TË LUASH TRAJNERIN

HerreraNë këto ndeshje të Botërorit, si shfaqje brenda shfaqjes, vjen performanca e trajnerëve në anë të fushës.

Herë me kostum dhe kravatë, herë me tuta si mësues fizkulture në pension, të gjithë këta burra në moshë hidhen, protestojnë, gjestikulojnë, shtrëngojnë grushtin, shajnë nëpër dhëmbë dhe e përkthejnë lojën, njëlloj si ata përkthyesit misteriozë të gjuhës së shenjave, në një lojë tjetër, në kufi të pantomimës dhe të baletit konceptual.

Nëse e shohim fushën e lojës si skenë teatri, këta trajnerë që vijnë rrotull në kafazin imagjinar të fushës ku u lejohet të qarkullojnë janë figura të ndërmjetme midis suflerit, që u pëshpërit linjat e tekstit aktorëve nga një kamare gjysmë e maskuar; dhe korit të tragjedive greke, që komenton pa prerë, me mënyrat e veta, bëmat dhe fjalët e personazheve.

E megjithatë, nuk është teatër ky që shohim; sepse trajnerët nuk do të ekzistonin, si karaktere të spikatura gjatë ndeshjes, jashtë transmetimit televiziv dhe regjisë që i fokuson kamerat herë pas here në fytyrat e tyre, vetullat e ngrysura, kokat lehtësisht të ngritura, si për ta nuhatur atë çfarë ndodh në fushë.

Të vetëdijshëm për syrin e kamerës, gjestet e tyre shpesh mbeten përgjysmë ose pezull, nisin si të ashpra por përfundojnë të ngrira në ajër; një fishkëllimë gati ultrazanore, një emër i thirrur me të çjerrë, një manovër e imituar me një lëvizje të harkuar të krahut, një rrufe vështrimi kundër arbitrit.

Si baballarë të denjë, herë mësues dhe herë pastorë, trajnerët nxitin, udhëzojnë, qortojnë dhe ngushëllojnë – duke ofruar mbështetje emocionale, pa çka se janë ata që e përjetojnë më fort ndeshjen, ndoshta edhe ngaqë ndryshe prej lojtarëve, djersijnë së brendshmi.

Epoka televizive i ka detyruar të mësojnë, sado në pleqëri, artin e vështirë të aktrimit; madje edhe të aktrimit të njëhershëm, në disa skena njëherësh: për lojëtarët e tyre, për lojëtarët e kundërshtarit, për arbitrat, për kamerat dhe publikun që i ndjek në ekran.

E gjithë kjo vjen dhe kristalizohet tani si një lloj arti i ri performativ, falë kamerave dhe montazhit të kabinës së regjisë televizive; ose po atij montazhi që e shndërron ndeshjen në dramë, duke ndërruar pa prerë pikëvështrimin dhe duke ia treguar teleshikuesve, nga kënde filmimi heroike, përplasjet e lojtarëve në ajër, trajektoret e topit, vështrimin gjithë tmerr të portierit, spektatorët shumëngjyrësh që nga shikues shndërrohen për një çast në të shikuar; por edhe energjitë, prej vullkani të fjetur, që ziejnë pas kravatave të shtrënguara, jakave të kollarisura dhe flokëve të ngrirë me llak të trajnerëve.

Një arsye më tepër për ta parë ndeshjen në TV, për ne që nuk shkuam në Brazil.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin