PËRGJOJMË DHE PËRGJOHEMI

Më bëri përshtypje që Andi Bushati, në një opinion tani së fundi, kish vendosur një lidhje – logjike – midis regjistrimeve fshehurazi që mund t’ia bëjnë qytetarët njëri-tjetrit, dhe vendimit të qeverisë për deklarimin e numrit IMEI të telefonit celular, i cili mundëson përgjimin e qytetarëve nga shteti.

Shkruan Bushati:

Edhe Shqipëria, pra edhe provinca e saj, nuk ka mbetur e pa prekur nga ajo që rëndom e quajmë “diktatura e transparencës’. Mjafton një mikrofon i vogël, një kamera e padukshme, qoftë një celular që e mbajmë në dorë, për të na dhënë fuqi ndaj atyre që mund të ngjajnë të paprekshëm. Rasti Pango, rasti Meta, rasti i Sarandës e dhjetra të tjerë më të vegjël, tregojnë se gjithkush mund të jenë viktima të kësaj “diktature të re” të erës së globalizmit. Përballë saj nuk ka më të paprekshëm, as në qendër të pushtetit, as në skaj të tij. Prandaj dhe të gjithë njerëzve të pushtetshëm, kudo ku janë, u kërkohet një sjellje e re, një kujdes më i madh, një virtytshmëri më e lartë, së paku në formë. Tani edhe ata janë të përgjuar. Ky duhet të jetë shqetësimi i ri i tyre. Sfida me të cilën pritet të përballen. Dhe jo siç po sillet qeveria shqiptare, me mendësi të shekullit të kaluar. Kur me një mentalitet oruellian do të veprojë si një “big brother” gjigand, për të përgjuar qytetarët e saj. Vendimi për dorëzimin e numrave IMEI dhe kontrolli shtetëror përmes tyre i bisedave të facebook-ut, ëhatsapp-it, viberi-it, bbm-it etj, është i kotë. Kjo mendësi tashmë ka marrë fund, sepse kohët kanë ndryshuar. Tashmë qytetarët nuk janë më të përgjuar, tani ata kanë të drejtën të mbrohen përmes kësaj arme.

Ndryshe nga autori, unë e shoh me dyshim të madh këtë “diktaturë të transparencës”, ku qytetarët shndërrohen nga të përgjuar në përgjues, në mbrojtje të së drejtave të tyre, ndaj tundimeve të autoritetit për të abuzuar me to.

Madje, do të thoja pikërisht kjo pranëvënie e dy ngjarjeve kaq të afërta sugjeron nevojën e ngutshme për të shfuqizuar vlerën juridike të këtyre regjistrimeve (me përjashtim të rasteve kur urdhërohen nga prokuroria ose gjykata) dhe për t’i ndëshkuar penalisht mediat që i përdorin ose i nxitin.

Një shoqëri ku qytetarët përgjojnë njëri-tjetrin dhe ku privatësinë e ka zëvendësuar transparenca është e pajetueshme – në fakt, më kujton çfarë ka përshkruar Dave Eggers në romanin e vet të fundit The Circle: një libër i dobët, por me një koncept të frikshëm në themel.

Çdo lloj avantazhi që mund t’i sjellë qytetarit mundësia për të regjistruar dhe më pas publikuar ndërveprimin me përfaqësuesit e pushtetit praktikisht anulohet, në krahasim me mundësitë e pakufishme të pushtetit vetë dhe të shtetit, nëse këtij i jepet dorë e lirë për të përgjuar qytetarët.

Nëse të drejtat e qytetarit nuk mund të mbrohen, veçse nëpërmjet pranisë së kamerës dhe të mikrofonit; pra, nëse qytetari mund të realizojë veten si të tillë vetëm në një skenë virtuale, ose duke luajtur teatër, atëherë shoqëria vetë do të shkërmoqet, sepse shoqërinë e mban të lidhur dhe organike pikërisht besimi i vetvetishëm që kemi te njëri-tjetri.

Sado të abuzohet me këtë besim, kjo nuk përbën argument për ta zëvendësuar me sisteme përgjimi; sepse problemet sociale që kanë njerëzit me njëri-tjetrin dhe me institucionet nuk mund të reduktohen të gjitha në çështje ligjore. Përkundrazi, problemet më të mprehta, me të cilat na duhet të japim e të marrim nga mëngjesi në darkë, kanë natyrë etike dhe kërkojnë prej nesh qëndrime etike.

Duke e mënjanuar përmasën etike, teknologjitë e përgjimit më parë përftojnë shoqëri dhe komunitete monstruoze, dhe pastaj i ndihmojnë këta përbindësha të riprodhohen.

Ndërkohë, shteti dhe agjencitë e veta, krahas me korporatat dhe sistemet e sigurisë private, jo vetëm do të kenë mundësi ligjore të zhvillojnë teknologjitë e veta të përgjimit të qytetarëve, por edhe do të shfrytëzojnë gëzueshëm sistemet bottom-up, ose të bazës, ose kurthet që ia ngremë njëri-tjetrit.

 

3 Komente

  1. Pergjimi i te gjitheve 24 ore ne 24 prej qeverise eshte i papranueshem qe ne parim, ben pjese tek absurditetet, dmth nuk eshte e domosdoshme te argumentohet qendrimi kunder. Perndryshe, pergjimi ne raste te percaktuara me ligj eshte i nevojshem.
    E njejta gje mund te thuhet edhe per privatin, veçse ne kushtet e Shqiperise, kur pushteti kufizohet jo prej ligjit, por prej skandaleve, atehere pergjimi privat del te jete e vetmja menyre per kufizimin e pushtetit, rrjedhimisht akt i mirefillte demokratik,
    Zonja ne fjale me ndihmen e News24 ka kryer nje sakrifice sublime demokratike dhe them sakrifice sepse per si funksionon Shqiperia, asaj ka per t’i vajtur ekonomikisht keq e me keq (dmth veshtire te perfytyrosh me keq se t’i dergosh femijet ne jetimore, por ja qe per te duhet.mundohemi te perfytyrojme me te keqen).

    Pushtetaret kane frike vetem prej skandaleve, ky eshte kufiri i vetem i tyre dhe besoj se kete shpreh edhe Bushati, pavaresisht se ai nenvlereson si te kote absurditetin e pergjimit 24 ore ne 24.

    Mund te thuhet se s’jemi asgjekundi nqs skandali eshte i vetmi kufizim konkret i pushtetit, por s’kemi ç’i bejme, eshte tradite mijevjeçare qe te kufizohet pushteti vetem prej asaj qe eshte e cilesueshme si skandal dhe si duken bathet kjo tradite s’dashka te vdese pa u garantuar qe do te zevendesohet vertet prej ligjit.

  2. Nese sekretari i zyres private te deputetit 2K nuk do ti ishte pergjuar dhe regjistruar biseda me gruan e ve nga vete kjo e fundit, Kocua nuk do te mund ta dinte se cfare perbindeshi kishte rekrutuar dhe emeruar per zyren e tij milet – zgjidhhallese ne Sarande. Pra, desha te them qe pergjimi privat eshte thjesht mjet mbrojtes dhe si i tille nuk duhet ndaluar.

  3. Ajo qe ka bere ajo gruaja nga Saranda nuk mund te quhet pergjim. Njeriu nuk mund te pergjoje vehten e vet. Ajo ka regjistruar biseden qe po kryente me nje zyrtar, pra po fliste, po degjonte (jo pergjonte) dhe po regjistronte, ne menyre qe alametin qe po degjonte vete te mund ta degjonin edhe te tjere.

    Sigurisht mund te debatohet a vlen si prove ligjore ky regjistrim apo jo. Per persona profesioniste te ligjit, mbase ky regjistim meqe eshte i paautorizuar mund te mos sherbeje si prove, por per njeriun e zakonshem vlen qe c’ke me te per te provuar amoralitetin dhe pedofiline e zyrtarit delenxhi e pizeveng.

    Media eshte si puna e korbave ne kerkim te kermave, por ne fund te fundit edhe gazetaria e mirefillte investigative mbeshtetet mbi informacione konfidenciale te marra jo gjithmone me menyrat me ortodokse. Pastaj se si perdoret ky informacion, per te arritur edhe qellime pertej atij primar, ose per interesa te te treteve, kjo eshte pune tjeter dhe lidhet me etiken e mediave.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin