NJË BALONË TAUKE

Çfarë zallahie në mediat dhe në politikë, për avionin e ulur në plazhin e Divjakës: ka të paktën dy ditë që gazetat, televizioni dhe radiot nuk flasin për gjë tjetër, pa llogaritur të ngeshmit në kafenetë dhe birraritë anembanë Ilirisë së poshtme.

Është e pamundur t’i shpëtosh këtij lajmi: edhe kur ia heq zërin televizorit, e sheh te fjalët që lëvizin në titrat; dhe pastaj në ekranet e shurdhuara në baret dhe në restorantet dhe në mega-screens në vende të hapura, ose edhe në radion që mban hapur taksisti.

As në ShBA, në ditët pas 11 shtatorit 2001, nuk pati kaq bujë në publik; pa çka se edhe atëherë ishte fjala për avionë të “ulur” atje ku s’duhej. Dua të them se gjeje, tek-tuk, edhe ndonjë kanal televiziv ose faqe të parë gazete që i kushtohej diçkaje tjetër.

Duke lexuar çfarë shkruhet e duke dëgjuar çfarë thuhet, të krijohet përshtypja sikur të gjithë flasin me kod; ose, duke ndjekur metodën e ajsbergut e duke lënë të duket vetëm maja. Çfarë ka rëndësi është pjesa e nënujshme, ajo që nënkuptohet, kërcënimi i heshtur, aluzioni; të cilin gjithkush është i lirë ta dramatizojë sipas midesë.

photoKa një klimë të përgjithshme konspirative, e cila nuk lë jashtë as hipotezën se vetë ulja e avionit ka qenë një inskenim; dhe sa intriguese janë këto inskenime, kur është fjala për avionë!

Të rrëmbyer në këtë histeri akuzash dhe kundërakuzash, shpjegimesh dhe kundërshpjegimesh, hipotezash dhe kundërhipotezash, duket sikur po harrojmë, për një çast, se është fjala – tek e fundit – për një formë kontrabande të rëndomtë, të cilën e rendit në kronikën e zezë vetëm një prohibicionizëm fare absurd, veçanërisht kur është fjala për marijuanën.

Krim pa viktima, pra – njëlloj sa edhe kontrabanda e alkoolit në ShBA-të e viteve 1930; ose homoseksualiteti në kohën kur e dënonte ligji; ose prostitucioni, kumari, eutanazia…

Krimet pa viktima veç janë tregues negativë të shkallës së emancipimit të një shoqërie.

Natyrisht, që transporti i drogës përmes kufijve shtetërorë është krim, këtë e ka përcaktuar ligji penal yni dhe ligjet e vendeve fqinjë; por kaq nuk mjafton, për ta vënë lajmin e tanishëm në qendër të informacionit publik.

Për mua, ngjarja është në vetvete e parëndësishme; tek e fundit, kush merr përsipër të tregtojë një mall të paligjshëm, kundrejt fitimeve përrallore, thjesht luan bixhoz me lirinë e vet; njëlloj si ai tjetri që luan bixhoz me pasurinë.

Dhe aq më e parëndësishme vjen e bëhet, që nga momenti kur dihet se në Shqipëri policia nuk arrin dot ta kontrollojë kultivimin e hapur të bimës së marijuanës, as përpunimin e saj; dhe se shtetit shqiptar i mungojnë mjetet për të mbajtur nën mbikëqyrje të plotë territorin, përfshi këtu edhe hapësirën ajrore.

Një avion tenton të ulet në një plazh të shkretë, pas gjase për t’u mbushur me drogë; por aksidentalisht dëmton njërën prej rrotave dhe mbetet atje, në mëshirë të aparateve fotografike.

Lajmi normalisht duhej të kish zënë një cep të faqes së kronikës së zezë, poshtë njoftimeve për aksidente fatale në trafik, vetëvrasje dhe vjedhje.

Që ka shpërthyer kështu jashtë kontrolli, deri aty sa të futë në krizë institucionet: qeverinë, forcat e armatosura, policinë, komandën e aviacionit civil, etj., kjo të bën të mendosh sërish për ajsbergun: çfarë fshihet nën ujë? Nëse flitet anembanë për një avion si prej lodre, ku është nëndetësja?

Meqë vetë tregtia e drogës është me përkufizim e fshehtë, pse e jashtëligjshme, të pyesësh se çfarë fshihet pas kësaj tregtie do të thotë ta ngresh komplotin në katror.

Diskursi konspirativ shumohet edhe kur e vënë në dyshim; meqë duhet një kospiracion, për të hedhur poshtë një konspiracion. Përndryshe, unë nuk arrij dot të kuptoj se pse një opinion publik dhe një shtet që toleron Lazaratin prej vitesh, sikurse toleron ekonominë e kultivimit të marijuanës mu nën sytë e forcave të rendit, u dashka të tronditet dhe të indinjohet nga fakti që kjo marijuanë do të shitet pastaj gjëkundi, madje do të eksportohet.

Prandaj ka edhe një teori tjetër komploti: që majës së ajsbergut i mungon krejt pjesa e poshtme; dhe ajo thjesht rri mbi ujë mbi kamerdaret e mosbesimit ndaj Tjetrit.

Të gjithë flasin hareshëm aq sa u mbaron fryma, të gjithë kanë nga një version të mrekullueshëm për çfarë ka ndodhur, të gjithë dinë, por ndërkaq realiteti i këtij incidenti banal ka shpërthyer në dhjetëra imazhe të shtrembëra, si të një labirinti pasqyrash.

Vërtet nuk na mbetet më arsye për të rrojtur?

Nuk ka komente

  1. Edhe gjerat me te shemtuara tek ne vijne ne nje forme me te cilen nuk mund te mos qeshesh. Avioni (qe vertet ishte si balone tauke— kjo me vjen direkt me nje melodi qe kendonin ca kalamaj ne rruge kur isha e vogel: balone tauukeeeee, balone tabaakeeee—) pati defekt; po keshtu edhe makina qe mbante drogen; imagjinoni nje film te bere mbi bazen e ketij aksioni: a mund te mos ishte nje film komik?

    Nga ana tjeter, farsa vazhdon, se opozita, ne vend qe te gjeje nje fakt qe e ben akuzen e pare per pisten e avioneve, te vertete, ose prova per faktin qe ky episod transporti droge lidhet me qeverine ose me sylesh-llekun e saj, ose qe dy akuzat te kene ndonje lidhje, thote pa e menduar dy here: jepni doreheqjen!

    Nderkaq, qeveria krenohet qe aksioni i kapjes se droges qe i suksesshem.

    Nuk di ne duhet te qeshesh me lot a te qash me llahinga.

  2. Juve shkruani:

    “Krim pa viktima, pra – njëlloj sa edhe kontrabanda e alkoolit në ShBA-të e viteve 1930; ose homoseksualiteti në kohën kur e dënonte ligji; ose prostitucioni, kumari, eutanazia…”

    Pa viktima?!? Po ata qe vdesin nga overdozat, sa per nje shembull, pa permendur ketu familje te tera qe ne nje menyre a tjeter shkaterrohen per shkak te perdorimit te droges (cfaredolloj droge qofte) financiarisht ose shendetesisht. Apo edhe familja tani modernisht mund te konsiderohet si nje antikuat pa te cilin shoqeria mund te prosperoje duke gjarperuar midis krimesh pa viktima.

    Me poshte:

    “Për mua, ngjarja është në vetvete e parëndësishme; tek e fundit, kush merr përsipër të tregtojë një mall të paligjshëm, kundrejt fitimeve përrallore, thjesht luan bixhoz me lirinë e vet; njëlloj si ai tjetri që luan bixhoz me pasurinë.”

    E para, nese ngjarja eshte e parendesishme, atehere perse ju i jepni rendesi duke shkruar rreth saj? Per te treguar qe ata qe e quajne te rendesishme e kane gabim? E dyta, mund te jete bixhoz kur nuk e ke mik croupier-in, se po ta kesh mik croupier-in, nuk eshte bixhoz, eshte fitim “a colpo sicuro”.

    Dhe e mbyllni paksa ne menyre patetike (mbase me ironi):

    “Vërtet nuk na mbetet më arsye për të rrojtur?”

    Gjithsesi e gjithe kjo ka sherbyer per nje shkrim me shume ne blog. Pergezime te sinqerta!

    1. Keni shkruar në keqbesim.

      Unë nuk di raste të ndokujt që ka vdekur për shkak se është mbidozuar me marijuanë. Më kollaj është ta pësosh duke u mbidozuar me hallvë.

      Mund të ketë njerëz që shkatërrohen financiarisht për shkak të varësisë që krijojnë ndaj marijuanës dhe çmimit të lartë, por çmimi i lartë i detyrohet kriminalizimit që ia bën përdorimit shteti.

      Ngjarjen unë e shoh si të parëndësishme në vetvete, por mënyra si e trajtuan mediat, për mua që merrem me mediat, është e rëndësishme. Mos është gjë shumë e vështirë kjo për t’u kuptuar? Mos duhet gjë që ta shpjegoj me fjalë të thjeshta?

  3. Une nuk e kuptoj cfare quani ju keqbesim. Nqs kjo ka lidhje me vdekjen nga overdoza, po ta lexoni me me vemendje te gjithe fjaline do te shikoni qe une i referohem cfaredolloj droge, dhe padyshim hallva nuk futet ketu, por heroina, e te tjera droga te forta po. Ne kete kuptim trafiku i droges, nuk mund te konsiderohet krim pa viktima, dhe ky eshte thjesht kundershtimi qe kam une lidhur me sa shkruani ju. Megjithese edhe po te jete krim pa viktima, nga pikpamja formale nje krim eshte krim sipas legjislacionit ne fuqi ne momentin kur kryhet, pavaresisht se ka te vrare apo jo (mesa kuptoj une ju me viktima nenkuptoni vetem kufoma).

    Nqs cdo koment qe haptazi nuk miraton dhe levdon cfare keni shkruar ju konsiderohet si ne keqbesim, ne rregull, por atehere duhet unifikuar perkufizimi per keqbesimin, qe te pakten te perfshije edhe keqkuptimin, nga te dyja palet.

    Shendet dhe suksese te metejshme ne punen tuaj me mediat, dhe nese mund te perdorni fjale te thjeshta per te shpieguar idete e komplikuara, pse jo? C’te keqe do te kishte?

    1. Prapë keni shkruar në keqbesim.

      Natyrisht që me viktima unë nuk kam parasysh vetëm kufomat – duke e karikaturizuar mendimin tim, ju vetëm sa tregoni se nuk jeni në gjendje të bëni debat. Viktima janë edhe ato të rrahjeve, të mashtrimeve dhe të vjedhjeve, gratë e përdhunuara, fëmijët me të cilët abuzohet seksualisht, gratë që trafikohen si prostituta.

      Lista është shumë e gjatë. Ndërkohë, kategorinë e krimeve pa viktima nuk e kam shpikur unë – mjafton një kërkim i shpejtë në Internet, për victimless crimes, për të parë sa flitet për këto.

      Të marrim alkoolin. Asnjë drogë, madje as crystal meth, nuk shkakton aq viktima sa alkooli: drejtëprdrejt (duke dëmtuar shëndetin) dhe tërthorazi: mjaft të përmend aksidentet në trafik, që i detyrohen alkoolit. Alkoolin e gjen prapa abuzimeve në familje, rrahjeve, përdhunimeve dhe gjithfarë krimeve të tjera me viktima. E megjithatë, pakkush do të tregonte kundër alkoolit qoftë edhe gjysmën e zellit që tregon kundër një droge relativisht të padëmshme, si marijuana.

      Besoj se të vetmet palë që përfitojnë nga kriminalizimi i marijuanës janë trafikantët (sidomos grosistët) dhe shteti me aparatin e vet policor që fryhet përtej arsyes, me pretekstin e “luftës kundër drogës.” Bashkëfajtorë në këtë marrëzi janë të gjithë ata që kanë tre ditë që ndjekin të hipnotizuar, si guhakë, historinë e një palo avioni të amplifikuar në mediat.

    2. duledupicard,

      Mariuhana nuk duhet parë si drogë e të njëjtës rrezikshmëri si drogat e forta; heroinë, kokainë etj. Vartësia nga mariuhana nuk është e tillë, që të shkatërrojë shëndetin fizik të njeriut; përkundrazi, në mjaft raste në mjekësinë paliative sugjerohet si mjet që lehtëson vuajtjet e pacientëve.

      Në rrethin e miqve e të njohurve të mi ka pasur dhe ka konsumatorë të mariuhanës, që në fakt nuk i bëjnë dëm as vetes e as shoqërisë. Tymosin një, dy tre joint në ditë apo në javë, por janë në rregull me punën e tyre. Nuk i bien askujt në qafë, nuk janë asocialë, nuk janë kriminelë, madje janë aq të relaksuar, sa na ndihmojnë të gjithëve të mos i marrim disa gjëra krejtësisht të parëndësishme gjë shumë seriozisht. Si për shembull, se kur skadon afati mujor për dorëzimin në linjë të formularit paralajmërues paraprak të taksës së mbivlerës së shtuar. Është në datën 10 të çdo muaji, dhe po nuk e dërgove deri në mesnatë, një kompjuter të vë një gjobë prej 20 Eurosh. Tani njeriu mund të rrijë me zemër të ngrirë gjithë muajin, se mos e kapërcen gjë këtë afat deri sa një ditë t’i bjerë damllaja, ose e merr diçka më lehtë çdo gjë; dhe po ju kujtua mirë, po nuk ju kujtua, nuk është gjë ndonjë batall i madh.

      Në këtë kuptim mariuhana është një goxha ndihmë, që ca gjëra krejtësisht të parëndësishme t’i shikosh si krejtësisht të parëndësishme. Për mendimin tim është gabim që këto lloj substancash janë demonizuar në atë shkallë, saqë autori flet për lehtësinë e konsumit të mariuhanës dhe ti për shembull sheh viktima me overdozë. Në një farë mënyre, ti je manipuluar dhe mbase mund të ishte momenti të mos i lejoje ata (të këqijtë) ta bëjnë me ty këtë. Ktheju kurrizin, mos ua vër veshin, nxirru gjuhën, dërgoi në dreq.

      Shumë ndalesa ka në mënyrën se si të rriturit duan ta organizojnë stilin e jetës së tyre dhe tendenca është në drejtimin konservator. Në këtë kuptim mendoj se duhet bërë rezistencë sa herë që të jetë e mundur, edhe për ato çështje që dikë nuk e prekin personalisht, me qëllim që lirinë individuale të mos e shikojmë vetëm si tërësi të lirisë personale, por si një mesatare të lirive personale të të gjithëve.

      1. O pifto, kisha bere ndermend te mos e zgjasja me kete muhabet, sepse pergjithesisht ketu konsiderohesh me keqbesim (cfaredoqofte qe domethene kjo), po qe se nuk leshon livando duke shkruar. Por meqense me je drejtuar drejtpersedrejti, po te them thjesht nja dy fjale. (Me shprese qe Xha Xhai, si i zoti i shtepise, do t’i leshoje te kalojne, me garancine qe nuk asnje keqbesim, thjesht ky eshte mendimi im.)

        Se pari, ate qe kam thene lidhur me overdozen nuk e lidh tjesht, drejtperdrejt dhe vetem me marihuanen. Po te lexosh me vemendje fjaline deri ne fund do te shohesh ne kllapa “cfaredolloj droge qofte”, ne mbeshtetje te mendimit qe trafikimi i droges ne pergjithesi dhe pastaj edhe i marihuanes ne vecanti nuk eshte krim pa viktima. Sidoqofte une e cmoj shume leksionin qe ke dhene lidhur me marihuanen dhe te gjithe apologjine rreth saj, ndonese e dija qe me pare qe nuk overdozohesh e vdes nga marihuana, e shumta “shkon pak lart”. Une personalisht nuk e kam ndjere ndonjehere nevojen per te tymosur marihuane per t’u ndier i shkujdesur dhe “cool”, por e kuptoj fare mire qe te tjere mund ta kene kete nevoje. Une nuk demonizoj kurgje, vetem se theksoj faktin qe marihuana konsiderohet substance e jashteligjshme ne pothuaj te gjitha vendet.

        Se dyti nuk e mbaj vehten per ekspert drogash dhe as nuk me interesojne derjtperdrejt, te fortat, te dobtat dhe te mesmet. Ketu thelbi i diskutimit per mua eshte, SA KOHE DICKA ESHTE E JASHTELIGJSHME, eshte e jashteligjshme dhe pike. Kur mesatarizimi i lirive personale te te gjitheve, sic e quan ti, ta fuse marihuanen brenda ligjshmerise, atehere bujrum, shkujdesuni sa te doni me nje, dy apo tre joints-a pa krijuar problem per policet dhe gjithe organet e aplikimit te ligjeve. Ne filmin “The Untouchables”, Kevin Kostner ne rolin e Eliot Ness, kur e pyesin : “Cfare do te beni ju mbasi te bjere prohibicionizmi”, pergjigjet: “Do te shkoj t’i fus nje dopio”.

        Sigurisht, ngjarja ne vetvehte nuk mund te reduktohet ne kilet e marihuanes, rrotes se balones tauke, a ishte Golf apo Mitsubishi makina aty afer, etj. et. Po nuk mund te mohoet fakti qe kjo ngjarje e parendesishme (sic e quan Xha Xhai) ka implikime TE RENDESISHME politike, qe lidhen me besueshmerine e Qeverise, gjendjen e rendit, faktit qe Lazarati lulezon e prosperon ne saje te kultivimit te nje bime, qe me dashje apo pa dashje eshte e jashteligjshme, pra e ndeshkueshme, etj. etj.

        1. Shkruan:

          kisha bere ndermend te mos e zgjasja me kete muhabet, sepse pergjithesisht ketu konsiderohesh me keqbesim (cfaredoqofte qe domethene kjo), po qe se nuk leshon livando duke shkruar.

          Po pikërisht kjo që shkruani është keqbesim, o zotëri, sepse ju më paragjykoni mua pa të drejtë. Nuk ju kërkon njeri të lëshoni livando, por vetëm të merreni me argumentin dhe të respektoni autorin. Gjë që nuk e bëtë, kur në komentin tuaj të parë shkruajtët: “e gjithe kjo ka sherbyer per nje shkrim me shume ne blog.”

          Dhe pastaj vazhdoni:

          Por meqense me je drejtuar drejtpersedrejti, po te them thjesht nja dy fjale. (Me shprese qe Xha Xhai, si i zoti i shtepise, do t’i leshoje te kalojne, me garancine qe nuk asnje keqbesim, thjesht ky eshte mendimi im.)

          Sërish keqbesim dhe paragjykim: nuk mbaj mend t’ju kem ndaluar ndonjëherë ndonjë koment; dhe nëse dy të parat “i lejova”, edhe pse i konsiderova në keqbesim, pse do të pengoja këtë të tretin, edhe sikur ta gjeja edhe këtë të tillë?

          Do t’ju sugjeroja të mos hanit kunjë me mua: jeni i lirë të flisni për argumentin sa dhe si të doni; por jo për blogun dhe për politikat e shkrimeve që dalin aty dhe huqet e autorëve dhe të pronarëve, nëse për këtë nuk ju është kërkuar mendim paraprakisht. Respektojeni vendin ku flisni, që t’ju respektojnë – se unë vetë nuk kam as interes, as pasion, as kohë me bollëk që të hahem me komentuesit.

  4. 2xha, si ndjekes i mire i medias shqiptare, te paskan shpetuar nja dy ‘detaje’ nga kjo zallmahi.

    Qeveria, dhe simodos Kryeminsitri Rama, vendosen te reagojne ndaj akuzave te opozites–por dhe deshmive te disa banoreve te zones–per trafikimin e droges me avione duke u tallur me ta, duke e trajtuar si nje halucinacion, duke thene shprehimisht se “i duken mushkonjat si avione” (17 prill 2014, fjala ne Kuvend). Pervecse nje papergjegjshmeri kolosale (ne nje vend ku ka lajme te perditshme per trafik droge me lloj mjeti e menyre, avioni s’kish pse te dukej kaq fantazmagorik…se paku qeveria duhet te kishte thene qe do ta investigojme, jo qe jane mushkonja), kjo ishte nje strategji PR-i krejt impulsive, por dhe amatore, se suksesi i saj varej vetem gjasat e pakta te kapjes se nje avioni te tile ‘me presh ne dore’. Vetem disa dite me vone pas kesaj kunderofensive mushkonjiste te qeverise avioni ‘ra nga qielli’, fiks ne Divjake sic qe tallur Edi Rama, fiks me rrote te prishur, sic qe tallur Edi Rama.

    Fatkeqsi? Jo jo, diletantizem ne qeverisje se paku, se shumti nje perpjekje qeveritare per te mbuluar krimin.

    Kjo, por dhe menaxhimi i papergjegjshem i qeverise pas renies se avionit ishin arsyet kryesore te kesaj zallmahie. Qeveria vendosi ta quaje kete koincidence gjasapake si superoperacion te policise (Rama, Tahiri, por dhe te tjere), i cili superoperacion konsistonte tek prishja e rrotes se avionit dhe prishja e faksionit te makines! Shto dhe llapaqenesine e nje ministri karagjoz (Tahiri) dhe ja ku e ke nje show te mirfillte grotesk qeveritar. Reagimi natyrisht qe s’do ishte ashtu sic thoni ju, tip “move on, nothing to see here”.

    Sa per ate qe thua se kemi te bejme nje krim pa viktima; s’e di si ti nuk i shikon dot asnje nga te shumitat viktima te kultivimit dhe eksportimit te afro 900 ton droge ne vit nga Lazarati, si fjala vjen…

    – Shteti ligjor qe kesisoj bie viktime e oligarkeve shtetare te cilet jane padyshim pjese e kesaj indrustrie droge, pasi thjesht eshte e pamundur qe kjo te ndodhe pa perfshirjen e shtetit ne te.

    – Gjithe fshataret dhe qytetaret e tjere te cilen rropaten neper pune (ose duke kerkuar pune) ndersa lazaratsit dhe oligarket private + shteterore merren me keto aktivitete te paligjshme dhe fitimprure.

    – Ti vete, qe ne kete mesele avion-mushkonjash gjendesh fare afer Mero Bazes dhe Fatos Klosit, sipas teorive te te cileve opozita organizoi kete trafik droge, me pas e beri vete te deshtoje, per ta akuzuar qeverine, e cila per faj te opozites shkoi ne vendngjarje shume me vone se karrotreci per makinen e prishur (se makinat e paprishura normal qe iken).

    – E shume e shume te tjera qe mund te renditen ketu.

    Krim pa viktima eshte pirja e hashashit, jo kultivimi dhe trafikimi i tij nga nje siperparje mafioze privat-shtet, e cila padyshim ka lulezuar gjate qeverise se meparshme, dhe vazhdon akoma dhe sot.

    1. Xhib – po vërtet të duket ty normale që me një rast banal kontrabande – sepse ashtu është – të merren 3-4 ditë, duke i dhënë madje përparësi, të gjitha mediat në Shqipëri? Kudo që ta kthesh kanalin, atë muhabet dëgjon.

      Përndryshe, trafiku i paligjshëm i drogës është nënprodukt i legjislacionit kundër drogës; gjë që nuk e thua dot për, bie fjala, vrasjen; sepse nuk thua dot që vrasjet po ndodhin për shkak të ligjit që dënon vrasjen në kodin penal.

      E megjithatë, unë do të bija dakord që ta quanim kontrabandë. Kaq dhe asgjë më tepër.

  5. Zhurma mediatike nuk ka te beje aq me trafikun e droges, sesa me aspektet politike qe pleksen me te.

    Pas akuzave te opozites, qeveria jo vetem qe i mohoi ato, por u tall haptazi dhe shqiptaret i besuan kryeministrit, sepse akuzat e opozites dukeshin vertet te pabesueshme. Mirepo tani doli qe opozita kishte te drejte dhe Kryeministri genjeu! Ky eshte lajmi i vertete, jo droga. Kjo eshte arsyeja e vertete e bujes mediatike dhe jo kronika ne vetvete.
    Çeshtja shtrohet politikisht: a mund t’i besojme me ketij Kryeministri?

    Kujtoni rastin Clinton – Lewinsky. Buja qe zgjati me muaj dhe tronditi Ameriken nuk u shkaktua nga pushtlleku ne vetvete, sepse, siç thoshte personazhi i nje filmi, “pushtlleku nuk i prish pune qeverise”, por nga fakti se Clinton genjeu.

    1. Në fakt, pushtetarët gënjejnë sistematikisht – nganjëherë sepse ashtu duan, nganjëherë sepse ashtu duhet. Ka gjëra për të cilat nuk mund të thuhet e vërteta në publik, ka gjëra për të cilat nuk është mirë të thuhet e vërteta në publik.

      Politikanit nuk i kërkohet gjë të thotë doemos të vërtetën gjithnjë dhe në cdo rrethanë; por të veprojë në të vërtetën.

      Nga ana tjetër, meqë përmende rastin Clinton-Lewinsky, buja nuk u bë se Clinton gënjeu, por se Clinton gënjeu under oath. Ka një diferencë aq të madhe këtu, sa unë habitem si të ka shpëtuar.

      Prandaj mund ta vazhdojmë këtë linjë të argumentit kur edhe Rama të kapet se ka gënjyer under oath.

  6. Ate qe une shikoj pozitive ne te gjithe kete mesele eshte se si rezultat i shpartallimit te monopolit ne administrimin e kanabisit ne Shqiperi, cmimi i blerjes nga prodhuesit eshte ulur si dhe shperndarja e fitimit tashme nuk ngelet vetem ne nje dore qe ka qene e lidhur me pushtetin e djeshem. Dhe ky eshte nje fillim i mbare per te kaluar hap pas hapi deri ne frenimin e kultivimit, nese nuk do te dale ndonje dekret per ligjerimin e saj.

  7. Opozita akuzoi ushtrine per trafik droge, me tej u mor vesh se kerkesen zyrtare per hetime e kishte bere Vishua i Sigurimit (shkrese derguar Ministrit te Mbrojtjes), pastaj Kodhelka i futi nje te betonuar Gjadrit, qe te mos ulej e ngrihej as avioni loder.
    Prandaj nuk eshte kaq e thjeshte kjo pune, u kap njeri ne divjake, ça kane qe pallin te gjithe.

    Kjo ngjarje s’ka te beje fare me akuzat fillestare te opozites ndaj ushtrise, mirepo ngaqe Rama ne fillim fare u kunderpergjigj roma per toma, tani i ngeci derri maç ne dore dhe s’po di ku ta çoje.

    Shoqeria eshte per bukuri (sa mund te jete ne Shqiperi), po qeveria ka probleme te theksuara me menaxhimin e akuzave opozitare .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin