ARMIK NË HIJE

Një person – jo nga ata për të cilët thonë: nuk i bën keq njeriu (i shkreti). Jo, ky bën keq, ndonjëherë edhe ashtu, pa shkak, ose thjesht ngaqë mundet.

E përfytyroj si dikë që, duke ecur në rrugë, po i kapi syri ndonjë milingonë që ecën kuturu, do të ngutet ta shkelë me këpucën e rëndë prej gome.

Thjesht ngaqë milingona lëviz.

Gjithsesi, ky tipi, më lëndoi edhe mua njëherë, duke më kapur në befasi (edhe pse pa arritur deri atje sa të më shkelte me këpucën e rëndë prej gome).

Nuk e njihja, as më njihte – e megjithatë, sapo iu dha mundësia, e tha një fjalë të keqe, falas.

Mund të mos e thoshte, nuk e kishin vënë gjë me shpatulla për muri, as ia kishin marrë peng macen ose të jëmën.

Pa një dritare, ashtu, dhe e gjuajti menjëherë me gur.

Këto lloj sulmesh më lëndojnë hidhur, sepse nuk ua kuptoj dot origjinën dhe frymëzimin.

Ecën milingona në punë të vet, dhe ndërkaq tjetri po ndërron kursin, vetëm e vetëm për ta zgërlaqur.

Gjithsesi, e preva në mendje që t’ia tregoja vendin, kur të vinte koha. Tit for tat.

Dhe sado që i them vetes që kurrë nuk duhet të marr shpagë, por vetëm të ulem buzë lumit dhe të pres, sic e shpjegon ai proverbi i dinastisë Ming, që ta sjellë uji kufomën e armikut tim – në kuptim metaforik, natyrisht – pra, sado që dua ta bind veten se hakmarrja është kallpe, si motiv, për këtë tipin kisha vendosur të bëja një përjashtim.

Po e ruaja, pra, që të kërrente diçka – dhe pastaj t’ia skuqja mirë.

Miku im shkruan gjepura të lehta, me një ton pseudo-arkaizant, sikur ta ketë marrë afshin nga faqet e ndonjë reviste provinciale të viteve 1930.

Shkrime të tipit, “shqiptari në shekuj… kështu dhe ashtu.” Ensë dashunit botës sanë.

S’ia kisha lexuar vepërzat ndonjëherë me synimin për ta zbërthyer, por më shumë sipas parimit live and let live.

Jo më.

Dhe ia kapa më në fund një tekst të botuar rishtas – që dukej sikur meritonte vëmendje, të paktën nga titulli lart-tingëllues: Invictus.

Kush ëndërron t’ia ngrejë vetes monumentin me fjalë, si Horaci, e fillon duke ia hedhur ndonjë shprehje latine publikut, kështu si padashur.

Invictus!

Pyeta veten: po sikur ky të ketë nxjerrë nga dora një kryevepër, një aere perennius regalique situ pyramidum altius, çdo të bësh? Do të kesh aq kurajë sa t’i thuash bravo?

Dhe sakaq u përgjigja: po, do të gjej aq burrni sa t’i them bravo, por vetmevete.

Sepse ndërkohë e kisha marrë një vendim që të më bënte të ndihesha mirë: do t’i bija objektivisht, ose me arsye, jo thjesht për të marrë hak.

Dhe ashtu edhe iu futa tekstit të tij, siç hyn njeriu në detin e ftohtë, një mëngjes maji: i shndërruar i gjithi në vendosmëri.

Gjerba pak. Më shkoi mendja sërish te deti, pastaj tek iriqi i detit, dhe më pas te një alegori e lashtë për iriqin dhe dhelprën.

E kapa veten duke dremitur – mendërisht. Tekstin e kisha aty, para syve, por mendja më kish rrëshqitur gjetiu.

Iu ktheva mikut tim sërish –rreptë, por drejt. Po t’i gjeja gjë për zbërthim, nuk do t’ia kurseja shigjetimin; përndryshe, live and let live, dhe lërja lumit ta vendosë në fund (lumit që sjell kufomat).

M’u kujtua Kina e Madhe – lumi Jangce, dragonjtë, festivalet, nishani i Maos, një energumen që kapte miza dëmprurëse dhe i mbyllte në shishe, për të arritur planin ditor të shfarosjes.

M’u kujtua varri i të ndjerit Çan Pao Y, që ish vrarë duke ndërtuar antenën e Dajtit, dikur në vitet 1970. Varr i bukur dhe i vetmuar, në Varrezat e Sharrës.

M’u kujtua që një kinez i vdekur në Shqipëri gjithsesi…

Pastaj e kapa prapë veten duke u kotur. Teksti që kisha përpara nuk po më ndihmonte, nuk më ftonte të përqendrohesha, kishte një lloj efekti soporifik, hipnotik, gjumësjellës, si kamomili i fëminisë, si karafili, si tërfili, si trëndafili, si xhenxhefili…

Kur isha në shkollë të mesme, këtyre teksteve u thoshim “të mërzitshme.”

Thashë me vete: nuk po fokusohem mirë, sepse nuk po e lexoj tekstin, por vetëm po kërkoj ta përdor, kundër atij që e ka shkruar. Po qëmtoj atje shëmtinë, jo bukurinë. Dëshira për hakmarrje po më privon nga le plaisir du texte.

Thashë me vete: ky është ndëshkimi simbolik, për mua që kërkoj të përziej letërsinë në këtë bejleg bajlozësh burracakë.

I dhashë vetes edhe një shans – tek e fundit, teksti ishte i shkurtër, diçka si dy faqe; me paragrafë të ngushtë, sokakë ku mund ta lije mendimin të rrokullisej.

Willie-coyotePor më kish ikur ndërkohë dëshira edhe për hakmarrje, edhe për të vendosur drejtësi; sikurse më kish ikur dëshira për të lexuar.

Ja, kështu më goditi edhe një herë, ky njeri; edhe pse jo më me ligësinë, sesa me mërzinë; dhe sërish më gjeti të papërgatitur.

M’u pa vetja si Wile E. Coyote, i armatosur deri në dhëmbë me ide brilante, por i pafuqishëm përballë drejtvizorit Road Runner.

Tek e fundit, edhe atë shënimin e vjetër të këtij mikut, atë fjalën e keqe që u bë shkas për këtë hakmarrje të dështuar, e kisha lexuar veç ngaqë fliste për mua.

Trefish i mundur, pra, nga një fitimtar që kurrë nuk kish marrë vesh gjë për ngadhënjimin.

Nuk ka komente

  1. Shkrim i bukur shpagëtar…

    ja që edhe nga hakmarrja mund t’i dhurohet lexuesit: bëje të mirë(n), thotë populli (në këtë rast të ligën, sipas jush) dhe hidhe në det (në shkretëtirë do të kishim thënë ne, populli i papa(ga)lluar, se njëlloj është: në mos do e hanë peshqit, do të kalojë ndonjë beduin që mund të ish edhe hakdhënësi, pasi shkreta është e madhe, por bot(a-kuptimi) e (i) e vockël, aq sa vrimat e gjilpërave nga kalojnë me deve të kamurit.

    p.s.: Tash do kërkojmë edhe ne ndonjë shkretan për t’i përcjellë hakgjëmën që na shkaktuat ju me këto rreshta. Ndonjë strehs a mohs a ndonjë vendpavends siç na ngjan vetja kur kundrohemi paKqyrave tuaja…

  2. Castigat: “….pra, nga një fitimtar që kurrë nuk kish marrë vesh gjë për ngadhënjimin.”

    Autori i shkrimit të mësipërm lë të kuptosh(të paktën kështu e interpretoj unë): “… u përpoqa të kapesha pas diçkaje të shkruar prej teje për te nxjerre inatin, marazin tim(të mbledhur për x… arsye), por në fund të fundit, nuk gjeta asgjë qe ia vlente barra qiranë. Çfarë shkruan, nuk ka vlerë, s’është art. Dole fitimtar, por pa mundur të mposhtësh rivalet, kundërshtarët, pa mundur të ngadhënjesh, të triumfosh mbi ta. Fitimtar pa jehonën e himnit të ngadhënjimit. Hakmarrja ime humbi kuptimin.” (përqasje hipotetike krejt e imja) 🙂

    Jeta është e mbushur me konflikte e rivalitete, por gjithmonë ka një zgjidhje, një qasje te llojit “zen”.

    Si mund të ofrohej një këshillë ZEN?

    ZEN: “Kurrë mos merr ndonjë hap për t’i provuar diçka dikujt që të ka lënduar(qofte edhe në sedrën profesionale). Nëse dikush të ka lënduar apo fyer(pavarësisht se kush), mos vepro i cytur nga ndjenja e hakmarrjes, se je i aftë, në gjendje, për të kryer një akt te tillë. Asgjë nuk është e nevojshme të provohet.”

    Pavarësisht, ne fund fitoi besnikëria ndaj emrit, Castigat; të ndëshkosh, të vesh në lojë me talentin tënd … 🙂

    Akti, qe pati si rezultante shkrimin, ngjan më shumë si një “përsiatje e letrarizuar larje hesapesh” midis dy autoreve qe nuk kane një mendim, konsideratë të mirë për njeri-tjetrin.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: