BUJQ JASHTË

bujqesiaImazhi që kemi pasur deri më sot për emigrantët shqiptarë që punojnë në sektorin bujqësor në Itali lidhej me punëtorët e krahut në fushë e në serra. Kjo prani u verifikua nga studiuesit gjatë viteve dymijë, duke shënuar një farë habie për faktin se zakonisht emigrantët shqiptarë perceptoheshin si punonjës në sektorë të tjerë ekonomikë. E megjithatë numri i shqiptarëve që punonin në bujqësi – është fjala për të punësuarit me kontratë pune – ka ardhur duke u shtuar ndër vite, madje duke u nyjëtuar në nënsektorë të specializuar, duke arritur vendet e para në komunitetet e huaja.

Ndërsa karakteristikat e punonjësve të huaj në bujqësi përgjithësisht njihen, edhe pse kemi të bëjmë me një prani në evoluim e sipër, mbeten për t’u studiuar disa dukuri të reja në bujqësinë italiane. Njëra nga këto është pa dyshim figura e sipërmarrësit të huaj, e cila po i imponohet ekonomisë në të gjitha fushat, por që në bujqësi paraqitej deri më sot në mënyrë të ndrojtur. Në sektorin bujqësor ndërmarrjet që drejtohen nga të huajt janë në vend të fundit nga pikëpamja e sasisë së produktit të brendshëm bruto. Në ndërtim, tregti, industri, shërbime ndaj personit, shifrat janë shumë më të larta. P.sh. sipërmarrësit shqiptarë në Itali e kalojnë shifrën 30 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve punon në ndërtim. E megjithatë, në kuadrin e rëndësisë së imprenditorisë të emigrantëve, që lidhet me punësimin, zhvillimin ekonomik, sigurimet shoqërore, por edhe me aftësitë dhe dinamikën e saj, nuk mund të lihet pas dore çka shprehet në lëmin e bujqësisë.

Në studimin e Institutit kombëtar të ekonomisë agrare (Inea) për ndërmarrjet e të huajve në bujqësi dalin të dhëna shumë interesante. Megjithëse përmasat e dukurisë janë ende modeste, sipërmarrësit e huaj dëshmojnë njohje të mirë të territorit, të ekonomisë dhe të shërbimeve, çka tregon se janë mjaft të integruar në indin socioekonomik italian. Ata përbëjnë 2,9% të totalit të sipërmarrësve të huaj në të gjitha fushat dhe janë të shpërndarë në mënyrë heterogjene. Krahinat që shënojnë prani më të madhe janë Toskana dhe Sicilia.

Duke iu referuar të dhënave të vitit 2012 rezulton se sipërmarrësit e huaj në sektorin bujqësor italian janë 17.286. Këta duhen ndarë në dy kategori të veçanta. Në kategorinë e parë hyjnë sipërmarrësit që vijnë nga vendet europiane perëndimore (Zvicër, Gjermani, Francë, ShBA, Angli, etj.), në kategorinë e dytë futen vendet nga ku kanë ardhur imigrantë (Rumani, Shqipëri, Tunizi, etj.). Sipërmarrësit shqiptarë në bujqësi nuk përbëjnë ndonjë numër të madh (541, ose 3,1% të totalit), megjithatë shifra është domethënëse, sepse tregon në radhë të parë një lloj tendence. Duhet shënuar gjithashtu se shqiptarët zënë vërtet vendin e tetë në listën e përgjithshme, por janë në vendin e parë si ekstrakomunitarë, çka tregon edhe nivelin e lartë të integrimit.

Gjeografia luan pa dyshim rol në shpërndarjen e migracionit, sikurse ka rëndësi në praninë e sipërmarrësve në bujqësi. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të kësaj kategorie përqendrohet në Toskanë (41,6%), kurse tunizianët gjenden më shumë në Sicili. Mirëpo, ndërsa afërsia gjeografike e shpjegon qartë praninë e tunizianëve, nuk është e mjaftueshme për numrin e madhe të shqiptarëve në Toskanë. Këtu na vjen në ndihmë nga një anë koncepti i rrjetit etnik, nga ana tjetër prania tashmë historike e imigrantëve shqiptarë në këtë krahinë. Nuk duhet harruar se Toskana përbën një nga ato krahina italiane me prani të madhe shqiptarësh dhe me një shpërndarje përgjithësisht të ekuilibruar. Nuk duhen nënvleftësuar gjithashtu karakteristikat e territorit, që me ekonominë dhe kulturën e vet e favorizon ndërmarrjen e vogël bujqësore. Kjo shpjegohet pjesërisht edhe me praninë e të huajve të tjerë, meqë shqiptarët kapin shifrën 11,6% e numrit të përgjithshëm.

Krahinat e tjera me sipërmarrës shqiptarë janë: Lacio (7,6%), Piemonte (6,7%), Sicilia (5,5%), Emilia Romanja (5,4%) e kështu me radhë. Në qoftë se disa krahina mund të shpjegohen me numrin e konsiderueshëm të emigrantëve shqiptarë, qëndrimin afatgjatë, pra edhe me stabilizimin e tyre, në disa të tjera lipsen studime të mëtejshme sepse tipari i parë (si në rastin e Sicilisë) duhet përjashtuar, meqë në ishullin e madh italian nuk ka ndonjë prani të madhe shqiptarësh. Fakti interesant është se në të gjitha krahinat italiane ka sipërmarrës shqiptarë në bujqësi.

Më çfarë merren ndërmarrjet bujqësore që drejtohen nga shqiptarë? Pjesa dërmuese (96,8%) me kultivimin e produkteve bujqësore, por ka edhe ndërmarrje që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në selvikulturë (1,9%) dhe në peshkim (1,3%).

Në studimin e lartcituara të INEA-s, duhet veçuar pjesa e hulumtimit nëpërmjet pyetësorëve, që u janë bërë sipërmarrësve të huaj në sektorin tonë. Dalin në pah të dhëna kurioze, duke filluar nga arsimi. 31,8% e sipërmarrësve të huaj janë me shkollë të mesme, vetëm 11,7% e tyre janë me shkollë të lartë. Shqiptarët dallohen disi në këtë pikë sepse 40% e tyre janë me shkollë të mesme dhe 10% me shkollë të lartë, pjesa tjetër janë deklaruar me shkollë tetëvjeçare (30%) dhe fillore (15%). Të dhënat mund të shpjegohen pjesërisht me traditën e arsimit në Shqipëri, kurse të dhënat e tjera (si p.sh. shkolla fillore) kanë nevojë për kërkime të tjera.

Disa të dhëna specifike për shqiptarët mungojnë, sepse nuk jepen të detajuara, por sipas gjasës duhen përfshirë në shifrat e përgjithshme. Kështu del se pjesa më e madhe e ndërmarrjeve janë individuale-familjare, me prani të mirë femërore, dhe që janë hapur në vitet 1995 – 2005, ku mund të futen fare mirë edhe ndërmarrjet e shqiptarëve, meqë sipas studimit koha e mjaftueshme për të përftuar njohuritë sipërmarrëse shkon nga 5 deri 10 vjet. Pjesa më e madhe e të intervistuarve deklaron se e ka hapur aktivitetin e vet në bujqësi pasi kanë kaluar të paktën pesë vjet qëndrimi në Itali (nga 5 deri 10 vjet – 33,1%; nga 10 deri 15 vjet 20,2%).

Gjithashtu ka të dhëna të tjera që nuk mund të shpjegohen pa hulumtime të mëtejshme, në veçanti për shqiptarët siç janë për shembull vështirësitë që janë hasur gjatë aktivitetit ekonomik (burokracia, njohja e gjuhës, marrja e kredive, etj.). 97% e të intervistuarve të huaj deklaron se kanë punuar në bujqësi në Itali dhe në vendin e origjinës, çka tregon lidhjen midis punës së mëparshme në sektor. Kjo do të thotë se sipërmarrësit shqiptarë në bujqësi kanë punuar në të njëjtin sektor ose në Shqipëri, ose në Itali si të punësuar. Shpeshherë kemi të bëjmë me transformimin e thjeshtë të marrëdhënieve të punës, nga i punësuar, pas një periudhe kohore emigranti bëhet i vetëpunësuar. Kjo na kujton dinamikën e sektorit të ndërtimit, ku ndërmarrjet e shqiptarëve lindin pas përvojës që ata marrin në sektor duke punuar si punonjës me kontratë.

Interesante statistikat për metodat e kultivimit që përdorin ndërmarrjet e huajve. Fakti që ndërmarrjet e shqiptarëve nuk merren fare me kultivime biologjike mund të shpjegohet pjesërisht me vitet e lindjes së tyre. Sipas studimit, gjatë viteve 2000-2005 kanë lindur përgjithësisht ndërmarrje që ndiqnin metoda konvencionale të kultivimit. Për t’u shënuar gjithashtu se ndërmarrjet shqiptare në Itali merren kryesisht me punimin e tokës e me të mbjella të ndryshme (65%), një pjesë tjetër i kushtohet fruta perimeve (10%) dhe vetëm 5% zooteknisë (lopëve për qumësht), sikurse 5% kultivimit të ullinjve.

A ka ndikuar kriza ekonomike në aktivitetin e ndërmarrjeve shqiptare në bujqësi? Sipas intervistave të zhvilluara ka ndikuar për 65% të tyre, ndërsa nuk ka pasur pasoja për 30% të ndërmarrjeve. Kjo vihet re në masë të ndryshme në të gjithë sipërmarrësit e huaj. Përsa i përket anëtarësimit të ndërmarrjeve shqiptare në sindikatat e punëdhënësve nuk vihet re ndonjë pjesëmarrje e madhe.

Megjithëse kemi të bëjmë me një dukuri të kufizuar, meqë numri i sipërmarrësve shqiptarë në bujqësi nuk është i madh, studimi i saj ka rëndësi të madhe, qoftë për të theksuar rolin e jashtëzakonshëm të imigrantëve në ekonominë italiane, e në veçanti në sektorin bujqësor, i cili vijon ta përballojë krizën me sukses, madje duke i dhënë tonin në botë produkteve të suksesshme Made in Italy. Ndërmarrjet bujqësore tregojnë nga një anë kurorëzimin e integrimit të emigrantëve shqiptarë, nga tjera stabilizimin e tyre të mëtejshëm, meqë çdo investim nënkupton një projekt afatgjatë dhe besim në të ardhmen. Megjithëse vështirësitë nuk mungojnë, nga përmasat e vogla të ndërmarrjeve, deri tek pengesat burokratike, të asocimit e të investimeve të mëtejshme, është e qartë se kapitali njerëzor po pasurohet gjithnjë e më shumë, sepse sipërmarrësit përftojnë njohuri të mëtejshme për menaxhimin e ndërmarrjeve.

Së fundi, dinamika e zhvillimit të ndërmarrjeve shqiptare në Itali nuk mund të mos ndiqet me interes edhe nga ekonomia bujqësore shqiptare, ku deri më sot nuk kanë munguar investime nga emigrantë të cilët kanë punuar fillimisht në Itali. Tani që ndërmarrjet shqiptare po marrin formë, po stabilizohen e po fuqizohen, krijohen kushte pozitive për ta shndërruar migracionin në faktor zhvillimi edhe për vendlindjen.

 

Bibliografi

INEA, Istituto Nazionale di Economia Agraria, Le imprese straniere nel settore agricolo in Italia, Roma 2013.

Rando Devole, L’immigrazione albanese in Italia, Roma 2006.

Unioncamere,Të dhënat zyrtare për lindshmërinë dhe vdekshmërinë e ndërmarrjeve të drejtuara nga të huajt sipas Regjistrit të ndërmarrjeve të Dhomave të tregëtisë italiane, 21 mars 2014.

Idos – Unar, Dossier Statistico Immigrazione 2013, Roma 2013.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin