SHKRONJA SI VEGLA

Kanoni kombëtarist e kërkon që shqiptarët gjithnjë të kenë dashur ta shkruajnë gjuhën e tyre, por të jenë penguar në këtë dëshirë krejt legjitime prej të huajve.

Ka fakte historike të njohura që e mbështetin këtë, prandaj nuk po zgjatem më tej këtu.

Megjithatë, çfarë kanoni i mësipërm nuk e pranon haptazi, është që përpjekjet për ta mësuar shqipen e shkruar në shkollë nuk mund të ndahen nga përpjekjet për të themeluar një kulturë kombëtare dhe, më tej, një administratë autonome për shqiptarët.

Kjo ngaqë, që të ushqehet dëshira për ta mësuar gjuhën shqipe në shkollë, edhe në të folur edhe në të shkruar, duhet që të ketë një perspektivë sociale çfarëdo, për këta fëmijë bartës të fjalës dhe të shkronjës shqipe.

Lexoj, në librin Shkodra dhe motet, të Hamdi Bushatit [Idromeno, Shkodër 1999], se shkollat e para nisin të hapen në Shkodër dikur në shekullin XVIII, si “medrese të rregullta zyrtare”; ndërsa për katolikët, shkolla e rregullt nisi që në 1857, me hapjen e Seminarit Papnuer, i cili shërbente për formimin e klerikëve. Ndërkohë, “hapat e para të zhvillimit të një kulture të rrënjosur për popullin” filluan me hapjen e shkollës së jezuitëve, nën emrin Kolegja e Sh’Françesk Saverit, në 1877; dhe me atë të françeskanëve, hapur që në 1861 [f. 20].

Bushati tregon se këto shkolla ishin hapur me iniciativën e të huajve dhe mbaheshin me subvencionet e tyre. Duke iu referuar P.F. Cordignano-s, ai thotë pastaj se:

Në shkollën e jezuitëve gjuha shqipe nisi të mësohej që në fillim të çeljes së saj, por kundërshtuan baballarët e nxënësve katolikë shkodranë, të cilët donin që fëmijët e tyre të mësonin italisht dhe frëngjisht për marrëveshje tregtare. Si rrjedhim, fëmijët që flisnin shqip në shkollë viheshin në pendesë. Kjo masë, thotë autori, mirrej simbas dëshirës së prindërve.

Shton Bushati më tej në kapitull:

Prindërit katolikë, në atë kohë, gjuhën shqipe nuk e vlerësonin të dobishme për korrespondenca të jashtme. Ata dëshironin të mësoheshin fëmijët në gjuhën italiane, duke anuar nga interesi praktik [po aty, f. 44].

[Për krahasim, gjithnjë sipas Bushatit, në shkollën ushtarake turke, të hapur në 1902, mësoheshin turqisht, arabisht, persisht dhe frëngjisht; këtë shkollë e ndiqnin edhe djem nga bashkësia katolike.]

Pra, le ta përmbledhim: mësuesit e huaj në kolegjin saverian deshën të futnin gjuhën shqipe në program, por prindët e fëmijëve shqiptarë kundërshtuan, madje arritën deri aty sa t’i ndëshkonin fëmijët që flisnin shqip në shkollë.[1]

Antishqiptarizëm? Aspak.

Prindët katolikë donin që fëmijët e tyre të mësonin të shkruanin italisht (dhe frëngjisht), gjuhë të cilat do t’u duheshin për të mbajtur korrespondencë tregtare, me partnerët e tyre; përkundrazi, shprehitë për të shkruar shqipen nuk do t’u duheshin atyre për asgjë.

Anonin nga interesi praktik, vëren Bushati. Në fakt, këta prindër, teksa ua shihnin fëmijëve të tyre një të ardhme si tregtarë të Shkodrës, brenda Perandorisë Osmane, nuk mund të përfytyronin se çfarë do t’u duhej atyre shkrimi dhe këndimi në një gjuhë të palëvruar, si shqipja.

Përkundrazi, shkollat e para shqipe, që u hapën pak më vonë nga Rilindja Kombëtare, kishin në themelet shpresën, në mos perspektivën, se gjuhës shqipe do t’i rikthehej shumë shpejt dinjiteti i gjuhës së një kombi që po (ri)ngjallej.

Temën nuk e sjell këtu për kuriozitet, as për të ngrënë inat me kanonin kombëtarist; por në vijim të debateve për standardin dhe mësimin e shqipes së shkruar në shkollë. Në fakt, me përjashtim të qarqeve shumë të ngushta ku shkrimi i shqipes praktikohej prej kohësh – si ato të priftërinjve katolikë të Veriut, poetëve bejtexhinj anembanë shqiptarisë dhe disa vatrave të izoluara në Voskopojë, në Elbasan, në Berat ose edhe ndër arbëreshët e Italisë – shqipja nën Perandorinë Osmane nuk shkruhej sepse nuk kishte arsye të shkruhej: se nuk vlente as si gjuhë e besës, as si gjuhë e shtetit.

Dhe kjo vlen, para së gjithash, për mësimin e shqipes në shkollë.

Para se të jenë palestra të ideve kombëtare, shkollat synojnë t’i përgatitin fëmijët për jetën, duke u dhënë atë çfarë prindët nuk munden t’ua japin: edukimin me shprehitë e nevojshme për t’u integruar me sukses në shoqëritë përkatëse.

Pavarësisht nga synimet që patën jezuitët, kur hapën kolegjin e tyre në Shkodër, vendësit katolikë e panë atë si një mundësi që u jepej fëmijëve të tyre, për të mësuar këndim dhe shkrim në ato gjuhë të cilat u hynin në punë: italishten dhe frëngjishten.

Në të vërtetë, në librin e Bushatit gjen me dhjetëra shembuj shkollash, disa fare të vogla, të hapura në Shkodër në atë kohë, për t’u mësuar fëmijëve italishten, si gjuhë të karrierës.

Nuk më rezulton të ketë pasur ndonjë përpjekje nga poshtë për ta futur shqipen në këto shkolla; përkundrazi, ideja se edhe gjuha shqipe mundej, madje e meritonte të mësohej e para si të shkruhej në shkollë, erdhi nga pak ndriçimtarë që vështronin larg – si në Shkodër, ashtu edhe gjetiu, p.sh. në Korçë.

Masat, ose “populli”, kanë pasur në atë kohë një qasje fare pragmatike ndaj gjuhës, sidomos në nivelin e shkruar – duke e konsideruar si një lloj zanati ose mjeshtërie. Ishte Rilindja, me përpjekjet e saj për t’u dhënë shqiptarëve vetëdijen kombëtare, alfabetin, administratën autonome (më pas pavarësinë) dhe tekstet e nevojshme (letërsi, tekste shkollore, publicistikë), ajo që i mbolli, në popull, farët e pasionit për shqipen e shkruar, si armë jo vetëm për jetën, por edhe për të farkëtuar identitetin dhe dinjitetin.

[1] Masa e ndalimit të shqipes, edhe të folur, në hapësirat e shkollës tingëllon pak si drastike; po të kemi parasysh, dhe siç dëshmon edhe vetë Bushati gjetiu në libër, që në shkolla të tjera të qytetit, të të gjitha bashkësive, mësuesit e përdornin shqipen për t’ua shpjeguar mësimin në gjuhë të huaj fëmijëve.

Nuk ka komente

  1. 2xha: “shqipja nën Perandorinë Osmane nuk shkruhej sepse nuk kishte arsye të shkruhej”

    Kjo eshte, mendoj une, shume larg te vertetes te arsyes se perse nuk shkruhej dhe perdorej shqipja ne Perandorine Otomane. Per otomanet ishte herezia me e madhe qe mund t’i benin shqiptaret, te krijonin alfabetin e tyre dhe te shkruanin dhe te shkolloheshin ne gjuhen e tyre.

    Deri ne fund ata u perpoqen, ne fillim me zjarr e hekur, dhe kur fuqia e tyre u dobesua, me dredhi, te pengonin mesimin dhe perhapjen e edukimin ne gjuhen shqipe. Nese u be e mundur, hapja e shkollave te para ne Shkoder, kjo ishte si pasoje e presionit austriak mbi Stambollin.

    Nderkohe, italianet nuk ishin shume te interesuar per perfshirjen e shqipes ne seminaret e tyre, Gjuha zyrtare e instituteve shkollore te sponsorizuara nga italianet ishte italishtja. Megjithate mesohej edhe shqip. Viena, ndiqte nje politike gjuhesore, ku mesimi i gjuhes amtare te dominonte, ne shkollat e administruara nga ata, nuk u fut gjuha gjermane. Mendoj se austriaket ishin shume me perpara per kohen, bile pararendes te politikave moderne, duke qene dhe ata nje perandori multietnike.

    Fara e nacionalizmit Rilindas ishte mbjellur ne seminaret si ato te Shkodres, prej ku doli edhe ideologu i pare i Rilindjes, Vaso Pasha.

    Me vone, Abdyl Frasheri, si deputet i Janines, vinte ne dukje se arsyeja kryesore e mungeses se progresit te Perandorise ishte mungesa e rrjetit shkollor, nje edukimi cilesor publik. Pyeste shtetin(Sulltanin):”Si mund te civilizohemi me kete injorance? Si mund te ecim perpara?”

    Duke identifikuar tre arsyet e prapambetjes se Perandorise: injoranca, despotizmi dhe burokracia, si pasoja te drejtperdrejta te mungeses se arsimimit te popullsise. Kjo para parlamentit te brishte otoman; fjalimi i tij ne parlamentin turk. Sulltani fill pas ketij fjalimi, shperndau parlamentin ne shkurt te 1878. Abdyli Frasheri, tashme i papune, sebashku me te tjere ne qershor te 1878, organizoi Lidhjen e Prizrenit.

    Sami Frasheri, pastaj nje dite te mire zbuloi se: “Shqiperia nuk mund te ekzistoje pa shqiptaret, shqiptaret nuk mund te ekzistojne pa gjuhen shqipe, dhe kjo e fundit nuk mund te ekzistoje pa alfabetin e saj dhe shkollat shqipe.”

    Sic shihet, idete dhe perpjekjet per ndergjegjesim kombetar dhe progres, nuk vine nga poshte, por udhehiqen gjithmone nga elitat

    Por fara e nacionalizmes ishte mbjellur gati dyzet vjet perpara, ne 1841, kur u themelua seminari i pare jezuit nga freterit jezuite te ardhur prej Sicilise nen mbrojtjen dhe financimin e Vienes, por …. ndoshta me heret, shume me heret.

    1. Më habit pak, Read Me. I je përgjigjur me klishe një shkrimi i cili mbështetet në të dhëna konkrete, të nxjerra nga studiues (Bushati, Cordignano) që i kanë parë këto punë me hollësi.

      Ka një kohë dhe një vend për hartimet dhe retorikën; por këtu unë desha të interpretoj të dhënat që ka sjellë në libër Bushati dhe pikërisht që, në kolegjin jezuit saverian në Shkodër, në krye ishin italianët ata që donin ta futnin shqipen në kurrikulum, ndërsa prindët shqiptarë e kundërshtuan këtë me të madhe.

      Ka ndonjë arsye që unë s’e marr vesh, që ti parapëlqen ta shpërfillësh problemin e mësipërm dhe të përsëritësh gjëra të mirënjohura?

      P.S. Shqipja “shkruhej” në kohën e Perandorisë Osmane: e shkruanin disa priftërinj katolikë në Veri, ca ortodoksë në Shqipëri të mesme dhe në Jug, madje edhe bejtexhinjtë. Por shqipja do të shkruhej, pa thonjëza, vetëm atëherë kur nisi të zbatohej projekti i Rilindjes, i cili si projekt përkonte me shpërbërjen e Perandorisë Osmane.

      1. Datat qe jep ky Bushati per shkollat e para te katolikeve jane te gabuara. Perveç shkollave informale te katekizmit qe vepronin ne mjediset e kishave, shkollat e para katolike zyrtare, te njohura nga Porta e Larte, jane ato qe permenden ne “Kuvendin e Arbenit” (1703).

        Edhe citimet nga Cordignano nuk jane per t’u marre fort per baze. Kujtoj ketu qe Cordignano hyri ne sherr me Fishten dhe me gjithe franceskanet shqiptare pikerisht per pune te mesimdhenies se shqipes. Cordignano ishte kunder. Argumentet qe citon Bushati i sillte ne mbeshtetje te kundershtimit te tij. Medemek, ja shqiptaret vete nuk e duan mesimdhenien e shqipes, pse duhet t’i detyrojme ne me zor?

        1. Nuk e kam parasysh listën e shkollave të përmendura te “Kuvendi i Arbënit”, por po vërej se Bushati flet për historinë e shkollave katolike në Shkodër, jo në trojet shqiptare.

          Dhe meqë u përmend “Kuvendi i Arbënit”, më duket domethënëse që dokumentet e atij kuvendi, të cilat janë ruajtur, janë shkruar në shqip prej një kroati, Vincentius Zmajevic-it.

    2. Read Me,

      me lejo te diskutoj disa pika te komentit tend qe nuk me duken te sakta:

      Italianet e perfshine mesimin e shqipes ne seminaret e tyre ne Itali qysh nga gjysma e dyte e shek. XVII. Misionaret italiane qe vinin ne Shqiperi e kishin studiuar shqipen ne Itali para se te niseshin. Ndersa ne Shqiperi shqipja mesohej, shkruhej dhe lexohej ne mjediset katolike se paku qysh nga fillimi i shek. XVII.

      Te gjitha veprat e letersise se vjeter shqipe nga “Doktrina” e Budit (1618), Fjalori i Frank Bardhit (1635), vepra e Bogdanit (1685), gramatika e Da Lecces (1718), katekizmi i Kazazit (1743) etj., por edhe te gjitha tekstet qe njohim nga tradita ortodokse e akademise se Voskopojes, kishin karakter didaktik. Ato nuk u shkruan ashtu kot, por per t’iu pergjigjur nevojave reale te mesimdhenies se shqipes. Nuk kishte asnje shtyse nacionaliste ne kete mes. Shqipja shkruhej kryesisht ne funksion te edukimit fetar te katolikeve. Por shkruhej. Dhe lexohej. Kujtoj ketu edhe shkollat e Himares qe hapen misionaret baziliane, ku mesohej shqip. Kemi deshmi te perdorimit te shqipes ne leterkembime private mes qytetareve shkodrane, por edhe mes tregtareve. Kemi edhe deshmi, te drejtperdrejta (Budi e Bogdani) e te terthorta (Pal Hasi) se shqipja shkruhej edhe si gjuhe letersie, per te shkruar poezi.

      Abdyl Frasheri nuk e organizoi Lidhjen e Prizrenit se mbeti pa pune. Ai, si nje nepunes i larte me pervoje i ministrise se brendshme te Perandorise, u dergua nga Porta e Larte me detyren te organizonte Lidhjen e Prizrenit dhe permes saj te mbronte interesat e Turqise, te cilat ne ate moment konsistonin ne mbrojtjen e trojeve shqiptare nga synimet aneksuese te fqinjeve sllave. Pastaj, kur Porta e Larte u detyrua te leshoje pe e te sakrifikoje trojet shqiptare, Abdyli iu kundervu hapur udhezimeve te Stambollit dhe u perpoq t’i jepte drejtim tjeter puneve. Per kete u denua nga Porta e Larte.

      Xha Xhai ka te drejte kur thote se shqiptaret nuk kishin ndonje interes te madh praktik per te shkruar shqipen. Shqipja asokohe nuk te jepte buke. Jemi ende larg nga idete dhe shtysat nacionaliste qe filluan te hedhin rrenje vetem ne dhjetevjeçaret e fundit te shek. XIX. E megjithate, edhe pse jo ne permasa masive, shqipja shkruhej.

  2. “Ka një kohë dhe një vend për hartimet dhe retorikën; por këtu unë desha të interpretoj të dhënat që ka sjellë në libër Bushati dhe pikërisht që, në kolegjin jezuit saverian në Shkodër, në krye ishin italianët ata që donin ta futnin shqipen në kurrikulum, ndërsa prindët shqiptarë e kundërshtuan këtë me të madhe.”

    C’ka kam shkruar ne komentin e meparshem jane bazuar ne citime nga libra akademike, te cilat mund te t’i listoj nese deshiron. Megjithate, po i referohem asaj qe shkruan me siper, se italianet ishin ata qe donin te futnin shqipen ne kurrikulum.

    Shqipja qe ne fillimet e shkolles ishte ne kurrikulum, me statusin e gjuhes se dyte(second language) ose si gjuhe e vecante (special language). Mesimi i shqipes ne te shkruar, haste nje sere problemesh, kryesisht per shkak te mungeses se nje alfabeti te stabilizuar dhe te pranuar nga nje konsensus i pergjithshem.

    Duke te cituar nga programi i kolegjit saverian: “..per t’i mesuar nxenesit qe te perdorin gjuhen dhe per t’i paisur ata me mjetet shprehese te nevojshme per te komunikuar me shkrim dhe ne te folur ne komerce(marredhenie tregetare, tregeti).”

    Nuk flitet per mesimin e termave apo te komunikimit me shkrim apo me goje ne gjuhen shqipe, por gjuhen italishte, me te cilet pritej te komunikohej ne anen tjeter te Adriatikut dhe pertej.

    Keshtu qe motivi praktik, sic edhe u permend, eshte pjese e qendrimit oportunist te cdo prindi. Reagimi i tyre ishte i pritshem. Italishtja dhe jo shqipja do t’i jepte mundesi per te levizur, per tu marre me tregeti, apo per te fituar mundesine per te studiuar ne Itali apo gjetke.

    Libri i Bushatit, ndonese eshte me vlere dhe informativ, paraqet nje numer te madh pasaktesishe dhe supozimesh, sic eshte rasti ne fjale, duke pergjithesuar nje situate aspak te vertete. Une nuk do ta merrja si reference akademike per cfaredo studimi, por si pike nisje per te pare sa te verteta jane faktet qe Bushati sjell.

    Zoteria ne fjale, nje burre i nderuar, ka vene ne pune nje kujtese fenomenale, ka biseduar me shume njerez, eshte endur lirshem ne ambjetet qytetare shkodrane ku ka mjelur materialin, kryesisht nepermjet bisedave dhe kujtimeve, ka perdorur burime te ndryshme, por informacioni qe jep, rreth mos deshires te prinderve per te mesuar shqip(per tu marre me shqipen), nuk i ben drejtesi situates te kohes.

    Ne Shkoder ka patur shkolla private edhe para nderhyrjes te Vjenes, te financuara nga vete qytetaret, tregetaret dhe paria e qytetit. Tregetaret dhe emrat e degjuar nga paria, sic permendi edhe Relapso, kane lene deshmi te prekeshme te komunikimit dhe korrespondences me letra ne shqip midis personaliteteve te njohura per kohen. Dokumentat ekzistojne edhe sot.

    1. Shkruan:

      Libri i Bushatit, ndonese eshte me vlere dhe informativ, paraqet nje numer te madh pasaktesishe dhe supozimesh, sic eshte rasti ne fjale, duke pergjithesuar nje situate aspak te vertete.

      Libri i Bushatit nuk përgjithëson asgjë, por thjesht rrëfen një ngjarje, duke iu referuar Cordignano-s. Nëse Cordignano gënjen, atëherë kjo është punë tjetër; por s’më duket sa na takon ne këtu, që ta nxjerrim gënjeshtar.

  3. Le ta kthejmë kokën përpara. Ky shkrim, përveç nënvizimit të fakteve historike, na detyron t’i hedhim një sy aktualitetit. Mua më duket se një nga vlerat është pikërisht ky. Pavarësisht seç bënin prindët në Shkodrën e vjetër, a nuk vërejmë sot tendencën e studimit të gjuhëve të huaja më shumë se shqipen? Kontekstet janë absolutisht të ndryshme, por një farë paralelizmi edhe mund ta heqim. Tek e fundit edhe sot mund të flasim për një qasje pragmatike ndaj gjuhës, përderisa globalizimi po na imponon gjuhë të tjera dhe po na i tkurr gjithnjë e më shumë përmasat territoriale. Shqipja e sotme është vërtet rrjedhojë e përpjekjeve të Rilindjes, për ta shndërruar në farkë e strehë të idenditetit kombëtar, por trysnia që pëson prestigji i saj, nga jashtë e brenda, po i tregon disa plasaritje.

    Idealja do të ishte që ne të krijonim kushtet që prindët të kenë interes që fëmijët ta mësojnë gjuhën shqipe dhe kjo e fundit të ndihet si e domosdoshme për të ardhmen e fëmijëve. E këtu hyn në lojë e ardhmja dhe gjërat ndërlikohen…

    1. Tamam. Dhe nëse të huajt dikur kanë kërkuar që të mësohet edhe shqipja në shkollat e sjella dhe të subvencionuara prej tyre, këtë e kanë bërë jo për t’i ndihur kombit shqiptar që të mëkëmbet, por sepse – si pedagogë profesionistë – e kanë ditur se duke komunikuar me fëmijët me anë të gjuhës amtare, do të mund ta bëjnë më mirë punën e cila i ka sjellë në këto anë.

  4. Mbaj mend në një roman të Prosper Merime, personazhi kryesor, një fisnik protestant francez, i shpjegonte të dashurës së tij katolike se, megjithës nuk ishte besimtar i devotshëm, e shihte fenë si një gjymtyrë me të cilin kishte lindur dhe nuk kishte ndonjë mënyrë për ta ndërruar me një tjetër. Besoj se ky paralelizmi me një gjymtyrë vlen edhe për gjuhën amëtare, dhe dëshira për ta shkruar duhet të ketë qenë gjithnjë e natyrshme, megjithëse në fakt shqipja mund të ketë filluar të shkruhej masivisht vonë. Shembulli i Cordignano-s mund të shihet më shumë si një anekdotë e çuditshme, pasi rrallë lexojmë në tekste historike (unë asnjëherë) që fëmijë të jenë ndëshkuar nga prindërit pse flasin ose mësojnë të shkruajnë gjuhën amëtare. Po spekulloj këtu por duke pasur parasysh se shumë familje shkodrane kanë kaluar në një moment ose në një tjetër mes shekujve XV dhe XIX nga gjuhë latine në shqipen, ndoshta duhet parë edhe mundësia që të kenë qenë familje të ndodhura në një periudhë tranzicioni gjuhësor, megjithëse edhe shpjegimi i konsiderimit të gjuhës si një vegël pune është mjaft i bindshëm.

  5. Edhe pa nderhyrjen mese te vlefshme te relapsos, dukej se kishte diçka qe nuk shkonte tek ndeshkimi i femijeve, sepse nese e permbante programi mesimor, prindi del te jete fare idiot qe te ndeshkoje femijen.

    Sidoqofte, mesimi i shqipes ka qene i pavarur prej deshires per administrate autonome, dmth lidhja mes shqipes se shkruar dhe administrates me shqiptare nuk ekziston. Administratat e pashalleqeve ishin me shqiptare per te pakten gjysem shekulli, por kjo nuk pati asnje efekt ne lidhje me shqipen e shkruar. Pashalleku i Shkodres ekzistoi per 75 vjet, por nuk jepet ndonje vemendje ndaj shqipes se shkruar si gjuhe e shtetit/pashallekut.

    Kjo eshte deshmi e vullnetit te elites politike dhe ekonomike, prandaj nuk eshte kaq e thjeshte kjo puna e shqipes se shkruar, çeshtje elitash e jo populli.

    Nqs duam ta lidhim me diçka shqipen e shkruar ne shek 19, atehere mund te themi se ishte gjuha e borgjezise qe po lindte ku natyrisht hyn edhe nje pjese te elites se vjeter qe po borgjezohej, pjesa e vogel qe po pershtatej me kohen, sidomos pjesa e elites se vjeter feudale qe kishte rene nga fiku apo ishte duke rene.
    Ishte gjuha e shtreses se trete (1-feudalet, 2-kleri, 3- gjithe te tjeret), qe normalisht sa me shume pushtet do te kerkonte aq me shume do te lidhej me gjuhen e kulturen e shkruar qe prodhohet.
    Ne terma te tjera, shqipja e shkruar e shek 19- fillimshek 20 ishte nje arme e forte politike per ata qe kerkonin permbysjen e rendit te vjeter, qofte ne kuptimin e rendit ekonomiko-social, qofte ne kuptimin e largimit te pushtetit turk. Te paret ishin mikroborgjezet (nga dolen ne shek 20 edhe majtistet e pare), te dytet ishin bejleret e pakenaqur, te rene nga fiku apo thjesht shume ambicioze.

    1. Vërtet, nuk pati përpjekje në pashallëqet për të shkruar shqipen dhe për ta mësuar atë në shkollë; por kjo kushedi ka lidhje me faktin që pashallëqet nuk e shihnin veten, nëse mund të shprehem kështu, si shqiptare; ose autonominë e tyre nuk e lidhnin me identitetin kombëtar, as me atë etnik. Kur fola për shqipen në administratë dhe autonominë, kisha parasysh – siç besoj duket qartë nga konteksti – autonominë që kërkonin Rilindësit prej Perandorisë osmane, ose si hap të parë drejt pavarësimit.

  6. Komenti i meparshem ishte postuar gabim dhe nxitimthi, ne nje shkrim me teme tjeter.

    Mendoj se autori Bushati ka ngaterruar autoresine e citimit; ka kembyer Cordignano-n me Zef Valentinin qe ka qene pedagog dhe drejtues i Kolegjit Saverian. Pjesa e meposhtme e sjelle nga une i referohet nje botimi te Zef Valentinit mbi historikun e shkolles jezuite ne nje broshure me titull: Kolegja saveriane ndër 50 vjetët e para, Shtypshkroja ‘Zoja e Paperlyeme’, Shkodër, 1928, dhe ku ne faqen 11-te citohet historia e prinderve shqiptare qe parapelqenin italishten ne vend te shqipes. Valentini kishte mberritur ne Shqiperi ne vitin 1922.

    Cordignano ka ardhur ne Shqiperi ne 1926, jashte strukturave te kolegjit, duke qene me teper nje misionar ne zonat veriore te Shqiperise, ne malesite e Shkodres ne vecanti.

    Ndonjehere del e nevoshme t’i referohesh burimeve te ndryshme per te hulumtuar te vertetat dhe deshmite e nje kohe te larget. Pastaj del ceshtja e interpretimit, Pergjigjet ne komentet e mija, megjithate perkojne intuitivisht me cfare kane sjelle studiues te tjere.

    Kam shkeputur nje pasazh (rreth Kolegjes saveriane e jezuitëve) nga nje doktorature, qe mund te lexohet ne linkun e meposhtem:

    http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2014/05/Doktoratura-Lindita-Kazazi-Fakulteti-i-Gjuheve-te-Huaja-Departamenti-i-Gjuhes-Italiane.pdf

    “Në të studioheshin përkrah lëndëve të tilla si matematikë, shkenca fizike, shkenca natyrore e tregtare, statistikë, vizatim, histori e gjeografi edhe gjuhë të huaja. Sigurisht gjuha në të cilën zhvillohej mësimi ishte gjuha shqipe, por në programet e shkollës vërejmë një numër relativisht të lartë të orëve të gjuhës së huaj, ndër të cilat gjuha italiane zinte vend të rëndësishëm. Për këtë ndikuan edhe vetë prindërit e të rinjve që do të ndiqnin shkollën. Biles, ata ishin të mendimit se vetë gjuha e zhvillimit të mësimit duhej të ishte italishtja, kjo edhe për faktin se kjo gjuhë ishte gjuha e shkëmbimeve tregtare apo edhe për vetë gjendjen në të cilën ishte gjuha shqipe. Gjithsesi, kjo nuk u pranua nga drejtuesit e shkollës, të cilët këmbëngulën që gjuha e mësimit të ishte shqipja. Në këtë situatë vërejmë se orët javore të gjuhës italiane ishin 3, numër i njëjtë me orët e lëndëve të tilla si matematikë, histori, llogarim. Vetëm lënda e gjuhës shqipe kishte numër orësh javore më shumë se gjuha italiane. Gjuha shqipe zhvillohej 5 herë në javë, por shihet se futja e saj si lëndë më vehte është relativisht e vonë, në vitin 1911, ndërkohë që të gjitha lëndët bëheshin në gjuhën italiane.

    >>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

    Kolegji ishte i parapëlqyer nga shumë prindër, për shkak të përvojës si shkollë dhe disiplinës së rreptë që kishte. Shkolla ishte më e plota për kohën, ndoshta edhe për faktin se në periudhën në fjalë. nuk kishte shkollë tjetër të një niveli më të lartë. Veç kësaj, shkollat jezuite ishin të njohura për traditat, sa i përket formimit klasik. Ajo mbështetej në përvojën evropiane të kohës dhe pëlqehej për kulturën e përgjithshme që jepte, si dhe për kujdesin e veçantë që tregonte në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Shkolla hapte dyert edhe për studime të mëtejshme në shtete evropiane. “

    1. Read Me,

      je qe je, hidhi edhe nje sy ketij artikulli ketu poshte, mbi konfliktin edhe te Zef Valentinit me Fishten. Autori i shkrimit, veç te tjerash, thote: “Në thelb të konfliktit është përdorimi i gjuhës shqipe në shkollat e klerit, ndaj së cilës Jezuitet ishin kategorikisht kundër.” Ne versionin online eshte botuar vetem nje nga letrat. Por jane disa te tilla dhe shume domethenese, te botuara tashme edhe ne origjinal, ne italisht.

      http://mapo.al/2012/09/kur-jezuite-denonconin-fishten/

    2. Shkruan:

      Mendoj se autori Bushati ka ngaterruar autoresine e citimit; ka kembyer Cordignano-n me Zef Valentinin qe ka qene pedagog dhe drejtues i Kolegjit Saverian.

      Në fakt jo. Të sugjeroj, Read Me, që të heqësh dorë nga hipoteza se Bushati mund të ketë gabuar në këtë rast – jo se Bushati nuk mund të ketë gabuar, por sepse ty duket se të mungon teknika e nevojshme për të kapur në gabim një autor si Bushati.

      Ky, në fakt, i referohet veprës “L’Albania” të Cordignano-s, vol. I, f. 36; të cilën unë nuk e kam. Megjithatë, unë kam vëllimin e tretë të kësaj vepre, ku Cordignano shkruan, lidhje me At Pasi-n:

      Bashkëpunoi në mënyrë aktive me At Jungg në mënyrë që në Kolegj të studiohej gjuha shqipe, kur zotërinjtë shkodranë për arsye interesi nuk donin që djemtë e tyre ta harxhonin kohën me diçka tjetër përveçse studimit të gjuhëve të huaja, të dobishme për tregtinë dhe për jetën (Plejad, f.262).

      Nuk është ky burimi i Bushatit, por unë po e sjell, ngaqë ai dëshmon se Cordignano ka folur për këto çështje.

      Shtoj edhe se njihet mirë, në sociolinguistikë, fakti që pakicat ose grupet etnike të paprivilegjuara refuzojnë të studiojnë gjuhën e tyre amtare, për arsye të ndryshme, edhe kur kjo mundësi u ofrohet prej të tjerëve.

      Nëse mendon edhe për mua që e kam gabim, jam gati të sjell referencat përkatëse.

      1. Ne nje linje me citimimet e mepareshme.
        Une nuk i kam vene vetes qellim te kap ne gabim askerkend. I bindem vecse rregullave akademike, citoj, dhe jam shume i rezervuar te bej interpretime qe nuk perkojne me realitetin. Po te sjell Cordignano-n ne origjinal, te cituar nga Bushati, duke qene se me drejtove vete tek ai burim.
        Cordignano, vol 1, pg 36
        Di fatto il Collegio, come collegio, si occupò esclusivamente degli studi commerciali e technici…La lingua Albanese è subito insegnata fino dal primo anno… Veramente, com’ebbe a dirmi un signore scutarino, Be Muzhani,… nel fondare questo instituto, gli scutarini avvevano inteso che s’insegnassero bene ai loro figliuoli, scelti dalla migliori famiglie, la lingua italiana e francese, che servivano al commercio che allora si faceva soprattuto con Trieste; del Albanese essi non si curavano, anzi vollero le necessarie restrizioni, perchè il parlare e l’imparare l’albanese non fosse d’impedimento a raggiungere quanto prima lo scopo principale. Se dovevano imparare l’albanese, li avremo tenuti a casa, mi soggiungeva poi quell brav’omo.
        …vi era il castigo dell’anello per chi parlava Albanese in ricreazione. Ma ciò, ripeto, era voluto dai genitori stessi.

        1. Read Me, nuk po të marr vesh fare – nëse e ke parë këtë paragraf të Cordignanos, atëherë pse më shkruaje pak më parë se “Mendoj se autori Bushati ka ngaterruar autoresine e citimit; ka kembyer Cordignano-n me Zef Valentinin qe ka qene pedagog dhe drejtues i Kolegjit Saverian”? A e mendon akoma këtë?

          A nuk do të ishte më mirë të pranoje – haptazi – se e gjithë kjo linjë e debatit ishte një humbje kohe totale, që nga momenti kur ti fillove të vësh në dyshim informacionin që sillte Bushati?

          1. Xhaxha, debati nuk ishte rreth burimeve, por me shume rreth interpretimit. Ne komentin tim, hodha dyshimin e autoresise, perderisa mesova se e njejta teme ishte prekur nga Z.Valentini qe ne vitin 1928.
            Por sic mesojme(edhe une perfshire), kjo teme eshte trajtuar edhe nga Cordignano me vone. Une e solla ne orgjinal per te deshmuar se sa e rendesishme eshte interpretimi.
            Reagimi im tregon se une nuk isha ne dijeni te trajtimit qe i ben Cordignano, por perkon me komentet qe solla me pare.
            Cordignano deshmon ne te njejtat faqe te librit se cfare perpjekjesh benin malsoret e veriut, per te hapur shkollat ne veri. Kjo tregon se sa te ndergjegjshem ishin shqiptaret per t’i arsimuar femijet e tyre ne gjuhen e nenes.
            Rasti i Kolegjit saverian, duhet te interpretohet nga deshmite qe na kane sjelle te dy autoret.
            Debati nuk ishte humbje kohe, te gjithe mesuam nga pak rreth arsyeve dhe shtysave qe shtynin aktoret e kohes te silleshin apo te kerkonin ato gjera qe ne perpiqemi t’i interpretojme sot.

  7. Mua gati nuk po më besohet se në vitin 2014, ka akoma njerëz që besojnë se shqiptarët – madje para se të identifikoheshin si “shqiptarë”, ishin të etur në mënyrë eternale për gjuhën shqipe, të cilën me zell të madh donin ta shkruanin dhe lexonin – faji kurdoherë ka qënë i armiqve që i kanë penguar për këtë (mos na lënç pa armiq o Zot!).

    Besoj se ideja e Xha Xhait qëndron këtu: kërkohej një rilindje, në kuptimin mendor, të mentalitetit të njerëzve, të nevojës për tu shprehur në gjuhën e tyre, kjo do të bëhej e mundur prej Rilindjes – që e ktheu në mision të vetin edukimin e masave në gjuhën shqipe. Dëshira për të shkruar dhe lexuar, nuk është “natyrale”, por është e induktuar, e madje me sens të fortë – ironikisht, fetar.

    Duke marrë shkas nga ngjarja e rrëfyer më sipër në shkrim, ka vend për të rrëzuar madje një mit majtist, kryesisht, sipas të cilit “masat janë të etura për dije, por borgjezët/feudalët/kisha, i pengojnë”. Bullshit.

    Këto janë trashëgimi të enverizmit.

  8. Nje shenim ne lidhje me rolin e te huajve ne levrimin e shqipes dhe te kultures shqiptare ne pergjithesi.

    Roli dhe kontributi i te huajve ka qene i ndryshem ne kohe dhe periudha te ndryshme.

    Rilindja kombetare perkoi me intensifikimin e vemendjes se te huajve ndaj Shqiperise, ne radhe te pare te italianeve dhe te austiakeve.

    Me bashkimin e Italise, e sidomos pas doktrines kolonialiste te arbereshit Francesco Crispi (nga vitet 1880 e tutje) te gjithe italianet, perfshire arbereshet, klerike dhe laike, qe iu qasen Shqiperise, e bene kete ne perputhje me frymen kolonialiste dhe imperialiste te Italise. Paravesisht nga kontributet e jashtezakonshme kulturore, ata ishin pjese e nje politike tipike koloniale qe e shihte Italine si nje fuqi mbrojtese, emancipuese dhe qyteteruese. Ata ishin sinqerisht te bindur se fatet e Shqiperise ishin te lidhura ngushte me ato te Italise dhe se Shqiperia mund t’i realizonte aspiratat e saj vetem nen sqetullen e Italise. Nuk e konceptonin dot nje Shqiperi vertet sovrane dhe te pavarur, jashte sferes se influences italiane, aq me pak nje Shqiperi qe t’i kundervihej interesave te Italise. Nje politike te ngjashme ndoqen Italianet edhe ne kolonite afrikane, ne Etiopi, Somali e Libi: hapen shkolla, nxiten studimin e kulturave dhe levrimin e gjuheve kombetare, por gjithmone me mase, aq sa u duhej dhe u leverdiste interesave italiane. Ketu u ndeshen ne menyre te pashmangshme me nacionalizmat lokale.

    Austriaket, ne ndryshim nga italianet, nuk kishin interesa te drejtperdrejta ne Shqiperi. Ata e ndihmuan levizjen kombetare shqiptare vetem si kundervenie ndaj synimeve imperialiste italiane, pra per te frenuar shtrirjen e influences italiane ne Ballkan.

  9. Xhaxha,

    Mesa e kuptova une debatin, ti qendron perkundrejt argumentit kombetarist sepse ky i fundit permend dhunen e ushtruar ndaj perdorimit te shqipes si mase per ta ndaluar perhapjen e saj. Per te kundershtuar kete lloj argumenti ti sjell faktin e dokumentuar qe Shqiptaret vete kerkonin te mesonin gjuhe te huaja ne bankat e shkolles formale sepse Shqipja nuk u hynte ne pune. Kjo ndodhte edhe kur Shqipja jepej lirisht mesim. Argumentimit te thjeshtezuar kombetarist doemos i mungojne nuancat, por mua me duket se mungesa e perdorimit te nje gjuhe autoktone ne trevat ku flitet lirisht eshte nje forme indirekte e shtypjes. Nese administrata kolonizuese e nje popullate adopton nje gjuhe te huaj ne te gjitha funksionet e saj, e ben kete detyrimisht qe gjuha e sjelle te dominoje ne rangun ekonomik, social dhe politik. Natyrisht qe bijte e tregtareve dhe politikaneve Shqiptare do te ishin te predispozuar te mesonin gjuhe te huaja ne vend te Shqipes, sepse nuk do te kishin kurre korrespondence te rendesishme ne Shqip. Kjo eshte nje forme e qarte dhe e njohur kolonizimi. Fakti qe behet pa ndonje dhune te vecante nuk e perjashton dot faktin qe behet per te kolonizuar popullaten. Per kete ka shembuj te panumert: Frengjishtja ne Kuebec, Catalunian ne Spanje, Basque ne Spanje e France, Anglishtja si gjuha e administrates dhe tregtise ne Indine Britanike e plot te tjera. Historianet e sotem i pranojne keta shembuj si dhune indirekte kunder gjuhes autoktone. Ne vetvete, procesi i kolonizimit eshte i tille, qe kerkon uniformitet me kolonizatorin. Ky lloj uniformiteti zbatohet edhe direkt (nepermjet dhunes) edhe indirekt (duke terhequr nje pjese te popullsise nen tutelen e kolonizatorit). Me kete dua te them qe ndonese argumentit kombetarist i mungon nje narrative e plote, vetekolonizimi nuk e perjashton dot faktin qe sidoqofte ishte kolonizim.

    1. Të mësuarit e shkrimit është investim i madh, në kohë dhe në energji – që këtej edhe gjithnjë pyesim se përse do t’i duhet kjo fëmijës ose kujtdo tjetër.

      Në rastin e shqipes në shkolla, nuk e ndan dot të mësuarit e shkrimit shqip nga libri shqip; nëse nuk ka libra shqip, ose materiale të shkruara në qarkullim, atëherë shkrimi i shqipes, në vetvete, nuk vlen për asgjë.

      Një program i arsimit kombëtar – si ai që kishte Rilindja – nuk mund të ndahet nga një program i hartimit të teksteve të shkruara në shqipe; kjo shpjegon edhe pse të gjithë Rilindësit e penës kujdeseshin të shkruanin edhe vjersha dhe copëza leximi për fëmijët.

      Por shqipes iu desh kohë, që t’i jepte vlerë praktike shkrimit të vet; mjaft të kujtoj këtu se deri edhe për mbretin Zog thonë se nuk është gjetur asnjë dokument i shkruar prej tij në shqip.

      Rasti i kolegjit saverian në Shkodër nuk futet dot lehtë në një model të kolonializimit; sepse atje ishte fjala për një konkurrencë mes shqipes dhe italishtes – dhe kjo e dyta nuk ishte gjuhë e ndonjë kolonizatori ose pushtuesi, meqë jemi ende në kohën e Perandorisë Osmane.

      Fëmijëve të kolegjit, në fakt, nuk u hynte në punë shqipja e shkruar, sa kohë që nuk do ta përdornin dot për asgjë. Kur erdhi dhe u bë reale mundësia e një shkëputjeje të shqiptarëve nga Perandoria, gjërat ndryshuan; sepse edhe shqipja e shkruar do të shërbente si armë për t’i ndihmuar shkëputjes.

      Kam edhe disa shembuj të tjerë të refuzimit të gjuhës amtare, por në këtë moment nuk i mbështet dot me referenca – prandaj po i sjell me rezervën e duhur.

      Kur punoja në Institutin Oriental të Napolit, prof. Fortino – që ishte edhe shefi i katedrës sime – më pat thënë se elitat arbëreshe patën luftuar fort që mësimi i shqipes të futej, qoftë edhe si lëndë fakultative, në shkollat e katundeve arbëreshe.

      Në atë kohë – fillimvitet 1990 – mbaj mend se ishte miratuar ligji përkatës, dhe administratat lokale ishin autorizuar më në fund që të xhironin fondet e nevojshme për mësimdhënien e shqipes në shkollat, po ta kërkonin këtë prindërit.

      Dhe Fortinoja, së bashku me shumë kolegë të tjerë, ishte zhgënjyer shumë këtu; sepse nuk kish pasur gjë interes, nga arbëreshët në tërësi, për ta përfshirë lëndën e shqipes në programet, si fakultative.

      Kjo nga po ata arbëreshë që s’e heqin Skënderbeun nga goja dhe të përmendin “gjakun e shprishur” dhe këndojnë e kërcejnë arbërisht, madje edhe kambanave u bien arbërisht.

      Pozë? Jo, aspak. Arbëreshët e përjetojnë identetin e tyre në një mënyrë specifike; dhe me sa duket u mjafton që shqipen e shkruar, në versionin standard ose lokal, ta praktikojnë pak priftërinj dhe mësues; ndërsa atyre vetë si komunitet nuk u duhet për gjë, dhe e konsiderojnë mësimin e shkronjave shqip kohë të humbur për fëmijët.

      Kjo lidhet edhe me prestigjin e pakët të shqipes së shkruar në Europë; dhe me faktin tjetër që arbëreshët nuk po i lidh gjë sot me Shqipërinë dhe aq më pak me Kosovën.

      Mbase sot situata ka ndryshuar, nuk di ç’të them; mbase ndokush mund të më korrigjojë.

      Më tej akoma – një studim për emigrantët shqiptarë në Greqi, ka konstatuar se në masë të madhe këta kanë refuzuar që fëmijët e tyre të përfshihen në programet publike për mësimin e shqipes në shkollë, të vëna në dispozicion nga autoritetet greke.

      Ky studim është botuar në revistën “Përpjekja”, në numrin kushtuar emigracionit.

      Nga një anë, dëgjon që çështja e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve në Greqi të ngrihet në çdo fjalim me ngjyra kombëtariste – nga ana tjetër, sheh se në praktikë punët janë ndryshe. Në fakt, emigrantët duan që shkolla t’i shërbejë fëmijës për jetën; jo për t’u mësuar si të vishen me kostumet kombëtare të origjinës.

      Problemi në Greqi është edhe politik – sa kohë që prindët e dinë se identiteti i tyre Tjetër, i shpalosur në publik, gjithnjë do t’u sjellë probleme në shoqërinë greke, e cila në vetvete mund të mos jetë aq e iluminuar sa t’i tolerojë si shqiptarë në tërësinë e tyre.

      Megjithatë, unë e shoh të natyrshëm refuzimin; duke menduar se vendet ku shqipja e shkruar mund të mësohet sistematikisht në shkollë janë ato ku shqiptarët edhe jetojnë, dhe kanë administratat dhe kulturën e tyre të organizuar – përfshi edhe mediat dhe librat.

      Dallimi mes gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar mund të shihet kështu edhe si përthyerje e dallimit mes identitetit etnik dhe atij kombëtar.

      1. 2xha: “Rasti i kolegjit saverian në Shkodër nuk futet dot lehtë në një model të kolonializimit; sepse atje ishte fjala për një konkurrencë mes shqipes dhe italishtes – dhe kjo e dyta nuk ishte gjuhë e ndonjë kolonizatori ose pushtuesi, meqë jemi ende në kohën e Perandorisë Osmane.

        Fëmijëve të kolegjit, në fakt, nuk u hynte në punë shqipja e shkruar, sa kohë që nuk do ta përdornin dot për asgjë. Kur erdhi dhe u bë reale mundësia e një shkëputjeje të shqiptarëve nga Perandoria, gjërat ndryshuan; sepse edhe shqipja e shkruar do të shërbente si armë për t’i ndihmuar shkëputjes.”

        Kjo pasqyron permbledhurazi por sakte dialektiken e kohes, 🙂

  10. Megjithatë, çfarë kanoni i mësipërm nuk e pranon haptazi, është që përpjekjet për ta mësuar shqipen e shkruar në shkollë nuk mund të ndahen nga përpjekjet për të themeluar një kulturë kombëtare dhe, më tej, një administratë autonome për shqiptarët.

    Kjo ngaqë, që të ushqehet dëshira për ta mësuar gjuhën shqipe në shkollë, edhe në të folur edhe në të shkruar, duhet që të ketë një perspektivë sociale çfarëdo, për këta fëmijë bartës të fjalës dhe të shkronjës shqipe.

    Besoj se për tu thelluar më tej mbi këtë pasazh më lart, vlen libri i Benedict Anderson “Imagined communities” dhe teoria e print capitalism.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin