REFORMA NË ARSIMIN E LARTË: PERSONELI AKADEMIK (2.1)

Reformat për autonominë deri më tani kanë qenë të pjesshme dhe të realizuara me gjysmë zemre, sidomos për sa i përket çështjeve të personelit akademik. Ligji i arsimit të lartë në 2007 ishte një risi e mirëpritur për ndryshimet që solli në rritjen e autonomisë së institucioneve, sidomos në atë financiare me vënien në dispozicion të buxhetit të pakushtëzuar (edhe përse pjesërisht, pasi rregullat për shpenzimin vendoseshin në ligjin e buxhetit).

Por autonomia ishte e pjesshme për aspekte të rekrutimit të personelit (në numër), të promovimit (për titullin profesor) dhe të shpërblimit. Universitetet ende nuk e kanë lirinë të rekrutojnë dhe menaxhojnë burimet e tyre njerëzore në mënyrën që e shohin më të përshtatshme.

Sidoqoftë, kuadri ligjor aktual, por edhe ai i propozuar në plan-reformë, ende nuk përputhen me “Agjendën e Modernizimit” të BE-së (2006) dhe praktikat më të mira evropiane, siç vërehen në studimin mbi autonominë e personelit akademik të Shoqatës Universitare Evropiane (EUA, 2011). P.sh. ndër objektivat e “Agjendës së Modernizimit” Komisioni Evropian rendit (1) “Synimin për të ulur përmasat e përfshirjes së drejtpërdrejtë të qeverisë në arsimin e lartë dhe të rrisë respektivisht autonominë” dhe (2) “Profesionalizimin e udhëheqjes institucionale dhe të menaxhimit, dhe rrjedhimisht përshtatjen e strukturave institucionale qeverisëse” (Maassen, 2009).

Por në vend të vijojë me rritjen e autonomisë së institucioneve, komisioni i reformës propozon autorizimin e një agjencie shtetërore (Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor) që merr edhe kompetencat aktuale të një komisioni ministror për çështjen e promovimit të personelit akademik (fq. 29). Sipas plan-reformës (4.4.2) kjo agjenci i propozon ministrisë së arsimit (kritere?) për “promovimin e karrierës akademike dhe kërkimore, si dhe kontrollon zbatimin e këtyre kritereve me anë të mekanizmave të saj të brendshme”. Më tej kjo agjenci propozohet të ndërhyjë në veprimtarinë akademike të institucioneve (4.4.3) “AKKSH ka përgjegjësi direkte për organizimin, vlerësimin dhe listimin e punës kërkimore shkencore të IAL për çdo departament. .. ku çdo 4-vjetë, çdo akademik duhet të paraqesë në mënyrë të rregullt disa nga punimet e tij shkencore.” Më pas ndër rreshta plan-reforma shpreh se ky vlerësim mund të përdoret edhe për renditjen e institucioneve dhe për shpërndarjen e fondeve konkurruese për projekte shkencore. Por fjalët e zgjedhura në fillim të paragrafit “përgjegjësi direkte për organizimin …” lënë hapësirë për më shumë kompetenca dhe kundërshtojnë qëndrimin e komisionit në pikën 5.3.8, ku e quajnë komisionin e ministrisë për njohjen dhe vlerësimin e titujve akademikë “rudimentar” dhe se “anashkalonte” fakultetin. Ndërkohë që plan-reforma propozon rregullimin me ligj të numrit minimal të personelit akademik për departament (5.4.8) dhe një administratë pranë departamentit të varur nga kancelari dhe emërimin e personelit akademik nga një komision akademikësh i caktuar nga personeli menaxherial (5.4.24).

Gjithashtu, komisioni kërkon të kontrollohet dy-punësimi i pedagogëve. Edhe pse kjo mund të realizohet nga vetë institucioni nëpërmjet kontratave të bazuara mbi kodin e punës, ligjit për konkurrencën e lire dhe ligjit për të drejtat e autorit. Universitetet publike janë ende të pavullnetshme të pretendojnë pronësinë intelektuale mbi dijen që prodhon një pedagoge apo të marrin masa kur ajo është në konflikt interesi nëse i shërben konkurrentit.

Përndryshe plan-reforma nuk përmend asgjë tjetër në lidhje me autonominë e institucionit për qeverisjen e çështjeve të personelit akademik.

Kontradiktat e kuadrit ligjor aktual          

Ligji i arsimit të lartë (neni 3, Nr.9741-2007) u garanton institucioneve të arsimit të lartë autonomi institucionale. Ligji e përkufizon autonominë si vetë-qeverisje, autonomi financiare, liri dhe pavarësi akademike. Ligji i arsimit të lartë (neni 3, pika 4) gjithashtu parashikon se institucionet organizohen në përputhje me rregullat dhe parimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Këto parime të autonomisë më pas kundërshtohen në vetë ligjin dhe në udhëzimet apo vendimet e Këshillit të Ministrave. P.sh. nenet 9 dhe 12 të ligjit rregullojnë organizimin e departamenteve dhe strukturave akademike; nenet 15 deri në 23 rregullojnë drejtimin e autoriteteve menaxhuese; neni 47 dhe 67 vendosin udhëzime të përgjithshme dhe rregulla për promovimin e personelit akademik dhe të gradave akademike; neni 50 rregullon procedurat e rekrutimit të personelit akademik, ngarkesën për personelin efektiv dhe joefektiv dhe moshën e pensionit (më hollësisht në VKM Nr. 467-2007 & Nr. 20-2008). Vendime të Këshillit të Ministrave apo udhëzimet e ministrisë përcaktojnë edhe rregullat për shpërblimin financiar (Nr. 748-2009) dhe ngarkesën mësimore (MASH, Nr. 20-2008), apo punësimin në institucione të tjera (MASH, Nr. 34-2010).

Komisioni i reformës është nisur nga situata aktuale dhe ka propozuar një reformë duke u bazuar jo vetëm mbi qëndrimin dhe interesat e aktorëve të përfshirë (qeverisë, universitetet dhe studentët), por edhe marrëdhënieve tradicionale ndërmjet tyre. Nëse do të propozonim një alternativë që do të rriste ndjeshëm autonominë e institucioneve në çështjet e burimeve njerëzore (në diskutimin e radhës), vlen të analizohet roli i qeverisë dhe i personelit akademik.

Qeveria dhe personeli akademik

Qoftë prej interesit, por edhe prej zakonit, qeveria nuk e ka vullnetin të delegojë pushtet dhe kompetenca në institucione të pavarura. Për hir të interesit publik duhet vendosur një balancë ndërmjet kontrollit shtetëror për performancën e universiteteve dhe autonomisë së institucioneve për të kryer misionin e tyre. Sidomos shteti duhet të kërkojë llogari ndaj universiteteve për krijimin e mundësive të barabarta për shkollim dhe për menaxhimin e burimeve publike në mënyrën më efikase (Fielden, 2008). Ndër të tjera universitetet kanë detyrë edhe të krijojnë e përçojnë dije, të ofrojnë shërbime publike dhe të kritikojnë gjendjen shoqërore e kulturore (Zumeta, 2001).

Por nga ana tjetër autonomia është edhe çështje e traditës apo kulturës politike. Historia e arsimit të lartë në Shqipëri është historia e shtetit shqiptar. Dy universitetet kryesore në vend, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor, kanë krijuar plejadën e intelektualëve të sotëm që udhëheqin Shqipërinë dhe janë të përfaqësuar me klanet e tyre në të tre partitë e mëdha në parlament. Universiteti i Tiranës p.sh. mund të cilësohet si “universitet shtet-ndërtues” (state-building university). Sipas Ordorika dhe Pusser (2007) ky lloj universiteti gjendet në shtetet periferike të fuqive botërore, është i ngjashëm me një universitet “flagship” (flamurmbajtës?) si Harvard në SHBA, por ka një rol të dallueshëm dhe historik në formimin e shtetit në periferi. Universiteti, si institucion shtetëror, pasqyron dhe thellon (projektin e komb-formimit) marrëdhëniet shoqërore të individëve me shtetin. Gjatë themelimit misioni i UT u përcaktua nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror: për përgatitjen e kuadrove të lartë dhe zhvillimin arsimor, kulturor dhe shkencor; ndërsa universiteti në statut deklaronte edhe misionin e tij ideologjik dhe ekonomiko-politik (Duro, 2012). Kurrikula dhe struktura organizative e universitetit përcaktoheshin me miratimin e Këshillit të Ministrave apo ministrisë. Qeveria kishte kompetenca edhe për personelin akademik, sepse një pjesë e personelit angazhohej ndërkohë edhe në sektorin e prodhimit.

Personeli akademik në vend nuk e ka ngritur mjaftueshëm çështjen e vetë-qeverisjes. Ka pasur disa kritika ndaj menaxherëve të universiteteve publike, si p.sh. Feraj (2014) kundër autoritetit të përqendruar të rektorit të Universitetit të Tiranës. Ndërsa plan-reforma kritikon „centralizimin“ e vendimmarrjes në universitete (5.3.1-2) dhe vëren se „plotfuqishmëria e drejtuesve të lartë sjell arrogancë në drejtim, suprimim të të gjitha të drejtave dhe  vendimmarrjes në njësinë bazë (departamentin) dhe presionin mbi vendimmarrjen në nivele të ndryshme si administrative, ashtu dhe akademike si Senatet“. Shkaqet e dobësisë së personelit akademik besoj se janë influenca politike dhe mungesa e përfaqësimit (p.sh. në sindikata). Ndikimi i politikës mbi personelin administrativ dhe akademik në universitetet publike nuk është thjeshtë i drejtpërdrejtë nëpërmjet kuadrit normativ, por edhe prej angazhimit të personelit në partitë politike (p.sh. që prej viteve 90 gjashtë ministra të arsimit kanë qenë pedagogë ), në komisionet apo bordet qeveritare, apo përfshirjes së partive politike në çështjet e brendshme të universitetit (p.sh. në zgjedhjet e rektorit të UT në 2012, apo ndryshimi i mandatit të rektorëve me nismë të LSI-së në 2012).

 

 

Referenca

Duro, C. (2012). Arsimi i Larte ne Shqiperi 1946-1968. (PhD.), University of Tirana, Tirana. Retrieved from http://www.doktoratura.unitir.edu.al/2013/08/doktoratura-clirim-duro-fakulteti-i-histori-filologjise-departamenti-i-historise/

Fielden, J. (2008). Global trends in university governance Education Working Paper Series (Vol. 9): World Bank.

Maassen, P. (2009). The modernisation of European higher education From governance to identity (pp. 95-112): Springer.

Ordorika, I., & Pusser, B. (2007). La máxima casa de estudios: The Universidad Nacional Autónoma de México as a state-building university. In P. G. Altbach & J. Balan (Eds.), World Class Worldwide: Transforming Research Universities in Asia and Latin America (E-book ed., pp. 479-547). Baltimore: Johns Hopkins University Press.

Zumeta, W. (2001). Public policy and accountability in higher education: Lessons from the past and present for the new millennium. The states and public higher education policy: Affordability, access, and accountability, 155-197.

Ligje dhe dokumente zyrtare

VKM, Nr. 467, 07.18.2007 “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për kualifikimin, shkencor e pedagogjik, të personelit akademik”

Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë Nr. 9741, date 21.5.2007

MAS, Nr. 20, 05.09.2008 “Për  Veprimtarinë e Personelit Akademik në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë”

MAS, Nr. 34, 11.04.2010 „Procedurat dhe Afatet e Miratimit për Autoritetet Drejtuese, Rektor dhe Ato të Njesuar Me To, që Angazhohen me Kohe të Pjesshme në Veprimtari mësimdhënieje, Kërkimi apo në Veprimtari të Tjera në Institucionet e Tjera të Arsimit të Lartë“

VKM, Nr. 748, 06.11.2009 “Për Trajtimin me Pagë dhe Shtesa të Punonjësve të Personelit Akademik të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë

EU (2006). Communication from the Commission to the Council and European Parliament: Delivering on the Modernisation Agenda for Universities: Education, Research and Innovation. Brussels 10.5.2006, COM (2006) 208 Final. Retrieved from: http://eurlex.europa.eu/lexuriserv/lexuriserv.do?uri=com:2006:0208:Fin:en:PdF

 

 

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin