ASKETI ENVER

Te faqja online e gazetës Dita, një shkrim i lënë pa autor rrëfen një bisedë të përgjuar pranë vilës së Berishës në Gjirin e Lalëzit.

S’e kam parë këtë ndërtesë, por pas gjase do të jetë luksoze.

Dy gra, që më parë kanë qenë duke ngrënë në një restorant aty pari, tani i afrohen rërës, teksa njëra prej tyre i thotë tjetrës:

Shikoja pak vilën kësaj, dhe flasin për Enver Hoxhën këta. Ku ka qenë Enver Hoxha më i pasur se këta? Kurrë.

Përemri “kësaj”, në këtë frazë, i referohet një vajze me të cilën bashkëjeton i biri i Berishës.

E solla këtu thashethemin – pa rëndësi në vetvete – sepse më duket se dëshmon një gabim të ndeshur rëndom në mënyrën si trajtohet e djeshmja në mediat; madje jo veç në mediat, por edhe në muhabetet e njerëzve anembanë shqiptarisë.

Njerëzit bëjnë mirë që krahasojnë një regjim me tjetrin; por duket se u mungojnë parametrat për krahasime të tilla.

Regjimi i sotëm ekonomik nxit pasurimin, madje atje paraja shërben edhe si faktori kryesor i gjakimit politik: aktorët në sferën publike e duan pushtetin, sepse ai u ndihmon të pasurohen; dhe të kamurit e duan pushtetin, sepse ai u ndihmon që t’i ruajnë dhe shumojnë pasuritë që kanë.

Regjimi i djeshëm, ai i Enverit, nuk funksiononte kështu; meqë në totalitarizëm pasuria as mund të arrihej, as ngrinte peshë në logjikën dhe hierarkinë e pushteteve. Përkundrazi, e vetmja “pasuri” ishte pushteti i akumuluar.

Si lider totalitar, Hoxha ishte më “i pasuri” me pushtet; por kjo nuk i përkthehej gjë në pasuri materiale – aq sa ai, dhe familja e tij, sikurse të gjithë liderët e tjerë të kohës, nuk kishin pronësi ndaj të mirave materiale që përdornin: vilave, mobiljeve, makinave.

Natyrisht, kjo mungesë pronësie nuk do interpretuar si thjeshtësi, as si përvuejtni dhe as si asketizëm; por vetëm si provë se marrëdhëniet e pronësisë dhe të pasurisë në totalitarizëm nuk mund të lexohen, as të interpretohen me parametrat e sotëm.

Që shumë shqiptarë, përfshi këtu edhe dy gratë në Lalëz, ngulin këmbë në këtë mënyrë interpretimi, edhe pa qenë qëllimi i tyre të “rehabilitojnë” Enverin ose regjimin e tij, kjo dëshmon – të paktën – se sa e deformuar po u vjen e djeshmja shqiptarëve të sotëm; deformim që pastaj i pengon të kuptojnë edhe çfarë po ndodh sot në jetën shqiptare.

Kontrastin mes regjimit të djeshëm totalitar dhe këtij të sotmit – parakapitalist, nëse mund ta quaj kështu – e mishëron më së miri konflikti midis zilisë dhe frikës, si dy gjendje shpirtërore negative, që përfaqësojnë pakënaqësinë e të sunduarve ndaj sunduesve.

Nëse dje kishim frikë nga regjimi i Enverit, sot provojmë zili, ndaj atyre që janë pasuruar – zili që shpesh ndërthuret me një ndjenjë të vagullt drejtësie, dhe bindje se ky pasurim i ka rrënjët në krim dhe favoritizma gjithfarësh.

Nga ana tjetër, frika funksionon më mirë si faktor për të siguruar një ndjenjë barazie të përgjithshme – duke krijuar mes viktimave një lloj solidarizimi jo të pangjashëm me atë mes të burgosurve.

Përkundrazi, zilia është e tillë që i shtyn viktimat e veta ta interpretojnë çdo lloj pabarazie, përfshi edhe atë ekonomike, si padrejtësi.

Shumë prej nesh sot, kur ndodhen përballë rrënojave të lëna nga koha tjetër, si vila e Enverit ose benz-at e udhëheqjes, nuk provojnë ndonjë zili të veçantë; dhe nuk arrijnë dot të vendosin lidhje mes atyre çfarë shohin dhe mënyrës si u prezantohet regjimi totalitar në shkollë dhe në mediat.

Pa çka se rrënojat e regjimit të atëhershëm ne i kemi sot e kësaj dite të shpërndara anembanë mendjes dhe botëkuptimit; në trajta neurozash dhe paranojash kolektive.

Shkolla dhe vetë mediat mund të kishin ndihmuar më shumë në këtë mes; përndryshe, nuk do të jetë e largët dita kur Enveri të përfundojë në Plak të Vitit të Ri për shqiptarët.

6 Komente

  1. Ne fakt xhaxha, pavaresisht se si e mendojne ato grate dhe brezi i tyre e siper, mund te shtoj se akoma edhe me e veshtire eshte per brezin tim (poshte te 30-ave). Ne bisedat me tim ate rreth “asaj” kohe dhe “kesaj” te sotmes, ku duhet ta pranoj se ka nje lloj nostalgjie tek ai, kjo puna e pasurise dhe jetes se Enverit ceket shpesh. Dhe jo vetem Enveri, por edhe cka trasheguan e si jetojne sot trashgimtaret e tij. Fevziu ne Opinion, me sa kam ndjekur, eshte perpjekur ta thyeje pak kete mitin e Enverit te thjeshte, porse nuk ka arritur me teper sesa nje pishine e ndonje tv me ngjyra. Dua te them, edhe nqs kjo e ka nje shpjegim pertej faktit qe Enveri na paskerkesh qene ne fakt nje shpirt njeriu (dhe me siguri e ka), pyetja qendron. Ti je perpjekur te sqarosh dicka por me duket se i merr pak te mireqena disa gjera, ose perndryshe une e kam ende te veshtire te perfshihem ne kontekstin e atehershem. Shpresoj ta shtjellosh me gjere si teme.

  2. Totalitarizmi më shumë është përdorur këto vite se sa është shpjeguar. Krahasime me bazë materiale, midis dy regjimeve, të djeshmit e të sotmit, nuk mund të bëhen në rast se nuk sqarohen disa parime bazë. Qëllimi i politikanëve në totalitarizëm ishte pushteti, por edhe ky duhet nënkuptuar si pushtet absolut, jo si ai i sotmi, që gjithsesi në kuptimin negativ është një lloj mashe për pasurim ekonomik.

    Nga ana tjetër nuk duhet harruar se në totalitarizëm edhe vlera e parasë kishte limitet e veta. Qëllonte për shembull që të kishe lekë por nuk kishe mall për të blerë. Sot është vështirë ta shpjegosh këtë paradoks, sepse tani gjen çdo gjë në treg, por duhen të holla.

    Mbaj mend një herë se një ish-kamerier në bllok, që e kishte parë nga afër Enverin sa e sa herë, na tregonte se si e kishte parë Njëshin me këmishë me jakë të kthyer e ndoshta me ndonjë arnë. Tani, rrëfime të tilla mund të kishin synime propagandistike, për ta treguar Enverin si të thjeshtë, si njeri i ulur gju më gju me popullin, çka e pata menduar në atë kohë; por edhe sikur të kishte qenë e vërtetë mua prapëseprapë nuk do të më bënte përshtypje, sepse e kuptoja që objektivi i Enverit nuk ishte këmisha firmato. Edhe sikur të më kishin thënë të kundërtën, që p.sh. i pëlqenin kostumet franceze, përsëri do të mendoja se qëllimi ishte gjetiu, sepse sistemi ishte i tillë.

    Kjo nuk do të thotë se atij dhe kastës totalitare nuk i pëlqente jeta e rehatshme, por që disa mekanizma nuk funksiononin sikurse janë sot.

  3. Natyrisht qe shpjegimi kryesor eshte ai qe i gjithe vendi ishte ne pronesi te Hoxhes, si literalisht ashtu edhe metaforikisht. Por vetem kjo nuk shpjegon gjithcka. As natyra e sistemit nuk shpjegon gjithcka. Si te shpjegojme psh luksin e Causheskut apo edhe Titos (megjithese ky qe sistem me liberal). Po luksin ku jeton diktatori i Korese se Veriut sot?

    Une mendoj se nje pjese e mire e shpjegimit gjendet edhe tek tiparet e personalitetit te Hoxhes. Megjithese ishte larg asketit, ai me siguri nuk ka qene tipi i dhene pas luksit. Ne fakt ai as pas arkitektures nuk ka qene i dhene (nderkohe ka nje korelacion diktator-arkitekture). Pra ne disa aspekte ka qene nje diktator ndryshe. Jo domosdoshmerisht me i mire megjithate.

    1. Thjesht për ta mbajtur muhabetin gjallë, mendoj se në totalitarizëm klasa në pushtet nuk e vriste shumë mendjen për atë që quhet konsum i spikatur (conspicuous consumption) dhe që i mundon kaq shumë të sotmit. Se pse ndodhte kështu, mund të sillen shumë arsye – p.sh. që në atë kohë sekreti dhe mosrënia në sy ishin shumë më të rëndësishme se sot, qoftë edhe ngaqë bënin pjesë në ADN-në politike të një kaste të dalë nga ilegaliteti dhe lufta; pastaj edhe disa parime të moralit komunist funksiononin vërtet; ekzistonte një bindje se luksi ishte “femërzues”, ndërsa pushtetarët nuk mund të ishin vetëm burra me rr super të fortë; vetë mass mediat nuk e kishin shtrirjen dhe pushtetin, edhe teknologjik, që kanë sot, në kuptimin që klasa në pushtet nuk e shihte veten çdo ditë në TV ose në faqet e tabloidëve; madje edhe Enver Hoxha vetë shfaqej në publik një herë në hënëz; dhe vetë kultura e konsumit të spikatur nuk kish pasur as kohë as mundësi të hidhte rrënjë, meqë shtresat e pasura të Paraluftës tashmë ishin likuiduar, edhe fizikisht. E vërteta është që vetëm në vitet 1980 filloi një farë konsumi i spikatur në familjet e bllokut, sidomos nga ana e fëmijëve, që tërhiqnin vëmendjen – kryesisht me rrobat që vishnin dhe ngaqë “dilnin jashtë” (çfarë shprehjeje! dhe të mendosh që përdoret edhe për jashtëqitjen…).

      Të gjitha këto, doemos, kontrastojnë me figurën fotozhenike të Hoxhës, kujdesin e tij prej aktori për pamjen, hijen dhe fjalën, teatralitetin aq të studiuar në marrëdhëniet e tij me publikun, por edhe në përgjithësi, angazhimin e një aparati të tërë, që Hoxha të paraqitej sa më dinjitoz në publik, çfarë i shërbente edhe kultit të tij; në kuptimin që lideri duhej të dukej jo vetëm autoritar dhe i pushtetshëm, por edhe i bukur, apollonian, deri edhe me tonet e bardha prej statuje të kostumeve dhe të këpucëve. Ndryshe nga Stalini, që ishte njeri i pagdhendur, Hoxha e kish një elegancë të natyrshme në sjellje dhe një hir që i magjepste ata që kishin rastin ta takonin personalisht. Që në fotot e tij të kohës së Luftës duket njeriu dandy dhe vanitoz, që bashkëjetonte me liderin makiavelik dhe të pamëshirshëm. Se pse ky vanitet nuk e tundoi Hoxhën për shkëlqim edhe luksi material, unë besoj se kjo ka të bëjë me dëshirën e tij për t’u paraqitur jo si satrap oriental i rrethuar nga luksi i shfrenuar, por si intelektual asketik revolucionar; ky ishte imazhi ideal që projektonte për veten dhe atë imazh, sado deluzional, edhe ushqeu, në marrëdhëniet ndër-personale me të tjerët, duke filluar që nga Nexhmija. Nuk ishte njeri i korruptuar, as i korruptueshëm; ose, të paktën, pasi e mori pushtetin në duar, nuk kish se për çfarë të korruptohej më. Dua të them që sjelljen e tij, në rrjedhë të viteve, do ta shihja të sunduar më shumë nga paranoja, sesa nga histeria.

      1. nga fundi i viteve 70 pati nje ndryshim ideologjik persa i perket konsumit ne shoqerite komuniste, si nevoje qe te kishte me shume qarkullim te parave qe fshiheshin neper dysheqe dhe rritur konsumin e brendshem (por edhe per te sjelle disi ne nje njejten nivel jetese – simbolikisht- proletarlet e shoqerive socialiste me ato te vendeve perendimore) – ne gjermanine lindore filloi me sukses dhe kaloi me pas edhe ne bashkimin sovjetik e gjetke, ne shqiperi kjo vale erdhi me vonese (ndonje ekonmosit mund ta percaktoje me sakte ndryshimin e dogmes nga kursimi ne konsum) – me kujtohen xhinset (shkodres?) e atletet.. e me vone dyqanet e valutave .. dhe me pas muzeu i enver hoxhes (kete mbaj mend une si brez me i ri) e lidh sjelljen e konsumit me statusin dhe pushtetin .. muzeu i enver hoxhes ishte nje lluks per cilindo shqiptar mbi te cilin muzeu perconte forcen e pushtetit politik dhe “ekonomik” te socializmit. ..

  4. Që shumë shqiptarë, përfshi këtu edhe dy gratë në Lalëz, ngulin këmbë në këtë mënyrë interpretimi, edhe pa qenë qëllimi i tyre të “rehabilitojnë” Enverin ose regjimin e tij, kjo dëshmon – të paktën – se sa e deformuar po u vjen e djeshmja shqiptarëve të sotëm;

    Nuk besoj se reagimi i ketyre grave ka te beje me nje deformim te se djeshmes. E djeshmja me mesoi mua (me sa mbaj mend) qe po provove sistemin kapitalist, parate do vidhen fillimisht e pastaj do legjitimohen po ti si person mesatar do mbetesh me gisht ne goje. Kuptohet po flasim per kapitalizmin ‘neo-liberal’ anglo sakson ne kete rast (jo ate skandinav)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin