të gjatë. Mbaj mend nga viti 1987 që i thoshte duke qeshur pedagogut të morfologjisë (së shqipes së sotme) F. Agalliut: “Ju ruajuni nga vdekja… se ne që merremi me gjuhësi historike vdesim mbi 90 vjeç nën shembullin e Kretschmer-it! Duket se historia është në anën tonë!” Dhe vërtet historia s’e mbrojti Agalliun e mjerë që vdiq i ri e në dhimbje, ndërsa i dha jetë të gjatë e të frytshme Demirajt. Eric Hamp, një tjetër gjuhëtar historik i po atyre kalibrave, mbi 90 vjeç sot, është tjetër dëshmi e hatëreve që historia ua mban këtyre gjuhëtarëve në raport me ne vdekatarët e hershëm. Është historia në anën e tyre apo ata në anën e historisë, nuk e di ende.

Unë isha nga fatlumet (e para, besoj) që profesori ngulmoi ta mbanin në katedrën e shqipes direkt pasi mbarova studimet, sido që interesi im në gjuhësinë historike ishte i kufizuar thjesht në çka kjo gjuhësi i shërbente drejtpërdrejt së sotmes, pra s’kisha aspak pasion për atë lloj gjuhësie vetë. Por ndryshe nga ç’priste e dëshironte profesori im i mençur, unë u martova me rrëmujë e sokëllimë, sapo mbarova universitetin, me ikje nga shtëpia e plot trazime të tjera. Dhe sidomos, sapo kisha mbaruar shkollën (?!) … menjëherë… pa i dhënë vetes kohë as të jepja provimet pasuniversitare, as ta bëja sefte mësimdhënien… (?!) Çfarë zhgënjimi për një njeri që sinqerisht të ardhmen e shkencës e shihte tek gjuhëtarët e rinj dhe e merrte me seriozitetin e babait të kujdesshëm e parashikues, që ndjek e edukon në detaj dhe personalisht rritjen dhe forcimin e tyre shkencor?! Pas ca kohe, një ditë kur hyri në zyrë, dy kolegë të vjetër të katedrës në të cilën kishim të gjithë nga një tryezë pune (ajo e profesorit, e pandryshueshme në qoshen afër dritares), i dhanë në praninë time lajmin se isha shtazënë… Unë ngriva, se e dija që kish kohë që s’bëja çfarë duhej e pritej. Të ishe shtatzënë pak a shumë në Tiranën e atyre ditëve përkthehej si fund karriere, dështim ëndrrash akademike, falimentim shkencor, dhe tolerohej si radhitje në grupin e “grave të mira” që kishin përfunduar në universitet në momente të caktuara falë detyrimesh a miqësish, dhe mbaheshin aty… si të thuash … për sevap dhe se ishin të mira (kishte edhe burra që bënin pjesë në këtë kategori, sido qoftë). Profesorit sikur i ra tavani në kokë sa ia thanë… Tundi kokën majtas e djathtas në shenjë pakënaqësie të qetë, dhe u nis të dalë nga zyra, por rrugës tha “hëm… ky stan, këtë bulmet ka!” Unë u bëra keq. Ia thashë sa munda, atij dhe tjetërkujt, me inatin dhe nervat e moshës dhe të reagimeve të etapës sime revolucionare, se ajo që tha ishte e keqe, anti-grua, anti-njeri dhe se unë s’do ta pranoja kurrë sidomos nga një njeri i respektuar si ai… ndoshta ia kam prishur gjakun atëherë. Por nuk u hakmorr kurrë për reagimin tim (dhe plot të tjerë do ta bënin), madje e kam pasur mbështetje edhe pasi lashë Shqipërinë vetëm pesë vjet pasi jepja mësim në katedrën e tij. Ai mund ta ketë harruar shpejt incidentin tonë, por mua më kish mbetur mendja keq, dhe më ra shpirti rehat, vetëm kur, pas shumë vjetësh, qëlloi të ishim në të njëjtin qytet në Gjermani, dhe i çova një tufë të madhe lulesh në një darkë ku ishim bashkë. Unë profesor Shabanin kisha fuqi ta mbaja inat, aq sa kisha të mbaja inat tim atë.

Profesor Shabani më ka mësuar të shkruaj. Praktikumi i shqipes që bënim me Memushajn, ishte një kurs fatlum për ne filologjiksat, sidomos pas seriozitetit të parelaksueshëm të Memushajt. S’e kishin studentët e tjerë këtë fat, dhe dallohej qartë ndryshimi në mënyrën se si shkruanim shqipen. Por, siç e di mirë tani, një njeri mëson të shkruajë duke shkruar, dhe jo duke mësuar rregulla. E vërteta është se universiteti (dhe as ciklet para tij) nuk na jepnin asnjë njohuri shkencore e rigoroze se si të shkruanim në stile e regjistra të ndryshëm. Të shkruarit qe i rastësishëm, individual, i kufizuar, dhe mungonin si modelet ashtu edhe praktikat kontrolluese sistematike. Ne ishim mësuar që të vegjël me hartimet qesharake që ishin orë gallate që u jepnin një orë thuajse bosh dhe disa orë korrigjimesh zyshave të leximit e letërsisë. Kur po mbaroja universitetin, temën e diplomës për diatezat në shqip, e bëra me profesorin. Ai më korrigjonte kapitujt që duhej të shkruaja. E kam ende filmin prej 10 minutash në ditën e mbrojtjes së diplomave, kur jam duke prezantuar punimin tim, dhe profesori bashkë me komitetin e diplomës më shikon krenar e njëkohësisht i paanshëm dhe me buzëqeshje të matur. Por para se të arrija në atë ditën e dorëzimit, më kish nxjerrë ujë të zi. Dhe jo vetëm për vjeljen e të dhënave e fjalëve, dhe përmbajtjen që duhej të ishte e bazuar. Por sidomos për mënyrën e të shkruarit, formësimin e fjalive, gjatësinë e tyre, shprehjen shkencore, logjikën e paragrafit deri edhe për mënyrën e radhitjes së fjalëve në fjali. O Zot i madh! Sa shumë më ka korrigjuar dhe me sa të drejtë! Dhe sa shumë më ka mësuar! Shpesh punonim në shtëpinë e tij për temën. Gruas së vet të mrekullueshme i vinte gjynah për mua, besoj, se nuk m’i mbaronte qerasjet. Por sa ia kam ditur për nder rigorozitetin dhe rreptësinë profesorit kur erdha në ShBA… ku mësova shumë dhe kuptova pse duhej të shkruaja në një mënyrë apo një tjetër, sido që themeli kish nisur tjetër kund!

Jam e sigurtë që breza të tërë studentësh e studiuesish të gjuhësisë kanë plot të thonë për profesorin. Për mua dhe ata që ishin në një vit me mua respekti për profesorin nuk vinte vetëm nga ajo që e merrnim nga ajri kur ai ecte ose ishte i pranishëm në largësi. Ishte gjithnjë super i përgatitur, i qartë dhe energjik në mësim. Unë nuk duroja dot leximin e leksioneve që ishte zakon i profesoratit tonë (për fat të keq është ende në shumë universitete shqiptare edhe sot). Profesori nuk lexoi kurrë, dhe shkruante pa pushim në dërrasën e zezë, dhe ngordhte ta ndërprisje me pyetje. Atëherë leksioni i tij bëhej edhe më interesant akoma. Gjëja që na mësoi ai i pari, dhe që na befasoi atëherë, ishte se shpesh thoshte, këtë nuk e dimë ende, dhe ndoshta nuk do ta dimë kurrë! (Çfarë?! S’kish bërë vaki ndër akademikët tanë të pranohej padija, sidomos nga dikush i përmasave dhe autoritetit të Demirajt, dhe të ngrihej objektivisht ideja e skepticizmit dhe limiteve shkencore!) Kjo e fundit e bëri atë më modern dhe të ri se shumë profesorë buzëqumësht që evitonin si pyetjen gjatë mësimit, si dhe ishin krejt të paaftë të thoshin “nuk e di përgjigjen”. Por gjithashtu thoshte shpesh, sidomos kur dikush nga ne i rezistonte ose ishte i pakënaqur me pamjaftueshmërinë e argumenteve për tezat mbi origjinën e shqipes: “Këtë mund ta zgjidhni ju! Hë, jepini, o burra! Shkenca do njerëz kuriozë e punëtorë!” Dhe gjithnjë kishte atë buzëqeshjen e vogël por të ngazëllyer në sy. Para syve tanë ai ishte shkencërisht dhe etikisht i panjollë dhe i paprekshëm! Edhe ata që fusnin miq kudo, nuk besoj të kenë guxuar t’i gjejnë anën profesorit… duhet të ishte turp i madh ta ulje atë në nivelin e një bisede të tillë.

Sapo paska vdekur profesori im i mirë, i mençur dhe punëtor. Një njeri që i takonte një brezi me edukatë dhe shkollim thellësisht tradicional, por që shkencërisht dhe etikisht janë shkëmb i modernes, pararendës të ideve dhe tezave që s’kanë mbërritur ende. Unë besoj se i bën të tillë respekti absolut për punën dhe ndershmërinë shkencore, për vjelje të dhënash që gjithnjë mund të ishin më shumë, dhe për lexime pa fund të asaj që të volet dhe asaj që s’të shkon për shtat. Po ashtu i bën të tillë modestia prej njerëzish të mençur e të përulur që dinë mirë se shkenca as nuk nis dhe as nuk mbaron me ta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin