PLLAKA MAGJIKE

tablet dhe derrasa e zezeNjoftimi në media, sipas të cilit tekstet shkollore do të zëvendësohen nga tabletat kompjuterike, është nga ato informacione që ta imponojnë duartrokitjen dhe miratimin pa e ditur mirë përse. Sepse është diçka e re, moderne dhe e mirë për nxënësit, do t’i thoshim vetes, ndërsa duart rrahin njëra tjetrën. Por a është vallë kështu?

Gazeta Shekulli (24.6.2014) boton shkrimin me titull: “Tabletat kompjuterike do të zëvendësojnë tekstet shkollore” ku shpjegohet se duke filluar nga viti i ardhshëm shkollat e vendit do të fillojnë zëvendësimin e teksteve shkollore prej letre me tabletat kompjuterike.

Ja çfarë shkruan gazeta për lëndët ku do të përdoren tabletat:

Kjo teknologji hyn fillimisht në lëndën e Informatikës dhe qëllimi është që tabletat të përdoren në shkolla për mësimdhënie në të gjitha lëndët. Elona Xhaferri, menaxhere e Programit të Arsimit, në intervistë për “Shekullin” tregon se me tabletat kompjuterike që do të zëvendësojnë tekstet shkollore, synohet të mësohet jo vetëm Informatika, por edhe Anglishtja, Matematika, Biologjia etj.

Kjo tregon se projekti është mjaft ambicioz, meqë shtrirja e përdorimit të mjeteve të reja teknologjike do të jetë e gjerë dhe pothuajse në të gjitha lëndët. Zakonisht projekte të tilla madhore paraprihen, ose shoqërohen nga debate publike për mësimdhënien, pikërisht se nuk janë aq neutrale në veprimin e tyre mbi shkollën e arsimin.

Ka specialistë që mendojnë se dy formatet e librave, elektroniku dhe ai prej letre, mund të bashkëjetojnë fare mirë, sikurse ka nga ata që në shkollë parapëlqejnë përdorimin e tekteve tradicionale.

Libri digjital – thotë prof. Giulio Ferroni, kritik e historian i letërsisë – është shumë i mirë si arkiv, për shembull kur udhëton e kur të duhen për konsultim shumë vëllime. Por studimi i vërtetë besoj se realizohet më mirë në libra tradicionalë. Nuk është rastësi që mundësia për të studiuar në libra elektronikë ekziston prej kohësh, megjithatë janë shumë pak ata mësimdhënës që i kanë adoptuar. Nuk është vetëm çështje mungese e mjeteve teknologjike, d.m.th e harduerit. Edhe të rinjtë dhe familjet e tyre e kuptojnë se libri prej letre ka një konsistencë më të madhe formative dhe edukative. (Avvenire, 11 qershor 2014, f. 22).

Fjalia e fundit duket tepër e prerë për mos t’u marrë seriozisht, sidomos kur dihet që nuk vjen nga goja e ndonjë apokaliptiku, që i sheh me përkufizim vëngër risitë e teknologjitë e reja. Pavarësisht nëse ka apo nuk ka të drejtë studiuesi i lartcituar, fakti është se zëvendësimi tërësor i librave klasikë prej letre me tableta kompjuterike nuk mund të bëhet pa asnjë lloj diskutimi mes specialistëve dhe ç’është më e rëndësishmja nga përdoruesit e tyre, nxënësit, fëmijët e prindërit.

Edhe pse nuk është hera e parë që po e ngremë si problem, risitë teknologjike që na serviren kërkojnë përsiatje me karakter të ndryshëm, gjithsesi nuk lypin qëndrim akritik ndaj përdorimit të tyre. Nuk mund të likuidohet si pozicion i prapambetur shqetësimi civil se mjetet e reja të komunikimit, sipas gjasës e rrisin pasivitetin e përdoruesit, në rast se ky nuk di t’i përdorë siç duhet. Kulti i kargove mund ta ushtrojë influencën e vet edhe në lëmin e tekonologjisë.

Është e vërtetë se telefonat superinteligjentë të brezit të fundit, sikurse softuerët me pamje rrëshqitëse, ose vetë tabletat kompjuterike, gjejnë tek ndërveprimi kalin e fortë të betejës, për të na bindur përfundimisht për dobinë dhe mirësinë e tyre. Por kjo nuk është gjithnjë e vërtetë, aq më tepër që po flasim për tekste mësimore. Mjetet e reja teknologjike duhen përdorur, çka nuk rezulton e thjeshtë, sepse ta japin djallëzisht përshtypjen sikur e ke situatën në dorë, edhe kur nuk është aspak e vërtetë.

Nga ana tjetër, duhet pranuar pa mëdyshje se mjetet e reja, përfshirë librat digjitalë dhe tabletat kompjuterike kanë vlerat e tyre, duke filluar nga fakti se çantat e nxënësve nuk do të jenë të rënda plumb nga pesha e librave prej letre. Por nuk mund të mjaftohemi me kaq, as me të mirat e tjera, siç mund të jetë mbrojtja e pyjeve.

Kambanat e alarmit bëhen gati të bien kur lexon se pyetjes “Kjo është një risì për shkollat e vendit tonë, por a janë të përgatitur mësuesit për të zbatuar këtë metodologji mësimore?”, drejtuesja e Ministrisë së arsimit i përgjigjet:

Qëllimi i Microsoft-it është të ofrojë informacion, i cili do të vijë në ndihmë të mësuesve dhe nxënësve, se si të përdorin tabletat operative, në shpjegimin e mësimit. Gjithashtu, synohet që të  informohen mësuesit se si të përdorin tabletat. Microsoft ka bërë tashmë pilotimin në dy shkolla të mesme.

Ndoshta është i tepruar si shqetësim, por edhe ky interes kaq i madh i korporatave që i prodhojnë tabletat duhet parë me kujdes. Më duhet të ricitoj prof. Ferronin, i cili flet për mësuesit e shkollës italiane, por analiza duket se i shkon për shtat edhe arsimit shqiptar:

Në këtë pikë është qendror roli i mësuesve, që ndokush i sheh sot gjithnjë e më shumë si menaxhues të thjeshtë aparaturash e mjetesh. Deri disa vite më parë kurset e përditësimit të mësuesve kishin të bënin me lëndët e tyre. Sot, përkundrazi, më thonë se nismat e trajnimit për mësuesit kanë të bëjnë të gjitha me didaktikën digjitale e me dërrasën ndërvepruese [interactive whiteboard, shën. im]. Duhet ta kundërshtojmë këtë reduktim të rolit të mësuesve, pas të cilit fshihen shpesh interesat tregtare të ndërmarrjeve me produkte informatike. Interesa në vetvete të ligjshme, t kuptohemi, por që nuk mund të jenë pikënisja e pikëmbërritja e politikave shkollore. (Avvenire, 11 qershor 2014, f. 22).

Me pak fjalë, mësuesit nuk duhet të reduktohen në përdorues të thjeshtë të mjeteve moderne, duke lënë pas dore përgatitjen mësimore e mbi të gjitha duke lënë pas dore qasjen kritike ndaj mjeteve që përdorim.

Kompjuterët, tabletat, mjetet e ndryshme informatike dhe prodhuesit e tyre nuk duhen treguar negativisht me gisht. Përkundrazi. Po flasim për mjete të dobishme, por nuk mund të rrimë pa folur për pasojat e përdorimit të tyre në shkollë, për motive didaktike, pra në një mjedis të caktuar. Ndonjë mëdyshje më shumë është e shëndetshme, sidomos kur risitë na vijnë të veshura me kostumin modern të ideologjisë teknologjike, na paraqiten si panacé për edukimin dhe na e hapin derën e klasës pa trokitur.

Kjo nuk do të thotë se këto rreshta nuk i kam shkruar me tabletin tim fringo të ri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin