GJËRA QË PASHË

Tre gjëra që pashë, gjatë kohës që ndenja në Pogradec.

Në krye, kur shëtita natën buzë liqenit, nga hotel “1 maji” deri në qendër dhe kthim, i mbajta sytë nga bregu përballë – dhe tespihet e dritave në bregun maqedonas.

M’u kujtuan ashtu kohët kur qytezat përtej më dukeshin eterike, pse të paarritshme; mund të kishin qenë fare mirë edhe yllësi, njëlloj të pezullta dhe kristaline.

Pogradeci, të paktën atje ku shëtita unë, ka ruajtur ca sharmi i vjetër dhe qetësia (pse është vallë sharmi gjithnjë i vjetër?), dhe jo vetëm ngaqë ka liqenin pranë. Ndonjëherë madje më bëhet sikur është qyteti dhe banorët e atjeshëm, që ia japin liqenit misterin dhe hijeshinë.

Përndryshe, veç një masë e madhe uji e domosdoshme veç për peshqit dhe barkat.

Kur iu afrova një mbrëmje “Turizmit” (të ri?), m’u kujtua një ekspeditë leksikore e vitit 1982, në Mokër; meqë kur u kthyem nga malet (me këmbë), ia lejuam vetes të rrinim dy ditë në atë hotel, kremtim i përsosur i dolce far niente. Ditë elegante tetori bardhezi, kur e patëm bërë zakon të dilnim mu te vija e ujit për të ushqyer një çift surprizë mjellmash me kothere prej kuzhinës së hotelit.

Nuk di nëse vijnë akoma mjellmat në Pogradec; por atë natë, gjithnjë buzë liqenit, pashë yllësinë e Mjellmës poshtë në qiellin e Jugut, dhe njëfarësoj kjo ma ktheu rregullin në mendimet, në kuptimin që sikur më lejoi të largohesha sërish nga qyteti dhe të pranoja deri edhe pallonjtë kryepërpjetë në Shën Naum.

Gjëja e dytë që pashë, ishte Pogradeci sërish, por këtë herë që nga bregu përbri – më parë prej Shën Naumit dhe pastaj rrugës për Ohër, nga një tabelë me cirilica në tjetrën, dhe me mua të ngecur në një mendim idiot, se këtu me siguri do të kish kaluar ndonjë herë edhe Titoja (sërish sinkroniciteti jungian: ngjitur me mua, në mikrobus, kisha profesor Titos Jochalas-in). S’e kisha kundruar ndonjëherë Pogradecin ashtu, aq për së largu – dhe ndjesia m’u përhi si version miniaturë i asaj çfarë kanë përjetuar astronautët, kur e kanë parë Tokën nga orbita.

Gjithnjë u dashka larguar pak, për ta rrokur në vështrim vendin tënd.

Që nga bregu i liqenit, në Ohër, u përpoqa të përfytyroj, kushedi më kot, se çfarë do të kenë thënë mes tyre të këtejmit, kur kanë parë për dekada me radhë bregun shqiptar përbri: malet bojëqielli, mjegullat, dritat – doemos më të pakëta e më të zbehta – dhe Pogradecin vetë; mbase edhe prozhektorët-thika të vijës kufitare, motovedetat me naftë të keqe. Doemos nuk do t’u ketë shkuar mendja të kuturisen përtej, të kapërcejnë hendekun mes botëve dhe të harrohen. Do të kenë përjetuar të njëjtën indiferencë si edhe unë pak ditë më parë, nga bregu tjetër.

Edhe pse ajo çfarë kam unë më tepër, është vetëdija se mund të jetë edhe ndryshe, meqë ndryshe ka qenë; dhe se një ditë deri edhe syrin mund të ta verbojnë, sikurse veshin të ta shurdhojnë, dhe këmbët të t’i mbërthejnë me gozhdë, për të mos ecur.

Pogradeci dhe Ohri – një përballje epike, në dyluftimin për t’ia dhënë emrin liqenit: si edhe plot hapësira të tjera të lakmuara, edhe ky i ka dy emra, si të ishte një tortë e ndarë përgjysmë.

Përndryshe, Ohri i ka me tepri shenjtët dhe historinë e vet të lavdishme, por edhe ne kemi Lasgushin, ose të paktën Lasgushin.

Gjëja e tretë, dhe më kuptimplota, ishte mali i Tomorit. Në krye, m’u duk se e shquajta në largësi, rrugës nga Ohri drejt Strugës – çfarë ia ngriti qimet përpjetë (figurativisht) prof. Xhevat Lloshit, të ulur mbrapa meje dhe që i njihte mirë ato anë, sikurse gjithfarë anësh të tjera, urbi et orbi. Në fakt, ajo majë mali e shogët, që ngrihej në horizont, nuk kish fare të bënte me Tomorin tonë, pse gjendej thellë në Maqedoni – pa çka se mua ashtu m’u duk; dhe mos më kish korrigjuar Xhevati, ashtu do ta kisha kujtuar edhe sot.

Fati im, pra, që m’u gjend enciklopedia ngjitur.

Pastaj e shquajta Tomorin sërish, këtë herë diku nga Qafë Thana ose nga ndonjë vend tjetër i ngritur rrugës për në Elbasan – dhe nuk isha gabuar. Ky ishte i vërteti: i madh, i thinjur, i rëndësishëm.

E kam parë vite më parë që nga Adriatiku, kur i afrohesha Durrësit me tragetin e linjës; Tomarus mons, Olimpi ynë etnik; fron hyjnish stërgjyshore në vijën e horizontit.

Sërish, distanca m’u dha si çelës i fisnikërimit të së përditshmes, ose teknikë dorë-sigurt për t’u zhvendosur nga hemisfera e majtë e trurit në të djathtën.

Dhe të gjitha këto që pashë dhe tani rrëfeva ishin më shumë se tre, natyrisht; por treshi është numër i mirë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin