KRESHNIKË TË VEGJËL

Në orën e këndimit të klasës së dytë fillore, fëmijëve u ish dhënë për “studim” një version i liofilizuar i këngës së Gjergj Elez Alisë.

Kjo ishte një orë e përzier, gjuhë dhe letërsi – fëmijët e përvetësonin tekstin si përrallë ose rrëfim, dhe pastaj mësonin diçka edhe për mbiemrat, të nyjshëm dhe të panyjshëm.

Kështu, Gjergji ishte i mirë, trim dhe shqiptar; motra e mirë dhe e dhemshur; Bajlozi i keq.

Vetë historia e rrëfyer dukej se ishte konsumuar prej fëmijëve si një farë filmi vizatimor, ku dhuna nuk shqetëson, pse ndodh në një nivel të sublimuar; në kuptimin që koka e prerë më pas edhe të mund të ngjitet sërish dhe plagët të mos e bezdisin luftëtarin edhe kur janë kronike e të qelbëzueme.

Megjithatë, të kuptuarit e narrativës ndeshte në disa probleme; kështu, fëmijët thanë se Gjergji ishte i fortë, por nuk e shpjeguan dot si mund të jetë dikush i fortë, kur ka nëntë plagë në trup.

Se si mund t’i përfytyrojë një vocërrak këto nëntë plagë, unë nuk e di. Po të ketë ndonjë gjysh të drobitur në shtëpi, mbase i njëjtëson me ato që populli i quan mishra (angl. bed sores).

Por ky është brezi të cilit ia lyejnë me jod dhe pastaj ia mbulojnë me fasho sterile edhe një gërvishtje koteleje!

Gjergji ishte edhe shqiptar, dhe – sikurse e theksoi mësuesja – ne (prandaj) duhet të mburremi që jemi shqiptarë; por pastaj e korrigjoi këtë shprehje, duke thënë se duhet të jemi krenarë, meqë i erdhi pak turp për fjalën mburremi, në praninë tonë si vëzhgues.

Në muret e klasës kishin ngjitur flamuj shqiptarë me shqiponjë, të vizatuar prej nxënësve.

Gjergj për Gjergj – disa fëmijë ose e ngatërruan Gjergjin e ciklit me Skënderbeun (edhe ai Gjergj), ose shfrytëzuan rastin për t’u kthyer te subjekti i tyre i preferuar: Skënderbeu dhe turqit.

Sa për bajlozin, ky ishte i keq, dhe kishte ardhur nga deti (kushedi ngaqë kishte ardhur nga deti).

Pyetjes se nga kish ardhur bajlozi tamam, njëri prej kalamajve iu përgjigj: nga Greqia. Këtu edhe mësuesja s’e mbajti dot të qeshurit: ku e ke dëgjuar ti këtë? E kam dëgjuar.

Emrin e këtij sendi që nxirrte deti fëmijët e shkruanin me B të madhe dhe fjalën bajloz e trajtonin si emër të përveçëm, pa u korrigjuar.

Sa për motrën e Gjergjit, kjo ishte e mirë dhe e dhembshur, sepse kujdesej për të vëllanë.

Dinamika e konfliktit midis Gjergjit dhe Bajlozit (po ia shkruaj edhe unë me të madhe emrin, për solidaritet) nuk ishte kuptuar mirë – por fëmijët nuk kanë shumë nevojë për arsye, për të shpjeguar pse dy vetë zihen.

Kështu, disa thanë se Bajlozi kishte shkelur tokën shqiptare; të tjerë se ky ia kish kërkuar motrën Gjergjit.

Pyetjes se ç’kish ndërmend të bënte Bajlozi me motrën e Gjergjit (pyetje me spec), të gjithë fëmijët iu përgjigjën pa ngurrim: ta bënte shërbëtore – me sa dukej, kjo temë ishte rrahur në një mësim të mëparshëm.

Kështu, Bajlozi jo vetëm vinte prej Greqie, por ofronte edhe punësim; dhe politikat e Gjergj Elez Alisë binin haptazi ndesh me politikat e qeverisë së sotme, së paku ndaj investitorëve të huaj.

Nuk di se çfarë u kishin thënë fëmijëve për këtë histori; të cilën e quajtën legjendë. Pata një tundim të fortë për t’i kërkuar mësueses që t’ua lexoja fëmijëve këngën e Gjergjit në origjinal; por më tradhtoi Google-i në telefon dhe nuk më çoi te ndonjë version i mirëfilltë i këngës.

Nuk u fol gjëkundi për kreshnikë, sikurse nuk u fol për sllavë (gjë për fat të mirë).

Fëmijët ishin krejt indiferentë ndaj aspekteve makabre të këngës: Gjergji me nëntë plagë, Bajlozit që ia presin kokën në dyluftim. Pyetjes se çfarë i tha Bajlozi Gjergjit, një fëmijë iu përgjigj saktë: “nga varri qenke ngritur, o Gjergj?”

Kështu fëmijëve u jepen elementet e para të fenomenologjisë së ngritjes nga varri, me të cilën do të japin e marrin gjerësisht në të ardhmen.

Por nuk di ç’film vizatimor ose horror do të kenë thirrur në mendje të vegjlit, kur flisnin për këtë Gjergj të ngritur nga varri.

Çfarë i mbetet këngës së Gjergj Elez Alisë, po të zhvishet nga vargu, nga epika e eposit dhe nga bota karakteristike e ciklit?

I mbetet historia ose rrafshi narrativ, i një burri çuditërisht të plagosur rëndë, që ngrihet të luftojë me një burrë tjetër, për të mos lejuar që ky t’ia rrëmbejë të motrën.

Bajlozi që ia kërkon Gjergjit motrën – ky koncept më duket i vështirë për t’u kapur prej fëmijëve.

Për nëntë plagët folëm tashmë. Sa i përket dyluftimit vetë, për këtë fëmijët i kishin idetë më të qarta – njëri prej tyre shpjegoi se kish parë topuz në Muzeun e Krujës: një tjetër spunto për të rifilluar sakaq me Skënderbeun.

Por megjithatë, kjo narrativë plagësh, gjaku dhe kokash të prera, pa shkuar deri te ngritja nga varri, është kaq e larguar nga jeta e sotme, sa fëmijët nuk mund ta përjetojnë veçse si diçka vizatimore.

Ndryshe nga Skënderbeu, i cili udhëheq një ushtri (një popull) dhe lufton për atdhe, prandaj edhe është i asimilueshëm me dinamikat aktuale të politikës dhe të historisë moderne, Gjergj Elez Alia lufton i vetëm, dhe kalimi nga lidhjet e tij të ngushta me të motrën te patriotizmi mbetet problematik.

Nuk ka komente

  1. Përgëzime mësueses që ka zgjedhur rrëfime dhe shembuj kaq fisnikë për edukimin e nxënësve të saj, dhe njëkohësisht edhe autorit për ndarjen e kësaj eksperience me ne.
    Ndërkohë megjithëse mund të duket e çuditshme, në fakt nxënësi ka pasur të drejtë. Ndoshta ai thjesht e ka shpikur vetë origjinën e bajlozit ose mundet ta ketë dëgjuar diku, veçse është për tu vërejtur se është dalluar që taksa “tym për tym” e vendosur nga bajlozi është një taksë bizantine, dhe ndërkohë në këngët sllave të kësaj teme, armiku është grek, përveçse arab.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin