PORTRETE DHE JETËRSIME

Pati pakënaqësi dhe debat për pllakatin e madh të Festivalit të Librit dhe të Arteve Pamore, që mbuloi mozaikun e madh të Muzeut Historik Kombëtar – dhe jo aq për zgjidhjen grafike warholiane, sa për zgjedhjen e gjashtëmbëdhjetë fytyrave që përfaqësonin ngjarjen.

Çdo zgjedhje është edhe përzgjedhje, dhe përzgjedhja ndonjëherë spikat për çfarë është lënë jashtë dhe pse.

Disa vunë re që në pllakat mungonin gratë; të tjerë u ankuan se nuk kish përfaqësues të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ndonjë pyeti edhe pse Kadarenë, figurë qendrore e letërsisë shqipe, e kishin shtyrë në anë (pa çka se shtëpia botuese Onufri, që ia ka botuar Kadaresë veprat, kish parapëlqyer të mos ishte fare e pranishme në stendat e Festivalit).

Rastësisht qëllova te sheshi para Muzeut, mbrëmjen kur po instalohej pllakati. Mes batutave gjithfarësh, u përpoqa të identifikoj fytyrat e të mëdhenjve – por s’e pata të lehtë. Disa prej tyre vërtet nuk i njoha; më thanë se ishin artistë të arteve pamore, mes të cilëve edhe Danish Jukniu, të cilit i kushtohej pjesa figurative e Festivalit. Edhe fotoja e Francesco Roberto Saviano-s m’u duk në disonancë me të tjerat, dhe jo vetëm për nga shkalla e imazhit; më pas, do të dëgjoja të qarkullonte thashethemin se ajo foto paraqiste, në fakt, artistin Robert Alia.

Vizitore-gjate-ceremonise-se-celjes-se-festivalit-te-Librit-dhe-Artit_1

Çdo përzgjedhje do të zhgënjejë disa dhe do të habitë të tjerë, edhe pse një ikonografi si kjo e tanishmja nuk merrte gjë përsipër të përfaqësonte gjë tjetër, veç frymës dhe projektit të Festivalit; dhe krahasimi me klasikët e marksizëm-leninizmit ose me anëtarët e Byrosë Politike do të kish qenë i pavend.

Pyeta veten, më se një herë, se kë do të kisha përfshirë unë në listë po të më duhej të zgjidhja; dhe duke parë se nuk njihja gati gjysmën e personazheve të paraqitura, mendova se një zgjedhje e mirë do të kish qenë që të viheshin, në ballë të Muzeut përbri portreteve të Klosit dhe të Jukniut (të cilët ia dhanë emrin dhe prestigjin çmimeve të Festivalit) fytyra burrash dhe grash krejt të panjohura, rastësore, anonime, pa emër.

Të intrigon portreti gjigant i dikujt, shpalosur në qendër të kryeqytetit, të cilin ti, megjithatë, nuk arrin ta identifikosh; edhe pse vetë ekspozimi kaq intensiv sikur parakupton që ti, kalimtari poshtë pllakatit, ta njohësh personin e paraqitur dhe të njihesh në të, pse ia ke shijuar prej kohësh veprën, fjalën, penelin, daltën dhe kamerën, duke i bërë madje pjesë të identitetit tënd dhe të dinjitetit tënd kulturor.

Efekti është jetërsues, pse ti nuk arrin të bashkëtingëllosh me vetëdijen publike, e cila e ka mundësuar ikonizimin; prandaj edhe ndihesh lehtësisht i përjashtuar, i mbetur mbrapa, i shkëputur nga bashkëkohësia.

Një kulturë që nderon imazhe njerëzish për ty të panjohur, s’mund të jetë kultura jote.

Do t’i shtonte vallë vizitorët e stendave të Festivalit kjo zgjidhje me katërmbëdhjetë të panjohur, njerëz të rrugës, admirues të heshtur të letërsisë dhe të arteve? A mund të funksionojë jetërsimi si nxitje për t’iu afruar veprës?

Para pak muajsh, në nëntor të vitit të shkuar, një anketë informale e organizuar nga emisioni “Opinion” i Fevziut me studentë të Fakultetit Histori-Filologji, zbuloi se disa prej këtyre nuk arrinin dot të identifikonin as edhe Naim Frashërin dhe Ismail Kadarenë, nga portretet që ua tregonin intervistuesve. Nëse ajo anketë ka pasur dhe ka ndonjë domethënie, atëherë kam të drejtë të supozoj se, për shumë tiranas që janë gjendur ballë për ballë gjashtëmbëdhjetëshes të pllakatit, fytyrat e atjeshme do të kenë qenë, në fakt, të gjitha të panjohura.

Efekti më i fortë i një gjigantografie kushedi lidhet drejtpërdrejt me sugjerimin që i bëhet gjithkujt, për ta zëvendësuar në mendje me idhullin përkatës.

Që për bashkëkohësinë tonë narcisike, ose epokën e selfie-ve dhe të CV-ve të lavdishme do të ishte, natyrisht, auto-portreti.

Mos pyet se çfarë i mungonte pllakatit të Festivalit, pra; sepse thellë-thellë edhe ti e di se i mungonte pikërisht portreti yt.

Nuk ka komente

  1. Mu krijua pershtypja se ky shkrim ne thelb vetem sa propozonte nje zgjedhje me pak polemike per portretet ne mur me arsyetimin dhe se shume prej tyre jane gjithsesi te panjohur per publikun e gjere. Po ky nuk eshte ndonje problem i madh ne vetvete, nese pranojme se evenimenti deshironte pikerisht ta bente te panjohuren te njohur. Fakti qe ne 16 figura artistike nuk ka as edhe nje femer nuk mund te justifikohet me nje pakenaqesi te rastit, te ca grupeve ose personave te caktuar. Nese kjo eshte vertet fytyra e artit shqiptar atehere cdo femer, artiste ose jo duhet te ndihet e perjashtuar. Dhe ketu nuk po mbroj idene se detyrimisht eshte perjashtuar padrejtesisht nga elita mashkullore (kete nuk e gjykoj dot), por prape e perjashtuar mbetet!

    1. Nuk kam pasur fare ndërmend të propozoj ndonjë zgjidhje – por vetëm të reflektoj mbi polemikën që shoqëroi portretet, duke marrë parasysh statusin e cenuar të autorëve në një kulturë të gjymtuar, si kjo e tanishmja.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin