NUK ËSHTË PUNË HARTASH

Ka diçka që i vë në emërues të përbashkët reformën e tanishme territoriale dhe përpjekjet për t’ia reformuar drejtshkrimin shqipes – dhe që lidhet, për mua, me prirjen tonë të gjithfarshme për të ngatërruar emrat me sendet, ose edhe hartën me territorin.

Kur dëgjon argumentet se me cilën zonë a fshat duhet “bashkuar” Himara – Vranishtin, Kurveleshin, etj. – herët a vonë do ta kuptosh se këto të bindin më shumë në hartë se në realitet; dhe se, që Himara është pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë, kjo duhet përjetuar në terren ose duke grisur këpucët dhe gomat e automjeteve, jo duke kundruar Google Maps.

Gjeografia për të cilën flas nuk është, në fakt, e dhënë abstrakte, ose parametër thjesht fizik, i llojit sa i lartë është Korabi; por më shumë realitet social, ose hapësirë e organizuar sipas përmasës humane, e cila shpesh luan rol përcaktues në fatet e popullatave dhe individëve. Krejt historia e Himarës në shekuj, marrëdhëniet e kësaj krahine me brendatokën arbërore-shqiptare nga njëra anë dhe me ishujt jonianë ose edhe me mbarë hapësirën greqisht-folëse nga ana tjetër, e dëshmojnë këtë.

Sa e lidhur është aktualisht krahina e Bregut me brendatokën? Kësaj pyetjeje dëgjon t’i japin rregullisht përgjigje të llojit historik-antropologjik, duke sjellë prova se një pjesë e madhe e banorëve të bregut janë me prejardhje nga Labëria, dhe se plakat vendëse ende i qajnë të vdekurit në shqip etj.; pa çka se këto përgjigje, kushedi fare të sakta në vetvete, nuk ngrenë peshë për argumentin dhe njëlloj mund të përdoren për të provuar të kundërtën.

Çështja, të paktën për mua, është se Himara mbetet akoma e lidhur keq dhe ters me pjesën tjetër të territorit shqiptar – dhe këtu kam parasysh jo hartën, as zhvendosjet turistike, por para së gjithash komunikacionin: rrugët tokësore dhe detare, si dhe zhvendosjet demografike të natyrshme (siç kam shkruar edhe këtu).

Ideja dhe propozimi për ta bashkuar Himarën në njësi administrative të tilla që të përfshijnë edhe brendatokën e afërt është e mirë në vetvete; por nuk ka ende ndonjë mbështetje reale, sa kohë që Kurveleshi dhe Labëria nuk komunikojnë dot natyrshëm me bregun e Jonit, për shkak se mungon infrastruktura e transportit rrugor, pa folur pastaj për hekurudhën ose kabotazhin. Ky moskomunikim material përthyhet, dhe nuk mund të mos përthyhej, edhe si moskomunikim dhe moskuptim njerëzor, social, kulturor, çka e shndërron pastaj gjeografinë fizike në fatalitet.

Në këto rrethana, argumentet e sjella nga të gjithë ata që i refuzojnë kombinime të tilla hartografike nuk i hedh dot poshtë dhe aq lehtë; pa çka se disa nga këto argumente mund ta marrin frymëzimin gjetiu.

Gjithnjë do të dëgjosh, në raste të tilla, zëra të diturish që të shpjegojnë pse Himara ka qenë denbabaden shqiptare, madje duke trazuar edhe Bizantin, Vatikanin dhe të tjera burime të Mesjetës. E megjithatë, shteti shqiptar – nga pafuqia ose mosdëshira – nuk ka bërë shumë për ta integruar ekonomikisht dhe shoqërisht Bregun në territorin kombëtar.

Dhe këtë mungesë nuk e kompenson dot duke bërë ndryshime në hartë; për të njëjtën arsye pse, mutatis mutandis, rrëgjimin e mësimdhënies së shqipes dhe të kompetencës gjuhësore të brezave të rinj nuk mund ta kompensosh duke bërë ndryshime në drejtshkrim. Përndryshe jemi përnjëmend duke u përpjekur t’i zgjidhim problemet tona, sado madhore, me anë të një të menduari magjik, jo racional; duke zëvendësuar realitetin me një simulim të thjeshtuar dhe pastaj duke e shpuar simulakrin tonë me gjilpëra, jo për akupunkturë, por si të ishte kukull woodoo.

8 Komente

  1. Himara eshte e integruar per bukuri, ka bregdetin, eshte specializuar ne turizem. Perndryshe Kurveleshi eshte per t’i qare hallin se s’ka gje fare, madje me keq eshte Nikaj-Merturi.
    S’ka nevoje fare per debat, Bregdeti do ndjeke fatin e prapatokes se vet.

  2. Nëse ka vështirësi komunikimi, ndoshta duhen pyetur më tepër banorët e Kurveleshit nëse dëshirojnë që të kenë Himarën si qendër administrative dhe jo vetë himariotët! Pasi kurveleshasve do t’ju duhet të zhvendosen për të kryer procedura në Himarë, dhe jo Bollonos i cili e ka shtëpinë brenda në qytet. Ndërkohë nëse kërkojmë diferenca kulturore këto mund të shihen si më të theksuara mes Himarës, Dhërmiut dhe Palasës me vendbanimet e tjera të njësisë. Siç dihet në këto të treja trashëgohet gjuha greke, ndërsa fshatrat e tjera flasin të njëjtin dialekt shqiptar. Përndryshe ndonjë diferencë tjetër kulturash nuk duket se ka; e gjithë Shqipëria sapo ka dalë nga një periudhë e gjatë komuniste ku gjithçka u uniformizua.
    Por natyrisht e dimë se ankimet janë motivuar nga arsye e programe të tjera dhe nuk kanë të bëjnë shumë me ato që deklamohen.

    1. Kurveleshi e ka gjetur daljen e vet ne det, ka grabitur gjithe tokat ne Sarande dhe ne fshatrat afer saj. “Sarënda eshte e joooonaa”, thone me dialektin e vetem mjaullites te shqipes neper mbledhjera. Ta gezooojne! Sa per Laberine, ata kane prej kohesh Vloren. Dhe i kane bere te dyja si fatin e tyre. Keshtu qe edhe fati i bregdetit eshte bere njesoj si i prapatokes. Duhet vetem pak sperkatje ullinjve me këna qe t’ua nguqim edhe kuroren e qitetit e ta bejme naaa, njesoj si pigmenti i flokeve. Une propozoj qe te vriten te gjithe qente rrugace ne Sarande, Vlore dhe HImare dhe me ligj te lejohet vetem qeni kokemadh i Terbacit. Eshte rrace e sojme.
      Shqiperia sapo ka hequr uniformen, ndaj te mos i veshim uniforme tjeter. Ta leme nje cike pa sutjena se edhe eshte rritur tani, i rrine te vogla ato te parat, e vrasin. T’i leme njerezit te gezojne catine e tyre, t’u marin ere dhogave te shtepise qe e kishin lene, se do benin Shqiperine, e tranferohu, e shko ne aksion, e martohu vrimave e kanaleve te atdheut. Shartohu, kembehu e nderzehu per patriotizem…Tani do mbledhin kockat e do shtrihen te minderi i gjyshit qe sepse te shijon duke u kthyer me fytyre nga e shkuara.
      Te shpallet rrapi institucioni i vetem qe bashkon ata qe infektohen nga ajri i Shqiperise. Kafeja nektari i vertete, hija cati perfekte, Pak e folur fshatce, nje te pergojuar komshiut dhe ja edhe Republika e krijon bazen e vet. Po edhe turizmit i japim ate dimension origjinal qe i mungon. Pse duhet te shkartisim fshatrat ne? Apo se keshtu propozon ndonje In-tele-k-tu-al i Aparatit ne Tirane? Ne ka gje qe uniformizoi me shume komunizmi, d.m.th enverizmi eshte pikerisht intelektuali dhe kthimi i tij ne salvaviden e dogmave ku mbahet pushteti i bandave cirake te Tiranes.

      1. Zoti Bolenjar apo Boleniot, i ankohej njëherë shqiptari turkut për 500 vjet prapambetje varfëri etj. Dhe i përgjigjet turku; O shqipe je në vete si mund të ankohesh, ju jo vetëm që e keni drejtuar vetë vendin tuaj por edhe ne në Turqi vezirët e kryevezirë i kemi pasur më të shumtën e kohës shqiptarë.
        Kështu edhe ju tërbaçiotë, vunjotë, himariotë kuçiotë, progonatas, qeparotas etj; nuk mjaft që na e keni nxirrë jetën dje nê kohë të komunizmit, por edhe po na i çani veshët edhe sot duke u ankuar.

        1. Dhe një gjë tjetër që e harrova. Po të kërkosh origjinën e pjestarëve të qeverisë sot (këtyre që kanë bërë reformën) kush e di gjysma ka për të dalë nga zona e Himarës. Dhe himarjotët prapë të ankohen!

          1. Mua me duket nje perpjekje e sforcuar keto propozime per te lidhur “funksionalisht ” zona qe ndahen gjeografikisht nga male, kulturalisht nga shekuj dhe ne distance per nga fokusi i zhvillimit. Dhe tere ajo parade ministrore dhe deputesh per te justikuar bashkimin eshte te qare hallin. Dhe i referohem argumentit te ministrit qe kembengulte se Himares do ti shtohej si pasuri “400 hektare pyje” qiraja e se ciles eshte per tere vitin 2000 euro, aq sa nxjerr ne nje vere nje shtepi nga 4000 qe ka Himara e sotme..
            Sic duket funksinaliteti qenka nje kategori qe duhej te na e shpjegoje me mire z. Minister….dhe jo ajo qe kuptohet nga neve tokesoret…

  3. Me duket mua, se kerkohet qe Himara te subvencionoje me taksa Kurveleshin (e brendatoken) se vete nuk mbahen dot. Kjo me duket absurde. Ne Kanada ne raste te tilla nderhyn pushteti qendror. Psh po nuk pate kellqe te mbash me rroge policet e tu, te vene nje force federale qe paguhet nga tere taksapaguesit.

  4. Në fakt ajo që sunon kjo ndarje shkon në sens të kundërt. Synohet që të ketë përfitime ekonomike prej zvogëlimit të administratës dhe këto përfitime do të reinvestohen në po ato zona. Për shembull, kursimet që do të arrihen nga shkurtimet në rroga komunarësh etj në Lukovë apo Vranisht, do të investohen në Lukovë, Vranisht dhe Himarë. Por duhet thënë se këtu problemet apo motivet e vërteta të kundërshtive nuk janë ekonomike, por politike dhe kanë të bëjnë disi me atë konceptin e “homogjenit”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin