KUSH PËRKTHEU

Mediat këto ditë përcollën, edhe pse pak si sotto voce, lajmin për botimin në shqip të librit I besojmë mosbesimit, të politologut Ivan Krastev.

Në ceremoninë e prezantimit të librit ishte i pranishëm vetë autori, i ftuar posaçërisht nga Instituti i Mediave, si dhe kryeministri Edi Rama.

Lajmet për këtë event, si ky këtu por edhe shumë të tjera që duket sikur ndjekin të njëjtin shabllon, përmendin edhe politologun Blendi Kajsiu, i cili foli shkurtimisht për librin në fjalë.

Çfarë mungon, në këtë informacion, është emri i personit i cili e ktheu këtë libër në gjuhën shqipe – dhe që jam unë.

Ose më mirë, qëlloj që të kem qenë unë.

Deri më tash, nuk ka asnjë njoftim në ueb, ku të përmendet edhe shqipëruesi i librit.

Përkthimi i esesë së Krastevit m’u sugjerua kundrejt një honorari, dhe unë e pranova me kënaqësi sepse, eseja më pëlqeu, m’u duk e nivelit të lartë intelektual dhe njëkohësisht e kapshme nga publiku jospecialist; dhe mendova sedo të ishte mirë jo vetëm për lexuesin shqiptar dhe për vetë kulturën tonë bashkëkohore që ta kishte në bibliotekën e vet; por edhe për mua si person dhe autor, që ta flisja Krastevin në shqip.

Megjithatë, mediat s’e kanë parë të udhës të përmendin përkthyesin e librit, krahas personave dhe personaliteteve të tjera, të cilët ishin pjesë në këtë ngjarje.

Pse ndodh kjo?

Them se ndodh ngaqë, sidoqë e kemi kapërcyer tashmë fazën kur librat shqipëroheshin nga të burgosur politikë dhe botoheshin pa emër përkthyesi, sërish mungon vlerësimi për atë përpjekje kulturore, sa krijuese aq edhe të mundimshme, që është përkthimi – dhe them vlerësimi jo në kuptimin e miklimit dhe të bombastikës (“përkthimi mjeshtëror” etj.); por të njohjes.

Dhe ky vlerësim mungon pikërisht aty ku duhej të ishte më i lartë dhe i mirartikuluar: në punëtorët e mediave; të cilët harrojnë të japin informacion, dhe kufizohen me të dhëna të rëndomta se kush kishte vajtur në ceremoni, a thua se po ia bëjnë kronikën ndonjë dasme fshati.

Përndryshe, po të shohësh cilësinë e përkthimeve të çastit, ose të plehut me të cilin mbushin faqet të përditshmet e Tiranës në ueb, mund edhe ta marrësh me mend pse mungon respekti dhe vlerësimi për profesionin dhe personin e përkthyesit, të cilin disa kalemxhinj e kanë katandisur sot në një formë kambizmi gjuhësor.

Megjithatë, askujt nuk i lejohet – dhe aq më pak një kolegu gazetar ose reporter – që të nivelojë nga poshtë; dhe aq më pak që, për shkak të përdhosjes që ia kanë bërë përkthimit mediat tabloide dhe botimet pirate, të marrin nëpër këmbë dinjitetin elementar të personit, i cili ka qenë instrumental në sjelljen e librit shqip.

Unë emrin tim në Tiranë nuk e kam bërë si përkthyes; dhe nuk kam gjë nevojë që të përmendem me emër, për të fituar kapital autorial me lexuesin ose prestigj në sytë e priftërinjve të Tempullit. Që e ngre zërin tani, e bëj sepse për rëndësinë kulturore të përkthimit kam shkruar disa herë dhe po dua të përsërit veten; por edhe për hir të të gjithë atyre përkthyesve të tjerë, të cilëve u shpërfillet njëlloj mundimi.

Për fat të keq, nuk është hera e parë, dhe fatkeqësisht as do të jetë hera e fundit, kur emri i përkthyesit të lihet përjashta; a thua se është fjala për hamallin që ka shkarkuar pakot me libra në magazinë, ose atë tjetrin që i ka shërbyer macchiato-n autorit Krastev.

E dimë se një pjesë goxha e madhe e ideve që qarkullojnë sot në tregun pluralist të ideve në botën shqiptare ka mbërritur atje nëpërmjet përkthimit.

Madje nëse shqiptarët flasin sot “europianishten”, kjo ndodh ngaqë dikush ua ka mësuar këtë, nëpërmjet përkthimit.

Duke qenë shqipja gjuhë e vogël, e shkruar pak dhe e palëvruar në nivelin libror, çdo shqipëruesi i duhet të jetë edhe krijues, intelektual dhe guxues në lëvrimet e veta gjuhësore.

Do ta kuptoja më mirë një kritikë të arsyetuar të përkthimit, sesa heshtjen; sepse kritika së paku ia njeh përkthyesit rolin prej pale në komunikim, dhe kur është konstruktive bëhet edhe ajo pjesë e kulturës si ndërfaqe me botën.

Mirënjohja për dikë që ka punuar është edhe provë e fibrës kulturore të vetë mirënjohësit; dhe prej mediave pritet që të luajnë rol pak më dinjitoz se ai i damave të rëndomta të oborrit.

2 Komente

  1. “Ose më mirë, qëlloj që të kem qenë unë.” – Fenomenale perdorimi i foljes “qelloj” si vete e trete njejese. Ironi e goditur, sinteze e persosur per te treguar nivelin intelektual te kalemxhinjve shqptare.
    Por fakti mbetet e trishtueshem. Dua te shpresoj qe autori i esese ta kete kuptuar mungesen e madhe te perkthyeses se vepres se tij.
    Duke lexuar kete shkrim m’u kujtua nje ngjarje e vitit qe shkoi. Shkrimtarja irlandeze Catherine Dunne mori çmimin “Boccaccio” per letersine e huaj ne Itali dhe vendosi qe kete çimim ta ndante pikerisht me perkthysen italiane e veprave te saj, Ada Arduini. Veprim i rendesishem qe deshmon ndjeshmerine e shkrimtares, por qe nenvizon, gjithashtu, edhe rolin e rendesishem te nje perkthyesi. Shpesh ndodh qe puna e perkthyesit te mos evidencohet dhe pavaresisht nga puna e tij edhte e madhe, te mbeten te panjohur.

  2. Perkthimi ishte perle. Urime!
    Ka egzistuar nje problem qenesor tek ne: ai i politizimit, se fundmi edhe i librit. Por nuk jeni rasti i pare-viktime, fatkeqesisht as i fundit, jo. Ajola Xoxa redaktoi librin e Tedi Papavramit e u permend pothuaj nga te gjithe mediat. Perkthyesja u la ne hije. Imagjinoni te kish patur aq aftesi gjuhesore zonja sa per te perkthyer librin, do e kishin shnderruar ne ikone, por ne fakt nuk qe hic e nevojshme se edhe redaktimi mjaftoi per ta bere kete. Nuk po mjaftohemi me vjedhjen e te mirave materiale por edhe vjedhjen/menjanimin e mendimit/mendimtareve. Mekat!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin