RRETH DISKURSIT MBIZOTËRUES*

Sot dua të flas për diskursin mbizotërues në ligjërimin publik të shqipes dhe ta bëj këtë në mënyrë joteknike, për t’i komunikuar mendimet e mia me sa më shumë të interesuar.

Megjithatë, disa koncepte më duhet t’i përkufizoj që në krye – duke filluar nga diskursi vetë, me të cilin kam parasysh një bashkësi tekstesh, të shkruara dhe të folura, të cilat lidhen mes tyre për nga tema, mënyra e nyjëtimit, kontekstet ku përdoren dhe subjektet që i përftojnë; dhe që dua ta dalloj nga ligjërimi publik, me të cilin kam parasysh tërësinë e diskurseve të tilla të konsumuara publikisht.

Kam parapëlqyer që këto, në shtjellimin tim, t’i ndaj sipas klasifikimeve tradicionale të cilat qarkullojnë në kulturën tonë dhe në kulturat e tjera; me shpresë edhe se çdo përdorim i termave, në vijim, do të jetë vetë-shpjegues në masë të madhe.

Të gjithë ata që komunikojnë në publik, herët a vonë do të përballen me diskursin mbizotërues në ligjërimin publik të shqipes sot – duke e përjetuar ose si thelb të çfarë po kërkojnë të thonë ose si qëndresë a censurë ndaj nyjëtimeve alternative të mendimit. Duke pasur parasysh një përkufizim të Foucault-it, se diskursi nuk është veçse një medium me anë të së cilit marrëdhëniet e pushtetit përftojnë subjekte folëse, do të pranoj që në krye se tema e kësaj parashtrese është e lidhur ngushtë me pyetjen se kush e ka pikërisht pushtetin sot në Shqipëri dhe si po e ushtron atë.

Përndryshe, gjithsekush e përjeton marrëdhënien me diskursin mbizotërues në mënyrën dhe në fushën e vet. Në rastin tim, ia kam ndier praninë sapo fillova të përfshihem në debatet publike për gjuhën shqipe, historinë e saj dhe prejardhjen e shqiptarëve të sotëm, debate të zhvilluara, në masën më të madhe, në kontekste të hapura dhe me pjesëmarrjen e jo-specialistëve.

Me kohë vura re se, çfarë pengonte madje dëmtonte fatalisht komunikimin e palëve në këto debate nuk ishte nyjëtimi i mendimit vetë, por premisat e nënvendosura dhe, më tej akoma, ato që në retorikë i quajnë entimema, dhe që, në kuptim më të gjerë, kanë lidhje me presupozimet e debatit ose edhe me kuptimin e termave të përdorur.

Kështu, kur unë flisja për ilirë dhe ilirishte, kisha parasysh një bashkësi të lirshme popujsh që jetonin në pjesën perëndimore dhe qendrore të Ballkanit në lashtësi dhe për të cilët dimë shumë pak, ngaqë edhe vetë ilirishtja nuk është shkruar ndonjëherë; ndërsa për shumë partnerë të mi në debatet, ilirët ishin stërgjyshët hyjnorë të shqiptarëve, dhe ilirishtja veç një sinonim për shqipen e lashtë. Më tej, unë isha i vetëdijshëm se emri shqiptar i popullit ndeshet për herë të parë relativisht vonë dhe se më parë ky popull e ka quajtur veten arbëreshë, arbërorë etj.; ndërsa shumë të tjerë flisnin me lehtësi për shqiptarë që në kohën e Romës dhe të fillimeve të Krishterimit për të mos thënë të Homerit, duke ia hequr termit natyrën, si të thuash, historike; dhe më në fund, unë e trajtoja gjuhën shqipe si një strukturë në kuptimin saussure-an, ndërsa një pjesë e mirë e të tjerëve flisnin për të si të ishte entitet biologjik ose historik të cilit mund t’i matet mosha dhe lashtësia.

Mund të sjell shembuj të tjerë; por kaq besoj mjafton për të ilustruar sesi diskursit tim të arsyetuar i dilte përballë një tjetër, që e imitonte atë, duke u mimetizuar; dhe që u jepte termave dhe koncepteve kuptime të tjera, të ndryshme nga ato të miat, ndonjëherë të kundërta. Ky ishte, natyrisht, diskursi kombëtarist në ligjërimin publik të shqipes, i cili m’u paraqit si mbizotërues – meqë si rregull vlera dhe pesha e argumenteve të mia u përcaktuan në raport me këtë etalon ose standard të mendimit. Nëse, gjithnjë me Foucault-in, pranojmë se diskursi është një sistem i cili strukturon mënyrën si e perceptojmë realitetin, atëherë kjo lloj skizofrenie në termat dhe në presupozimet rrezikon të përftojë, vjedhurazi, botëvështrime të papërputhshme.

Kombëtarizmi shqiptar – nuk po përdor termin nacionalizëm, meqë ky është ndotur tashmë me gjithfarë konotacionesh – zë fill të paktën që me Rilindjen kombëtare; të gjithë e njohim, pse është pjesë e formimit tonë qytetar që t’i bëjmë tonat parimet, narrativat dhe gjykimet e vlerave të përpunuara nga ata që ia dhanë vetëdijen moderne kombit shqiptar. Si shumë kombëtarizma të tjerë, edhe yni është historik, në kuptimin që ka formën e një narrative me elemente të spikatura albanologjike, sidoqë ngërthen elemente të politikës dhe të mitit, madje edhe të komunikimit religjioz; por gjithnjë duke kërkuar, me mjetet e veta, të vërtetën.

Dhe meqë diskursi ynë kombëtarist është kaq i rrënjosur në histori, atëherë burimet e tij të reja sot janë historianët, të cilët e shohin veten në një rol të dyzuar, teksa dija u kërkon diçka, ndërsa publiku diçka tjetër; krahas pak shkrimtarëve, të cilët i japin kombëtarizmit retorikën e nevojshme për t’u rrokur nga masa e publikut duke filluar që nga bankat e shkollës publike fillore, së bashku me forma të reja, ndonjëherë edhe të stërholluara, të narrativave kombëtariste tradicionale.

Dhe këtu nuk mund të mos flasim për intelektualët dhe rolin e tyre në përpunimin dhe mirëmbajtjen e ligjërimit publik. Që prej Rilindjes, publiku ynë pret që intelektualët t’i shohë në rolin e mësuesit; dhe në diskurset e tyre publike të gjejë të riprodhuar temat kryesore të ideologjisë kombëtare, sipas rastit të kombinuara me mitin. Kjo pritje nuk përkon aq me rolin e intelektualit si ai që merr në pyetje, publikisht, strukturat e pushtetit dhe të dijes, të cilin e ndeshim veçanërisht në Europën Perëndimore dhe që, prej dy e kushedi edhe tre dekadash, ka shërbyer si model edhe për intelektualin shqiptar modern. Kontradikta shpjegon pse opinioni publik ka reaguar me ashpërsi të veçantë ndaj pozicionimeve kritike të intelektualëve publikë ndaj dogmës kombëtariste – meqë është ndier i tradhtuar në pritjet e veta më të shenjta dhe i ka perceptuar këto pozicione si herezi.

Nga ana tjetër, diskursi kombëtarist, edhe pse mbizotërues, nuk shtjellohet në zbrazëti – por i duhet të gjejë vetveten në kundërvënien me diskurse të tjera, ndonjëherë njëlloj të fuqishme; të tilla si ai euro-integrist, i çuar përpara nga klasa e sotme politike, e cila i jep përparësi afrimit organik të Shqipërisë me Europën e Bashkuar; ose ai neoliberist, i cili i bën apologjinë një forme të skajshme të kapitalizmit; ose ai mirëfilli religjioz, e kështu me radhë.

Edhe pse tema të tilla si bashkimi kombëtar duket se kanë zënë tashmë vend në strategjitë politike të elitave, në të dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë, sërish përshtypja mbetet se diskursi mirëfilli kombëtarist parapëlqen t’i qëndrojë larg sipërfaqes së ligjërimit politik të elitave, i cili priret nga pragmatizmi dhe, sikurse e thamë, eurocentrizmi. Përpjekja e paradokohshme e një force politike të re, si AK-ja, për ta bërë kombëtarizmin program të vetin nuk u mbështet prej zgjedhësve, çka tregon se publiku ende dëshiron t’i mbajë të ndara politikën me besën kombëtariste, nëse mund ta quajmë kështu; duke e parë diskursin kombëtarist si emëruesin e përbashkët, gati sakral, të çdo lloj ligjërimi publik të meritueshëm; në kuptimin që kombëtarizmi ende nuk duket të jetë zëvendësuar nga përkushtimi qytetar ose gatishmëria për shërbim publik.

Dhe nga ky këndvështrim specifik, kombëtarishtja është përqafuar, veçanërisht, nga masat të cilat ende nuk e gjejnë veten në teknokratishten e Europës dhe të elitave politike në Tiranë; dhe që e shohin si formën kryesore të angazhimit publik ose të shlyerjes së detyrimeve të tyre ndaj polis-it; duke iu falur një retorike që parapëlqen antagonizmin ndaj pranimit dhe aq më pak përkrahjes së pluralizmit; çka do të thotë edhe se debatet për këto çështje e kanë të pamundur të shndërrohen në dialogë.

Mirëpo nëse diskursi kombëtarist po shërben sot si zëri publik i masave, deri në atë shkallë sa edhe të mbizotërojë në ndërhyrjet e panumërta dhe rigorozisht anonime në rrjetet sociale dhe në hapësirat e komenteve në mediat online, atëherë do të kuptojmë edhe pse elitat politike e përqafojnë jo aq në shkëmbimet mes tyre sesa kur i drejtohen publikut; dhe sidomos në gjakimet e tyre parazgjedhore. Me fjalë të tjera, duke qenë ky lloj diskursi mbizotërues, ai vetvetiu shërben edhe si mjet ose vektor i populizmit; çka edhe e mban të lidhur, gjenetikisht, me parimin e vijës së masave dhe mekanizmat totalitarë të ligjërimit publik të kultivuara para 1990-ës dhe që kanë mbijetuar, sot e kësaj dite, ngaqë nuk i ka zëvendësuar dot gjë tjetër.

Për t’u kthyer te Foucault-i, ky më se një herë ka shënuar se diskursi si i tillë operon nëpërmjet përjashtimit, meqë gjithnjë përkufizohet si çfarë mund të flitet përballë çfarë nuk mund të flitet; si mund të flitet përballë si nuk mund të flitet; dhe kush mund të flasë, përballë kujt nuk i jepet, ose nuk i dëgjohet fjala. Në një shoqëri dhe kulturë që kërkojnë të jenë pluraliste si e jona sot, kombëtarizmi rifut në lojë një fillesë moniste, pse i sjell të gatshme zgjidhjet edhe për çështje që ende nuk janë shtruar dhe përgjigjet për pyetje që ende nuk janë bërë; dhe në atë masë që përdoret si masë, etalon ose gur prove për vlerën e propozitave të ligjërimit publik, shërben edhe si kundërpeshë e pluralizmit, të cilin elitat tona dhe intelektualët publikë përndryshe e kanë përqafuar. Për t’ju kujtuar që këtu nuk është fjala vetëm për ushtrime të mendimit ose përsiatje, po mjaftohem të përmend se herë pas here dëgjon thirrje, nga të gjitha instancat, që të veprohet ligjërisht për të mbytur diskurset alternative ndaj atij mbizotërues, në emër të mbrojtjes së “simboleve kombëtare.”

Kanë thënë, për Mesjetën europiane, se në atë kohë krejt jeta e mendimit zhvillohej brenda kornizës së kishës dhe të religjiozitetit, përfshi këtu edhe ateizmin; këtë përfytyrim mund ta bartim tani në konfliktet diskursive të cilat na dëshmohen brenda ligjërimit publik sot, meqë një pjesë e mirë e këtyre konflikteve, si ai midis historiografisë ose albanologjisë, si disiplina të dijes akademike, dhe ideologjisë kombëtariste, jo vetëm që përcillen me zell nga mass mediat, por edhe konsumohen në hapësirën e vënë në dispozicion falas prej tyre. Vetëm në kontekstin e ofruar nga një gazetë, ose një faqe online, bëhet e mundur që studiues të huaj problematikë dhe sfidues të statu quo-së si Oliver Jens Schmitt ose Nathalie Clayer, sa për të sjellë dy emra, të bien në kontakt drejtpërdrejt me zërat anonimë që riprodhojnë identitetin e tyre nëpërmjet liturgjive të kombëtarizmit. Dhe nëse është kështu, atëherë do të themi se diskursi kombëtarist është bërë sot mbizotërues në ligjërimin publik edhe ngaqë ligjërimi publik po realizohet i tëri, i homologuar, në kontekstin e mass mediave, ose në gazeta, në televizion dhe në Internet, ku masa e publikut priret të ndërhyjë gjithnjë e më aktivisht, e nxitur edhe prej interesave populiste dhe komerciale të pronarëve të mediave. Paradoksi, në këtë mes, është se praktika e diskursit kombëtarist, drejtpërdrejt ose si sistem referimi ideologjik dhe etik, po fillon të zëvendësojë kombëtarizmin vetë, në format e veta beninje, si atdhetarizmi (patriotizmi); në kuptimin që, gjithnjë e më shpesh, të qenët patriot po ngatërrohet, deri edhe në nivele elitash intelektuale, me të deklaruarit i tillë.

Më në fund, dëshira e përgjithshme e elitave për t’i kombinuar në një ligjërim të vetëm kombëtarizmin tradicional, me ngjyra etnocentrike, dhe integrizmin ose europeizmin pragmatik dhe të imponuar nga rrethanat gjeopolitike, shprehet edhe në kitsch-in me të cilën po risillen në vëmendje marrëdhëniet e shqiptarëve si të tillë me botën dhe veçanërisht me Perëndimin – që nga Skënderbeu dhe mitet antemurale elegjiake të Shqipërisë si mbrojtëse e qytetërimit të krishterë prej hordhive aziatike, ose pompimi irracional i “lashtësisë” së shqipes, e deri te lektisja e tabloidëve pas bëmave të artistëve dhe sportistëve shqiptarë të integruar në kultura dhe shoqëri të tjera. Paradoksalisht, e gjithë kjo terapi e minon etnocentrizmin, duke hedhur dritë të re mbi pozicionin fare periferik të shqiptarisë në arenën botërore dhe europiane; pikërisht në një kohë kur kultura shqip, nëse mund ta quajmë kështu, po e gjen të vështirë t’u përgjigjet në mënyrë adekuate sfidave asimiluese të globalizimit.

Duke përfunduar, po vërej se diskursi kombëtarist si diskurs mbizotërues sui generis në ligjërimin publik sot vjen më tepër si dëshmi dhe shprehje e çnyjëtimit të pushtetit politik; pse më tepër mbush një zbrazëti, të përftuar nga ngurrimi i elitave në pushtet për të përftuar një diskurs të tyrin specifik, për t’i folur publikut; ose nga zotimi i tyre i pamjaftueshëm, si palë në dialogun publik. Kundrejt kësaj pamjaftueshmërie, kombëtarizmi, si formë standard e populizmit, imponohet si një formë e narkotizimit të publikut. Fjalëkyçet e këtij diskursi, të tilla si Shqipëria, shqiptar, shqiptaria, Kosova, martir, gjak, kjo tokë, ky truall, dheu, të rënët, kufijtë, Dardania, gjymtimi, liria, lufta, armiku, tradhtia, besa, lashtësia, i huaji, shfarosja, mbijetesa, ilirët, pellazgët, Skënderbeu, pushtimi, ngre krye, feja e shqiptarit, bashkimi, të shitur, të blerë, kolona e pestë, serbi, greku, turku, përçarja, viktimat, eshtrat, varret, antishqiptarizmi etj. nuk zënë vërtet vend qendror në ligjërimin mirëfilli politik, por i nënvendosen atij, si mjete të gatshme, për të mbajtur kontaktin me masën politikisht të panyjëtuar; dhe si garanci për të arritur konsensus përtej dasive politike, gjeografike, fetare dhe kulturore. Ky raport, që do ta quaja pervers, midis pragmatikës dhe maksimalizmit, më tregon se pakçka ka ndryshuar në premisat kulturore të ligjërimit publik, që nga Rilindja e këtej; dhe se ne jemi ende duke vuajtur pasojat e kalimit të parrjedhshëm nga épistèmé-ja e para-1990-ës, në këtë të sotmen, në pamundësinë tonë për t’i përvetësuar në mënyrë kritike kontradiktat dhe konfliktet e pashmangshme gjatë ndërrimit të rendeve, përfshi edhe atë të sendeve. Dhe nëse është kështu, atëherë mbizotërimi masiv i diskursit kombëtarist dhe entimemave përkatëse mund dhe duhet parë edhe si një lloj reagimi i sistemit imunitar të shoqërisë ku jetojmë.

* Këtë material e lexova në takimin e datës 15 maj në Tiranë, me temë “E flet gjuhën europiane? Sfidat e ligjërimit publik në Shqipëri”, organizuar nga Njësia e Komunikimit dhe Hulumtimit në Kryeministri me mbështetjen e Fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung. Titulli origjinal: “Rreth diskursit mbizotërues në ligjërimin e sotëm publik në Shqipëri.”

Nuk ka komente

  1. Paske dhene kontributin tend ne çeshtjen e statusit, madje edhe duke i bere qejfin Europes ”se vjeter”, e cila sado te perdridhet eshte shume me e re se ne,

    Sot plasi sherri i vjeter rreth L2B. Normalisht e majta ka si pike te forte diskursin kombetarist (gjaku i derdhur per çlirim, shpetimi i Shqiperise fale rreshtimit krah aleateve etj), ndersa e djathta diskursin europianisto-demokratik. Dje, Bushati kerkoi hetimin per tradhti kombetare ndaj atyre qe deshen t’i jepnin detin Greqise. Rama ne 9 muaj ka bere me shume vizita ne Kosove se Sala ne 23 vjet.

    Praktikisht, çdo force ne qeveri perpiqet te mbaje njefare diskursi kombetarist, ose me mire detyrohet ta mbaje, pavaresisht se ne praktike pastaj pak mungon per t’i akuzuar rregullisht per tradhti.
    Pertej nevojave mirefilli politike eshte vete natyra e shtetit te Shqiperise dhe gjendja e shqiptareve ne Ballkan qe shtrengon çdo lloj qeverie te mbaje njefare diskursi kombetarist.

    Shteti i Shqiperise nuk mund t’i laje duart si Ponc Pilati per çfare ndodh me shqiptaret jashte, si per arsye te karakterit te shtetit ashtu edhe per arsye te sigurise, ne kuptimin strategjik se perkohesisht mbrohet nga Amerika.
    Siguria strategjike dihet se kerkon fqinje te dobet ose aleate. Mali i Zi, Kosova e Maqedonia, perfaqesojne fqinje te dobet, Kosova edhe aleate. Tek keta fqinje duhet te nderhyhet vazhdimisht qe te mos behen te rrezikshem apo aleate te armiqve. Ku ka me mire kur ato shtete kane shqiptare, gje qe legjitimon ne skenen nderkombetare çdo nderhyrje ne punet e brendshme te atyre shteteve (hiq ate te armatosuren, kuptohet).

    Ceshtja eshte se ne opozite kendohet bukur çdo kenge, po ne disa ane qeverisja e shtetit ka te njejten kasete.

    Europa ka falimentuar tashme ne kendveshtrimin strategjik, dmth si projekt final (krijimi i nje superfuqie), por mund te mbahet gjalle si eksperiment ekonomik edhe per disa kohe. Edhe per shqiptaret rendesia tashme i vihet planit afatshkurter, ndersa per ate afatgjate, rendesia po shkon afer zeros, meqe zerat e falimentimit te projektit europian, kane mberritur edhe ne Shqiperi.
    Ne kete menyre, diskursi europianist i humbi shanset per te vene rrenje te thella, gje qe gjithsesi nuk e perjashton shtimin e tij ne rrafshin formal pas marrjes se statusit e me tej pergjate shtegut maloro-pyllor te anetaresimit.

    1. Them se politika kombëtariste nuk ka shumë lidhje me diskursin kombëtarist – gjë më duket sikur e konfirmon edhe ti vetë më lart. Ndjekin synime të ndryshme.

  2. pa hyrë në thelbin e shkrimit, më vret disi syrin shprehja “diskurs”. Përse jo ligjërim (i përdorur ndërkohë në tekst)… pse jo fjalërim… pse jo…

    1. George: “diskurs” eshte shume me specifike e perdorur ne menyren si ne shkrimin lart. “Ligjerim” ka kuptim me te pergjithshem dhe do takohej me shume terma te tjere e do krijohej polisemi qe ne shkence duhet shmangur kur eshte e mundur. Nuk ka asnje problem te kemi nje term qe vjen nga nje gjuhe tjeter, sidomos perderisa ky term tashme perdoret nga gjuhet kryesore ne te cilat shprehen shkencat moderne te komunikimit dhe hyrja ne shqip ndihet natyrshem ashtu si te themi fjala “frigorifer”. Perdorimi ne shqip i nje termi kompleks si “diskurs” madje justifikohet sh me shume sesa “frigorifer”.

      1. Presje,

        ne te vertete ne gjuhet nga e kemi marre, fjala “diskurs” eshte shume me polisemike sesa mund te jete “ligjerimi” ne shqipe.

        Ne kuptimin e shkencave te komunikimit qe thua ti, pra ne kuptimin semiotik, diskursi nuk eshte gje tjeter veçse nje ligjerim me qellime dhe funksione te caktuara socio-komunikuese.

        Thene ndryshe, ne çastin kur nje forme e veçante ligjerimi merr nje funksion te caktuar social, atehere mund te flasim per diskurs.

        Ajo çka eshte interesante ne shkrimin e Xha Xhait eshte pikerisht perpjekja per te zbuluar funksionin e veçante te ketij ligjerimi. Xha Xhai thote se funksioni i ketij lloj diskursi eshte pikerisht mungesa e nje … funksioni! Gjithmone nese nuk konsiderojme funksion te mirefillte mbushjen e zbrazetise per te cilen flet Xha Xhai.

        Fjala vjen, diskursi nacionalist i fashizmit dhe i nazizmit e kishte nje funksion qe e dime te gjithe, sikurse e ka nje funksion, te themi, diskursi nacionalist i disa qarqeve te sotme politike te Ukraines.

        Funksioni per te cilin flet Xha Xhai eshte “in absentia”, “in negative” (per te mbushur nje zbrazeti, nje pamjaftueshmeri etj. Flasin ashtu sepse NUK dine apo NUK duan te flasin ndryshe).

        Dyshimi dhe pyetja ime eshte:
        Teknikisht nje ligjerimi qe mbetet vetem forme pa arritur te marre nje funksion “in praesentia” a mund t’i njihet statusi i diskursit?

        E perseris per te shmangur keqkuptimet, pyetja eshte thjesht teknike dhe ka te beje vetem me perdorimin e termave “diskurs” dhe “ligjerim”.

    2. Me duket se 2Xha qe ne fillim ka dalluar midis diskursit dhe ligjerimit:

      “… duke filluar nga diskursi vetë, me të cilin kam parasysh një bashkësi tekstesh, ……..dhe që dua ta dalloj nga ligjërimi publik, me të cilin kam parasysh tërësinë e diskurseve….

      Gjykoj se termat nuk jane te shkembyeshme ne perdorimin dhe kuptimin qe i japim te dyjave ne shqip. Fjalen ligjeroj(ligjerate – por jo ne gramatike, … e drejte, e zhdrejte) nuk mund te qaset me ndonje fjale me kuptim te perafert ne gjuhet e tjera dhe qe te na hyje ne pune ne diskutimin tone.

      Diskursi, duke patur parasysh edhe prejardhjen kuptimore latine dis-cursus eshte nje process, qe nuk eshte nje drejtimesh, reflekton cektesine apo thellesine e dijes te njerezve ne fusha te ndryshme. Diskursi duke qene nje proces, gjithmone mbetet nje lemi e kontestuar, ku gjykimi objektiv eshte i ndikuar nga situatat sociale e politike.

      Mesa kuptova une nga shkrimi i 2Xha, kjo gje, pra cfare pritet nga diskursi i quajtur kombetarist, nuk ka ndodhur akoma ne Shqiperi. Qarkullojne po ato ide qe prej Rilindjes Kombetare.

      Pyetja nje milioneshe($$$), pasi jane pershkruar me siper aspektet mbizoteruese te diskursit(patterns), qe mendoj se edhe synon shkrimi eshte: Kush ka te drejten te prodhoje kete diskurs e kush nuk duhet te jete pjese e tij?

      Vetem keshtu mund te dalim nga mendesia e vjeter Rilindase(flitet shume keto kohe per rilindje), e duket se 2Xha, po perpiqet t’i beje nje analize ketij diskursi duke hulumtuar lidhjen midis gjuhes(language) dhe kultures mbizoteruese(national culture).

      Ligjerimi(ligje-rim) per mendimin tim eshte nje drejtimesh dhe imponues, ndoshta prandaj duhet qe te insistojme ne diskurs(ive); kurse fjala e propozuar nga GX “fjalerim”, nuk perkon me konceptin “hajdgerian” te kadences dhe sinjifikances ne fjalformim dhe perzgjedhjes kuptimore te fjaleve. 🙂

  3. Read Me,

    Nje diskurs publik, ne kuptimin sociosemiotik qe e perdor Xha Xhai, qe te jete i tille duhet te kete synime dhe funksion te percaktuar publik dhe social. Keto muhabetet tona, p.sh., edhe pse behen ne publik, nuk perbejne diskurs publik. Ne te dy, kur flasim ketu, perfaqesojme vetem vetveten dhe askend tjeter, d.m.th. nuk kemi tager te shqiptojme diskurs publik.

    Diskursi publik permbledh tekste me karakteristika te perbashketa formale dhe permbajtesore qe shqiptohen nga perfaqesues kategorish sociale, grupesh interesi etj., thene ndryshe, trupash sociale, me synime dhe funksione te caktuara sociale. Pa keto premisa dhe kushte nuk kemi diskurs publik.

    Nuk ka dyshim se ne ligjerimin tone publik degjohen shpesh tone kombetariste. Por a perbejne ato diskurs? Dhe a jane vertet mbizoteruese? Qe t’u pergjigjemi ketyre pyetjeve duhet te identifikojme kategorite a trupat sociale qe behen bartes te ketyre toneve kombetariste dhe mbi te gjitha duhet te identifikojme funksionin social, synimin, interesin.

    P.sh. nje diskurs kombetarist eshte ai qe behet nga Levizja e Vetevendosjes ne Kosove. Eshte nje diskurs publik i llojit politik dhe ka si funksion dhe synim, te themi, ne analize te fundit, bashkimin e Kosoves me Shqiperine. A eshte mbizoterues ky diskurs kombetarist ne politiken shqiptare? Me duket se jo.

    Nje lloj tjeter diskursi publik qe ka marre jete keto kohet e fundit eshte ai qe ka te beje me mbrojtjen e te drejtave te homoseksualeve. Edhe ky i permbush te gjitha kushtet per t’u konsideruar diskurs publik, por natyrisht nuk eshte mbizoterues.

    Tani, qe te flasim per diskurs kombetarist duhet t’u pergjigjemi pyetjeve: Kush dhe Pse.

    Cilet jane trupat sociale qe shprehin nje diskurs te tille dhe ç’synime kane?

    1. Relapso: “Ne te dy, kur flasim ketu, perfaqesojme vetem vetveten dhe askend tjeter, d.m.th. nuk kemi tager te shqiptojme diskurs publik.”

      Kjo eshte e vertete, per aq kohe sa “ne te dy”, kemi vendosur te shkruajme e mbetemi si komentues nga pozitat e anonimatit. 🙂

      Relapso jam dakord me cfare shkruan me siper.

      Komenti im synonte te sqaronte diskursin dhe ligjerimin, diferencat, dhe bente pyetjen (pa perfshire veten):

      Kush ka te drejten te prodhoje kete diskurs e kush nuk duhet te jete pjese e tij?

  4. ‘Diskursi’ si term nuk lindi sot, ndaj edhe pa dyshim ka evoluar ne kuptime. Sido qe Xhaxhai ne kumtesen e vet me 15 maj nuk permendi elemente te ideologjise apo pushtetit (power) ne perkufizimin e diskursit, perdorimi i termit gjate ligjerates se tij nenkuptoi pikerisht keta elemente baze te termit. Ne kete kuptim, termi “diskurs” eshte i mevetesishem dhe eshte me specifik sesa ‘ligjerim’. Qendrimi ‘kritik’ i perdoruesit qe nenkuptohet ne kete perdorim te diskursit e ben ate te vecante dhe te domosdoshem si term i mevetesishem dhe i ndryshem nga ai ‘ligjerim’. Ne kete kuptim shprehja ‘ligjerim bisedor’ nuk do ishte diskurs.

    Dhe pa dyshim cfare diskutojme ne kete blog eshte pjese e diskursit publik. Diskursi publik nuk eshte vetem parlamenti apo shtypi e televizioni.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin