PROSTITUTA ANALFABETE

Për shkak të implikacioneve juridike dhe etike, por edhe socioekonomike, prostitucioni është pa dyshim një nga temat më delikate të shoqërisë së sotme. Epoka e globalizmit vetëm sa e ka ndërlikuar më shumë, ngaqë e ka përzier me tema të tjera po aq aktuale, si migracioni ose qëndrimi ndaj Tjetrit.

Për shumë arsye, tema e prostitucionit ka qenë gjithnjë në vëmendjen e politikës dhe opinionit publik, por këto janë bërë më të ndjeshme që kur është shfaqur me përmasa të mëdha prostitucioni i huaj, ose më qartë ardhja e prostitutave me prejardhje të huaj. Në kuadrin e ndërlikuar problematik të prostitucionit, luan rol të rëndësishëm edhe përfaqësimi mediatik, meqë mënyra se si e paraqesin çështjen mediat e ndikon opinionin publik.

Nga vitet nëntëdhjetë e këtej, vite që përkojnë edhe me rritjen eksponenciale të prostitucionit të femrave të huaja, mediat italiane kanë adoptuar rregullisht disa modele narrative që kanë të bëjnë me prostitutën e huaj. Informacionet i janë përcjellë publikut kryesisht nëpërmjet këtyre skemave, duke ia paraqitur atij realitetin me klishe, çka nuk do të thotë se historitë e botuara nuk përkojnë me të vërtetën.

Pa pretendime shteruese janë vënë re këto modele rrëfimtare: modeli Pretty Woman (prostituta e huaj dashurohet me klientin vendas dhe përfundon në altarin e martesës; modeli shëlbues (prostituta e huaj shpëtohet nga shoqata vullnetare X ose Y dhe ndërron rrugë); modeli shpëtimtar (prostituta e huaj u drejtohet forcave të rendit që e shpëtojnë nga rruga dhe i dënojnë shfrytëzuesit); modeli denoncues (prostituta e huaj tregon vuajtjet që ka pësuar nga shfrytëzuesit). Mund të ketë modele e nënmodele të tjera, që mund të studiohen posaçërisht, por për qëllimet tona modeste mjaftojnë të mësipërmet.

Emëruesi i përbashkët i skemave të mësipërme është fakti se prostitutat paraqiten në cilësinë e viktimave. Në fakt, të tilla janë, meqë nuk ka femër, mendoj unë, që ta zgjedhë lirisht profesionin e prostitutës në kushtet kur vijnë nga jashtë me detyrim. E këtu do të fusja edhe disa prej atyre që e deklarojnë hapur se duan ta ushtrojnë me dëshirë profesionin “më të vjetër në botë”. Nejse, kjo është çështje tjetër, që mund të diskutohet gjetiu; por dua të nënvizoj se shpeshherë femrat që detyrohen të prostituohen, shkojnë jashtë shtetit me premtimin e rremë për punë të tjera e për një jetë më të mirë, ose nisen të detyruara nga kushtet e mjerueshme ekonomike familjare.

Dihet që prostitutat e huaja kanë qenë viktimat e para të trafikimit njerëzor dhe janë mashtruar e shfrytëzuar mizorisht nga njerëz pa skrupuj, që asgjë njerëzore nuk kanë në sjelljen e tyre. Në shumë raste ato janë abuzuar, keqtrajtuar dhe detyruar të jetojnë praktikisht në skllavëri nga xhelatët e tyre. Edhe pse dënimet kundër trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit janë ashpërsuar, krime të tilla vazhdojnë ta fyejnë dinjitetin femëror dhe qytetarinë në shumë vende të botës, ndërkohë që institucionet e shoqëria civile, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, e pyet ende veten se cila është rruga më efikase për ta eliminuar këtë dukuri tejet negative dhe cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar femrat që përfundojnë dramatikisht në rrugë.

Ata që mungojnë zakonisht në rrëfimet mediatike janë përdoruesit, ose ndryshe klientët e prostitutave. Pak flitet për ta, e megjithatë nuk është se nuk kanë rol në procesin e prostitucionit. Këta nuk shikohen me dashamirësi, megjithatë nuk është se vuajnë nga ndonjë stigmatizim i veçantë në media. Ta zëmë, nuk është se flitet shpesh për kombësinë e tyre, ndërkohë që për prostitutat dhe shfrytëzuesit nuk lihet rast pa ua kujtuar pasaportën.

Kur mediat përmendin origjinën e prostitutës dhe të shfrytëzuesit të saj, bëjnë njëkohësisht tre gabime: a) Fusin në një thes dy kategori që nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën (prostitutat janë viktima, shfrytëzuesit janë xhelatë); b) Japin një informacion pa ndonjë rëndësi të madhe për lexuesin (ç’rëndësi ka që prostituta është shqiptare, nigeriane, apo rumune?); c) japin përshtypjen se fenomeni është importuar nga jashtë (origjina e prostitutës është e huaj, por ka lidhje të forta me vendin ku e ushtron prostitucionin).

foto-gazeta-italianePara pak ditësh gazeta italiane “Leggo” (9 prill 2014) titullonte: “Prostituta shqiptare nuk di të flasë italisht: shfrytëzuesit ia shkruajnë tarifat në dorë”. Në artikull lexuesi mëson se vajza shqiptare 24 vjeçare paska ardhur në Itali në shkurt të këtij viti, me premtimin se do të punonte në një bar, por vetëm pak orë pas mbërritjes, është detyruar të dalë në stacion të trenit, “pa ditur asnjë fjalë italisht e me numrin tridhjetë të shkruar me stilolaps në dorë për t’u treguar klientëve shumën e tarifës seksuale”.

Pas dy javësh, vajza shqiptare pati kurajën t’i denoncojë dy shfrytëzuesit e saj bashkëkombas, të cilët e kanë keqtrajtuar rëndë. Dy shqiptarët janë arrestuar më pas nga forcat e rendit, të cilat mendojnë se “ishin duke shkuar jashtë shtetit, sipas gjasës në Shqipëri, për të kapur vajza të tjera të papërgatitura”. Gazeta italiane, njofton gjithashtu se po hetohet edhe një “grua shqiptare që mund ta ketë bindur vajzën të transferohet nga «Vendi i Shqiponjave» në Itali”. Viktima u ka folur fillimisht karabinierëve me disa fjalë në anglisht, pastaj ua ka treguar të gjithë historinë me ndihmën e një përkthyesi.

Tani, nuk është aq e vështirë ta vendosësh këtë shkrim nga pikëpamja e modeleve që përmendëm më parë. Megjithëse të konsumuara nga pikëpamja mediatike, publiku ka nevojë të informohet për histori të tilla rrëqethëse dhe indinjuese, sikurse kanë nevojë ta dinë edhe vajza të tjera që mund të gjenden në të njëjtën situatë shfrytëzimi. Veçantia e tarifës mbi dorë është përnjimend tronditëse, i duhet patjetër lexuesit, sepse tregon me një detaj “të vogël” gjithë egërsinë skllavëruese e çnjerëzore të shfrytëzuesve të prostitucionit, që e konsiderojnë personin më pak se një kafshë për t’u shitur. Për fat të keq, asnjë fjalë për klientët që e lexojnë atë shifër në mënyrë të verbër, kinse pa e kuptuar gjendjen e saj prej skllaveje, madje e paguajnë në mënyrë cinike pasi kanë marrë “shërbimin”, pa iu dridhur ndërgjegjja përballë asaj femre të pambrojtur, madje me “etiketën e çmimit” mbi dorë si dikur damkat e skllevërve.

Ajo çka nuk kuptohet është cilësimi i prejardhjes së vajzës. Fjalët “prostitutë shqiptare” në të vërtetë është pleonazëm; mund të ishte zëvendësuar fare mirë me fjalët “prostitutë e huaj”, pa ia hequr natyrisht vlerën informuese shkrimit. Nënvizimi i origjinës ndikon pa dyshim në procesin e përgjithësimeve e të paragjykimeve, nga të cilat shqiptarët/shqiptaret kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë. Stigmatizime të tilla krijojnë terren të përshtatshëm për platforma politike dhe ideologjike që duan ta shfrytëzojnë prostitucionin për arsye të tjera, por që marrin forcë sepse e paraqisin fenomenin si të ardhur nga jashtë, duke ia projektuar fajin Tjetrit, dhe duke e akuzuar për “degjenerimin” e shoqërisë së vet.

Ndryshe nga hollësia e çmimit të shënuar mbi dorë, mbiemri cilësor që tregon përkatësinë kombëtare të prostitutës e të shfrytëzuesve nuk ka asnjë funksion. Përndryshe, dikush mund të përdorte ironinë: “Mos vallë shkrimi dëshiron ta informojë publikun se italishtja e ka humbur peshën e dikurshme që kishte në Shqipëri?”. Por kjo, do të ishte ironi jashtë vendit të duhur dhe e padobishme, përveçse mund të ndizte rrëfime të tjera mediatike plot klishe, siç është p.sh. ndikimi i mediave të huaja në Shqipëri. E duhet ta nisnim nga e para. Pikë. Kryeradhë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin