ARTIKULL I ARRATISUR

Dikur gjatë vitit 2011, Artan Puto – që aso kohe përgatiste për botim revistën “Përpjekja” – më pat pyetur nëse mund të bashkëpunoja me një numër të posaçëm të kësaj reviste, kushtuar Skënderbeut.

Meqë unë kisha filluar tashmë të studioja në mënyrë krahasuese botimin e vjetër të romanit Kështjella, të I. Kadaresë, me të riun, i propozova që të shkruaja një artikull me këtë temë, për çka edhe ramë dakord.

Ia dorëzova artikullin, të titulluar “Restaurimi i kështjellës” në shkurt të vitit 2012, por pas pak ditësh më shkroi drejtori i revistës, F. Lubonja, për të më shpjeguar pse nuk mund ta botonte dot artikullin, për arsye të llojit editorial dhe që s’kishin të bënin me cilësinë e punës; shpjegime që më bindën (revista e kish miratuar tashmë një studim monografik për romanin Kështjella, të autorit arbëresh Elio Miracco; dhe botimi i një artikulli të dytë për të njëjtin roman do ta zhbalanconte numrin).

Ndërkohë, meqë po përgatitja për botim librin Kundër purizmit, e përfshiva një pjesë të studimit si kapitull të veçantë atje, duke pritur ndërkohë që të gjeja një mënyrë për ta botuar të plotë; libri u botua në vjeshtë të vitit 2012.

Kaloi gati një vit. Në fillim të këtij viti (2014), më pyetën nëse mund të kontribuoja, me një shkrim timin, në një numër të posaçëm të revistës Hylli i Dritës, kushtuar 100-vjetorit të saj. Kam pasur gjithnjë nderim të veçantë për këtë revistë në vitet 1914-1944, të cilën e kam lexuar faqe për faqe, gjatë kohës kur punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë; prandaj më entuziazmoi mundësia që m’u dha, për t’u përfaqësuar në numrin jubilar.

Dhe nuk kisha gjë më të mirë në duar, sesa artikulli që kisha shkruar më parë për Përpjekjen.

Kaluan muaj. Ndërkohë – dhe pikërisht dje – më njoftuan se bordi editorial i revistës Hylli i Dritës e kish refuzuar artikullin tim si të pabotueshëm, për arsye që nuk m’u bënë të qarta.

Megjithatë, përkimi i datës së këtij refuzimi, me periudhën kur jam përfshirë në një debat në lidhje me modifikimet në trashëgiminë letrare të I. Kadaresë, më bën të mendoj për një lidhje jo dhe aq të fshehtë, midis pozicioneve të mia në këtë debat dhe vendimit refuzues të bordit të revistës.

Nuk kam asnjë provë për këtë lidhje dhe teori komploti timen; është vetëm një dyshim i cili nuk më ndahet. Gjithsesi, nuk ka asgjë alarmante, në vetvete, që të refuzohet botimi i një artikulli, prandaj edhe teorinë time të komplotit dua të mos e ngas më, duke pasur parasysh edhe që sulmet ad hominem priren të pjellin paranoja te viktimat.

Por meqë u rrokullisën punët kështu, vendosa ta vë artikullin në dispozicion të lexuesit të blogut Peizazhe të fjalës – dhe të kujtdo tjetër që i bie rruga nga këto anë. Nëse Hylli i Dritës vërtet më ka censuruar, kjo do të ishte përgjigjja më adekuate; nëse atyre vërtet artikulli nuk u ka pëlqyer, po i jap një shans edhe lexuesit kurioz që të mos e pëlqejë.

E vetmja gjë që nuk do të doja të ndodhte, ishte që mundi im – ose me dhjetëra e dhjetëra orë pune të pafinancuara ndryshe – të mbetej në sirtar.

Artikullin, në formatin PDF, mund ta lexoni duke klikuar këtu:

RESTAURIMI I KËSHTJELLËS

Kam një lutje për të interesuarit, me shpresë se nuk do të tingëllojë e tepërt. Edhe pse ishte menduar për një botim të nivelit akademik, artikulli po del tani “nga halli” në një blog; por nuk duhet dhe nuk mund të trajtohet si shkrimet e përditshme këtu. Kërkon angazhim të një lloji tjetër; dhe më e mira do të ishte që ta lexonit të printuar.

14 Komente

  1. 2xha: “…nëse atyre vërtet artikulli nuk u ka pëlqyer, po i jap një shans edhe lexuesit kurioz që të mos e pëlqejë.”

    Si fillim sugjeroj 2xha qe dicka duhet korigjuar ne pjesen siper ku “qe te mos ta pelqeje” mund ta cyse lexuesin qe te sugjestionohet, te shtyhet te reagoje jashte natyres, mendimit dhe reflektimit objektiv vetor, qofte edhe si efekt emocional.

    Pershtypje personale… 🙂

  2. “Megjithatë, përkimi i datës së këtij refuzimi, me periudhën kur jam përfshirë në një debat në lidhje me modifikimet në trashëgiminë letrare të I. Kadaresë, më bën të mendoj për një lidhje jo dhe aq të fshehtë, midis pozicioneve të mia në këtë debat dhe vendimit refuzues të bordit të revistës.”

    S’ka asgje teori komploti ketu. Ata kane pare nje mosperputhje mes qendrimit tend ne artikull per vepren e Kadarese (s’kane te bejne ketu debatet e fundit) dhe qendrimit apo mendimit qe ata kane per kete veper. Pra ata nuk jane ne nje mendje me ty. Por sinqerisht mua kjo nuk me duket nje arsye e mjaftueshme per ta refuzuar botimin, sidomos pasi te kane bere vete ata nje ftese zyrtare.

    Une ate pergjigje qe te kane dhene, se “artikulli eshte i pabotueshem”, do ta kuptoja keshtu: “nuk e botojme dot se nuk perputhet me pozicionin zyrtar te revistes ndaj Kadarese”.

    Ketu me vjen te pyes: ti nuk e dije qendrimin zyrtar te revistes ndaj Kadarese apo e dije dhe megjithate ia dergove per t’i vene ne prove? 🙂

    1. Mua s’më duket se ka, në artikullin tim, ndonjë kundërvënie flagrante me qëndrimin “zyrtar” të HD-së ndaj I.K.-së – aq më tepër që ky qëndrim nuk gjendet i artikuluar gjëkundi. Unë kur shkruaj një analizë, ndjek atë që më sugjerojnë gjetjet në tekst – dhe artikulli im mbështetet gjerësisht në shembuj të nxjerrë nga të dy versionet e romanit.

      1. Nese mund te them thjesht mendimin tim, nuk jam dakord me paragrafin e dyte, ate ku merret i mireqene leximi i “Keshtjelles” si metafore e rrethimit revizionisto-imperialist. Eshte interpretimi i kritikes zyrtare te asaj kohe dhe nje nder me te perhapurit, qe e rithekson me te madhe edhe Miracco.

        Por te them sinqerisht se une nuk e kam lexuar kurre, as ne ate kohe, “Keshtjellen” ne ate menyre. Madje qysh atehere kam vene buzen ne gaz para leximeve te tilla. Per mua ata shembuj qe sjell ti, si “bllokade”, “delegacione” etj. ishin “specchi per le alodole”, pra ishin per t’i hedhur hi ne sy kritikes zyrtare e per t’i siguruar botimin nje kryevepre te narratives shqiptare, e cila perndryshe rrezikonte te mos e shihte kurre driten e botimit. Per mua ky intepretim ideologjik eshte nje shembull tipik i nje leximi sipas “intentio lectoris”, qe nuk perputhet as me “intentio auctoris” e sidomos nuk perputhet me “intentio operis”.

        Jam plotesisht dakord me paragrafin ku argumenton perpjekjet vertet te panevojshme te autorit per te orientuar a sugjeruar interpretime te reja permes nderrimit te titujve. Sikurse e thua ti ne artikull bashke me Eco-n, ato perpjekje jane te panevojshme, sepse me t’u botuar, teksti behet i mevetesishem, “autori vdes”, nuk ka pune te ndermjetesoje a te sugjeroje interpretime te ndryshme sa here qe i nderron hena.

        E gjeta te shkelqyer analizen qe u ben nderhyrjeve leksikore, zevendesimit te fjaleve “te huaja”. Per mendimin tim e kane demtuar shume tekstin, sidomos parantezat metagjuhesore, ku autori, i vetedijshem se fjalet nuk do te kuptohen, rreket t’u shpjegoje kuptimin. Me vjen vertet keq per keto nderhyrje, me vjen keq qe nuk u gjend askush prane autorit qe ta keshillonte e t’ia mbante doren. Dem i pallogaritshem!

        Une, te isha ne vendin tend, do te kisha hequr aty nga fundi ate pjesen mbi historine e purizmit dhe arsyet qe sipas teje e shtyne autorin te bente keto nderhyrje. Une do te mjaftohesha me analizen e tekstit dhe konstatime te natyres thjesht letrare, pa u shtyre me tej. Read Me na kujtoi keto dite parimin e ajzbergut te Hemingueit.

  3. Shume interesant studimi. Pershtypjet e mia per Keshtjellen (romanin e pare) i kam shkruar dy vjet me pare ketu:

    http://lexuesi.wordpress.com/2012/03/05/keshtjella-ismail-kadare/

    Sidoqofte mua me eshte dukur se ne versionin e pare arberit paraqiteshin kryesisht racionale dhe osmanet kishin nje dyzim (qe sic permendet edhe nga ju e con vepren perpara) midis racionales dhe irracionales. Madje balanca me dukej se anonte me teper nga irracionalia. Kjo panorame mendoj se i jepte vepres nje natyre reduksioniste.
    Shtimi i ngjyrave, ne versionin e vitit 2003, ne kampin arberor mendoj se e ben vepren me shume dimensionale. Se sa e arrire eshte ajo kjo eshte nje tjeter gje.

    Ndersa paradoksalisht, ne krahun tjeter, shtimi i purizmave shqip dhe fshirja e fjaleve te huaja me duket se e ka reduktuar shume vepren.

    E cuditshme dhe deri diku shokuese me eshte dukur edhe plani moral ose etik. Arberit paraqiten etike dhe e luajne paster lojen e luftes. Osmanet jo. Dhe ketu nuk eshte thjesht fjala per romantiken morale te te voglit qe sulmohet nga i madhi apo te te sulmuarit ndaj sulmuesit. Kjo sepse mund te te sulmojne por te mos jesh me i mire ne thelb se sulmuesi. Por jo, tek Keshtjella ashtu si dhe ne vepra te tjera te Kadarese ka njelloj superioriteti moral te shqiptarit ndaj cdo gjeje te huaj. Ne kete rast nuk flet shkrimtari i barazlarguar qe kritikon si te tijte ashtu dhe te tjeret. Flet shkrimtari i qe mbron njelloj kombi te zgjedhur qe ne motmoti qendron moralisht me lart se te tjeret. Ky eshte nje dimension qe mendoj se eshte trajtuar pak tek vepra e Kadarese. Ne perputhje me sitemin e atehershem sigurisht por ka vazhduar edhe pertej tij, gje qe tregon se nuk kemi te bejme me nje fenomen thjesht politik por me teper psikologjik.

    1. Nuk e kam lexuar ende studimin e xha xhait, thjesht sa i hodha nje sy per te pare bibliografine.
      Sinqerisht s’me pelqeu kjo nderhyrje, per faktin e thjeshte qe lojen e piste ne çdo lufte agresioni e ben perhere agresori per nje arsye qe rroket fare lehte. Agresori vjen me njerez te cilet kane uniforme, ndersa mbrojtesi nuk ka nga i çon civilet e vet. Agresori ben perhere kerdine ne civile, ne mos drejtperdrejt,edhe thjesht me grabitjen e gjese se gjalle dhe rezervave ushqimore, çka sjell vdekje nga uria apo nga semundjet per shkak te kequshqyerjes.
      Me fjale te tjera, vetem me pranine e tij, agresori demton ekuilibrat e mbijeteses (qe nga rezervat e grabitura, demet ne tregti, ne mbjelljet e reja e çdo aktivitet ekonomik me te cilin njerezit hane buke).
      Pra ne parim, agresori eshte i keq.
      Mandej morali ushtarak eshte çeshtje tjeter; ne fakt eshte e çuditshme qe te shohesh nje gjeneral i cili pranon te humbase luften per arsye morali ushtarak, nqs ekziston duhet çuar te punoje ne OKB ose ne Kryqin e Kuq se ka ngaterruar profesion.
      Mbrojtesit pergjithesisht kane superioritet morali ushtarak sepse nuk ua mban te bejne pislleqe per shkak te raprezaljeve mbi civilet qe mund te kryeje agresori.

  4. Pas leximit nuk mund të mos ndiesh keqardhje që nuk është parashikuar për botim tek Hylli i Dritës. Per mendimin tim modest është i vlefshëm, jo vetëm per revistën në fjalë, por edhe për çdo revistë të huaj të fushës

  5. Deshta te komentoj per kete pasazh: “…Keshtjella tani shnderrohet edhe ne nje vend gjeometrik to mitologjise arberore te Veriut, kryesisht Ciklit te Kreshnikeve; madje deri ne ate shkalles sa te duket sikur autori qellimisht e zhvendos Arberine me ne veri se c’eshte gjeografikisht.”

    Due te them qe ndoshta Kadare permes mitologjise veriore kerkon te rizhvarrose realitetet arbnore qe mund te kene mbete disi gjalle ne Veri.

    Si ish-student ne gjuhe-letersi, kujtoj nga dialektologjia se kjo disipline e gjuhesise mund te vihet sadopak edhe ne rolin e gramatikes historike: forma qe perdoren sot ne te folme te ndryshme, kane ekzistue para disa shekujsh. Po nga ky kurs (dialektologjia), kujtoj se periferia ashte konservatore (dmth ruen format e perdoruna te gjuhes), kurse epiqendra e gjuhes ashte novatore. Kam vu roe se nji marredhanie e tille ndermjet forcave te kunderta ne qender dhe periferi ekziston edhe ne fusha te tjera, si rrjedhoje, pse jo edhe ne psikologjine sociale etj., te nji komuniteti, kolektivi a etnie.

    Nji here jam cudite shume nga mikpritja e nji dhandrrit tone nga Mallakastra qe banonte ne Fier, mikpritje qe ngjante aq shume me mikpritjen ne Alpet e Shqipnise.

    Prej ketu, due me thane, se Kadareja, jo pa te drejte, e shef Arbnine e dikurshme nen tisin e Ciklit te Kreshnikeve apo mbrenda nji caku te caktuem gjeografik, edhe pse romani, sic thote autori, nuk ashte veper historike.

    V.O. Shkarazi, vuna roe se autori i artikullit perdor shpesh menyren habitore te foljeve qe i jep shkrimit njifare konotacion me theks ironik. Ndoshta kjo mund te jete nji nder aresyet e mosbotimit.

  6. Duke e lexuar këtë ese, pata përshtypjen se dora dorës po shihja radiografinë e një vepre arti, ku zbulohen shtresa te ndryshme pikturale, prove e një evolucioni konceptual të autorit. Kjo në pamje të parë se në të vërtetë, duket se nuk ka qenë tamam kështu. Më fort duhet besuar se te autori që në fillim kanë qenë të shtresëzuara të gjitha konceptet dhe vështrimet mbi botën(?). Versionet e ndryshme tregojnë se ai i shfaqte ato sikundër ai prizmi i xhamit që na jep ngjyra të tjera edhe pa lëvizur fare. Mjafton të ndryshojë pak pozicioni i burimit të dritës dhe befas ngjyrat i lënë vendin njëra tjetër. Për herë të fundit ka lëvizur më 2003.
    Ky punim i xhaxhait, një analizë tekstuale model, qëndron me dinjitet brenda limiteve studimore dhe gjykon vetëm mbi materialin që del në sipërfaqe, pa asnjë apriori.
    Neve si lexues, ajo vepër tani e tutje do të na sjellë ndërmend një palimpsest i vërtetë.

  7. Është një ese e jashtëzakonshme për një vepër letrare, si e shoh unë. Meqë s’para lexoj shumë të tilla, madje edhe letërsi sa vjen e lexoj më pak, e vetmja gjë që më sjell ndërmend skrupoloziteti studimor në qëmtimin e fjalëve e ndryshimit të tyre, si dhe reflektimi mbi shtresëzimet tekstore e ideore në një vepër, (në rastin në fjalë nëpërmjet këtyre ndryshimeve, përfshi në këtë edhe ndryshimet narrative,) është punimi madhështor i A. Pipës mbi veprën “Dranja” të M. Camajt.
    Evidentimi i lodhjes së autorit për pagëzimin e veprës me emra të ndryshëm më sjell ndërmend, siç autori i esesë vëren me të drejtë, procesin e çuditshëm sugjestionues që zbatohet në fe të ndryshme, si e krishtere, edhe myslimane, në pagëzimin e njerëzve me gjasë krijimin e një njeriu krejt të ri e ndryshe nga i vjetri. Punimi është po ashtu një mund i madh në skanimin e dëmeve që mund të pësojë struktura e një vepre dhe vetë vepra si e tillë prej përpjekjeve që burojnë nga motive jashtëletrare, por kanë karakter kryesisht ideologjik, dëme që autorit vetë, për shkak të frymëzimit në ndërmarrjen e atyre përpjekjeve, ndoshta nuk i duken të tilla. (Në këtë pikë, në rast se do të doja të tregohesha ironik, do të thosha se autori po ndërton piramidën e vet letrare, për t’i munduar lexuesit e studiuesit e mëvonshëm me një punë të kotë e për t’u hequr sysh të rëndësishmen, thelbin e krijimtarisë së tij.)
    Në ese, megjithatë, nuk rezultojnë disa motive, në mendimin tim, personale të autorit, ndoshta sepse nga pikëpamja studimore këto motive janë vështirësisht të argumentueshme. Të tilla si vlerësimi asgjësues i një periudhe të tërë letrare nga autori si periudha e bejtexhinjve me motivin e turqizmave të tepruara me të cilat ishte e shprehur krijimtaria e kësaj periudhe – për t’u parë pastaj në pasqyrë dhe evidentuar pasurinë e turqizmave në veprën e vet letrare. Apo qëndrimet denigruese në publicistikën e hershme të autorëve katolikë të veriut, nisur nga motive joletrare, por fetare dhe, kur nevojitej, edhe atdhetariste (me bazë qëndrimet e qëmtuara si dashamirëse të këtyre autorëve ndaj fashizmit). Apo edhe evidentimi i motivimit thjesht kombëtarist si shtysë e këtyre ndryshmeve, duke zgjedhur mospërmendjen e heqjes dorë nga motivet kombëtariste hoxhiste që kanë frymëzuar veprën e shkuar të autorit.
    Në rast se kësaj eseje letrare do t’i shtoja shtoja motive psikologjike, do të thosha se këto përpjekje përgjithësisht dëmtuese ndaj veprës janë dëshmi e dy proceseve të cilave u nënshtrohet autori. Njëra është përndjekja nga hijet e së kaluarës dhe përpjekjet e panevojshme, konfuze e të dështuara për përfshirjen e elementit geg, në gjuhë e mendim mitologjik, në veprën e vet. (Në rast se ndokujt kjo punë e hijeve i duket një deklarim i ekzagjeruar, le të vërejë gjetjen mjaft interesante, të përmendur në studim, të krijimit të mitit të humbjes së luftës dhe përdorjen e këtij miti si bazë për “rilindje” a revansh të mëvonshëm historik. Janë të njohura sulmet e autorit ndaj përdorimit të mitit të betejës së Kosovës prej serbëve. Po ashtu, është e para herë që historia e Skënderbeut, nga histori qëndrese, trajtohet si histori humbjeje me potencial revanshi historik. Dhe besoj se ka për të qenë e fundit.) Tjetra, që ka të bëjë me të kaluarën po aq sa me të ardhmen, është përpjekja e autorit që t’i krijojë vetes që në të gjallë, kur ka mundësi ende të ndikojë, një statujë të madhe në mes të një shkretëtire, për qëllime sa letrare aq edhe joletrare. (Sa për këtë të fundit, do të thosha se procesi historik, për fatin e keq të shumë ëndërrimtarëve, është mbyllur. Duan apo jo, pavarësisht se vepra e Naimit mund të mos jetë e majave më të larta letrare, atë s’e shkul dot kush nga piedestali i rilindjes së shqipes e shqiptarëve. E vetmja gjë njerëzore që mund të bëjnë është që, herë pas here, të marrin një sapllake ujë e të venë t’i vadisin lulet tek busti, në s’janë të aftë t’i bëjnë ndonjë nderim më të qenë.) Historia na rrëfen se këto përpjekje, me kohë, përfundojnë me ngritjen e ndonjë busti në ndonjë qoshe, diku.
    Është për të ardhur keq që një eseje si kjo i është refuzuar botimi. Ndoshta autori ka të drejtë të ndihet paranojak.
    Këtij supozimi unë mund t’i shtoja edhe katër të tjerë. Ndoshta botuesve të “Hyllit…” ende s’u ka dalë “inati” me qëndrimin e dikurshëm të Kadaresë ndaj autorëve dhe vlerave letrare që kjo revistë me të drejtë ka promovuar dikur. Ndoshta edhe u ka dalë “inati”, por nuk duan të përfshihen në një fushatë tjetër publicitare (njëri nga efektet anësore të studimit) për një autor që, edhe pa këtë, ka uzurpuar pa të drejtë hapësirën e gjerë të letrave shqipe. Ndoshta dy supozimet e mësipërme nuk janë edhe aq të vlefshme, përkundrazi, vlerësimi i botuesve të “Hyllit” mund të jetë shumë i lartë për autorin, ndaj nuk duan të ndihmojnë në publikimin e një vepre kritike që, sipas tyre, e dëmton staturën e shkrimtarit. Ajo çka besoj vërtet është se, siç ndodh zakonisht në jetë, arsyet e vërteta mund të jenë një përzierje e të katërta këtyre qëndrimeve, plus edhe ndonjë a ndoca të tjera që s’më vijnë ndërmend.
    Një naiv do të thoshte se ju s’keni humbur gjë nga ky refuzim (“e keni bërë punën tuaj”). Unë mendoj se të dyja palët kanë humbur, si ju, si botuesit e revistës. E mbi të gjitha, në këtë mes humbet kritika shqiptare – e cila, edhe sikur të botohej kjo ese, prapë mbetet një djerrinë e madhe.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin