NGA SHQIPJA NË GREQISHT E KTHIM

Po ndjek një polemikë të turbullt, rreth vlerësimit të Shën Kozmait, brenda ortodoksisë shqiptare dhe brenda kulturës shqiptare – meqë ndonjë historian i njohur, përfshi këtu edhe P. Xhufin tani vonë, është rrekur ta “çmitizojë” këtë figurë të Kishës, duke vënë në dukje disa aspekte të pashijshme të misionit të tij në trojet shqiptare.

Artikullit të Xhufit, me titull “Shën Kozmai dhe misioni i tij në Shqipëri” i është kundërvënë sot Mihail Kr. Pantoulas, filolog dhe politikan grek me një artikull sërish te Dita. Nuk jam në gjendje të jap ndonjë gjykim timin për këtë debat, i cili kërkon një lloj ekspertize që mua më mungon.

Megjithatë, më bën përshtypje që Pantoulas-i e akuzon Xhufin jo vetëm për anshmëri dhe keq-interpretim të historisë, por edhe për përkthime të trukuara, të cilat e nxjerrin Shën Kozmanë ndryshe nga ç’ka qenë realisht. Sipas autorit grek, një pasazh nga Kozmai të shkëputur nga Predikimi didaktik no. 5, të cilin Xhufi e ka përkthyer si “U mësoni fëmijëve tuaj të flasin gjuhën greke sepse kisha dhe kombi ynë janë grekë” përmban një shtesë në krahasim me origjinalin, i cili nuk flet fare për komb.

Atje ku Shën Kozmai e këshillonte mësimin e greqishtes si gjuhë të shkrimeve të shenjta, thotë Pantoulas-i, Xhufi ia shtrembëron predikimin, duke e paraqitur edhe si misionar të greqizimit.

Pantoulas pretendon se ka gjetur edhe gabime të tjera të rënda, në përkthimet e Xhufit – por këto nuk më interesojnë drejtpërdrejt, për argumentin që dua të shtroj më poshtë.

Në fakt, një përkthim besoj i këtij predikimi të Shën Kozmait ka qarkulluar prej kohësh në publicistikën shqip – dhe i takon, në mos gabohem, Sherif Delvinës (origjinali i këtij përkthimi tani është hequr nga Interneti; cache këtu). Citoj:

Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd se sa të kesh burime dhe lumenj.

Siç mund të vini re, as këtu nuk përmendet gjëkundi kombi; dhe versioni i Delvinës duket sikur i jep të drejtë Pantoulas-it.

E megjithatë, i njëjti predikim i Shën Kozmait, po t’i besojmë varianteve që qarkullojnë në shqip, vazhdon në një mënyrë të tillë që nuk duhej të ishte shpërfillur nga Pantoulas-i:

[në përkthimin e Delvinës:]

Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri më sot, do t‘i porosit të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet.

[në përkthimin e Xhufit:]

Në ka burrë a grua të krishterë që do më japë fjalën se nuk do flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë këtu dhe unë do t’ia fal atij të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes.

Sepse nëse predikuesi ynë e ka thënë vërtet se do t’u falë mëkatet atyre të krishterëve, burra dhe gra, që i premtojnë se brenda në shtëpi nuk do të flasin shqip, atëherë këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të mësuar greqishten si gjuhë e Kishës; pra për të njohur gjuhën greke ngaqë, sipas Pantoulas-it, “në greqisht ishin formuluar fillimisht të gjitha librat e shenjta dhe dogmat e saj.”

Bëhet fjalë, përkundrazi, për t’i shtyrë besimtarët ortodoksë që të ndërrojnë gjuhën e vatrës – ose vernakularin; duke përqafuar greqishten.

Dhe ndërrimi i gjuhës së vatrës, si diçka cilësisht e ndryshme me nevojën për të kuptuar tekstet e shenjta të Kishës Ortodokse, do të çonte pikërisht tek ai greqizim etnik i shqiptarëve, për të cilin është qortuar Shën Kozmai.

Si qëndron vërtet puna? A është normale, që një misionar i kishës të predikojë ndërrimin e vernakularit? Këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë; dhe nuk ma merr mendja se misionarët e kishës katolike, në Mesjetë, u kërkonin gjë besimtarëve të flitnin latinisht në shtëpi, përkundrejt faljes së mëkateve. Por do të doja të di si ka qenë zakoni dhe praktika, brenda kishës së Lindjes; dhe nëse tingëllon brenda normës apo jo, ky predikim i Kozmait.

Sa për të tjerat, pështjellimi mbetet total. Xhufi akuzohet se ka përkthyer gabim, por edhe teksti i Sherif Delvinës i referohet Predikimit no. 7 dhe jo atij no. 5, për të cilin bën fjalë Pantoulas-i. Nuk më rezulton të ketë një përkthim zyrtar të këtyre predikimeve; dhe vetë artikulli i Pantoulas-it, në Dita, duhet të jetë përkthyer nga greqishtja. Asgjë nuk them dot më tutje, përveçse që shpresoj se ndokush do të na ndihmojë.

18 Komente

  1. origjinali i predikimit nr. 5 eshte ky:

    Σαράντα χρόνους ἐσπούδασεν ὁ προφήτης Μωϋσῆς νὰ μάθῃ τὰ γράμματα, διὰ νὰ καταλάβῃ ποῦ περιπατεῖ. Νὰ σπουδάζετε καὶ ἐσεῖς, ἀδελφοί μου, νὰ μανθάνετε γράμματα ὅσον ἠμπορεῖτε. Καὶ ἂν δὲν ἐμάθετε οἱ πατέρες, νὰ σπουδάζετε τὰ παιδιά σας, νὰ μανθάνουν τὰ ἑλληνικά, διότι καὶ ἡ Ἐκκλησία μας εἶνε εἰς τὴν ἑλληνικήν. Καὶ ἂν δὲν σπουδάσῃς τὰ ἑλληνικά, ἀδελφέ μου, δὲν ἠμπορεῖς νὰ καταλάβης ἐκεῖνα ὁποὺ ὁμολογεῖ ἡ Ἐκκλησία μας. Καλύτερον, ἀδελφέ μου, νὰ ἔχης ἑλληνικὸν σχολεῖον εἰς τὴν χῶραν σου, παρὰ νὰ ἔχης βρύσες καὶ ποτάμια· καὶ ὡσὰν μάθης τὸ παιδί σου γράμματα, τότε λέγετε ἄνθρωπος. Τὸ σχολεῖον ἀνοίγει τὰς ἐκκλησίας· τὸ σχολεῖον ἀνοίγει τὰ μοναστήρια.

    perkthimi im (nuk dua copyricht):

    dyzet vjet profeti Mojsi studioi letrat, qe te kuptoje ku ecen. te studioni dhe ju, vellezerit e mi, te mesoni shkronia sa mundeni, dhe nese nuk mesuat (ju) eterit, te studioni femijet tuaj, te mesojne greqishten sepse edhe Kisha jone eshte ne greqishte. dhe nese nuk studiove greqishten, vellai im, nuk mund te kuptosh ato qe deshmon Kisha jone. me mire, vellai im, te kesh shkolle greke ne vendin tend, sesa te kesh kroje (burime) dhe lumenj. dhe kur do i mesosh letra, atehere quhet njeri. shkolla hap kishat; shkolla hap manastiret.

    kaq nga ana ime. per te tjerat bujurum 🙂

    1. Falemnderit. Vetëm se këtu nuk thuhet gjë që greqishtja të zëvendësojë shqipen në familje! Nga të ketë ardhur ajo pjesë e citatit vallë?

      1. origjinali i predikimit nr. 7:

        Ὅποιος χριστιανός, ἄνδρας ἢ γυναίκα, ὑπόσχεται μέσα εἰς τὸ σπίτι του νὰ μὴν κουβεντιάζῃ ἀρβανίτικα, ἂς σηκωθῆ ἀπάνω νὰ μοῦ τὸ εἰπῆ καὶ ἐγὼ νὰ πάρω ὅλα του τὰ ἁμαρτήματα εἰς τὸν λαιμόν, ἀπὸ τὸν καιρὸν ὁποὺ ἐγεννήθη ἕως τώρα, καὶ νὰ βάλω ὅλους τοὺς χριστιανοὺς νὰ τὸν συγχωρήσουν καὶ νὰ λάβη μίαν συγχώρησιν, ὅπου ἂν ἔδινε χιλιάδες πουγγιά, δὲν τὴν ἐματάβρισκε.

        perkthimi im:

        cilido i krishtere, burre apo grua, premton te mos flase shqip ne shtepine e tij, le te cohet lart te ma thote dhe une do i mar ne qafe te gjitha mekatet e tij, qe nga dita qe u lind deri tani, dhe do vej gjithe te krishteret ta falin dhe do gjeje nje falje qe edhe sikur te jipte mijera grosha nuk do ta gjente.

        si ne predikimin nr. 5 ashtu edhe ne nr. 7 kam perkthyer vetem pasazhet qe kane lidhje me temen.

        ne postimin e meparshem me ka shpetuar nje fjale ne fjaline e fundit. e sakta eshte “dhe kur do i mesosh letra femises tende, atehere quhet njeri. shkolla hap kishat; shkolla hap manastiret.”

        1. Falemnderit! A mund të sqarojë njeri pse nuk donte Shën Kozmai që këta besimtarë të flisnin shqip në shtëpitë e tyre?

          Përndryshe, më duket të paktën e guximshme që KOASH-i të festojë me të madhe një figurë historike, i cili u predikonte besimtarëve të vet të mos e flisnin shqipen në shtëpi. Ka një kontradiktë këtu, apo jo?

          1. Kontradita shtohet edhe me shume po te kemi parasysh se greqishtja qe fliste vete shen Kozmai ne shtepi apo qe flisnin gjithe greket ne shtepite e tyre nuk ishte e njejta gjuhe me greqishten e ungjijve, pra ate “te shenjten”. Cilen greqishte duhej te flisnin shqiptaret?

  2. Ardhja e Kozmait ne Epir eshte pjese e atyre zhvillimeve qe preken kete treve duke nisur qe me Kuvendin e Arbrit me 1703, per te vijuar me tej me dergimin e Kozmait nga Patriarkan. Eshte shkruar dhe folur shume per rolin e Kuvendit te Arbrit ne perhapjen e gjuhes shqipe, por ne te dyja rastet, gjuha shqipe eshte arsye instrumentale ne kete loje qe ka te beje me ndalimin e islamizimit masiv dhe stabilizimin e nje mjedisi te ri gjeopolitik. Dhe gjithashtu duhet te vendosim theniet e tij ne kontekstin e kohes.
    Nga ana tjeter, kete fund viti, pritet te botohet nje liber per Shqiperine e Poshtme ne periudhen mes shekullit XVI dhe fundit te shekullit XVIII. Libri, nga dicka qe kam pare, ndertohet burimisht mbi 33-34 regjistra veneciane, qe perfshijne sidomos raporte te sherbimit sekret venecian; flitet me hollesi per jeten ne keto vise, per marredheniet nderfisnore, deri edhe per cfare hane shqiptaret. Ka interes nje fakt qe ndoshta edhe dihet: shqiptaret myslimane te Camerise benin tregti ne Venedik; madje paska nje raport ku thuhet se ata “flisnin te gjithe italisht dhe se ne Parga nuk ka nevoje per perkthyes”. kjo na kujton disi ate qe ka shkruar Xhufi per kryengritjen e Dionis Filozofit, gje me zarar te madh kjo, edhe po te mbahet parasysh se ne keto treva dhe me kristianizmin e shqiptareve te jugut eshte luajtur teza uniate. Zarar edhe me i madh ky. Se fundmi Kozmai, i shpallur shenjt nga Athenagora me 1961(ky arvanitas-https://albanianorthodox.wordpress.com/2014/07/05/e-verteta-per-shen-kozmain-replike-me-pellumb-xhufin-gazeta-dita/#more-1473) eshte per ortodoksine dicka me shume sesa figure historike: eshte shenjt. Dhe shenjtit i do pare misioni qe ka realizuar per perhapjen e fjales se Zotit, qe eshte qellimi kryesor. Pastaj, ceshtja qe diskutohet ketu per predikimin e tij per shqipen, behet disi bixarre, po te mbahet parasysh se Kozmai per ortodokset, pervecse shenjt, eshte edhe profet. Ai ka lene disa profeci. Po te flasim per te si figure historike, brenda kontekstit te veprimtarise se tij ne trevat shqipfolese, duhet te mbajme mire parasysh edhe se ai ishte mik dhe mbrohej nga nje perhapes i sufizmit si Ali Pashe Tepelena.

    1. Aleks, nuk e kuptova kete lidhjen mes kuvendit te Arbrit dhe shen Kozmait. C’pune kane katoliket e veriut me shen Kozmain?

      Sa per italishten qe flitej ne Parge, eshte me se normale. Parga asokohe, bashke me shume treva dhe ishuj te Jonit, ka qene prej shekujsh zoterim i Venedikut. Aty flitej me shume italisht dhe shqip sesa greqisht.

  3. Ndoshta shfaqja e Kozma Etolianit mund te kuptohet me mire ne kuadrin e luftes per dominim te grigjes ortodokse midis Patriarkanes greke te Stambollit dhe atyre bullgare te Ohrit e serbe te Pejes.

    Sic eshte e njohur ,qe nga koha e Mehmetit II, Patriarkana greke e Stambollit ishte konsideruar prej Portes se Larte si interlokutori i privilegjuar i krishtere. Patriarku ishte nje zyrtar i larte i shtetit osman, mbajtes i flamurit me dy tuje (bishta kali) si qeveritaret e provincave dhe ne rast nevoje gezonte mbeshtetjen e administrates dhe ushtrise osmane.
    Kjo pozite e ndihmonte kishen greke per te vendosur epersi mbi kishat e vjetra kombetare. Pak nga pak u shmang gjuha sllave ne sherbesat fetare, u dogjen libra te shkruara ne kete gjuhe,klerike greke zevendesuan kleriket serbe,bullgare e rumune,ne shkollat e kolegjet fetare greke u terhoq e perpunohej elita e te rinjve te popujve te tjere ortodokse, etj.

    Kultura e kohes ndikohej se tepermi nga qendrat e fese,manastiret,kishat shkollat fetare. Edhe ne mjediset sllave,si me te shprehurat ne pikpamje etnike, ndikimi grek rritej gjithmone e me teper ne dem te traditave sllave.
    Ky helenizim i kultures se popujve ballkanike ishte padyshim rrjedhoje e lidhjeve te ngushta te Patriarkatit grek me shtetin osman.

    Fitorja greke u be e plote kur me 1766 Sulltani vendosi shkrirjen e Patriarkanes serbe te Pejes dhe nje vit me pas u mbyll edhe selia e Kryepeshkopit bullgar te Ohrit. Ne krye te ketyre institucioneve u vendosen ekzarke te emeruar nga Patriarku grek. Vetem Kisha e Malit te Zi mbeti autoqefale.
    Keto patriarkana nuk konsideroheshin besnike te sulltanit,ato edhe me pare , sidomos ajo serbe kishin dale hapur kunder tij (me te spikaturat ne 1688 duke nxitur nje kryengritje, me 1737-39 me nje qendrim te hapur antiosman gjate luftes austriako-osmane)

    Ne kete keqyrje merr kuptim edhe thirrja e Dhanil Voskopojarit : « O ju shqiptare, vlleh e bullgare, te gjithe ju qe flisni gjuhe tjeter, gezohuni e gatituni te gjithe te beheni greke, duke braktisur gjuhen ,te folmen dhe doket tuaja barbare, qe nje dite niperve tuaj do t’ju duken si perralle.. » , si dhe veprimtaria e Kozma Etolianit ne favor te gjuhes greke.

    Argumenti qe gjate kohes qe ushtronte veprimtarine Kozma Etoliani nuk ishin krijuar kombet dhe pra ai nuk mund te bente propagande helenizuese nuk eshte fort i arsyetuar. Eshte metafizike te mendosh se kombet dolen nje dite ne drite nga hiçi, duke mohuar nje periudhe te gjate pergatitese te ngjizjes e ngritjes hap pas hapi te ndjenjes kombetare.
    Pikerisht rreth asaj periudhe jane botuar veprat e disa shkrimtareve nacionaliste si ato te grekeve Velestinlis(1757-1798), Korais(1748-1833) apo serbit Obradovic(1743-1811). Vertet do te duhej kohe te merrnin forme te plote e te institucionalizoheshin levizjet kombetare ne Ballkan, por kjo nuk do te thote aspak se elemente te ndergjegjes kombetare dhe persona te ndricuar si patriote nuk mund te ekzistonin ne periudhen pararendese. Mbas pak me shume se kater dekadave do te vinte revolucioni grek.
    ( Megjithese qytetare te se njejtes perandori e te se njejtes fe, ishte gjuha,bashke me doket, ajo qe bente dallimin e Tjetrit, e te Huajit. Dhe kjo gjithmone ka qene, bile qe ne kohen e Herodotit, shek V pes, kur ai shkruante : “ ..the greek community, wich is of common ancestry and shares the same language ..,and our similar custom..”)

    Dhe Kozma Etoliani me shume gjasa mund te kete qene nje prej tyre, nje fare filozofi sic edhe e mbajne, qe i sherbente Kishes greke dhe nepermjet saj edhe helenizmit.

  4. Në artikullin e mëparshëm kumtesa e z. Altimari flet për rigjenerim të identitetit të arbëreshëve në një periudhë të mëhershme sesa mendohej, me At Guxetën, Françesko Aviatin dhe të tjerë. Mendimet e At Guxetës mbi përkatësinë e tij arbre, mund ti ndeshim edhe më herët, tek ato dëshmi apo shkrime të pakta që janë ruajtur mbi arbërit/shqiptarët. Po mendoj në këtë rast sidomos për “Apologjinë e Skënderbeut” të Frang Bardhit. Pjestarët e popujve të vegjël apo etnive, njëkohësisht popuj me gjuhë të ndryshme nga ato fqinje, – e kanë gjithnjë shumë të natyrshme apo të lehtë vetë identifikimin kombëtraisht apo etnikisht në raport me të tjerët. E njëjta gjë vlen për grekët. Fatma solli një shembull nga Antikiteti të shprehjes së identitetit grek; mund të sjellim edhe plot të tjerë madje edhe më ekstremë, jo vetëm për grekët por edhe për popuj të tjerë, në çdo epokë. Ma merr mendja se At Kozmai ishte thjesht një nacionalist grek i kohës dhe kaq. Por kushedi, ndoshta nuk ka pasur ndonjë qëllim negativ, por ka menduar për të mirën e vendasve. Mundet që fraza “kisha jonë është greke” shpreh edhe shqetësimin ndaj një kishe tjetër, siç u përmend, e cila nuk është greke por ndoshta latine apo shqipe, prej së cilës duheshin larguar besimtarët, duke shkëputur çdo lidhje. Ky predikim bëhet në Epir, sipas Xhufit, dhe dihet se cila është kisha tjetër që vepronte apo kishte vepruar aty. Thjesht hipotezë. Gjithashtu vllahëve ju kërkohej nga Kozma Etoliani të braktisnin gjuhën e tyre, por ndoshta edhe për ta kishte ndonjë arsye; duke mësuar greqisht shkolloheshin më mirë, integroheshin, gjenin punë, pensione etj. Sa herë që kërkohet tjetërsimi i identitetit të tjetrit nuk është se qëllimet ndaj subjektit të agresuar janë negative, në shumicën dërrmuese të rasteve janë qëllime të mira.
    E vërteta është se ky personalitet i kohës është përpjekur të helenizojë shqiptarë dhe vllahë. Kaq mjafton, arsyet e tij nuk kanë ndonjë vlerë të lartë, sido qofshin.
    Dhe problemi tani është se nëse ti e thua këtë të vërtetë, atëherë do vijë dikush ta justifikojë, dhe ty do të quajë; islamist, komunist, i pafe, nuk kanë ç’të duhen punët e ortodoksëve, po e minon harmoninë fetare, dhe më e tmerrshmja; po e pengon rrugëtimin e Shqipërisë për në Europë. Kështu që Anastasi të vijojë në punën dhe misonin e tij.

  5. . Τὸ σχολεῖον ἀνοίγει τὰς ἐκκλησίας· τὸ σχολεῖον ἀνοίγει τὰ μοναστήρια
    …..kjo fraze kuptohet keshtu “”shkolla i perket kishes, shkolla u perket manastireve.

    1. z. Perrovari, nëse qëndron vërejtja e PP, do t’ju lutesha të mos përkthenit më greqisht për blogun tonë, sepse ngatërroni lexuesit.

        1. Ngaqë unë nuk di greqisht, jam i detyruar t’u besoj verbërisht atyre që shkruajnë të tjerët – përndryshe do ta kisha korrigjuar vetë 🙂

  6. Eshte perpjekje e deshtuar qe cdo zhvillim historik qe ka ndodhur ne kete vend, ta orkestrosh permes optikes se nacionalizmit se postuluar nga Rilindja. Ndonese ligjerimi i prodhuar prej saj ka arritur nje shkalle te larte kodifikimi, gati reflektiv, perjetimi politik i shqifolesve ne keto 100 vjet, njeh nje vleresim per standardin e shtetit: deshtim. Madje me kosto serioze ne identitetin njerezve. Ishte nje perpjekje unifikuese kjo qe thjesht sa stermundoi njerezit, duke krijuar edhe nje temth antikulturor dhe antihistorik madje si Tirana, nje amalgame pervojash historike dhe kontributesh nen nje emerues te perbashket iluziv. Eshte rezultati qe flet, jo propaganda. E njejta gje po vihet re sot edhe ne Kosove dhe ne Maqedoni; ligjerimi fetar, qe tejkalon kufizen etnike ne adresimin e mesazhit, po konkuron ne dinamika ndaj ligjerimit nacional-enverist si ai i Pellumb Xhufit. Nuk e kam per fyerje kete ndaj profesorit, por mendoj se jane te njejtat qendrime.
    Meqenese loja mediatike e Kozmait eshte ne thelb nje analogji qe synon Janullatosin, eshte e ndershme te pranojme te gjithe se ne kete moment edhe faktin historik ne do ta perdorim, me shume sesa do te kerkojme ta njohim. Kozmai nuk la ndonje gjurme ne Jugun e Shqiperise, ne kuptim te helenizmit; ideja qe zuri vend per bashkim me Greqine ne prag te pavaresise, nuk lidhej dhe aq me fene, sesa me historine antike dhe me rrezikun sllav. Per me teper qe ai eshte nderuar si shenjt nder shume shenjte ne Shqiperi para se te behej shenjtor. http://orthodoxalbania.org/old/index.php/lajme/2393-po-perbaltin-shenjtoret-te-cilet-populli-i-kremton-me-shprestari.
    Duhet po keshtu te pranojme se Janullatos ka arritur te kristalizoje nje perspektive ortodokse ne Shqiperi, nje qasje qe refuzon te miratoje cdo brrockull qe leshon Top-Channel, apo edhe fjalimet e kurdisuara te kryeministrit aktual. Nuk mundet te mos shohim ne qendrimin e establishmentit aktual nje prirje antiortodokse, si e tille edhe ne njefare menyre Anti-Jugore. Shenjterimi i Katedrales se Tiranes u perdhos nga altoparlanti i PS-se ne media dhe u kalua me heshtje te sforcuar nga politika, ndonese ishte nje ngjarje madhore per ortodokset. Nderkohe qe vizita e Papes me 21 shtator-padyshim shume e rendesishme-po shoqerohet me nje orgazem qeveritare dhe me shpenzime deri ne 2 milione dollare per fshirje xhamash, rregullim fasadash dhe pune te tilla shtepie. Pse duhet te paguajne te gjithe shqiptaret per viziten e nje prelati qe i perket nje komuniteti te vetem? Ke perfaqeson kjo qeveri dhe keto institucione? Ne emer te ciles historie u thuhet qindra mijera ortodokseve se po ju genjen greku Janullatos dhe se shenjtoret dhe udhehqesit e Kishes suaj jane agjente dhe kolonele te Asfalise? Cfare i kundervihet kesaj akuze edhe nese do te pranonim teorikisht si te vertete keto komplote ndaj kombit te moscem shqiptar? Nje histori suksesi, nje shtet serioz dhe nje kulture e ngritur, apo nje pacavure te cilen nuk e marrin seriozisht as qente e timbruar te bashkise?
    Une jam shprese plote dhe besoj se dinamika e zhvillimeve do te riperkufizoje ligjerimin publik shqiptar, duke i dhene fese vendin e vet, duke e kthyer kete ne nje element identifikues per komunitetet, jo domosdoshmerisht ndares dhe percares, por perkundrazi, bashkues te natyrshem dhe ne barazi. Pasi jane pikerisht komunitetet fetare, ato qe po mbajne dhe po konservojne, madje po zhvillojne, ate peizazh social, etnologjik dhe kulturor brenda shqiptar, te cilin komunizmi kerkoi ta rrafshonte duke ofruar nje etikete boshe dhe me pamundesi semantike sic eshte Shqiptari pa historine e tij te vertete. Shqiptari ne koordinaten zero. Duke krijuar modele “bashkejetese” te rrejshme si Tirana apo qytete te tjera te shpikura atyperaty, te cilat ne vend qe te zhduknin kufijte, ne planin afatgjate, thjesht u kujtuan te gjitheve se kufijte i marrim me vete.

    1. Nuk e di si do t’i pergjigjeshe pyetjes : “Cfare jeni ju zoteri, shqiptar apo shqipfoles?” , por nisur nga fakti qe postin tuaj kilometrik e filloni me brengen e deshtimit te shtetit te shqipfolesve, me gjase kesaj pyetje zotrote do t’i pergjigjeshe, shqipfoles, pra identitetin tend real do ta maskoje brenda nje manteli neutral dije. Sipas meje, ti te pakten njeri nga prinderit, ne mos te dy, nuk i ke SHQIPTARE, rrjedhimisht ne menyre te natyrshme mund te marresh lirshem ane kunder shqiptareve. Sigurisht nuk do te jesh as i pari e as i fundit, por gjykimi yt mesa duket pikerisht per kete shkak vjen i mjegulluar, konfuz dhe kontradiktor.
      Thua: “. Ishte nje perpjekje unifikuese kjo qe thjesht sa stermundoi njerezit, duke krijuar edhe nje temth antikulturor dhe antihistorik madje si Tirana, nje amalgame pervojash historike dhe kontributesh nen nje emerues te perbashket iluziv.”
      Por nga ana tjeter, te vjen keq qe ” Shenjterimi i Katedrales se Tiranes u perdhos nga altoparlanti i PS-se ne media dhe u kalua me heshtje te sforcuar nga politika, ndonese ishte nje ngjarje madhore per ortodokset.”
      Ti besoj e di qe po te mos ishte per ate temthin antikulturor e antihistorik, ne Tirane do i gjeje apo s’do i gjeje nje dore familjesh ortodokse SHQIPTARE, se me duket edhe ato qe ishin, ishin llaci-facer (sic u thoshim atere, pa ofeze). Dhe e dyta, perse komuniteti ortodoks (a mund te them shqiptar, me lejen tuaj) e pa te domosdoshme te ngreje, dhe kjo u be realitet shpejt e shpejt, mu ne mes te kryeqytetit gjithe ate shkerba ndertese, kur muslimanet e gjore kane nja 25 vjet qe nuk po e ngrene xhamine e madhe ne Tirane, edhe pse jane komuniteti me i madh ne numer ne Shqiperi? Apo meqe establishmenti politik eshte armiqesor ndaj ortodokseve? Per zone, te pavertete me te madhe se kjo, zor se do te mund te degjojme edhe per nja dy-tre ditet qe vijne, se pastaj me siguri do te dale ndonje tjeter e do te genjeje edhe me shume per ndonje gje tjeter qofte edhe jo fetare. (Per dijeni une jam ateist dhe konkretisht nuk me ha malli shume per punet e komuniteteve fetare, per sa kohe nuk fillojne te presin koka ete vene tritol andej ketej, apo te prishin qetesine sociale me rivalitetet e tyre shpesh here pa kuptim).
      Sa per Papen e Romes, e ke kot qe ha inat. Eshte e vertete qe eshte vetem kreu i njerit prej komuniteteve fetare, madje i me te voglit, por autoriteti nderkombetar i tij eshte sa i gjithe patriarkeve apo fortlumturive ortodokse te marre bashke. Menyra si shprehesh per “punet e shtepise” qe po behen me rastin e ardhjes se tij ne Shqiperi tregon vetem xhelozine e nje te krishteri ndaj nje te krishteri tjeter dhe kjo vete nuk me duket fort “ortodokse”.
      Si perfundim po te them se cfaredo qejfi qe te keni ju shqipfolesit, Shqiperia eshte atdhe i Shqiptareve dhe edhe i shqipfolesve qe banojne ne Shqiperi. Mire eshte qe shqipfolesit, vecanerisht ata qe jane edhe fetare te cfaredolloj flamuri, mos turbullojne ujra qe nuk u takojne.

      1. Jam shume dakord qe ceshtja e xhamise per besimtaret ne Tirane, eshte nje nga fyerjet me te medha qe jane bere keto 23 vjet. Kete e mendoj shume sinqerisht, sikurse edhe loja qe ben shteti me drejtimin e KMSH-se eshte po kaq paragjykuese dhe po kaq e demshme.
        Te tjerat, thjesht mendimi juaj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin