KOSTOT E ZHDUKJES

Po dëgjoj, këto ditë që jam në Shqipëri, se shumë varietete prodhimesh bujqësore tradicionale dhe lokale (heirloom plants) pothuajse janë zhdukur nga qarkullimi, duke u zëvendësuar me varietete standard (shpesh hibride), të cilat përhapen në mënyrë të qendërzuar.

E kam fjalën për gjithfarë lloje frutash dhe perimesh, por edhe produktesh të tjera – ose, edhe racash të bagëtisë ose të pulave, etj. – të cilat fshatari nuk i kultivon më, sepse tregu i kërkon ose i imponon diçka tjetër: p.sh. një lloj të caktuar rrushi ose domateje.

Anembanë botës dëgjon zëra që këtë dukuri të zhdukjes së varieteteve lokale e quajnë katastrofë; unë i besoj këto zëra, edhe pse nuk kam ndonjë ekspertizë për t’u futur në hollësi të problemit. Megjithatë, besoj se do të ishte gjë e mirë që të bëheshin përpjekje për t’i ruajtur këto pasuri biologjike, qoftë edhe nëpërmjet krijimit dhe mirëmbajtjes së një banke farësh ose me mënyra të tjera, sipas rastit.

Natyrisht, të gjitha varietetet vijnë edhe me emrat e tyre dhe, në përgjithësi, me leksikun përkatës, i cili përfaqëson një lloj terminologjie popullore. Fshatari përdor emra të ndryshëm për secilin varietet, të themi, të rrushit; por edhe ndodh që i njëjti varietet të quhet me emra të ndryshëm, në zona të ndryshme.

Tani, edhe kjo shumëllojshmëri leksikore është një lloj pasurie, e cila gjithashtu duhet ruajtur njëfarësoj, së paku në arkiva ose databaza etno-gjuhësore.

Mirëpo, nëse një farë e ruajtur nesër mund të përdoret për ta “ringjallur” varietetin përkatës – për shembull të dardhës ose të trëndafilit – një fjalë e ruajtur nuk mund të përdoret për të “ringjallur” ndonjë gjë; meqë fara përmban ADN-në e varietetit në fjalë, ndërsa fjala nuk përmban ndonjë ADN, lidhja e saj me sendin që shënjon është arbitrare (sikurse e vërteton edhe shtegtimi i një fjale të caktuar nga një e folme në tjetrën, për të shënjuar varietete të ndryshme).

Fjala është një kombinim çfarëdo shënjash zanore ose të shkruara; me pak durim dhe një algoritëm fare të thjeshtë, që ndjek rregullat e rrokjezimit dhe të kombinimit të fonemave të shqipes, një kompjuter mund të krijojë me miliarda “fjalë”, të cilat të duken si fjalë shqipe (p.sh. gjiksh, riksh, miksh, striksh, çiksh, tiksh; dhe pastaj pagjiksh, pariksh, pamiksh, pastriksh, paçiksh, patiksh; dhe pastaj gjikshem, rikshem, mikshem, strikshem, çikshem, tikshem). Përkundrazi, sendet – si varietetet që përmendëm më lart – nuk mund të krijohen kështu, të paktën ende jo.

Gabimi që bëhet, kur ngatërrohet emri me sendin përkatës, është i njohur në logjikë; dhe më i shpeshtë se ç’kujtojmë. Të gjithë ata që ngrenë zërin, në mbrojtje të pasurive leksikore të shqipes, harrojnë se ruajtja dhe mirëmbajtja e fjalëve të rralla, sidomos dialektore, nuk përkon gjë vetvetiu me ruajtjen e kulturës materiale – ti mund të ruash emrin e një gjelle të dikurshme, por të bjerrësh tërësinë e udhëzimeve dhe të përbërësve, që duhen për ta gatuar; ti mund të ruash emrin e një lloji rrushi, por ndërkohë fara e tij ka humbur; ti mund të ruash emrin e një race dhie ose kali, por ndërkohë vetë raca nuk ekziston më; ti mund të ruash emrin e një loje popullore, por të mos dish më si luhet ajo.

Dhe kur sendet vetë humbasin dhe zhduken, atëherë emrat e tyre u vlejnë vetëm historianëve të gjuhës, dialektologëve dhe specialistëve të tjerë, por jo përdoruesve. Fjalët e rralla dhe periferike të shqipes, sidomos emrat, në pjesën më të madhe u referohen sendeve dhe dukurive me natyrë etnografike, të cilat nuk janë më pjesë e jetës së përdoruesve të tyre – tek e fundit për këtë arsye edhe janë rralluar, duke u shtyrë në periferi të ligjërimit.

Prandaj fjalë që përshkruajnë llojet tradicionale të produkteve bujqësore dhe blegtorale, racat lokale të kafshëve bujqësore, enët prej balte, veshjet tradicionale dhe pjesët e tyre, materialet tradicionale të ndërtimit dhe pjesët e mullirit me ujë ose të vegjës ose të dërstilës ose të teknikave tradicionale bujqësore dhe blegtorale nuk mund të “ruhen” dhe as të “promovohen”, në një kohë që bota së cilës ato i referohen ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore.

Fjala nuk është si napoloni flori, i cili e ruan vlerën ngaqë materiali me të cilin është prodhuar monedha ka vlerë në vetvete; por më tepër si kartëmonedha, vlera e së cilës është relacionale dhe lidhet me krejt sistemin financiar në fuqi. Ata që kujtojnë se po i shpëtojnë fjalët e rralla nga zhdukja duke mobilizuar edhe burime financiare dhe njerëzore në këtë proces, harrojnë se nuk po bëjnë gjë tjetër, veçse po duan të koleksionojnë kartëmonedha të dikurshme, të cilat përndryshe kanë dalë nga qarkullimi.

Nuk ka komente

  1. Jam shumë dakord Xhaxha, por në disa raste është mirë ta ruajmë si sendin ashtu edhe fjalën. Ka disa vera rresht që kërkoj në Tiranë domate “zemër kau”, por nuk i gjej; ose më saktë i gjej, por nuk kanë lidhje fare me domatet që bleja dikur në tregun fshatar. Me sa duket varieteti ka humbur pa nam e pa nishan. Nga forma kanë ndryshuar, në shije gjithashtu. Tani, një fshatar deshi të ma jepte sapunin për djathë duke m’i shitur si domate vendi, kinse si fara e dikurshme, por nuk ishte e vërtetë. Domatet që na i shesin si zemër kau (flas nga përvoja ime personale, ndaj mund të gabohem) nuk janë të tilla, kështu që mirë është t’i quajmë ndryshe, p.sh. domate zemër dashi. Zhdukjen e shumë varieteteve të dikurshme, perime e fruta vendi, ekspertët e vërtetë, që kanë punuar në sektorin e farërave, ma kanë shpjeguar me mbylljen e instituteve përkatëse që merreshin me këtë punë dhe me mungesën e investimeve.
    Të them të vërtetën mua më pëlqen si domatja zemër kau, ashtu edhe vetë fjala “zemër kau”. Por e kam të qartë se pas domates, fara do t’i humbasë edhe fjalës.

    1. Puna është se ne vazhdojmë të mendojmë në mënyrë magjike dhe, ngaqë na duket e pamundur të ruajmë sendet (ose nuk duam të shpenzojmë, meqë paratë na duhen për fushata elektorale, me nder teje), përpiqemi të ruajmë emrat e tyre. Në qoftë se i ke ndjekur veprimtaritë e RIAS-it këto ditë, mbase do të më kuptosh më mirë.

    2. PZH: “Ka disa vera rresht që kërkoj në Tiranë domate “zemër kau”, por nuk i gjej; ose më saktë i gjej, por nuk kanë lidhje fare me domatet që bleja dikur në tregun fshatar. Me sa duket varieteti ka humbur pa nam e pa nishan.”

      Pishak te siguroj qe domatet “zemerkau” gezojne shendet te plote me Shqiperi, nuk jane firosur si fare. I kemi ashtu origjinale si ne kohen e Dulles dhe para tij. Dalin(behen) me vone se domatet e tjera, ndoshta prandaj te ka qelluar qe te mos i hasesh.

      Une i kam blere vete tek fshataret ne rrugen M.Shyri, te Treni dhe ish-uzina Dinamo. Fshatari nuk pret ta bleje faren nga institutet, mendoj. Krijon vete rezervat per stinen tjeter; te pergatitesh dhe ruash faren per vitin tjeter eshte shume e thjeshte dhe pa shpenzime, ekonomike.

      Eshte konservator fshatari dhe nuk i ndahet domateve “zemerkau”; e ruan me fanatizem traditen, faren e tyre. 🙂

      Ne vendet anglosaksone njihet si “beefsteak”(biftek), origjinuar fillimisht nga Andet ne Ameriken e Jugut dhe ardhur dikur ne Mesjete, ne Europe. Sot, fshtari shqiptar mund te thote me plote gojen se eshte prodhim autokton. 🙂

      Meqe u hap kjo teme, eshte interesante krahasimi i menyres se si e shohin dhe e emerojne shqiptaret dhe anglosaksonet kete lloj domate: njera pale duke e quajtur “zemerkau” dhe tjetra ‘beefsteak”.

      Ne te dyja rastet lidhet me mishin gjak te kuq qe shijohet mire i pjekur ne zgare. Per italianet eshte “tomato costoluto”, domate brinje(zuar), nje tjetre menyre e te emeruarit dhe te shikuarit te te njejtes “frute”. Me duket se e emerova sakte(nese do te ndjekim kriteret e agrikultures), pavarsisht se perdoret si perime?

      I bej keto persiatje duke qene se diskutimi prek edhe leksikologjine dhe humbjen e fjaleve si pasoje e zhdukjes se objekteve qe ato emerojne, etj.

      1. Read Me,
        Kam pershtypjen se Pishaku nuk e ka aq fjalen, per varietetin apo formen, sesa e ka per shijen. Ndoshta forma dhe emri zyrtar eshte po ai, por shija ka ndryshuar, eshte prishur. Nuk di te them per domaten ne fjale, por edhe pershtypja ime eshte se ne pergjithesi kane humbur shijet e dikurshme. Per te shmangur çdo keqkuptim me duhet te sqaroj se nuk jam nder nostalgjiket e asaj kohe. Flas vetem per frutat, perimet dhe mishin. 🙂

      2. Domaten “zemër kau” e mora thjesht si shembull. Nuk e përjashtova që të gjendet në treg, pavarësisht nga përpjekjet e mia personale të dështuara. Megjithatë, pas një sondazhi familjar pa asnjë pretendim shkencor, nuk më rezulton të jetë kaq e lehtë ta gjesh në tregun e Tiranës, ndërkohë që dikur ishte tek pragu i derës. Por edhe ajo që gjejmë në treg është e ndryshme nga pikëpamja e formës, e shijes dhe e aromës, ose tek e fundit nga pikëpamja organolektike. Këtu nuk është çështje nostalgjie. Unë kur vete në Bruksel nuk arrij t’i ha dot fruta perimet e atjeshme, më duken si pa shije, por nuk besoj se është subjektive; ma kanë thënë edhe vendasit vetë kur arrijnë t’i bëjnë krahasimet me vendet e tjera.

        Mendoj se këtë pikë duhet ta trajtojmë më gjatë herë tjetër, sepse mua më duket humbje e madhe që disa varietete tipike të vendit (e këtu e kam fjalën për varietetet që kultivoheshin në vend tradicionalisht, jo nga ana origjinale, sepse edhe patatet e Korçës origjinën e hershme e kanë nga Amerika Latine) të mos kenë të ardhme në tregun lokal e ndërkombëtar. Më kujtuan sot në mëngjes se pjeprat e dikurshëm kishin aromë tjetër, që ndihesh disa metra larg. Sot gjërat kanë ndryshuar. Edhe çështja e farave kërkon refleksione të mëtejshme, sepse sipas njohurive të mia, krejt modeste, farat janë të destinuara të degjenerojnë gjenetikisht në rast se nuk ndiqen procedura shkencore. Ja ku u kthyem tek mungesa e vëmendjes nga ana e politikës.

        Por le të mos ngecemi vendnumëro. E kishim fjalën tek fjalët. Jam krejt dakord se fjalët janë si paraja, në kuptimin që janë copa letrash krejt pa vlerë në rast se i heqim përdorimin dhe besimin shoqëror që u kemi dhënë. Një kartëmonedhë 5.000 lekëshe nuk do të kishte asnjë vlerë, sikur nesër të vendosnim që nuk ka vlerë, ose ta çonim për shembull në një epokë ose planet tjetër, ku mund ta përdornin thjesht për të ndezur zjarr. Vlerën ia jep përdorimi, kalimi nga dora në dorë, besimi i bashkësisë se ajo kartëmonedhë vlen diçka. Edhe fjala kalon gojë më gojë, edhe fjala përshenjon diçka që me konvencion e pranojmë të gjithë. Përndryshe edhe fjala më e përdorur do të na rezultonte pa kuptim e pa asnjë vlerë, sikur të mos i respektonte kriteret e mësipërme.

        Mua sot nuk ka ç’më duhet shumë se si i thonë, ta zëmë përdhecit, plorit, ose ndonjë pjese tjetër më të vogël të parmendës së drunjtë në ndonjë dialekt të veçantë. Edhe në standard nuk më nevojiten shumë, përveçse kur lexoj letërsi që flet për jetën fshatare të shumë kohëve më parë. Gjatë ditës nuk e përdor si fjalë, se nuk e përdor si koncept. Sot pjesët e parmendës nuk i duhen as fshatarit, sepse nuk e përdor si mjet për punimin e tokës e ndoshta nuk lexon aq shumë sa t’i bjerë rasti t’i njohë. Nuk po marr shembuj të tjerë edhe më të lehtë, si pjesë xhezvesh, gardhesh, dantellash, ose të jetës fshatare të shekujve më parë. Por specialistët duhet t’i njohin e t’i studiojnë sikundër bëjnë etnografët dhe muzetë e veshjeve popullore.

        Kur pyeta një mik sot për farërat dhe karakteristikat e fruta-perimeve, meqë është specialist i fushës, më nxori në plan të parë rolin e kujdesit që duhet të tregojmë për kultivimet e ndryshme. Ka raste që produktet i humbasin karakteristikat sepse nuk kanë kujdesin e dikurshëm, ose sepse i futen kimikate, hormone, e djallëzira të tjera si këto, thjesht për arsye tregu.

        Pra kemi edhe çështjen e kujdesit. Po sikur ta zbatojmë këtë kujdes edhe për fjalët dhe gjuhën?

        1. Pishak, më thuaj përshtypjen tënde: a nuk të duket edhe ty se në mediat vitet e fundit bëhet shumë më tepër zhurmë për fjalët e rralla, sesa për diversitetin gjenetik të produkteve bujqësore?

          Mua po. Dhe besoj se biem dakord që ky shqetësimi i dytë objektivisht duhej t’i paraprinte të parit, meqë edhe logjikisht fjalëve u duhen sendet, për të mbijetuar; ose të paktën nomenklaturave.

          Pyetja ime është në këtë rast: pse u biem kambanave me të madhe për fjalët, dhe nuk na bëhet vonë – për ta thënë me një metonimi – për farët?

          A kemi dëmtim kolektiv në tru, apo mos prapa shqetësimit “qytetar” për fjalët, fshihet shqetësimi “katundar” për supremacitë dhe revanshet krahinore?

          I vura cilësorët në thonjëza, sepse disa cilësorë sot vetëm në thonjëza mund të përdoren.

          1. Xhaxha, edhe unë kam përshtypjen se vitet e fundit po shqetësohemi më shumë për fjalët e rralla, sesa për diversitetin gjenetik të produkteve bujqësore. Natyrisht, është ky i dyti që e meriton vëmendjen, sepse ka të bëjë direkt me jetën tonë të përditshme. Desha të shtoj se fjala “kulturë” ka edhe kuptimin e kultivimit (kulturat perimore, kulturat e arave), ndaj të vjen keq se bashkë me sendin, ose frytin e dobishëm ikën edhe një “kulturë” e tërë.

            Këtë temë duhet ta trajtojmë veçmas, por këtu po nënvizoj këtë aspekt. Nuk jam i sigurtë nëse prapa shqetësimit “qytetar” për fjalët, fshihet ndonjë shqetësim tjetër ose dëshirë për revansh. Mua më duket se ne shqiptarët shpeshherë tëhuajësohemi nga vetja dhe nga koha ku jetojmë, për t’u strehuar në tunele mitike e/o imagjinare. Për shembull, shqetësohemi më shumë për prejardhjen e shqipes nga pellazgjishtja se sa për mbarëvajtjen e shqipes në ditët e sotme. Po t’i thuash dikujt se shqipja sot nuk ka prestigjin e duhur në shoqëri ngre supet, por po t’i thuash se nuk ka prova se shqipja vjen nga pellazgjishtja, ose nga etruskishtja, ta fut me grusht, kur nuk të thotë tradhtar. Në rast se nuk ka më shumë botime për pellazgët se sa për problemet e sotme të gjuhës e të kulturës, është e sigurtë të paktën se vëmendja është më e madhe për të parën. Ndërkohë që do të kishte qenë e arsyeshme që në fillim të merreshim me mbarëvajtjen e gjuhës sot, që i takon të gjithë shoqërisë, pastaj me origjinën e saj, që i takon pak ekspertëve të specializuar.

            Ka edhe keqkuptime. Ca gjëra duhen shpjeguar, siç bën ky shkrim për fjalët e rralla. Duhet thënë se shqipja e shkruar sot nga njerëzit ka nevojë të përmirësohet dhe se leksiku i përdorur është tejet i varfër. Mirëpo fjalët e rralla nuk na ndihmojnë dot në këtë pikë, sepse e pasurojnë artificialisht gjuhën me “letra me vlerë” të padobishme. Është si ajo puna e pullave të vjetra të koleksionit të filatelistit. Po t’ia ngjisësh kartolinës sot, ajo nuk shkon në destinacion, se pulla e vjetër nuk ka vlerë për komunikimin e sotëm. Rrezikon të përfundojë në kosh të plehrave. Kjo s’do të thotë se nuk duhen mbledhur e studiuar, por nuk mund të shiten si zgjidhja e problemeve aktuale të gjuhës.

            Tjetër shembull: zakonisht dialekti vihet kundër standardit, ose perceptohet si i tillë. Gabim, për mendimin tim. Dialekti dhe standardi janë aleatë, jo armiq. Japin e marrin ndërvedi, nuk duelojnë deri në pikën e fundit të gjakut. Përdoren në kontekste të ndryshme, por nuk e delegjitimojnë njëri tjetrin. Siç e di, në Itali, në vendin e dialekteve, edhe sot e kësaj dite lulëzon një literaturë e jashtëzakonshme në dialekt; e gjen në poezi, prozë, teatër, kinema, internet… Askujt nuk i shkon ndër mend t’ia kundërvërë standardit. Ky i fundit i duhet qytetarit e fshatarit bashkë, që të komunikojnë në hapësirën publike, atje ku dialekti nuk ndihmon shumë. Por dialekti duhet për gjëra të tjera, atje ku standardi nuk funksionon mirë, ose është “i huaj”. Ti që kulturën napolitane e njeh mirë, a mund të shohësh ndonjë komedi të Eduardo De Filippo-s në italishten standard?

        2. Pishak dhe Relapso, zakonisht nderhyj kur tema dhe argumenti me duken me interes dhe duke menduar se kam dicka per te shtuar.
          Nuk ka se si te mos jem dakord me kendveshtrimet qe te dy sillni ne lidhje me humbjen e “flavour” te frutave, aromes dhe shijes. Por sic mund edhe te mesojme, mutacionet gjenetike nga inxhinierimet agroteknike luajne nje pjese te rendesishme ne prodhimet bujqesore. Pra eshte shkenca qe “po fut hundet” ne shijet tona, jo menyra “primitive” e krijimit dhe ruajtjes te farerave te perviteshme nga fshatari.
          Sot po studiohet keto fenomene perseri nga shkenca dhe po behen perpjekje per tu rikthyer tek origjinali, nena natyre. Eksperiencat qe perjetoni, i perjetojme te gjithe besoj 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin