MOMENTI I NEKROLOGËVE

Tek Dita, dr. Flamur Topi tregon “një histori të 40 vjetëve më parë,” kur ky ishte skenarist i filmit Guximtarët, ndërsa i ndjeri Artan Santo luante rolin e qullacit; dhe ku iu përgjigjet pyetjeve të tilla si: “Ishte Santo një aktor i mirë?”.

Te Panorama, Mitro Çela rrëfen për mbesën e të ndjerit Artan Santo, me një shkrim që fillon kështu: “Më 5 korrik, nipi im Noah Saches Çela mbush dy vjet”, ndërsa, pak më poshtë në faqe, Tinka Kurti i kthehet edhe ajo filmit Guximtarët, për të rrëfyer se “si u bë nëna e Tanit” dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla si “Me kë u lidh më shumë i vogli Santo gjatë xhirimeve?”

Edhe te Shqip Zamir Alushi flet për Santon, si model i bankierit të suksesshëm, duke iu referuar shkarazi filmit Guximtarët.

Ka edhe të tjera shkrime si këto – kush të dojë i gjen me lehtësi.

Për mua kjo është mënyra më e gabuar për ta trajtuar publikisht atë që ndodhi.

E kuptoj që shumë prej këtyre që shkruajnë e kanë pasur mik dhe e njihnin viktimën; sikurse e kuptoj që disave, p.sh. Dr. Topit ose Tinka Kurtit, u janë qepur gazetarët me mikrofon, për t’i bërë të flasin.

Dhe kështu lihet mënjanë fakti që bankeri Artan Santo nuk është se vdiq papritur në kafe, as ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë as ngaqë e përplasi makinën e vet pas një rrapi – por u vra ditën për diell, në mes të Tiranës.

Nuk është viktimë e një fataliteti, që të kujtohet kështu, me çikërrima sentimentale; por e një krimi që duket si i llojit mafioz.

Humbja e tij duhej të kish ngjallur zemërim, revoltë, indinjim – jo melankoli dhe keqardhje.

Gazetat që sot i përmendin të ndjerit nipat dhe mbesat, ose një rol që ka luajtur në një film, kur ishte fëmijë, janë duke normalizuar një ngjarje që kurrë nuk duhej normalizuar: atentatin vrastar.

Janë duke natyralizuar krimin.

Të thuash se të gjithë duhet t’i dorëzohemi realitetit dhe të pranojmë se ndonjë ditë mund të na shtrijnë shakull në rrugë, duke na qëlluar nga motoçikleta.

Që pastaj të vijnë këta të tjerët dhe të rrëfejnë si këputnim lulet nga bahçja e komshiut kur ishim të vegjël, apo si ia prishëm mësimin e gjeografisë profesor Petraqit.

Në pafuqi për të marrë në dorë fatet e polis-it, jemi kthyer në nekrologë profesionistë: përpara një vrasjeje të papranueshme, sillemi sikur të ishim në kësoll.

Pa folur për nekrofilinë amatoriale, të shtypit që e mundëson dhe e nxit këtë farsë kabá.

2 Komente

  1. Ky qëndrim i mediave nuk bën tjetër veçse topit indinjatën qytetare dhe rrit fatalizmin ndaj të ardhmes së Shqipërisë. Në një klimë të tillë, ku melankolia, frika e mosbesimi funebër puqen me apatinë sociale, kujtesa kolektive jo vetëm evokon shpëtimtarin e dikurshëm, siç përmend Baxhaku në editorialin e vet të sotëm, por mezi pret “Dorën e fortë”, që t’i zgjidhë problemet me grusht të hekurt. Kjo do të shënonte edhe fitoren përfundimtare të atyre që i kurdisin këto akte të rënda.
    Mes akuzash të ndërsjella, regjistruam edhe përçarjen e plotë të politikës, që mund të interpretohet edhe si dështim i rolit të saj, për sa kohë politika e keqe nxit antipolitikën, udha e të cilës nuk dihet nga të çon. Le të shpresojmë tek indinjata e shëndoshë qytetare dhe tek politika e ndershme.

  2. ”’Humbja e tij duhej të kish ngjallur zemërim, revoltë, indinjim – jo melankoli dhe keqardhje.”’

    Ok zemerim e revolte, por ndaj kujt, se me duket se njerezit jane me shume te irrituar me shtetin, sa me shume elemente po dalin, llafi qe bie, policia deklaroi se motori qe brodhi rreth gjithe institucioneve me te larta te shtetit ishte pa targa (jo me targa fallso, por pa targa fare). Muçi shkruan me te drejte, po kjo polici qe te mbin tek kembet sa ben nje shkelje qarkullimi, si ka mundesi s’beri dot gje, ndersa atentatoret kaluan mes per mes Tiranes.
    Duket sikur deri tani vete policia po merret me depistazh, se njehere iu fut gjithe motorave te zinj 500 kubiksh, tani po merret me kokoret e zeza, neser çdo bejne do ndalin gjithe ata qe kane xhupa te zinj ?
    Ujku fle tek blloku, i kollarisur e me makine qindramilioneshe.
    Policet, po thuhet s’kishin radio, ok, po nje cope celulari qe te marrin gratis ”policine” nuk e paska pase askush ?

    Ndoshta pikerisht qe njerezit te mos revoltohen me shtetin, mediat e porositura merren me depistazh sentimentalist.

    Ti me indinjimin supozon ndonje gje te tipit indinjim qytetar ndaj mafies, por nga vrasjet e meparshme te tipit mafioz, njerezia e di qe dallimi mes mafies dhe politikes nuk eshte i rendesishem, keshtu qe indinjimi ndaj mafies kalon lehte ne inidinjim ndaj atij qe ka pushtetin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin