KLASIKËT PËRBALLË CICËRIMAVE

cicerimtariaKëtë vit, në sallonin e librit në Torino, vendosën të bëjnë një eksperiment. Nisma quhej Twitteratura, një lloj kalku i anglishtes Twitterature, shkrirja midis Twitter dhe letërsisë. Qëllimi, sipas mediave, synonte përmbledhjen e veprave klasike në 140 shkronja, me objektivin përfundimtar që të rinjtë t’i afroheshin letërsisë klasike. Siç mund të pritej, nuk munguan polemikat.

Nuk e di se si mund të shqipërohen saktësisht fjalët e mësipërme, por të dyja mund të futen në kuadrin e konceptit më të përgjithshëm që mund ta quajmë cicërimtari. Mendoj se pas termave të lartcituara, që lidhen me mjedisin e hapësirës virtuale, ka disa dallime thelbësore, gjithnjë në vartësi të nismave dhe kulturave që u përkasin. Është tjetër gjë të synosh përmbledhjen e veprave klasike në pak shkronja, e tjetër është të nxisësh me batuta të shkurtra kërshërinë e të rinjve ndaj letërsisë.

Ndoshta pikërisht në këtë keqkuptim i ka rrënjët reagimi i prof. Giulio Ferroni, kritik e historian i letërsisë, i cili ngriti zërin kundër rrezikut të banalizimit (Avvenire, 11 qershor 2014, f. 22). “Kishte nga ata që në Torino thoshin se më në fund të rinjtë po lexojnë – shprehet kritiku i njohur letrar. Kjo nismë u paraqit si projekt i madh edukativ e progresist. Një djalosh, tejet i duartrokitur, e përmblodhi romanin ‘Të fejuarit’ duke krahasuar dom Abbondio-n, i cili refuzonte ta celebronte martesën midis Renzo-s dhe Lucia-s, me ata që sot janë kundër martesave gay. Kuptohet që këto dy aspekte nuk kanë lidhje njëra me tjetrën”.

Tani, kush e ka lexuar romanin e famshëm të Alessandro Manzoni-t (I promessi sposi, në italisht) nuk e ka të vështirë ta pranojë se krahasimi dhe përqasja me problemet e sotme janë disi të sforcuara, gjithsesi lipset imagjinatë e fortë; por për ta shpjeguar këtë duhet filluar nga karakteri historik i romanit dhe nga kompleksiteti i ngjarjeve që aty shtjellohen. Dom Abbondio është figurë legjendare në imagjinarin kolektiv italian. Pavarësisht nga kjo, prej të gjithëve duhet pranuar pa mëdyshje se gjërat komplekse nuk mund të përmblidhen automatikisht e detyrimisht në 140 apo 410 shkronja.

Si shumë të tjerë, profesori italian nuk është kundër teknologjisë së re, madje e konsideron të dobishme për shumë anë të tjera, përfshirë studimin dhe analizën e tekstit letrar. Megjithatë, keqpërdorimi i teknologjisë po çon të keqkuptimin e disa koncepteve thelbësore të letërsisë. Ferroni ka të drejtë kur nënvizon se “leximi kërkon durim e ngadalësi, saktësisht e kundërta e simultaneitetit dhe e shpejtësisë mbi të cilat bazohen mediat e reja”; sikurse ka të drejtë kur i referohet letërsisë dhe vëren se sot anojmë ta refuzojmë matjen me horizontin problematik të veprave letrare, në rrafshin ekzistencial, historik, stilistik, duke e reduktuar leximin në një lloj kalim kohe, ose lojë dhome. “Letërsia – thekson Ferroni – përmban potencialitet njohës shumë më serioz e të rëndësishëm”. Diku nga fundi i intervistës, profesori i letërsisë thotë: “Obsesioni për shpejtësinë me çdo kusht, për të prodhuar e për të konsumuar në një zinxhir që nuk ndalet kurrë, e shoh të gjallë e të pranishme […] Vlerat humaniste na japin tjetër leksion”.

Intelektuali italian i prek çështjet, por ndoshta duhet theksuar më shumë se problemet e përdorimit të mjeteve të reja të komunikimit dhe teknologjisë së re hyjnë në një kuadër më të gjerë, që ka lidhje si me kulturën e sotme, ashtu edhe me konceptimin e pedagogjisë. Në bazë të shumë problematikave qëndron një lloj konfuzioni i përgjithshëm që, siç thuhet zakonisht, mbizotëron sovran në kulturën e sotme globale, përfshirë atë shqiptare.

Le ta fillojmë me pranimin akritik të çdo të reje teknologjike që na serviret, duke harruar se mjetet moderne kërkojnë kritere përdorimi, çka nënkupton edhe etikën mbi të cilën ato bazohen. Nga ana tjetër, qëndrimi pozitivist ndaj teknologjisë, duke i dhënë vlerë morale vetëm për faktin e risisë, na e bllokon forcën kritike ndaj tyre. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta përdorim më Power Point-in dhe pamjet rrëshqitëse, por do të thotë se kur cicërojmë në degët e Twitter-it duhet të jemi të vetëdijshëm për kuptimin e mesazheve, pa i ngatërruar me mjediset e tjera. Kush i demonizon cicërimat në internet, bën të njëjtin gabim me ata që i adhurojnë dhe i shndërrojnë në mënyrën e vetme të komunikimit. Sikurse libri digjital mund të bashkëjetojë me librin tradicional prej letre, ashtu edhe Twitter mund të bashkëjetojë me letërsinë dhe mjetet e tjera të komunikimit, përfshirë letërsinë tradicionale. Kanë funksione të ndryshme, plotësuese, jo zëvendësuese.

Keqkuptimi tjetër lidhet me tendencën se çdo gjë që kërkojnë të rinjtë e të vegjlit janë moderne e të vlefshme. Kjo nuk do të thotë se studimin duhet t’ua shndërrojmë në ferr, siç ndodhte në Shqipërinë e atëhershme kur klasa ngjasonte me repartin ushtarak, por edhe ta konsiderojmë studimin vetëm nga pikëpamja e argëtimit nuk është zgjidhje e mirë, sepse leximi e studimi kërkon një farë lodhjeje. Në këtë pikë roli i shkollës është i pazëvendësueshëm, meqë mësuesit janë ata që duhet të na ndezin pasionin e njohjes dhe kënaqësinë e studimit, e jo të kthehen në promovues të softuerit të fundit.

Shqipëria ka shumë nevojë për qëndrimin kritik ndaj risive teknologjike, ngaqë çdo risi na vjen pa asnjë lloj filtri. Rreziku i sipërfaqshmërisë është kudo, sidomos kur fshihet pas petkave moderne të teknologjisë mahnitëse me fjalë të huaja. Duhet ta pranojmë se cicërimat në internet mund ta ndihmojnë leximin e Dimrit të madh ose të Kronikës në gur të Kadaresë, sepse shërbejnë për rritjen e kërshërisë ndaj autorit e letërsisë, ndoshta edhe thonë aforizma intrigante për autorin e letërsinë shqiptare, ndonjë xhevahir me pak shkronja nuk përjashtohet, por nuk mund ta zëvendësojnë assesi leximin e plotë të veprave.

Përndryshe regjisori Woody Allen e ka thënë prej kohësh me një batutë të famshme: “Bëra një kurs për lexim të shpejtë dhe e lexova ‘Luftën e paqen’ për njëzet minuta. Fliste për Rusinë”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin