SIÇ FLISTE E SHKRUANTE ENVERI

Më bëri përshtypje një vërejtje e komentuesit Read Me, te një debat para pak ditësh rreth raportit të standardit me variantet letrare; ku ky shënon se Kadareja i para-1972-shit, nuk mundej veçse të shkruante në “toskërishten letrare”, dhe jo në “gjirokastritëshen e rëndë lokale” që fliste Enver Hoxha.

Në fakt, ligjërimi i shkruar bisedor aq karakteristik për veprat memuaristike të Hoxhës, do marrë, besoj unë, si përftesë letrare, ose affectation; në kuptimin që ky i tejçonte disa forma dialektore të së folmes së Gjirokastrës me shkrim sa herë që kjo i hynte në punë, sikurse i përdorte disa forma dialektore të së folmes së Gjirokastrës me gojë sërish sa herë që nga kjo mund të përfitonte; dhe përndryshe ishte në gjendje të kalonte edhe në regjistra të tjerë gjithfarësh.

Po kujtoj këtu se, vetëm para pak kohe, lexova në shtyp një material, besoj të Plenumit IV (nuk po e gjej dot tani referencën), ku Enveri thoshte pak a shumë diçka si “ne jemi marksista”, duke përdorur një shumës të gegnishtes.

Përndryshe, shqipja e shkruar prej Enverit, sidomos në vitet e hershme kur këtij ende nuk i ishte bashkëngjitur aradha e skribëve dhe redaktorëve, është tepër interesante, për t’u shpërfillur me një pfff – interesante jo për nga pasuria leksikore, as ajo sintaksore; por për nga raportet e idiolektit të liderit, me normat gjuhësore përkatëse.

Ja një pasazh, nga një radiogram i Enver Hoxhës, drejtuar gjeneral Dali Ndreut, në 29 shtator 1944:

Përsa u përket Bahri Omarit me shokë, mos qëndroni as pak në thirrjen e bame veçanërisht. Ato hynë në kategorinë e horrave të tjerë. Enver.

Çfarë kërkon ky mbiemër prejpjesor në trajtën gege, në penën e Hoxhës? Po përemri vetor femëror ato për ata, karakteristikë sërish e gegnishtes?

Ja edhe një kabllogram dërguar Mehmet Shehut, më 1 shkurt 1945, ku thuhet:

Asnjë të mos pushkatohet, pa komunikuar emrat dhe pa marrë aprovimin tonë. Stop. Prandaj na komunikoni kë keni dënue me vdekje dhe prisni aprovimin.

Sërish, një pjesore e gegnishtes, dënue, në mes të një teksti të shkruar pak a shumë toskërisht.

Edhe më interesant është teksti i një letre që Enveri ia dërgon Dushan Mugoshës pak kohë pasi ky ishte larguar nga Shqipëria, dhe që është gjetur në Arkivin e PKJ-së. I thotë Enveri Dushanit, mes të tjerash:

Por të fjalosim për punë pak. Këtu kanë ardh gati të gjithë: Tuk, Besnik, Hulo, Dali, Beqir Balluk, Nexhip, Pëllumb, etj. Nakua me Shulen s’kanë ardh edhé. Me ta kemi filluar me bë disa konferenca.

Edhe në këtë paragraf ndesh në forma të gegnishtes, përfshi edhe një paskajore (me bë), të ndërthurura me forma të toskërishtes: fjalosim, edhé, Nakua. Vëreni edhe si kjo paskajore e papritur, me bë, është formë hibride, meqë do të pritej me ba.

Pse e shkruan kështu shqipen Hoxha i hershëm?

Te letra personale për Mugoshën, elementet e gegnishtes mund të jenë edhe një përpjekje e vetëdijshme për të folur shqipen e Mugoshës – duke supozuar se ky fliste ndonjë formë të gegnishtes; edhe kjo një affectation pra. Në kabllogramet, sërish mund të mendohet se gegnishtja mund të jetë futur nga radisti, për t’ia përshtatur tekstin e shkruar konvencioneve të kohës.

Të kujtoj këtu se, proklamata e Marrëveshjes së Mukjes, e hartuar në vitin 1943 (natyrisht jo nga Hoxha, por po e sjell si tekst kontrolli), vjen si një mish-mash formash të toskërishtes e të gegnishtes, kushedi ngaqë është shkruar edhe nga duar të ndryshme. Si shembull, po citoj vetëm pikën 2 të atij dokumenti:

Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.

Paragrafi duket i shkruar në toskërisht, edhe pse me dy elemente të spikatura gegnishte: të pamvarme dhe të njoftun. Kjo pranëvënie e toskërishtes me gegnishten jo vetëm e karakterizon tekstin e thirrjes në fjalë, por edhe pasqyron frymën e kompromisit të vetë mbledhjes: një kompromis ndërdialektor, pra, si kundërfigurë e marrëveshjes së arritur mes dy palëve të përballura ideologjikisht.

E megjithatë, për t’u kthyer në diskutimin tonë, më gjasë duket të ketë hipoteza se Hoxha, kur ulej të shkruante, nuk i shmangte dot krejt shprehitë e burokratishtes që kish përvetësuar dhe pastaj praktikuar gjatë viteve të Mbretërisë – si nëpunës në konsullatë e më pas si mësues shkolle; ose pikërisht atyre viteve kur si shqipe zyrtare përdorej elbasanishtja.

Dhe meqë po flasim edhe për ngjyrimet gjeografike (dialektore) të ligjërimit si forma aktrimi në publik, le t’i marrim edhe këto elemente si affectation, ose si shenja të një Enveri jo më playboy, as rebel, por tashmë burrë shteti, që ka mësuar të shprehet me shkrim që nga një skrivani zyrtari.

Gjithsesi, për një gjë mund të jemi të sigurt: Enveri i atyre viteve kish aq kompetencë gjuhësore, sa të mos e trajtonte ligjëratën e vet të shkruar si transkriptim të ligjëratës së vet të folur.

Për fat të keq, drejtshkrimi i teksteve të Veprave të Enverit të botuara nga “8 nëntori” para 1990-ës është prekur në fazën redaksionale, prandaj ato tekste nuk vlejnë më si dokumente gjuhësore autentike.

Shenja të elbasanishtes letrare nxjerrin kokë në ligjërimin e shkruar të Hoxhës edhe më vonë; madje deri në fund të jetës së tij – krahas ndonjë paskajoreje të gegnishtes, të futur mes formave të lidhores.

Lideri totalitar shqiptar kurrë nuk e mishëroi standardin e 1972-shit në ligjëratën e vet; të thuash, nga ana tjetër, se Kongresi i Drejtshkrimit sanksionoi “dialektin” e Enverit – ose edhe, mutatis mutandis, të Zonës I Operative – është një keqkuptim në kufi të budallallëkut; më në fund ndryshe nga Kadareja, i cili arriti pjekurinë e vet brenda standardit, dhe atje i krijoi edhe kryeveprat në prozë (me përjashtim të “Gjeneralit”), Enveri ligjërues publik me gojë mbeti peng i anakronizmave shpesh të lehta por gjithnjë të pranishme, për shkak të pjesërisht edukimit të vet me shqipen e shkruar, dhe pjesërisht ngaqë ai s’e pa të nevojshme të “përvetësonte” standardin, ose të konformohej.

Dhe kjo trajektore e liderit Hoxha është e ndryshme, të themi me atë të Ramiz Alisë ose, në një kontekst tjetër, të Sali Berishës; të cilët e patën gjithnjë të vështirë ta përvetësojnë mirë standardin, të paktën në ligjërimin e tyre të folur publik; çka edhe nuk ua lejoi sofistikimin prej aktori, për të cilin u shqua, përkundrazi, paraardhësi i tyre.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, analize e mire. Prek sic duhet aspektet gjuhesore te personazheve ne fjale, duke konfirmuar thelbin: mbeten produkte te kohes qe i formoi.

    Kjo ndodh me te gjithe ne; brenda ketij rrethi eshte talenti pastaj qe te spikat.

    Per Enverin, ishte sofistikimi per nivelin e audiences shqiptare, talenti prej aktori, nje aspekt i domosdoshem per te luajtuar dhe mbijetuar ne tribunen politike shqiptare. Nderkohe, per Kadarene ishte talenti si shkrimtar per te bere epoke(aq sa mundi) ne boten e letrave.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin