E VËRTETA E KONTRABANDUAR

Kur fola para pak ditësh për disa shprehje parazitare, të llojit dihet se, e dimë se, të gjithë ju e dini se, të gjithë e dinë se, dihet botërisht se, siç e dini dhe ju duhej të kisha shtuar edhe se folje të tilla si di njihen, në semantikë dhe në pragmatikë, si folje faktive; dhe që sjellin me vete, në thënie, diçka që folësi e konsideron si pa diskutim të vërtetë.

Veç foljes di, te ky grup futen edhe folje dhe shprehje foljore të tilla si mësoj që, më vjen keq (mirë) që, vërej që, konstatoj që, jam krenar që, e kuptova që, s’më bëhet vonë që, më kujtohet që… E kotë të shtoj se ligjërimi politik shquhet për përdorim të inflacionuar të foljeve faktive; jo gjithnjë si shprehje parazitare ose ndërmjetësuese, por edhe si mjete për të paraqitur si të vërteta pohime që të vërteta nuk janë.

Një thënie e tillë si Dihet se Skënderbeu nuk kishte fëmijë përmban tre pasaktësi: e para, ngaqë Skënderbeu kishte fëmijë; e dyta ngaqë nuk ka ndonjë bazë për të thënë se që Skënderbeu nuk kishte fëmijë dihet; dhe e treta, e një lloji si të thuash metagjuhësor, që ka të bëjë me përdorimin e gabuar të foljes dihet – përveçse kur folësi vërtet kujton se Skënderbeu nuk ka pasur fëmijë dhe se kjo dihet.

Të vërehet këtu edhe folja kujtoj që, si kundërfaktive, meqë ajo ndiqet rregullisht nga propozita të rreme, por që folësi kushedi pse i ka mbajtur për të vërteta: Kujtova se ishte e diel (por në fakt nuk ishte); të krahasohet kjo me: më vjen keq që të ngordhi kanarina – çfarë presupozon se kanarina ka ngordhur vërtet. Përndryshe: Kujtova se i kish ngordhur kanarina, por e kisha marrë vesh gabim. Kundërfaktive janë edhe pandeh, m’u duk sikur, them se, etj., të cilat përdoren për të futur në thënie një propozitë të pavërtetë – edhe pse jo për të gënjyer: këtu është fjala për dije të pasakta, të pjesshme ose të rreme, por që janë mbajtur dikur për të sakta.

Të kërkojmë, pra, për ndërtime faktive në ligjëratën e politikanëve: gjasat janë që të jenë përdorur për të futur, si të vërteta, propozita që në fakt janë manipulative, ose thjesht të rreme. Ndërtimet me di, dihet janë vetëm një raft në arsenalin e gënjeshtrës dhe të bullshit-it.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin