ÇOHU PRIFT TË ULET HOXHA

Ndriçim Kulla mendon se çmimi Ardian Klosi do të duhej quajtur, më mirë, çmimi Branko Merxhani, meqë emri i parë është i pameritueshëm, sidomos në krahasim me të dytin.

Këtë edhe e mbron, me një artikull të botuar djePanorama.

Nuk më takon mua, për arsye etike, që ta kundërshtoj argumentin e autorit; sado që unë, që i vlerësoj lart edhe Klosin edhe Merxhanin, mendoj se kontributi i të parit në kulturën shqiptare është më i rëndësishëm se i të dytit. Gjithsesi, artikullin e Kullës ju ftoj ta lexoni vetë, për të parë nivelin e publicistikës dhe të sulmeve ad hominem.

Çfarë më shtyn të shkruaj është, përkundrazi, ideja e çuditshme se nuk mund të lartësohet dikush, në piedestal të kulturës, pa rrëzuar dikë tjetër; në rastin konkret, nuk mund të vlerësohet B. Merxhani, pa bërë shoshë A. Klosin.

Kjo mënyrë e nderimit të personaliteteve dhe të traditës në fakt nuk e lejon konsolidimin e traditës – pse i projekton edhe në kohë konfliktet meskine të politikës dhe të klaneve të sotme.

Asnjë të keqe nuk shoh që të krijohej edhe një çmim nën emrin e Branko Merxhanit; dhe ky t’i jepej kushedi revistës kulturore më të mirë të vitit, ose një emisioni të ngjashëm televiziv ose publicistikës më të mirë shqipe online; krahas çmimeve të tjera që jepen tashmë.

Një kulturë që kërkon të jetë pluraliste, duhet të dijë të nderojë edhe Merxhanin edhe Klosin; dhe jo të rrëzojë njërin për të ngritur tjetrin, a thua se kemi një piedestal vetëm.

Dhe nëse kjo qëndron, madje është elementare për t’u kuptuar, atëherë të krijohet përshtypja se N. Kulla nuk e ka merakun te Merxhani, por te rrëzimi i Klosit.

Nuk synon të diskutojë dedikimin e çmimit në fjalë, por ta shkatërrojë atë.

Të njëjtin qëndrim e gjen sot gjetiu – edhe për çështje të panteonit letrar e të gjuhës standard ose në fushën e rehabilitimeve kulturore; dhe figurat e shquara, që i kemi aq të pakta, i trajtojmë si të ishin të papajtueshme mes tyre.

Dhe premtova diçka në krye, por nuk po arrij dot ta mbaj fjalën: biografia që ia bën Klosit autori i artikullit lexohet si të ishte ndonjë tablo sinoptike, nga ato të lashtat.

Nuk ka komente

  1. kur flet per “hierarki vlerash”, patjeter qe do te biesh ne gracka te tilla mendimi – eshte deshira e disa te koleksionojne dijen a inteliktualet si pullat e postes, e sa me large ne kohe aq me me vlere dhe pse artistikisht apo nga pikepamja teknologjike mund te jete ndryshe.. keta njerez nuk kane lidhje as me njerin dijetar qe e ngrejne ne piedestal, e as me tjetrin .. thjeshte shprehin meritat e tyre si koleksionist me koleksionin e tyre

  2. Kulla ka plotesisht te drejte kur thote se Branko Merxhani e meriton te vendoset nje çmim per nder te tij. Eshte pa dyshim nje nga publicistet me te mire qe ka njohur historia e shtypit shqiptar.

    Te isha une ne vend te Kulles e te kisha parate qe ka Kulla do te kisha ngritur nje fondacion me emrin e Merxhanit dhe do te kisha caktuar nje çmim me ate emer te madh. Ne kete menyre nje pjese e atyre parave do t’i ktheheshin kultures.

  3. Puna eshte qe Kulla nuk do te harxhoje parate e tij per nje idhull kaq e madh si Branko Merxhani sic e quan ai, ndonse per shumicen e njerezve eshte krejt i panjohur. Stili i Kulles eshte ai i luftes se klasave por i kthyer ne senc te kundert, dhe qellimi i Kulles eshte pikerisht ajo qe tho Vehbiu, rrezimi i Klosit dhe jo ngritja e Merxhanit per te cilin-pajtohem me Vehbiun-mund te krijohet nje cmim tjeter.

  4. njerez qe jane marre per kohe te gjate me nje objekt studimi, kane tendencen te personifikohen me objektin e tyre, duke arritur ndonjehere ne raste ekstreme (kujtoni ata zoologe qe preferojne shoqerine e kafsheve sesa te njerezve).

    keshtu vepron dhe kulla mendoj ne kete rast, i cili ngaqe eshte angazhuar me botimet e merxhanit, e shikon si te padrejte faktin qe nuk i japim rendesine e duhur dickaje qe ai i jep.

    1. Po mirë se ta nderojnë Merxhanin! Figurë e çmuar e kohës; unë i pari do ta përshëndetja nismën. Përkundrazi, përqasja e sforcuar me Klosin nuk shkon, më duket e stisur dhe e frymëzuar keq; sepse nuk e ka errësuar kurrë Klosi Merxhanin, përkundrazi!

  5. Shkrimi i Ndriçim Kullës do të kishte pasur vlerë tjetër sikur t’i ishte kushtuar vetëm Branko Merxhanit dhe rëndësisë për një çmim kombëtar në emër të tij. Për fat të keq i është futur krahasimeve… por pa marrë parasysh parimin e pluralizmit. Shkrim që ka të bëjë drejtpërdrejt me mendësinë e sotme shqiptare. Kjo është çka shqetëson, jo preferencat tona personale për një apo një tjetër intelektual. Kultura pluraliste është e të gjithëve dhe na pasuron të gjithë.

  6. Shkrimi i N. Kulles, te cilin sapo e lexova, te le nje shije te keqe por edhe me beri pak per te qeshur. Shija e keqe me erdhi pasi ne menyre te sforcuar kerkonte medoemos te shperfytyronte Ardian Klosin, njesoj si ata te semure mendore qe kerkojne apo tentojne te perdhunojne kufomat qofte edhe duke i zhvarosur nga varret. Ndersa pjesa e humorit ishte perpjekja prape e sforcuar per te bere nje biografi te Brankos sa me “dinjitoze” dhe paragrafi justifikues i largimit nga Shqiperia te Branko Merxhanit ishte dhe qershia mbi torte. Dhe ja se cfare shkruan:
    ” Eshte i vetmi gazetar shqipetar qe braktisi vendin si proteste ndaj pushtimit te Shqiperise me 7 Prill 1939.”
    Tani, vendin e braktisi edhe mbreti Zog, a thua edhe ai ne shenje proteste? Po ata qe nuk e braktisen vendin e tyre por perkundrazi luftuan okupatorin pse nuk protestuan, pra pse nuk u larguan nga Shqiperia?

  7. Debati ka vazhduar tek Panorama. Vjen si lufte mes mitologesh, ku secili mburr mitin e vet.
    Per mua fiton miti i Merxhanit, te pakten persa i perket publicistikes. Eshte e lehte te rreshtosh shume pubiliciste te vdekur e te gjalle para Klosit. Nuk di te flas per perkthimet apo angazhimet ne shoqerine civile, por per publicistike edhe xha xhai ia kalon Klosit (qofte si volum artikujsh e librash, si tematika, si stil).

    Cmimi mesa u kuptua eshte i gjermaneve, po nuk merret vesh pse lidhet me publicistiken e jo me perkthimin, dmth te huajt logjikisht duhet te japin çmime per perkthimin nga gjuha e tyre tek shqipja. Gjasat jane qe duke qene se perkthimi ka kritere te forta qe ndajne objektiven nga subjektivja, atehere ishte e pamundur t’i jepej Klosit (apo ndoshta Robert Shvarci ka hije shume te madhe).

    1. Po sikur u tha se çmimi ishte i Ministrise se Kultures. Te pakten Kulla ne artikullin e pare keshtu me duket se thoshte. Te jete i gjermaneve siç thua ti, diskutimi humbet krejt kuptimin, nese e ka pasur nje kuptim deri tani.
      Ku e lexove qe eshte i gjermaneve?

      1. Tek Panorama, replika e Elsa Demos. 17 Maj. Thote qe e jep rrjeti gjerman i perkthimit Traduki, gje qe nuk konstestohet me vone nga Kulla. Prandaj nuk kuptohet mire lidhja mes nje enti qe quhet Traduki dhe publicistikes shqiptare.

        1. Ketu poshte, te sajti i Tradukit ne shqip, eshte edhe historia sesi lindi ai çmim dhe pse iu dedikua Klosit. Ky shenim i zhvlereson krejt te gjitha diskutimet, replikat dhe kunder-replikat:

          http://albanian.traduki.eu/index.php?option=com_content&view=article&id=1654:ardian-klosi-preis-erstmals-in-tirana-verliehen&catid=292&Itemid=148

          Megjithate, teorikisht nuk ka pse te kete ndonje lidhje organike mes nje çmimi dhe emertimit te tij.
          Çmimi me i mire per letersine ne Itali quhet “Strega”, sipas emrit te nje likeri te embel alkolik. S’ka asnje lidhje me letersine, e megjithate asnje italiani nuk besoj se i shkon ndermend te protestoje e te kerkoje qe te zevendesohet, fjala vjen, me emrin e Dante Alighierit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin