PARADIGMAT E LEXIMIT

nga Paskal Stafa

Shumëkush, deri edhe tek e reja e diktatorit (shpresojmë e urojmë të mos na duhet të lexojmë edhe për këndvështrimin e ish-shoqes „Delikatja“, alias Lady M., vjehrrës të së resë në fjalë, për këtë temë) është përfshirë në një diskurs në pamje të parë vapik,

pra të lehtë e freskues si limonadë nga ata të gropës mediatike të verës, kur gazetat sikur nuk e kanë atë peshën e rëndë dimërore të shkrimeve të zotit K., diskurs, i cili një asnjanësi, në pamje të parë, i ngjan kotnues e disi absurd, pasi edhe vetë për të zotin e subjektit të debatuar, objekti si i tillë ka veçse vlera për studiesit e tij, duke shkuar deri aty sa të mos denjojë të vërë emrin e tij, të zëshëm ndër shqiptarë, në ballinë.

Gurin e hodhi në lumë një, me sa duket ish, i njohuri i tij i vjetër i viteve të rinisë, kohë në të cilin të dy miqtë paskan shkruar sinkron për një romancë të zotit K. respektivisht dy novela a romane qofshin, njëri i botuar atëbotë e tjetri i botuar së fundmi: i njohuri, apo „dashamirësi“ ngjan paksa i lënduar e shkruan një letër të hapur e kjo shkakton debatin në fjalë, ku menjëherë nxitojnë të nxjerrin gurin nga lumi një duzinë emrash të njohur të së ashtuquajturës elitë kulturore e letrare, nëse kjo do të përkiste doemos me shfaqjen e rregullt në median aq të hallakatur e delirante të mëmëdheut, ndaj jo medoemos të mençur.

Subjekt pra mëse kafkian, me të cilin Herr K. krahasohet shpesh.

Përtej dyshimeve të kota se kur qenkësh shkruar libri në fjalë (natyrisht që është shkruar asokohe besojmë – se përse do të kërkonte autori të na hidhte hi syve, kur nuk vë as emrin e tij në ballinë?) dyshimi i nënkuptuar e këtu nis e zë fill pandehma e vërtetë ndaj Zotit K. është një tjetër: supozohet që K. paskësh qenë „eksponent“ i realizmit socialist.

Ndërsa botuesi i tij flet për miqtë e tij: Shekspirin, Danten e Servantesin, disa azapë vullnetarë me sa duket e që luftojnë për hesap të tyre të „pashait“ në fjalë (a nuk shkruan diku K. se i paskësh eksportuar tinitusin e tij personazhit ndoshta kryesor të romanit „Rrethimi“,) duke prerë mbarë e prapë; ndërkaq e reja është akoma e mahnitur nga „Në mesditë Byroja politike u mblodh“, një vjershe mediokre të K.-së, një nga kockat që ai u ka hedhur me mençuri qenve të regjimit, për të mos u kafshuar a degdisur në moçalet e Maliqit, Spaç a Qafëbar.

Veçse kështjella që po duan të mësyjnë ca e ta mbrojnë ca të tjerë është mirazh, është iluzore.

A paskësh qenë K. disident, ndonëse ai e ka pohuar disa herë vetë me të drejtë se nuk ka qenë, pasi thjesht ndoshta se nuk mund të ishte askush në atë kohë? Por kjo nuk është pyetja: më e saktë do të ishte pyetja: a ka qenë K. komunist, jo për nga tesera, por për nga vepra?

E këtu na duhet të ndërrojmë regjistrin e tonit, pasi nuk mund të bëjmë më ironi në kësoll. Humorin e zi e duam veç për sa kohë mbetet fiksion.

Diskursi për IK.-në ngërthen në vetvete një tjetër, shumë më të thellë e më tragjik se ai i rolit të shkrimtarit në diktaturë: atë të diktaturës vetë.

Fatkeqësisht e tragjikisht në Shqipëri ende nuk ka ndodhur përpunimi i të kaluarës. Një pyetje e thjeshtë si: Pse nuk hapen dosjet? – e vë menjëherë gishtin në plagë e askush në Shqipëri nuk e shtron këtë pyetje me kaq vendosmëri sa IK.-ja vetë. Po ai jep edhe përgjigjet për këtë, pasi IK. është jo vetëm shkrimtari më i shquar i këtij vendi, por edhe një patriot i madh. Dikush shkroi për „shejntninë“ e tij. Nuk e dimë se sa vlen kjo për Shqipërinë, ndërsa për Kosovën jemi mëse të bindur që është ashtu.

Përsa kohë e kaluara e afërt do të vazhdojë të fshihet nën minder, nuk ka gjasa që të reshtë edhe diskutimi për rolin e IK.-së nën diktaturë, nuk ka gjasa që vepra e tij më e mirë të lexohet siç duhet, pasi për ta lexuar IK.-në siç duhet, pra si shkrimtar e patriot të madh të këtij vendi, duhet të ndryshojnë paradigmat e leximit, për pasojë paradigmat historike. Ndonëse IK. ka kohë që i shijon frytet e gjenisë së tij e, falë Zotit, ngjan shëndoshë e mirë, ka diçka tragjike keqkuptimi i lexuesit me veprën e tij: nën diktaturë trushpëlarët lexoni „Shqiponjat fluturojnë lart“ e të tjera bolshevizma të parëndësishme, ndërsa ata që shpresonin përmbysjen midis rreshtave të „Pallatit“, „Koncertit“ etj., porse leximi i vërtetë, ai estetik ende nuk ka ndodhur, pa çka se të gjitha palët ia pranojnë njëzëshëm talentin. Është mirë (për të mos rënë në kurthin: ne na duhet të krenohemi me të; fundja është puna e tij dhe jo e jona që ai është ai që është) që ne kemi një ambasador si IK. në botë; duhet shtuar këtu, se nga sëra e shkrimtarëve t’asaj kohe, IK. është i vetmi që i ka larë hesapet me diktaturën, në vepra si „Pasardhësi“, „E penguara“ etj.

Ndoshta veç të huajt e lexojnë IK.-në siç duhet, ndonëse jo deri në fund. Ndërsa ne kemi fatin të jetojmë kontekstin e veprës së tij (ne: ç’shumës i rrezikshëm!), por nuk jemi në gjendje, për shumë arsye, ta bëjmë.

Autori i këtij shkrimi beson, ashtu si edhe IK. vetë, se Shqipëria do të bëhet. Atëbotë edhe IK. do të zerë vendin e tij të merituar në kulturën tonë, jo ashtu siç e duan adhuruesit e tij pa kushte e as ashtu siç e dyshojnë ata që përdorin rëndom shprehjen „Ashtu ishte koha…“, por për atë që është vërtet: shkrimtari më i shquar i këtyre anëve dhe një shqiptar i mirë, siç po duam t’i shohim edhe bashkëkombasit kudo qofshin.

E që të ndodhë kjo nuk ndihmojnë as krahasimet me Shekspirin (këtë mund ta bënim veç pas nja 500 vjetëve) e as përmendja e nënkryetarisë së Frontit Demokratik: na duhet kthjelltësi, gjakftohtësi, ndershmëri e drejtësi, virtyte këto të krasitura ligsht këto 70 vitet e fundit ndër shqiptarë.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin