NGA TOLERANCA NË HARMONI

Veç tolerancës, kur vjen puna për fetë e shqiptarëve, harmonia është një tjetër fjalë e krekosur, që duhet dëbuar nga diskursi serioz.

E përmendi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në forumin “Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Bota Islame”, i cili po zhvillohet në Doha të Katarit.

“Besimet fetare myslimane, ortodokse dhe katolike […] bashkëjetojnë në harmoni,” u raportua të thoshte Nishani, për të shtuar pastaj se:

Ne shqiptarët jemi krenarë për faktin se jetojmë në një shoqëri shumëfetare me shumicë myslimane, ku anëtarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë për shekuj në paqe dhe harmoni të plotë.

Po nga t’i qasesh më parë kësaj fjalie? Duke pyetur se ku e mbështet vallë Presidenti sigurinë e vet për këtë krenari të shqiptarëve?

Apo duke vërejtur se konstatimin e bashkëjetesës për shekuj mes “anëtarëve” të të gjitha besimeve do t’ia kish pasur zili, presidentit të Shqipërisë, edhe vetë arkitekti i sistemit të mileteve, në Perandorinë Osmane?

Na mbytën gjepurat, për punë të fesë.

Duke filluar që nga pohimi, i marrë pa vërtetim, për tri fetë e shqiptarëve –cilin edhe unë vetë e kam bërë kaq e kaq herë pa u ndalur ta gjykoj.

Po a ka vallë kuptim dhe vlerë ta vësh Islamin në të njëjtin plan me Katolicizmin dhe Ortodoksinë? Kam frikë se jo – këto të dytat janë forma të së njëjtës fe, Krishterimit; prandaj nëse përmendim Islamin, atëherë do të ishte më logjike të flisnim për dy fe ndër shqiptarët – Islamin dhe Krishterimin, dhe më pas të specifikonim dy traditat e ndryshme brenda Krishterimit vetë.

Për të njëjtën arsye, edhe çështja e ballafaqimeve fetare mes shqiptarëve ka dy aspekte: më një anë, katolicizmi i kundërvihet ortodoksisë; më anë tjetër, Islami i kundërvihet Krishterimit. Këto dy kundërvënie kanë luajtur rol kritik në histori, por veprojnë, edhe pse shpesh nën ujë, edhe në aktualitet.

Edhe pohimi tjetër që e marrim për të mirëqenë, se Shqipëria është vend me shumicë myslimane, nuk është i denjë për t’u shqiptuar nga Presidenti i një shteti laik.

I cili shkoi edhe më tej, kur u deklaroi të pranishmëve se:

Drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve në institucionet dhe administratën shqiptare tradicionalisht kanë ardhur, pa paragjykim, nga të gjitha besimet, duke ruajtur me kujdes dhe urtësi ekuilibrat e shoqërisë sonë.

Çfarë t’i komentosh më parë këtij pohimi që duket sikur vjen nga kryetari i një shteti konsociativist? Vetë implikimi themelor këtu nuk qëndron – meqë përkatësia fetare e dikujt nuk është marrë ndonjëherë parasysh në politikën e kuadrit, së paku formalisht; le pastaj që një gjë është prejardhja fetare, dhe një gjë tjetër “besimi”; dhe se unë do ta konsideroja pak fyese, sikur dikush të më trajtonte automatikisht si mysliman, sikurse kujtoj do ta konsideronin fyese edhe shumë e shumë të tjerë për veten e tyre, dhe jo ngaqë kam ndonjë problem për Islamin, por ngaqë nuk dua që tjetri të paragjykojë identitetin tim, përfshi këtu edhe fenë, në bazë të emrit dhe mbiemrit tim ose të prejardhjes ose librave të historisë dhe defteret osmane; dhe se, më në fund, historia tregon se drejtuesit më të lartë, të të gjitha niveleve në institucionet dhe administratë, ose elitat e shtetit, nuk kanë qenë fare fetarë dhe as janë!

Ndërkaq, Andrea Stefani, dje në gazetën Shqip, me të drejtë kapej me një cilësim të Financial Times, sipas të cilit Republika e Shqipërisë qenkësh “shtet… kryesisht mysliman” (“poor… mainly Muslim state”).

Pohim tërësisht idiot, pse republika jonë është shtet natyrisht laik, që s’ka fare të bëjë me Islamin; por edhe ngaqë popullsia e këtij shteti vështirë të quhet “kryesisht myslimane.”

Pyetja ime, në këtë kontekst, është se kush i ushqen idiotësi të tilla. Ka grupe të caktuara interesash, anembanë botës, që i duan shqiptarët doemos “myslimanë” – pse u intereson pikërisht atyre që t’i kenë diku ca myslimanë “të mirë”, për t’ua kundërvënë “të këqinjve”; pa çka se i vetmi pohim që mund të bëhet me siguri, në punë të Islamit mes shqiptarësh, është se ka edhe shumë shqiptarë myslimanë.

Por jo më tepër se kaq. Censusi i fundit, sikurse e dimë, rezultoi një katastrofë, në çdo pikëpamje; ose një shembull se si nuk duhet bërë një census; dhe të dhënat për Shqipërinë si “vend mysliman” i referohen një realiteti më shumë imagjinar.

Jemi kaq të shitshëm – në parime dhe në respektin ndaj vetes – sa deri edhe diversitetin fetar të qytetarëve të Republikës po ua japim të huajve me koncesion (“diversiteti 1 euro”), që ta përdorin për synime të tyret propagandistike gjithfarësh.

Mjafton që ne të ndihemi krenarë gjatë këtij procesi.

Shtojcë (që nuk di pse e ka vendin këtu)

Lakuriqi i natës, shpesët dhe shtazët

Një herë, shpesët dhe shtazët ishin gati t’ia nisnin luftës mes tyre. Kur zunë të mblidheshin të dy ushtritë, lakuriqi i natës nuk po vendoste se cilës palë t’i bashkohej. Shpesët që fluturuan pranë degës ku rrinte i varur, i thanë: “Eja me ne!” por ai u përgjigj “Unë jam shtazë.” Më vonë, ca shtazë që i kaluan poshtë ngritën kokat dhe i thanë “Eja me ne!” por ai u përgjigj “Unë jam shpesë.” Për fat të mirë, në momentin e fundit të dy palët u morën vesh mes tyre për të bërë paqe, dhe nuk pati betejë, prandaj edhe lakuriqi iu afrua shpesëve dhe u kërkoi që ta linin edhe atë të festonte me ta, por shpesët e dëbuan, prandaj edhe ai u largua dhe shkoi te shtazët, por menjëherë iu desh të ikte edhe që andej, sepse përndryshe këto do ta kishin bërë copë-copë. “Ah,” tha lakuriqi, “tani e kuptoj. Kush nuk është as kështu, as ashtu, nuk ka miq.” (Ezopi)

Nuk ka komente

  1. Meqë një imazh thonë, 1000 fjalë…
    arkas1

    Autori është një karikaturist i njohur grek, me pseudonimin Arkas. Përkthimet dhe modifikimet (modeste), janë të miat.

  2. Pyetja ime, në këtë kontekst, është se kush i ushqen idiotësi të tilla.

    Ne fakt nuk eshte se eshte tamam idiotesi,por injorance. Kam mbi 20 vjet ne Amerike te Veriut dhe gjithnje me ka munduar pyetja ‘si ta prezantoj veten para te me te medhenjve'(sllave apo greke) per nje audience komplet aliene si ajo e Amerikes te Veriut. Me rezulton se Shqiptaret jane sui generis, sidomos per sa i perket rolit qe luan feja, ne krahasim me keta te tjeret.

    Keshtu qe nyja ‘gordiane’ e perfshire ne pyetjen tuaj eshte si ajo shprehja popullore: “mor po une e di qe nuk jam kokerr misri, po hajde mbushja mendjen pules”.

  3. ”’Jemi kaq të shitshëm – në parime dhe në respektin ndaj vetes – sa deri edhe diversitetin fetar të qytetarëve të Republikës po ua japim të huajve me koncesion (“diversiteti 1 euro”), që ta përdorin për synime të tyret propagandistike gjithfarësh.”’

    Te shihnim kete ndjeshmeri ndaj shitjes se identitetit kombetar mund edhe te kuptohej, madje edhe ndaj identitetit fetar, por diversiteti fetar i shqiptareve mund te quhet bir i se keqes. Po na e blene te keqen me leke, aq me mire per ne. Cdo e keqe e ka nje te mire; deri tani nga kjo e keqe s’kemi pare ndonje te mire,kushedi mbase kjo eshte e mira e kesaj te keqeje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin